Page 3 of 8
Posted: Wed, 27 Jul 2005 , 12:15
by Admin
Sulmuesi shkodran tregon arsyet, përse nuk kaloi te Partizani dhe planet për të qenë pretendent këtë sezon.
Sinani: Vllaznia do lojtarë për çdo repart
Blerja më e mirë e Vllaznisë në këtë sezon mund të quhet pa diskutim mbajtja e Vioresin Sinanit. Njeriu që ka shënuar më shumë gola se askush tjetër me fanellën kuqeblu në gjithë historinë 86-vjeçare të klubit shkodran, duket shumë i motivuar në prag të nisjes së sezonit të ri. Ky i sivjetmi do të jetë i 10-ti për të me fanellën e Vllaznisë dhe vetë Viori është entuziast për një paraqitje mbresëlënëse të vetes dhe të ekipit të tij në këtë sezon. Këtë entuziazëm ai e shoqëron edhe me kërkesën që ka ndaj presidencës, për ta forcuar skuadrën me lojtarë cilësorë në çdo repart. Ja si shprehet kapiteni i Vllaznisë, Vioresin Sinani, për "Sportin shqiptar":
- Viori, i 10-ti sezon me Vllazninë. Duket se e paskeni shumë të vështirë për t'u ndarë me këtë skuadër?
- Për një futbollist që është rritur dhe që ka bërë goxha karrierë në një klub është e vështirë për të ndryshuar. Nuk mund të largohesh kollaj, sepse gjërat nuk mbesin vetëm në planin e interesave personale. Po të ishte thjesht për këto të fundit, me siguri që në shumë prej këtyre sezoneve do të kisha luajtur diku tjetër dhe jo me Vllazninë.
- Në merkaton e kësaj vere u bë shumë bujë në lidhje me një kalim tuajin te Partizani, kalim madje që bëhej i sigurtë. Çfarë ndodhi që nuk u bë ky bashkim?
- Jam shprehur edhe më parë, që Partizani më kishte bërë një ofertë shumë të mirë, e cila gati-gati ma mbushte mendjen për të kaluar te kjo skuadër, por me kalimin e ditëve nuk ishte më ky interes dhe prandaj hoqa dorë nga një aventurë e tillë.
- Mund të shpjegoheni më konkretisht?
- Partizani u vonua shumë në ndërtimin e ekipit që presidenti Xhani kishte në mendje. Ndërkohë unë nuk mund të prisja kaq gjatë, prandaj dhe zgjodha sërish Vllazninë, drejtuesit e së cilës i kishin lënë dyert hapur në çdo moment për mua.
- A është e vërtetë se shuma që do të merrni te Vllaznia është më e vogël se ajo që u kishte premtuar Partizani?
- E kam thënë edhe herë të tjera që Vllazninë nuk e ndërroj për pak gjë. Kësisoj, jam i kënaqur që jam sërish në Shkodër, në skuadrën e qytetit tim, me të cilën kam kaluar shumë momente të bukura dhe shpresojmë të bëjmë gjëra të mira edhe në këtë sezon që po vjen.
- Jeni shprehur edhe për disa oferta të tjera që keni patur nga ekipe jashtë vendit?
- Po, këto oferta kanë ekzistuar, por të them të drejtën kalimi tek ato skuadra që dëshiroja unë, nuk u realizua dhe për rrjedhojë nuk preferova më pas të nis aventura të reja. Për këtë arsye vendosa t'i them "po" ofertës së presidentit Çela.
- Të kthehemi te Vllaznia. A keni shpresa se sezoni i ri do të jetë i ndryshëm nga ai i kaluari?
- Askush nuk e dëshiron, sidomos atë fund të sezonit të kaluar, as ne si futbollistë, as trajnerët, as ata që paguajnë para, apo tifozët tanë. Për këtë arsye jemi duke menduar dhe duke u bërë gati për një sezon krejt tjetër sivjet. Planet janë për të ndërtuar një skuadër pretendente dhe shpresojmë që të jetë kështu në mënyrë që të rikthejmë entuziasmin edhe te tifozët tanë.
- Ndërkohë një nga objektivat kryesore të presidencës duket se është gjetja e një partneri për ju në sulm...
- E rëndësishme është që skuadra të ketë sa më shumë lojtarë të gatshëm. Dhe përforcimet nuk duhet të jenë vetëm në repartin e sulmit, por në secilin prej tyre. Një skuadër pretendente duhet të ketë shumë lojtarë, prandaj mbetemi me shpresë, se kjo gjë do të realizohet pa filluar kampionati.
Intervistoi Gjergj Kola
Posted: Thu, 28 Jul 2005 , 13:47
by vllaznia1919
Radusinoviç: Vllaznia, shansi për në Europë
Nga malazezët që kanë mbërritur së fundi në Shkodër konsiderohet më i talentuari. Madje mendimet e para për të janë që ai është malazezi më i mirë që ka ardhur deri tani për të luajtur në vendin tonë. Igor Radusinoviç është vetëm 21 vjeç dhe ka arritur të fitojë shpejt simpatinë e shkodranëve. Kushdo që e ka parë duke luajtur këtë lojtar deri tani, e ka evidentuar atë si një blerje e përkryer. Vetë lojtari është shumë i kënaqur që ka zgjedhur Vllazninë për vazhdimin e karrierës. Kjo pasi mund ta ndihmojë atë të bëjë një hap përpara drejt një kontrate më të mirë në Europë vitet e ardhshme.
Vetë Igori ka përshtypjet më të mira për pritjen që i është bërë në Shkodër dhe këtë e shpreh edhe në prononcimin e tij kur thotë: "Që në momentin e mbërritjes në Shkodër kemi mbetur jashtëzakonisht të kënaqur nga pritja që na është bërë, si nga futbollistët, drejtuesit, ashtu edhe tifozët. Po ashtu, jemi shumë të kënaqur edhe nga kushtet e shkëlyera të akomodimit që na janë ofruar te hotel "Favorit". Në një ambient të tillë, natyrisht që edhe unë do të jem i obliguar për të dhënë maksimumin për Vllazninë". Radusinoviç ka qenë goditja e parë e kuqebluve për këtë sezon në merkato dhe ajo duket se ka rezultuar "në shenjë".
Mosha e tij e re, vetëm 21 vjeç, dhe saktësia e madhe që ai ka paraqitur në lojën e tij në këto pak prova të para të shkodranëve, janë një arsye më tepër për të menduar se trajneri Haxhiosmanoviç e ka gjetur lojtarin që kishte kërkuar për mbrojtjen. Duke e vënë në qendër të mbrojtjes sëbashku me Telin, duket se kuqebluve iu është rikthyer siguria në mbrojtje, aq e vënë në diskutim sezonin e kaluar. Aq më tepër që malazezi i ardhur nga ekipi KOM i Podgoricës nuk e ka aspak problem të luajë në vijë të drejtë në mbrojtje, skemë e preferuar kjo e trajnerit Haxhiosmanoviç. Madje vetë Igori thotë se një mënyrë loje të tillë e "ka në gjak" dhe nuk përbën as më të voglin problem për ta aplikuar edhe te skuadra shkodrane. "Unë me këtë mënyrë loje kam luajtur në këto 5?6 vitet e fundit në Podgoricë dhe për pasojë nuk më bën aspak problem. Përkundrazi, është shumë e favorshme për mua, sepse jam mësuar duke luajtur në këtë mënyrë,"shton më tej mbrojtësi i qendrës së Vllaznisë.
Ndërkohë, ndonëse ka vetëm pak ditë që ai është në Shqipëri, sërish e kupton menjëherë se Radusinoviçi ka filluar të studiojë çfarë është futbolli shqiptar dhe cilat do të jenë pretendimet e skuadrës së tij të re në sezonin e ardhshëm, prandaj përgjigjet: "Vllaznia ka një ekip të mirë dhe i ka shanset të futet në luftën për titull me Tiranën, Teutën, Dinamon dhe Elbasanin". Kjo natyrisht që nuk do të jetë e lehtë, por sipas tij, kur në skuadër ka shumë djem të rinj dhe të motivuar për të arritur më të mirën, edhe suksesi do të vijë. Këtë shpreson edhe vetë Radusinoviçi, që në fund të prononcimit të tij thotë: "Duke qenë se po flasin fjalë të mira për mua, ju siguroj që edhe unë do të jap më të mirën që skuadra të arrijë objektivat e veta dhe po ashtu edhe unë shpresoj që duke luajtur mirë këtu, pas një apo vitesh, të siguroj një kontratë të mirë në Europë".
Posted: Fri, 29 Jul 2005 , 13:26
by vllaznia1919
Shehi: Vllaznia, sivjet një sezon ndryshe
Durrsaku i njohur i portës, Orges Shehi, i cili luan sezonin e tij të të dytë me Vllazninë, mendon se këtë radhë ajo do të jetë më ndryshe. Orges Shehi edhe vitin e kaluar vërtetë kishte ardhur me dëshirën e ngritjes së ndonjë trofeu në Shkodër, por peripecitë që e shoqëruan skuadrën kuqeblu, nuk i'a dhanë këtë kënaqësi.
Ndërkohë sivjet ai mendon se do të jetë më ndryshe. Këtë besim ai e mbështet te fjalët e presidencës së klubit shkodran dhe stafit drejtues. "Kur them që kemi shpresa për një sezon më të mirë këtë vit, kam parasysh premtimet e presidencës dhe stafit drejtues për krijimin e një skuadre të fortë. Kuptohet, presim që me ardhjen e atyre lojtarëve që janë tek Elbasani, me tre malazezët që kanë ardhur, apo dhe ndonjë lojtar tjetër, ne do të krijojmë një skuadër të fortë dhe pretendente serioze për trofe,"thotë Orgesi. Ai ka qenë ndër lojtarët e parë, që është rikonfirmuar nga presidenca kuqeblu për qëndrimin në skuadër edhe për këtë sezon. Portieri i njohur durrsak nuk ka nguruar të firmosë për Vllazninë, sepse ndihet mirë në Shkodër, njëkohësisht edhe i vlerësuar, prandaj dhe duket entuziast në prag të sezonit të dytë me kuqeblutë. "Për mua ky vit i dytë me Vllazninë do të jetë padyshim më i mirë. Tashmë njihem më mirë me lojtarët dhe tifozërinë, ndaj kuptohet që këto mjaftojnë për t'u ndier më mirë. Shoh një dëshirë të madhe te stafi drejtues për të bërë gjëra të mira këtë sezon, sepse në atë të kaluarin dolëm komplet nga objektivat. Shpresojmë të gjithë të bëjmë diçka më të mirë tani,"ka shtuar Shehi.
Posted: Wed, 03 Aug 2005 , 13:42
by vllaznia1919
Fushaj: Me Bejzaden e Ndrekën në rrugë të mbarë
Lajmin e botuar dje në lidhje me interesimin e Vllaznisë për Skerdi Bejzaden dhe Henri Ndrekën, e ka konfirmuar edhe vetë zëvendëspresidenti shkodran, Valter Fushaj. Ka qenë pikërisht ai që ka biseduar me të dy këta lojtarë mesditën e së hënës, duke shfrytëzuar edhe marrëdhëniet shumë të mira që ka me ta, ndaj dhe shanset Bejzade dhe Ndreka të vishen kuqeblu janë të mëdha. "Kam biseduar me këta dy lojtarë dhe mund të them se bisedimet janë në rrugë të mbarë për t'i sjellë ata te Vllaznia. Kjo gjë mendoj se do të marrë fund brenda kësaj jave," ka thënë ai. Në këtë mënyrë, pas një "periudhe qetësie", numri 2 i presidencës kuqeblu duket se është kthyer fuqimisht pranë skuadrës të cilën ai sponsorizon, me idenë e ndërtimit të një Vllaznie pretendente.
Posted: Fri, 05 Aug 2005 , 18:25
by vllaznia1919
Fushaj: Pas Ndrekës e Kulit, edhe të tjerë
Premtimet e zëvendëspresidentit të Vllaznisë, Valter Fushaj, kanë filluar të bëhen realitet. Ai është shfaqur i kënaqur dje, pasi ka arritur të bindë Henri Ndrekën të firmosë për Vllazninë, që do të thotë një përforcim më tepër për këtë skuadër. Por, nga ana tjetër, numri 2 i klubit shkodran ka premtuar edhe të tjera surpriza në merkato. Natyrisht që në këtë valë ngarkese në punë, ai e ka edhe një "pishman": atë të mosbindjes të Skerdi Bejzades për të luajtur edhe ai në Shkodër. Por duke e konsideruar vendimin e tij zgjedhje personale, Fushaj kërkon t'i gëzohet natyrisht asaj që ka arritur. Nuk ka zgjatur shumë biseda mes tij dhe Ndrekës dje në mesditë në ambientet e hotel "Colosseu"-t, që është pronë e tij, ndaj menjëherë ai ka ftuar aty dy drejtuesit e klubit, sekretarin Hoxha dhe drejtorin teknik Mustafaraj, si dhe noterin e klubit, Arben Kopliku. Ish-lojtari i Partizanit nuk ka ngurruar të hedhë firmë në katër kopjet e kontratës së afruar dhe zyrtarisht që nga ora 14.30 e ditës së djeshme është pjesë e Vllaznisë. "Jemi të kënaqur që Ndreka pranoi të veshë fanellën e Vllaznisë. Kontrata që sapo nënshkruam është e vlefshme deri në fund të sezonit 2005-06, duke pasë parasysh edhe faktin tjetër se, në rast pjesëmarrjeje të Vllaznisë në kupat e Europës, lojtari do të jetë aktiv edhe për këto ndeshje,"ka thënë zëvendëspresidenti Fushaj. Ceremonia e firmosjes së kontratës dhe e pozimit të blerjes më të re të shkodranëve me fanellën kuqeblu, kanë qenë diçka e thjeshtë dhe e shpejtë. Kjo pasi ditët e ardhshme pritet të jenë edhe të tjerë lojtarë që do të vijnë te skuadra e drejtuar nga trajneri Haxhiosmanoviç. Këtë fakt e bën të ditur vetë numri 2 i presidencës, i cili madje ka zbuluar edhe një emër tjetër të merkatos shkodrane, teksa shton: "Me skuadrën do të bashkohet edhe futbollisti kavajas, Bekim Kuli, ndërkohë që jemi në bisedime edhe me 2-3 lojtarë të tjerë nga kampionati ynë, emrat e të cilëve nuk mund t'i zbulojmë. Gjithsesi, shpresoj që edhe me ta, brenda kësaj jave, do të gjejmë akordin e duhur për t'i sjellë në Shkodër. Po ashtu, janë edhe disa lojtarë të tjerë jugosllavë që po provohen, ndaj besoj se kemi çfarë të zgjedhim."
Në këtë mënyrë, ndonëse me vonesë, edhe Vllaznia duket se po lëviz në merkato. Një gjë e tillë vjen pas deklaratave të pjesëtarëve të stafit drejtues të kuqebluve, të cilët kërkonin përforcime, sepse me kontigjentin aktual, nuk mund të pretendonin për trofe. Dhe përgjigjet e para të presidencës erdhën, sepse Ndreka firmosi, por pritet ta bëjë këtë Kuli dhe ndonjë lojtar tjetër. Vllaznia kësisoj ka filluar të kompletohet, duke garantuar për një skuadër pretendente.
Posted: Fri, 12 Aug 2005 , 13:33
by vllaznia1919
Haxhiosmanoviç: Dua edhe një sulmues!
Tekniku i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç, me gjithë ardhjet e fundit në skuadrën e tij, kërkon të tjerë lojtarë cilësorë. Me mbërritjen e Patushit, atij sikur ka filluar t'i vijë buzëqeshja, megjithatë, "Deda" e ka edhe një kërkesë në adresë të presidencës: do edhe një sulmues. Po të ndodhë edhe kjo, kuptohet që atij i "mbyllet goja" dhe më pas prej tij do të priten vetëm rezultate. Nevojën për të tjerë lojtarë, trajneri malazez ua ka bërë të ditur drejtuesve të lartë të klubit "Vllaznia", pikërisht sekretarit Ismet Hoxha dhe drejtorit teknik, Gëzim Mustafaraj. Këta të fundit kanë ndërmarrë një mision inspektimi të mërkurën pasdite në Cetinjë, kampingun ku është sistemuar ekipi shkodran. Hoxha e Mustafaraj kanë biseduar gjatë me trajnerin Haxhiosmanoviç dhe stafin e tij, duke e pyetur për gjendjen dhe problemet që po hasen këto ditë të qëndrimit në Mal të Zi. Kuptohet, tema kryesore e bisedës ka qenë ajo e përbërjes së skuadrës. Siç dihet, deri para disa ditësh, drejtuesit e skuadrës shkodrane janë shprehur se me kontigjentin që ishte duke u stërvitur në Cetinjë, Vllaznia nuk mund të pretendonte për trofe. Por një mendim i tillë gradualisht ka ardhur duke rënë poshtë, pas përforcimeve që janë bërë dhe po bëhen. Ardhjet e Ndrekës dhe Kulit pritet të rregullojnë disa gjëra në lojën e skuadrës, megjithëse të dy ata nuk janë në formën e duhur sportive. Një çështje e tillë mësohet të ketë qenë tema kryesore e bisedës mes Haxhiosmanoviçit dhe dyshes drejtuese Hoxha-Mustafaraj. Por sërish trajneri malazez e ka bërë të ditur kërkesën e tij për lojtarë të tjerë, teksa u është drejtuar "shefave" të tij: "Më duhen edhe të paktën dy lojtarë cilësorë, një mesfushor dhe një sulmues, për të krijuar atë skuadër që do të tentojë pa frikë pastaj fitoren e të dy trofeve." "Deda" ka folur qartë dhe dy njerëzit e besuar të presidencës së klubit shkodran natyrisht që kanë mbajtur shënime për t'i raportuar tek ata që paguajnë për këtë skuadër. Por pikërisht kur ata mbanin shënime, presidenti Agron Çela po merrej me mbylljen e marrëveshjes me Saimir Patushin. Me të marrë vesh këtë lajm, "Dedës" fytyra i ka marrë tjetër pamje. Vlerat e këtij mesfushori ai i njeh mirë, pasi e ka stërvitur te Vllaznia përpara 4 vitesh. Për më tepër që Patushi është një nga mesfushorët më të mirë të kampionatit tonë dhe një "bum" i tillë i presidencës kuqeblu nuk ka si të mos vlerësohet. Pasi i është gëzuar realizimit të gjysmës së kërkesës së tij, ai ka ngulur këmbë edhe një herë tjetër tek pjesa e dytë e saj: "Tashmë më duhet edhe një sulmues." Po të ndodhë kjo, atëherë kuptohet qartë që topi do të jetë në fushën e malazezit, për të ndërtuar atë skuadër fituese që presin të gjithë, pse jo edhe për të kthyer titullin kampion pas 5 vjetësh sërish në Shkodër.
Nga ana tjetër, në bisedën e trajnerit Haxhiosmanoviç me dy drejtuesit e lartë të klubit, është diskutuar edhe për elementin e ri. Bëhet e ditur se numri 1 i stolit shkodran ka qenë i pakënaqur me nivelin e disave prej tyre, kështu që pritet të ketë edhe një tjetër seleksionim.
Posted: Sat, 13 Aug 2005 , 14:31
by vllaznia1919
Patushi: Vij për një Vllazni kampione
Saimir Patushi ka firmosur dje pasdite për një vit me skuadrën shkodrane, e cila duket se do të jetë pretendente për fitimin e të dy trofeve sivjet. "Vij për të qenë sërish kampion me këtë skuadër," është shpehja që përmend shpesh matjani i sapoveshur kuqeblu. Në këtë mënyrë, është zyrtarizuar edhe një përforcim tjetër për skuadrën shkodrane, megjithëse thuhet se nuk do të jetë i fundit. Ja si shprehet lojtari i sapoardhur te Vllaznia, Saimir Patushi:
Saimir, riktheheni në Shkodër pas 4 vitesh. Çfarë përbën për ju ky rikthim?
Kjo është një kënaqësi e madhe për mua, sepse në sezonin 2000-2001 kam kaluar momente mjaft të mira me këtë skuadër, duke u shpallur edhe kampion. Por njëkohësisht, shpresoj se e njëjta gjë ka për t'u përsëritur edhe sivjet, sepse synimet janë të qarta, por më mirë t'ia lëmë kohës.
Në Shkodër e kanë pritur shumë mirë ardhjen tuaj. Keni emocione për këtë?
Emocionet janë të shumta dhe shpresoj t'i kënaqim sërish të gjithë tifozët e kësaj skuadre.
Gjeni ndryshime në skuadër. Ju bën përshtypje kjo?
Nga bisedat që kam pasur me donatorët e Vllaznisë, ata më kanë siguruar se ekipi aktual do të shkojë në atë shkallë ku ka qenë. E rëndësishme është që si Patushi, ashtu edhe lojtari i 22 të, të japin maksimumin për këtë skuadër, në mënyrë që ajo t'i arrijë objektivat.
Shpreheni shumë entuziast për skuadrën tuaj të re. Vërtet besoni kaq shumë se Vllaznia do të jetë pretendente për titull sivjet?
Nuk diskutohet. Duke parë gjithë këto shpenzime që po bëjnë donatorët, duke parë natyrisht se ç'kanë edhe ekipet e tjera, besoj se do të jemi më lart.
Ju ka mbetur ndonjë "pishman" nga largimi prej Tiranës?
Nuk mund të jap asnjë arsye. Ato janë shumë të thjeshta, por arsyeja më e mirë është që jam tani te Vllaznia. Mendoj vetëm për skuadrën time të re.
Që në javën e parë të kampionatit do të jeni përballë Tiranës. Keni ndonjë merak për këtë ndeshje?
Në të vërtetë, nuk kam asnjë merak. Do të jap maksimumin në këtë ndeshje, në mënyrë që Vllaznia ta nisë mbarë kampionatin. Nuk do të jetë një sfidë kundër ish ekipit tim. Vlerat e Patushit dihet se cilat janë tashmë, megjithatë, do t'ia lëmë kohës për ta vërtetuar këtë.
Së fundi, cili është mesazhi juaj për tifozët shkodranë?
Mesazhi më i mirë është të rikthejmë sërish emocionet e sezonit 2000 2001, kur stadiumi ishte i mbushur plot. I mirëpres ata në stadium në këtë ndeshje të parë kundër Tiranës, për të treguar se kush është në të vërtetë Vllaznia.
Posted: Sun, 14 Aug 2005 , 19:30
by vllaznia1919
Çela: Po ndërtojmë Vllazninë kampione
Edhe për shumë tifozë shkodranë, lëvizjet e fundit në merkato nga ana e presidencës së Vllaznisë kanë qenë të befasishme. Një "bum" që pritet të pasohet edhe nga disa lëvizje të tjera, çka do të thotë se po ndërtohet një skuadër shumë e fortë dhe pretendente. Kjo është dhe arsyeja kryesore që i ka detyruar drejtuesit e lartë të këtij klubi ta "zgjidhin mirë qesen" në këto ditë të nxehta gushti. Skuadra medoemos duhet që sezonin që sezonin e ri ta kurorëzojë me sukses. Për presidentin Çela dhe anëtarët e tjerë të kryesisë, ky do të sezoni i tretë në krye të Vllaznisë, por deri tani ata nuk kanë shijuar asnjë trofe. Dhe për këtë arsye, gjithë këto lëvizjet e fundit në merkato tregojnë se po tentohet krijimi i një superskuadre, që mund t'i rezistojë sezonit të gjatë. Këtë e pranon edhe vetë presidenti Agron Çela, i cili shprehet: "Lëvizjet tona në merkato gjatë ditëve të fundit tregojnë se jemi të vendosur për të ndërtuar Vllazninë kampione. Jam shprehur shpesh se do ta blindojmë skuadrën, por këtë po e bëjmë në momentin e duhur. Nuk na ka pëlqyer kurrë të bëjmë "shou" nëpër gazeta, ndaj kemi qëndruar me këmbë në tokë, duke pritur për t'i bërë realitet ato çfarë premtojmë." Në të vërtetë, kjo është shumë reale edhe vërtetohet edhe në rastin e Patushit. Ndonëse gjithçka ishte e kryer dhe pritej vetëm firma në kontratë, presidenti Çela vetëm përsëriste shprehjen: "Shpresojmë të ndodh kështu". Sytë e të gjithëve tashmë janë kthyer nga Shkodra. Të shumtë janë lojtarët që dëshirojnë të vijnë me këtë skuadër. Madje edhe lojtarë me emër. Megjithatë, drejtuesit e Vllaznisë nuk po nxitohen. Për presidentin Çela, ardhjet te Vllaznia do të vazhdojnë deri ditën e fundit. "Blerjet tona nuk do të përfundojnë këtu. Jemi në kontakte të vazhdueshme me disa lojtarë dhe mund të konfirmoj faktin se po bisedojmë me tre lojtarë cilësorë të kampionatit tonë. Janë emra që nuk janë lakuar asnjëherë për t'u veshur kuqeblu dhe besoj se brenda pak ditëve blerja e tyre do të bëhet realitet,"ka shtuar më tej "bosi" i kuqebluve. Angazhimi i Çelës, i zëvendëspresidentëve Fushaj dhe Amuli, si dhe i gjithë stafit të klubit, ditët e fundit ka qenë maksimal. Nga një ekip që konsiderohej i rëndomtë deri para pak ditësh dhe që nuk kishte një formacion të plotë, tani është duke u kthyer në një superfuqi. Blerjet e Ndrekës, Kulit dhe Patushit apo dhe ardhjet e pritshme të Bejzades, Beharit, apo dhe tre futbollistëve të premtuar nga vetë presidenti, do të krijojnë një mbipopullim lojtarësh te kuqeblutë. Por presidenti Çela është shumë i kënaqur që po ndodh kështu, ndaj dhe në fund është shprehur: "Besoj se kemi zhvilluar merkaton më të mirë nga të gjitha ekipet e kampionatit tonë. Jo vetëm në emra, por edhe në sasinë e lojtarëve që kemi sjellë në skuadër. I gjithë ky shpenzim që po bëjmë, ka vetëm një arsye: dëshirojmë të shpallemi kampionë të Shqipërisë. Duke qenë kështu, ju garantoj se Vllaznia ka për të qenë e frikshme për të gjitha ekipet."
Posted: Tue, 16 Aug 2005 , 13:20
by vllaznia1919
"Deda": Tirana, barometri i punës sonë
Vllaznia është rikthyer në qytetin e saj dhe dje paradite ka zhvilluar seancën e parë stërvitore. Në të kanë marrë pjesë të gjithë futbollistët që janë stërvitur edhe në Mal të Zi, ndërkohë që në seancën e pasdites ka qenë i pranishëm edhe blerja më e fundit e kuqebluve, Saimir Patushi. Ndryshe nga sa pritej, nuk kanë qenë në këtë seancë të parë të javës disa nga emrat që mendoheshin se do të vinin te Vllaznia. Kështu, Skerdi Bejzade, duke mos arritur të shkëpusë përfundimisht marrëdhëniet me Elbasanin, ka munguar në këtë seancë, ku kishte paralajmëruar vetë se do të ishte i pranishëm. Sipas vetë lojtarit, mbrëmë vonë do të ketë bërë edhe bisedën e fundit me dyshen presidenciale të Elbasanit, Laze Çërraga, për të vendosur përfundimisht se ku do të luajë në sezonin e ri. Nga ana tjetër, nuk ka qenë i pranishëm dje në stërvitjen e shkodranëve as mbrojtësi Ardi Behari. Vlonjati mendohej se do të vishej kuqeblu, por burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se shanset që ish futbollisti i Tiranës të vijë në Shkodër tashmë janë shumë të pakta. Megjithatë, ekipi ka vijuar normalisht stërvitjen, madje me dy seanca në ditë. Ajo e pasdites sidomos është ndjekur nga një numër i madh tifozësh, të cilët nisur edhe nga lëvizjet e fundit në merkato të presidencës së klubit, po shprehin një interesim të madh për nisjen e sezonit të ri nga skuadra e tyre e zemrës.
Ndërkohë, trajneri Haxhiosmanoviç e ka vazhduar me të njëjtin intensitet stërvitjen me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion. I pyetur në lidhje me mënyrën si është stërvitur dhe si po stërvitet skuadra, "Deda" është përgjigjur me një shprehje jo të drejtpërdrejtë. "Ndeshja me Tiranën do të jetë barometri i punës sonë. Nëse e fitojmë atë ndeshje, kjo do të thoshte që jemi stërvitur dhe kemi punuar mirë. Nëse humbasim, do të thotë se gjërat nuk i kemi bërë ashtu si duhet. Prandaj të presim ndeshjen me Tiranën për të dhënë një mendim më të qartë në lidhje me atë çfarë kemi bërë gjatë këtyre ditëve," është shprehur ai. Në të vërtetë, malazezi e ka shumë "merak" këtë sfidë të drejtpërdrejtë me skuadrën më të mirë të vendit, që është dhe kampione në fuqi. Ballafaqimi me të, pikërisht në ndeshjen e hapjes së kampionatit, do të jetë mundësia më e mirë për të treguar se çfarë kanë bërë mirë dhe çfarë kanë bërë keq shkodranët në përgatitjet e tyre. Për këtë qëllim, thuajse në çdo seancë stërvitore, "Deda" ka dëshirë t'u përsërisë lojtarëve të tij se në mendje duhet të kenë vetëm këtë ndeshje dhe asgjë tjetër. Ndërkohë, edhe brenda skuadrës shihet një impenjim jashtëzakonisht i madh nga të gjithë për të bërë ashtu si duhet çdo gjë që u kërkohet nga trajnerët.
Posted: Thu, 18 Aug 2005 , 12:32
by vllaznia1919
Sinani: Sërish për "fronin" e golashënuesit
Për të, edhe ky sezon ka nisur mbarë. Të paktën duke iu referuar ndeshjeve miqësore që ekipi ka zhvilluar në përgatitjet e verës. Megjithatë, Vioresin Sinani e ka të qartë se ndeshjet e kampionatit nuk janë si ato miqësoret, prandaj dhe po përgatitet për sfida edhe më të vështira. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve për klubin "Vllaznia" (120 gola vetëm në kampionate) premton të shënojë edhe të tjerë, duke kërkuar sërish "Këpucën e artë". Ai u thotë rivalëve të tij se Sinani aty do jetë gjithnjë, në garë për të fituar këtë trofe simbolik. Nga ana tjetër, kapiteni i kuqebluve mendon se ky sezon që po vjen do të jetë i mbarë edhe për skuadrën e tij, Vllazninë. Ja si shprehet më konkretisht në intervistën e tij për "Sportin shqiptar" sulmuesi dhe kapiteni i skuadrës shkodrane, Vioresin Sinani:
Viori, 8 gola në 8 ndeshje miqësore që keni zhvilluar. Një fillim i shkëlqyer i këtij sezoni, apo jo?
Për mendimin tim, nuk kanë shumë rëndësi këto ndeshje miqësore, sepse ato i shërbejnë ekipit për të parë veten se ku është me përgatitjet. Por nga ana tjetër, një ecuri e tillë e shënimit të golave mendoj se është njëfarë treguesi pozitiv i formës që jam duke marrë.
E mendoni të tillë edhe fillimin e kampionatit?
Kjo po është e rëndësishme. Nëse do të rezultonte kjo gjë edhe në javët e para të kampionatit, sigurisht që do të ishte një tregues pozitiv si për mua, ashtu edhe për ekipin.
Duket se keni humbur disa kilogramë të mira pas stërvitjes intensive që keni zhvilluar në Mal të Zi. Kjo është forma juaj ideale?
Mendimi im është se kam kapur formën më të mirë. Ashtu si gjithë ekipi, i cili është stërvitur mirë gjatë kësaj periudhe të fazës përgatitore. Ka pasur lodhje, por gjithsesi ia vlen, sepse në bazë të ecurisë së kësaj periudhe përgatitore përcaktohet ecuria e gjithë sezonit.
Jeni sërish një nga emrat më të spikatur të sulmuesve të kampionatit tonë. Do të synoni sërish "Këpucën e artë"?
Objektivi primar ky është, që të shënoj sa më shumë edhe për vete, edhe për ekipin. Por jo çdo gjë varet nga dëshira. Në radhë të parë, duhet të kesh fat për të zhvilluar një sezon sa më të mbarë dhe me sa më pak dëmtime. Sa për golat dhe pretendimet e mia për të qenë golashënuesi më i mirë kampionatit, do t'u kujtoja sulmuesve të tjerë se aty do të më kenë, në garë për të qenë më i miri.
Keni ndonjë objektiv personal se sa gola do të shënoni në këtë kampionat?
Për ndonjë shifër të saktë nuk mund të flas me saktësi, por, siç e thashë, do të përpiqem të shënoj sa më shumë.
Megjithatë, shifra 36 e dy sezoneve më parë nuk ka për t'u arritur, apo jo?
Ky është një objektiv i vështirë, sepse 36 janë shumë, por kurrë nuk i dihet si shkojnë punët. Por e përsëris, nuk është e paarritshme.
Skuadra ka provuar disa sulmues gjatë kësaj periudhe, por ende nuk e ka gjetur me sa duket partnerin tuaj ideal. E konsideroni të domosdoshëm afrimin e një sulmuesi cilësor?
Kjo as që diskutohet. Sa i takon sulmit, mund të them që edhe këta që janë aktualisht në skuadër premtojnë se do të bëjnë gjëra të mira. Kuli, Doçi dhe Cani kanë treguar se kanë vlera dhe presin që t'i shfaqin ato sa t'u jepet rasti.
Sa e rëndësishme është ndeshja e hapjes së kampionatit kundër Tiranës?
Mendoj se vlen shumë, sepse një nisje e mbarë e kampionatit është shumë e rëndësishme. Fitorja ndaj Tiranës, që është kampione në fuqi, do të ishte një motiv më tepër për të bërë gjëra të mira në këtë sezon.
Së fundi, e mendoni të aftë Vllazninë e sivjetme për të pretenduar fitimin e të dy trofeve?
Vllaznia është në gjendje të jetë në mes ekipeve të para. Për të tjerat pastaj t'ia lëmë kohës. Për trofe nuk vlejnë vetëm premtimet. Përveçse punës shumë të madhe, duhet të kesh edhe fat dhe shpresoj që ky të jetë me ne sivjet dhe Vllaznia të pretendojë për trofe.
Posted: Fri, 19 Aug 2005 , 12:15
by vllaznia1919
Ndreka: Do jap më të mirën për kuqeblutë
Tifozët shkodranë e kanë pritur shumë mirë ardhjen e tij në radhët e skuadrës së tyre të zemrës. Kjo u pa edhe në duartrokitjet e gjata që ka lëshuar në të parin prezantim me të, që ishte miqësorja e së mërkurës kundër Besës. Një pritje që vlerësohet së tepërmi edhe nga vetë Henri Ndreka dhe, sipas vetë atij, kjo mbështetje që i dhanë tifozët kuqeblu do të jetë një shtysë shumë e madhe për t'u ingranuar sa më shpejt me skuadrën e tij të re. Futbollisti lezhjan e shpreh këtë gjë edhe në fjalët e tij , kur thote: "Të them të drejtën, nuk e mendoja një pritje të tillë kaq të mirë nga ana e tifozëve shkodranë. Një gjë e tillë madje nuk ndodhi vetëm me mua, por me të gjithë futbollistët që kanë ardhur këtë sezon te Vllaznia. Kjo do të thotë se ata e duan shumë skuadrën e tyre të zemrës dhe dëshirojnë që ajo të jetë më e mira ndër gjithë të tjerat. Natyrisht, një fillim i tillë i karrierës sime me skuadrën shkodrane do të më ndihmojë shumë për t'u ambientuar sa më shpejt me lojtarët, trajnerët dhe mjedisin sportiv këtu." Nga ana tjetër, duket se vendi për ish lojtarin e të kuqve, tashmë në formacionin kuqeblu, është në krahun e djathtë të mbrojtjes me 4 lojtarë. Në këtë pozicion Ndreka ndihet mirë, por nga ana tjetër shprehet se mund të luajë në çdo vend ku ta mendojë më mirë trajneri. "Jam duke u aktivizuar në rolin e mbrojtësit të krahut të djathtë nga ana e trajnerit Haxhiosmanoviç dhe natyrisht që do të përpiqem të bëj më të mirën, megjithëse mund të them se mund të luaj edhe në pozicione të tjera në fushë. Këtë e di trajneri, pasi, siç e thashë, unë jam në shërbim të skuadrës," ka vazhduar më tej prononcimin e tij një nga blerjet e verës së Vllaznisë. Ekipi shkodran është tashmë në "ethet" e fundit të përgatitjeve për nisjen e kampionatit. Për Ndrekën, loja jo shumë e mirë e skuadrës së tij kundër Besës në miqësoren e fundit nuk duhet për t'u marrë shumë në konsideratë. "Ndoshta vërtet nuk u shfaqëm ashtu si duhet në këtë miqësore, por të mos harrojmë se jemi ende në një periudhë stërvitjeje dhe jemi pak të lodhur. Por ju siguroj që kjo periudhë ka për të kaluar shpejt dhe ne ndaj Tiranës besoj se kemi për të dhënë më të mirën në fushë. Jemi shumë të motivuar për t'i bërë një nisje të mirë kampionatit dhe besoj se kështu ka për të ndodhur," ka thënë më tej lojtari, që për disa sezone ka luajtur me fanellën e kuqe të Partizanit. Gjatë këtyre viteve, Henri Ndreka ka arritur të fitojë vetëm një herë Kupën e Shqipërisë dhe të fitojë edhe një superkupë. Njëri prej lojtarëve më të mirë të kampionatit nuk ka mundur ta shijojë dot titullin kampion dhe arsyeja kryesore pse ka zgjedhur Vllazninë mes ofertave të tjera në merkaton e verës ka qenë pikërisht kjo: të gëzuarit të titullit kampion në "Loro Boriçi". "Kam zgjedhur Vllazninë pikërisht për këtë arsye. Më mundon shumë mosshpallja ende kampion i vendit dhe shpresoj që kësaj t'ia arrij në Shkodër," ka thënë në përfundim të prononcimit të tij mbrojtësi i sapoardhur te skuadra shkodrane, Henri Ndreka.
Posted: Fri, 19 Aug 2005 , 12:16
by vllaznia1919
"Deda": Kjo nuk është Vllaznia e vërtetë
Fitorja e ngushtë, me një lojë jo shumë bindëse në miqësoren ndaj Besës, natyrisht që nuk ka lënë shije shumë të mirë te tifozët kuqeblu. Kjo ngaqë pritej një Vllazni më spektakolare dhe më rezultative. Por ai që nuk shqetësohet shumë nga ky 90-minutësh miqësor është trajneri i skuadrës kuqeblu, Dervish Haxhiosmanoviç. Për të nuk kishte shumë rëndësi rezultati në këtë ndeshje ndaj Besës. "Për ne nuk ishte primar rezultati. Objektivi ynë ishte që skuadra të luante me një temp sa më të lartë, por kjo zgjati vetëm në 10-15 minutat e para të lojës. Pas kësaj ekipi ra. Unë i pyeta lojtarët pas ndeshjes se pse e lëshuan lojën dhe ata m'u përgjigjën se kishin qenë të lodhur. Ky në të vërtetë është një tregues i mirë, pasi lojtarët duhet të lodhen dhe mendoj se nga dita në ditë ekipi po përmirësohet shumë," thotë "Deda". Ekipi e ka nisur lojën ndaj kavajasve me Shehin, Ndrekën, Telin, Radusinoviçin, Çetkoviçin, Kapajn, Ahin, Belishën, Radonjiçin, Sinanin dhe Kulin. Ky, me sa duket, do të jetë dhe formacioni primar i kuqebluve për ndeshjen e parë të kampionatit, duke i shtuar atij edhe Patushin, apo ndonjë tjetër që mund të vijë në ditët e ardhshme. Vetë numri një i stolit shkodran mendon se ka ende për të përcaktuar në lidhje me formacionin e mundshëm të Vllaznisë, pasi vetë ai është duke provuar lojtarë dhe skema të ndryshme gjatë kësaj periudhe. Madje këto gjëra "Deda" ka edhe një mundësi tjetër për t'i rregulluar, pikërisht në miqësoren tjetër, që do të luhet ndaj Dinamos të shtunën. "Kemi edhe një mundësi tjetër për të provuar dhe korrigjuar gabimet që mund të kemi. Ndeshja me Dinamon do të na shërbejë shumë për këto gjëra, prandaj dhe jemi të kënaqur që do të luajmë përballë një kundërshtari të tillë, sepse vetëm një javë më vonë kemi Tiranën," ka shtuar trajneri malazez. Ajo nga i cili ka pritur shumë publiku shkodran, ka qenë edhe dyshja sulmuese Sinani Kuli. Për të parin dihen vlerat e tij, ndërkohë që kavajasi është përpjekur mjaft, megjithëse i duhet ende punë për të qenë në nivelin e pritur. Megjithatë, Haxhiosmanoviçi kërkon ta marrë në mbrojtje 23-vjeçarin e ardhur së fundi në skuadrën e tij, teksa shton: "Kulit i duhet ende punë për t'u futur në brendësi të ekipit. Ai është një lojtar që punon dhe kjo u pa edhe në miqësoren ndaj Besës, ku u përpoq mjaft, por, siç e thashë, i duhet pak punë për të qenë i rëndësishëm për ekipin". Duke qenë kështu, "Deda", nisur edhe nga ajo çfarë ka deklaruar presidenca, është në pritje edhe të ndonjë lojtari tjetër. Megjithatë, sërish planet për ndeshjen e parë të sezonit është duke i bërë edhe me kontigjentin që ka aktualisht në dispozicion. Malazezi e konsideron shumë të rëndësishme provën e nesërme kundër Dinamos dhe shprehet edhe një herë se i beson skuadrës që është duke drejtuar për të tretën herë në karrierën e tij se ka për të bërë gjëra të mira në sezonin e ri.
Posted: Mon, 22 Aug 2005 , 13:07
by vllaznia1919
Teli: Prova me Dinamon ishte bindëse
Në miqësoren me blutë e Dinamos, Admir Teli ka qenë ndoshta më i miri në fushë për Vllazninë. Në të gjitha ndërhyrjet e tij është dalluar për saktësinë dhe vendosjen e duhur, çka ka bërë që të fitojë edhe duartrokitjet e rreth 2000 shikuesve që ishin të
pranishëm në këtë miqësore. Nga ana tjetër, edhe vetë mbrojtësi i qendrës së kuqebluve është në anën e trajnerëve të tij, teksa e quan pozitive paraqitjen kundër Dinamos, kur shprehet: "Unë do ta quaja një provë shumë bindëse këtë ndeshje me Dinamon, sepse e panë të gjithë se çfarë skuadre është ajo, pavarësisht se trajneri i tyre deklaron se kjo skuadër nuk është pretendente. Por të kesh në stol lojtarë të tillë si Dhëmbi e Xhafa nuk është pak, prandaj e përsëris që ishte një ndeshje e denjë rivalësh dhe rezultati ishte
shumë i drejtë në këtë miqësore, sepse na vlejti të dy skuadrave për të parë veten se ku jemi."
Por ajo që duket se po e bën të vuajë aktualisht Vllazninë është
mosfunksionimi si duhet i skuadrës në varësi të skemës së lojës që aplikon trajneri Haxhiosmanoviç. Disa vende në formacion ende nuk janë stabilizuar me lojtarët e duhur dhe pikërisht kjo gjë, sipas Telit, ka sjellë edhe njëfarë çrregullimi në lojën e kësaj skuadre. "Mendimi im është se skuadra nuk ka vend, apo më mirë kohë për meremetime. Duhen vetëm disa saktësime në lojën tonë e për këtë duhet të shpejtojmë, pasi nuk kemi shumë kohë në dispozicion," shton 24-vjeçari i talentuar shkodran.
Ndërkohë, aktivizimi i tij përkrah malazezit Radusinoviç në qendër të mbrojtjes është duatrokitur gjatë gjithë miqësores me blutë, pasi të dy alternoheshin shumë mirë me njëri tjetrin, aq më tepër në aplikimin e pozicionit jashtë loje. Për Telin nuk ka asnjë vështirësi ambientimi me skemën 4 4 2, që po aplikon trajneri
Haxhiosmanoviç. Kjo duket edhe në fjalët e tij, kur thotë: "Skema 4 4 2 është një skemë e futbollit modern, që po aplikohet nga të gjitha skuadrat në botë dhe s'ka pse të mos fillojmë ta aplikojmë edhe ne. Natyrisht që është një skemë e vështirë, sepse do shumë
përqendrim, por me kolegun Radusinoviç dhe dy krahët besoj se do t'ia dalim mbanë në zbatimin më së miri të kësaj skeme."
Në këtë mënyrë, kuqeblutë janë duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për fillimin e sezonit të ri. Pikësynimi kryesor i të gjithëve natyrisht që është nisja e mbarë e tij. Të shtunën, në
"Loro Boriçi", do jetë sfida e shumëpritur me Tiranën kampione dhe një nisje e mbarë natyrisht që do të thotë shumë për shkodranët. Admir Teli, njëri prej titullarëve të padiskutueshëm të Vllaznisë, megjithatë në fjalët që thotë ndihet shumë i sigurt se skuadra
e tij hyn në këtë sezon për të qenë pretendente për fitimin e të dy trofeve, prandaj në fund do thoshte: "Nuk ka dyshim që Vllaznia do të jetë pretendente këtë sezon. Kjo shihet edhe tek shpenzimet që presidenca ka bërë, prandaj dhe ne jemi të obliguar t'ia shpërblejmë asaj me arritjen e objektivave që ata i kanë vënë skuadrës".
Posted: Mon, 22 Aug 2005 , 13:08
by vllaznia1919
"Deda": Pse kaq të ashpër ndaj Vllaznisë?
Ndryshe nga një pjesë e mirë e tifozerisë shkodrane, që ka dalë e zhgënjyer nga stadiumi pas miqësores së barazuar 1-1 me Dinamon, stafi drejtues i Vllaznisë mendon të kundërtën. Trajneri Haxhiosmanoviç, duke folur në emër të kolegëve të tij, ka bërë të ditur se kjo ndeshje ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta.
Mbi të gjitha, ka evidentuar faktin se skuadra është në rritje dhe për këtë i ka siguruar të gjithë se në kampionat kanë për të parë një Vllazni edhe më të fortë. "Deda" madje arrin deri aty sa të mos e llogarisë fare humbjen të shtunën e ardhshme ndaj Tiranës kampione. Ja si shprehet tekniku i kuqebluve, Dervish Haxhiosmanoviç, në një intervistë pas miqësores me Dinamon:
"Deda", tifozët nuk kanë mbetur shumë të kënaqur nga paraqitja e Vllaznisë ndaj Dinamos. Edhe ju keni të njëjtin mendim me ta?
Jo, unë nuk kam këtë mendim. Tifozët ndoshta presin më të mirën nga skuadra e tyre, por më duhet të pohoj se jemi në rrugë të mbarë. Ndryshe nga mendimi i tifozëve, ne si staf drejtues mendojmë se ekipi po vjen gjithnjë në rritje me lojën e tij. Në krahasim me
ndeshjen kundër Besës, ndaj Dinamos kemi luajtur më mirë dhe të mos harrojmë se përballë kishim një skuadër mjaft të fortë.
Pra, e konsideroni pozitive paraqitjen ndaj Dinamos?
Patjetër që ka qenë e tillë. Ndoshta nuk jemi në formën tonë më të mirë, por të gjithë lojtarët u përpoqën për të dhënë më të mirën. Kjo sidomos në pjesën e parë, kurse në të dytën më duhet ta pranoj që disa prej lojtarëve tanë u lodhën.
Si shpjegohet kjo gjë kur skuadra vjen pas fazës përgatitore?
Kjo shpjegohet me faktin se vetëm 4 5 lojtarë e kanë marrë të plotë ngarkesën fizike në fazën përgatitore që zhvilluam në Mal të Zi. Përmend këtu Sinanin, Radusinoviçin, Kapajn dhe ndonjë tjetër. Të tjerët, përfshi këtu të ardhurit Ndreka, Kuli, Patushi, apo Telin e Belishën, që kanë luajtur me Elbasanin në Kupën UEFA, nuk janë në formën e tyre më të mirë.
Kush do të jetë në formacion të shtunën, Çetkoviçi apo Doçi?
Pa dyshim që Doçi. Në gjithë këto ndeshjet e fundit ne menduam që ta provojmë më së miri Çetkoviçin, por ai nuk po bind. Për pasojë, duke parë që në pjesën e dytë të ndeshjes me Dinamon Doçi ishte nga më të mirët në fushë, jam plotësisht i vendosur që t'ia besoj atij vendin në krahun e majtë të mbrojtjes. Kjo është konkurrenca, Çetkoviçi nuk e justifikoi aktivizimin e tij dhe tashmë do të përfundojë në stol. Më pas të shohim.
Një tjetër pikë e dobët që është vënë re në lojën e Vllaznisë ka qenë krahu i djathtë i mesfushës. Radonjiçi është zgjidhja ideale për këtë vend?
Radonjiçi është aktivizuar nga nevoja në këtë vend, sepse pozicionin e tij të preferuar ai e ka qendrën e mesit të fushës. Por kur nuk ke lojtarë të tjerë, natyrisht që do të bësh zgjidhje të tilla. Megjithatë, jo gjithçka shkoi keq në këtë krah, sidomos në pjesën e parë. Kjo edhe falë lojës potente që shfaqi Ndreka, ndërsa në pjesën e dytë ky lojtar humbi shumë energji edhe për faktin se nuk është stërvitur normalisht me grupin.
Nga ana tjetër, edhe sulmi nuk ka bindur shumë në këtë ndeshje, apo jo?
Jo, mendimi im është se pati një koordinim të mirë të veprimeve me Sinanin dhe Kulin. Për këtë të fundit madje mund të them fjalë të mira, sepse zhvilloi një ndeshje për t'u vlerësuar.
Së fundi, edhe tifozeria, por edhe presidenca e klubit, duket shumë në tension para ndeshjes me Tiranën. A garanton kjo skuadër një fitore në këtë përballje direkte me kampionët?
Mund të them vetëm kaq, se ndaj Tiranës minimumi i rezultatit që do të arrijmë është barazimi 0 0. Unë kam besim tek skuadra që drejtoj prandaj dhe flas kështu.
Posted: Tue, 23 Aug 2005 , 13:05
by vllaznia1919
Belisha: Fitore ndaj Tiranës, jo spektakël
Ecuria e skuadrës shkodrane në këto ndeshjet e fundit miqësore në prag të kampionatit nuk është se ka qenë aty ku pritej. Ajo ka treguar oshilacione në lojën e saj dhe mbi të gjitha një mospërshtatje ashtu si duhet me skemën 4 4 2, që po aplikon trajneri Haxhiosmanoviç. Megjithatë, nga dita në ditë, lojtarët kuqeblu po e asimilojnë më së miri këtë skemë dhe shumë shpejt të gjithë mund të shohin në fushë Vllazninë e vërtetë. Këtë thotë edhe njëri prej pikave më të forta të ekipit shkodran, pikërisht mesfushori Amarildo Belisha, që shprehet: "Vështirësi ka me një skemë të tillë, që është e re për kampionatin tonë dhe duhet pak kohë të futet në mentalitetin e çdo lojtari. Por duke punuar çdo ditë dhe duke gjetur lojtarët e përshtatshëm për secilin pozicion, mendoj se do të arrijmë të dalim aty ku duhet, megjithëse është një skemë e rrezikshme, pasi nuk ke "libero" dhe duhet të jesh shumë i sigurtë prapa". Ndërkohë, në Shkodër ende ka dy "kampe" të krijuara pas miqësores së fundit kundër Dinamos. Në njërën anë janë tifozët, ndoshta edhe ndonjë drejtues klubi, që nuk e shohin shumë bindëse këtë skuadër që bëhet gati të përballojë një kampionat të stërzgjatur. Nga ana tjetër, janë trajnerët dhe futbollistët e Vllaznisë, të cilët thonë të kundërtën. Duke folur në emër të këtyre të fundit, Belisha e konsideron shumë serioze provën e kaluar me Dinamon, prandaj dhe shton: "Mendoj se përballja me Dinamon ishte shumë serioze për ne. Ajo ishte prova gjenerale në prag të fillimit të kampionatit dhe provë më të mirë se kundër Dinamos, një nga ekipet më të mira të kampionatit shqiptar, ma merr mendja se nuk mund të kishte. Them që ishte një ndeshje shumë e mirë për ne, vrapuam shumë dhe me këtë treguam që jemi stërvitur mirë nga ana fizike. Nga ana tjetër, u vërtetua ajo që kemi për të rregulluar edhe disa gjëra të tjera sa u takon marrëdhënieve në fushë mes lojtarëve. Gjatë kësaj jave do të na duhet të punojmë edhe në anën taktike, sidomos sa i takon lojës sulmuese, sepse në lojën mbrojtëse mendimi im është që po mbrohemi mirë. Tifozët tanë vërtet mund të mos kenë mbetur shumë të kënaqur me lojën tonë ndaj Dinamos, pasi ata janë mësuar të shohin një Vllazni sumuese në fushë, por duhet ta dinë se ne jemi duke aplikuar një skemë të re, e cila i kushton më shumë rëndësi mbrojtjes, kjo ngaqë vitin e kaluar kemi pësuar shumë gola. Duke u mbrojtur mirë dhe duke dalë shpejt në sulm, besoj se kemi për të ndërtuar një skuadër shumë solide." Ndërkohë, tani të gjithë kanë filluar të mendojnë për sfidën e së shtunës kundër Tiranës. Një ndeshje që për nga rëndësia është shumë e rëndësishme dhe shkodranët janë duke u bërë gati për t'i sfiduar kampionët në fuqi. Këtë e premton edhe vetë Amarildo Belisha, kur në fund do të shprehej: "Këtë ndeshje jemi duke e vlerësuar shumë. Kuptohet, edhe ekipi tashmë është duke u çliruar nga ana fizike dhe besoj se kemi për të bërë një ndeshje të mirë. Nuk premtojmë spektakël, pasi është ndeshje kampionati dhe na intereson të shënojmë vetëm një gol dhe ta fitojmë ndeshjen, duke u interesuar më shumë për pikët."
Posted: Thu, 25 Aug 2005 , 13:03
by vllaznia1919
Shehi: Vllaznisë i duhet start me fitore
Të shtunën do të nisë të dytin sezon me skuadrën shkodrane. Portieri Orges Shehi është i vlerësuar nga të gjithë në Shkodër dhe për rrjedhojë ai nuk hezitoi të zgjasë edhe për një vit tjetër kontratën me kuqeblutë. Madje durrsaku i njohur ka qenë i pari që ka hedhur firmë në këtë sezon merkatoje për Vllazninë. Një gjë të tillë ai e ka bërë ngaqë shpreson shumë që këtë vit të fitojë diçka të rëndësishme. Kjo bëhet edhe më e arritshme, duke pasur parasysh investimin që është bërë nga ana e presidencës së klubit, prandaj dhe Orgesi beson se gjërat kanë për të qenë më ndryshe sivjet. Ndërkohë, kampionati nis të shtunën dhe sfida e parë e tij është më tepër se një ndeshje e zakonshme. Kundër Tiranës kampione në fuqi, shkodranët do të kenë mundësi, përveçse të mundin njërën prej rivaleve më të forta të saj, të tregojnë edhe forcën reale të tyre. Portieri Shehi nuk ka shumë dëshirë ta konsiderojë finale këtë ndeshje, siç mund ta kenë konsideruar pjesëtarë të tjerë të skuadrës së Vllaznisë. "Për mua është e tepërt ta konsiderojmë një ndeshje finale. Kjo pasi është vetëm ndeshja e parë e kampionatit dhe pas saj janë edhe 35 të tjera për t'u luajtur dhe natyrisht që ke mundësi të rregullosh, apo të prishësh shumë gjëra. Këtë ndeshje unë do ta konsideroja thjesht një ndeshje të parë të kampionatit, të cilën çdo ekip ka dëshirë ta fitojë. Kështu është edhe për ne, pa harruar që përballë kemi skuadrën më të mirë dhe kampionen në fuqi të vendit, ndaj së cilës të shtohet dëshira për ta mundur," shprehet ruajtësi i portës së ekipit shkodran. Ky ekip sivjet ka pretendime maksimale dhe, duke qenë kështu, natyrisht që sytë e të gjithë dashamirësve të saj presin se çfarë do të bëjë në të vërtetë Vllaznia. Protagonistët e kësaj skuadre, ndërkohë, janë të vendosur për të justifikuar gjithë këtë besim që ekziston mbi ta, prandaj dhe Shehi do të përgjigjej: "Ekipi ka pretendime maksimale këtë sezon. Vetë numri i madh i blerjeve që ka bërë presidenca tregon më së miri që ajo kërkon edhe rezultate prej nesh. Jemi stërvitur mirë, djemtë duken të gjithë të motivuar për të bërë më të mirën dhe shpresoj që të ndodhë kështu, për të arritur objektivat që klubi ka dhe për të kënaqur tifozët tanë të shumtë." Në këtë mënyrë, flitet për pretendime maksimale, për trofe dhe gjëra të tjera. Një entuziazëm, që natyrisht duhet të mbështetet diku dhe në të vërtetë ai e ka një bazë, të cilën e bën publike portieri i kuqebluve, Orges Shehi, kur e pyet nëse Vllaznia është gati për të mundur Tiranën dhe për ta nisur mbarë kampionatin e ri. Përgjigjja e tij është e shpejtë: "Kur themi që do të synojmë për ta mundur Tiranën, këtë e bazojmë te puna që kemi bërë, te kontigjenti i lojtarëve dhe mbështetja që kemi si nga presidenca, ashtu dhe nga tifozët tanë të zjarrtë." Së fundi, nga Shehi, si i fundit lojtar i prapavijës shkodrane, vjen edhe mesazhi se Vllaznia këtë edicion do të pësojë më pak gola, prandaj në fund ai do të thoshte: "Jemi duke punuar në mënyrë të tillë, që në lojën mbrojtëse të jemi më të kujdesshëm dhe besoj se kemi për të bërë gjëra të mira."
Posted: Fri, 26 Aug 2005 , 13:56
by vllaznia1919
Sulejmani: Te Vllaznia për kombëtaren
Pasaporta"
Emri: Erkan
Mbiemri: Sulejmani
Datëlindja: 13.7.1981
Vendlindja: Prishtinë
Klubet ku ka luajtur: Gençerbirligi, Istambulspor, Bursaspor, Gyztepespor (Turqi), Zheljezniçar (Bosnjë)
Pozicion në fushë: Sulmues
Skuadra shkodrane e ka bërë realitet blerjen e tij, duke plotësuar kështu vendin vakant në sulm me një futbollist që për nga karriera duket shumë i kompletuar dhe jo më kot është vënë edhe në shënjestrën e trajnerit të kombëtares shqiptare, Brigel. Pikërisht ardhja e tij në Shqipëri për të luajtur në kampionatin e këtij vendi për Erkan Sulejmanin është një motiv më tepër për të kapur kombëtaren e vendit të tij. Mes Partizanit edhe Vllaznisë ka zgjedhur këtë të fundit, kjo edhe ngaqë klubi shkodran ka qenë shumë më korrekt në marrëdhëniet me lojtarin dhe menaxherin e tij, Rudi Vata. Ja si shprehet blerja e fundit e shkodranëve, kosovari Erkan Sulejmani:
Erkan, kemi dëgjuar që deri para pak ditësh keni qenë në stërvitje me Partizanin. Çfarë ndodhi që tashmë jeni në Shkodër?
Eshtë e vërtetë që për 10 ditë jam stërvitur me Partizanin në Maqedoni, ngaqë dëshiroja të isha pjesë e kësaj skuadre në sezonin e ri. Por përpara se kjo skuadër të udhëtonte drejt Greqisë për një miqësore, unë jam ndarë me këtë ekip, ngaqë presidenti Xhani nuk ra dakord me menaxherin tim, Rudi Vata. Prandaj u largova prej kësaj skuadre dhe pas ofertës së Vllaznisë, ja tek jam këtu në Shkodër. Pse zgjodhët Shkodrën?
Në radhë të parë, sepse e pamë së bashku me menaxherin tim që Vllaznia ishte një mundësi e mirë për të arritur objektivin që i kam vënë vetes: të luaj në Shqipëri dhe të jem sa më afër kombëtares dhe syrit të Brigelit. Duhet ta dini që para disa kohësh Federata Shqiptare, përmes zëdhënësit Lusien Nurishmi, më ka telefonuar dhe më ka komunikuar interesin e trajnerit të kombëtares shqiptare për të qenë në këtë ekip. Duke luajtur në Shqipëri, mundësitë për të rregulluar dokumentacionin dhe për të marrë pasaportën shqiptare janë më të mëdha dhe besoj se shpejt kam për të luajtur për flamurin tim.
Keni njohje për Vllazninë?
E kam parë këtë skuadër në dy ndeshjet e Ligës së Kampioneve kundër Gallatasarajit dhe më ka pëlqyer shumë. Di që trajneri i saj është po ai që ka qenë edhe në këto ndeshje. Po ashtu, në këtë skuadër njoh Kulin, me të cilin kam luajtur për disa kohësh te Gençerbirligi, si dhe Sinanin, që ka luajtur në një skuadër tjetër. Duket se i njihkeni ata me të cilët do të luani përkrah në sulmin e Vllaznisë...
Dëshira ime është të bëj më të mirën për këtë skuadër që ajo të arrij objektivat që ka.
Së bashku me Sinanin në sulm, a premtoni një bollëk golash?
Për mua e rëndësishme është të luaj mirë, madje, që të jem i sinqertë, unë do të dëshiroja që golat t'i shënonte Sinani dhe unë t'i jepja asistet, pasi më pëlqen shumë kjo gjë.
Së fundi, keni ndonjë mesazh për tifozët shkodranë, të cilët e mirëpresin ardhjen tuaj?
Mund t'u them vetëm që kanë për të mbetur të kënaqur nga ajo çfarë do të japë në fushën e lojës. Ata do të kenë mundësi të shohin më së miri aftësitë e mia dhe nuk kanë për të mbetur të zhgënjyer.
Posted: Sat, 27 Aug 2005 , 14:00
by vllaznia1919
Çela: Vllazni, tregoje veten ç'di të bësh!
Skuadra shkodrane do të futet sot në Kampionatin e 67-të Kombëtar të Futbollit duke qenë në vijën e parë të nisjes. Nuk kemi të bëjmë me "pole position" të Formula 1, por me një garë futbollistike, e cila gjithsesi e ka një vlerësim nga i cili bëhet dhe rreshtimi i skuadrave pretendente. Për presidentin e Vllaznisë, Agron Çela, skuadra e tij, nisur nga merkatoja që ka bërë kohët e fundit, rreshtohet ndër pretendentet e padiskutueshme të kampionatit që do nisë pikërisht sot. "Me blerjen e fundit të Sulejmanit ka shkuar në 9 numri i blerjeve në merkaton e verës. Vetëm kjo shifër e lojtarëve që kanë ardhur në skuadër e tregon më së miri pretendimin tonë në sezonin e fundit. Kemi shpenzuar shumë lekë dhe kjo është bërë me një qëllim të vetëm që Vllaznia të jetë skuadra që do të pretendojë fitimin e të dy trofeve në sezonin që vjen," ka thënë njëshi i klubit shkodran. Në Shkodër, ditët e fundit ka shumë entuziazëm, ndoshta edhe nisur nga fakti që sipari i kampionatit të ri hapet me një superndeshje, atë Vllaznia-Tirana. Për këtë arsye, atmofera e kësaj pragndeshjeje ka qenë shumë e veçantë. Presidenti Çela, në të vërtetë, nuk e konsideron diçka jashtë normales këtë interesim që është duke i bërë tifozëria kuqeblu këtij fillimsezoni. "Shkodra dhe sportdashësit e saj janë dalluar gjithmonë për mbështetjen e zjarrtë që i kanë bërë Vllaznisë. Ndoshta në fundin e sezonit të kaluar tifozët tanë u zhgënjyen paksa, megjithatë jam i bindur se edhe këtë sezon do t'i kemi përkrah. Aq më tepër interesimi i tyre duket i madh, nisur edhe nga fakti që ata presin të shohin në fushë një Vllazni dinjitoze, nisur edhe nga blerjet e shumta që kemi bërë," ka vijuar më tej Çela. Atij i pëlqen të përmendë herë pas here se numri i blerjeve në merkaton e verës ka qenë shumë i madh. Nisur nga kjo, presidenti i klubit shkodran ka bërë të ditur se ekipit tashmë nuk i lejohen më justifikimet, prandaj shton: "Besoj se me këto blerjet që kemi bërë i kemi plotësuar të gjitha kërkesat e trajnerit. Kjo do të thotë se ekipi është i kompletuar në të gjitha drejtimet dhe prej tij tashmë presim rezultatet e kërkuara nga ne dhe i gjithë opinioni sportiv shkodran". Në këtë mënyrë, presidenca tashmë e ka hedhur "topin" në fushën e trajnerit Haxhiosmanoviç dhe futbollistëve. Janë ata që tani duhet të justifikojnë lekët e marra nga donatorët e Vllaznisë, si dhe besimin që u është dhënë për të veshur dhe përfaqësuar fanellën kuqeblu. Për ta shans më të mirë se një nisje të tillë ndaj Tiranës kampione, nuk ka. "Presim që skuadra ta japë reagimin e saj që në ndeshjen ndaj Tiranës. Unë e thashë edhe më lart, që është e kompletuar, stërvitja ka shkuar më së miri dhe prandaj nuk ka arsye të mendojmë që nuk mund ta mundim Tiranën. Jam i bindur se Vllaznia do të dalë trimfuese në këtë ndeshje, për t'i bërë kështu nisjen e dëshiruar këtij sezoni," ka thënë në fund presidenti i Vllaznisë, Agron Çela.
Posted: Tue, 06 Sep 2005 , 13:28
by vllaznia1919
Haxhiosmanoviç, për pikë ndaj Teutës
Një prej takimeve më të rëndësishme për javën e dytë të këtij sezoni futbollistik është ai që do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit midis skuadrës vendase Teuta dhe asaj mike, Vllaznia. Të dyja këto skuadra nuk i kanë bërë një nisje të mirë këtij sezoni, prandaj kjo përballje shihet nga të dyja kampet si pikë kthese, duke synuar pikët maksimale të takimit. Megjithatë, tekniku i Vllaznisë ndihet shumë optimist për formën që gëzon ekipi i tij, por në të njëjtën kohë shpreson shumë se nga Durrësi do të kthehet me një rezultat pozitiv. “Ekipi gëzon një formë shumë të mirë në të gjitha aspektet. Jemi përgatitur në shkallën e duhur për takimin me Teutën, ku ne synojmë të mos dalim pa pikë. Ndeshja me Tiranën duhet harruar, me Teutën nuk duhet të gabojmë më, duke filluar edhe kthesën tonë që në këtë takim. Jam shumë optimist se nga Durrësi nuk do të kthehem pa pikë. Për këtë e kemi të gjithë kontigjentin e duhur të futbollistëve, por edhe mundësitë reale, ndonëse përballë nesh është një nga ekipet më të mira të vendit, si Teuta, fituese e Kupës në fuqi”, - ka përfunduar tekniku i Vllaznisë, malazezi Dervish Haxhiosmanoviç. Kujtojmë se sezonin e fundit skuadra e Vllaznisë është mundur dy herë në përballjet me Teutën, brenda në “Niko Dovana”. Edhe këtë tekniku i kuqebluve e ka të qartë, prandaj u ka kërkuar futbollistëve që të luajnë me kujdes, duke mospërsëritur gabimet edhe të ndeshjes me Tiranën, në mënyrë që të marrin një rezultat pozitiv në transfertën e vështirë të Durrësit.
Posted: Thu, 08 Sep 2005 , 20:27
by vllaznia1919
Haxhosmanoviç fajëson mbrojtjen, por jo vetëm
Gabuan të gjitha repartet, por më shumë mbrojtja. Ky është kunkluzioni i analizës së bërë pasditen e djeshme nga drejtuesit e klubit shkodran në lidhje me humbjen shokuese të së martës kundër Teutës. Analiza u zhvillua pak para fillimit të stërvitjes, Në të kanë marrë pjesë të gjithë futbollistët si dhe teknikët “Deda” dhe Premçi. Pak para fillimit të saj, burime pranë klubit shkodran theksuan se pritej edhe ardhja e presidentit të skuadrës, Agron Çela, i cili do të merrte pjesë në këtë analizë, por ai nuk është paraqitur dhe analiza është zhvilluar sipas parashikimit. Në fillim ka qenë trajneri “Deda” që ka folur i pari në lidhje me ndeshjen e zhvilluar pasdje në “Niko Dovana”, i cili e vuri theksin te gabimet e shumta në të gjitha repartet, ku më tepër u përqendrua te mbrojtja, e cila mban edhe barrën kryesore për humbjen së bashku me portierin. Por kritikave të teknikut të Vllaznisë nuk i ka shpëtuar as reparti i mesfushës, ku sipas tij kërkohet më shumë lëvizshmëri, në të gjitha drejtimet, ku edhe mbulimi i hapësirave duhet bërë më shpejt. Ndërsa në lidhje në lidhje me sulmin “Deda” përsëri ka vënë theksin në rastet e humbura prej sulmuesve të Vllaznisë, që, po të ishin treguar më të qetë, rezultati do të kishte folur pastaj për shkodranët. Kështu në kompleks, sipas teknikut malazez Vllaznia e nisi shumë mirë takimin, pastaj çdo gjë u zbeh, duke pësuar humbjen e dytë në këtë sezon. Por në këtë analizë kanë marrë pjesë edhe futbollistët, duke dhënë edhe ata arsyetimet e veta për shumë pika ose detaje të tjera të ndeshjes. Të gjithë kanë pranuar se humbja ishte e papranushme, pasi edhe kundërshtari nuk shfaqi ndonjë nivel të lartë, sidomos për të fituar aq thellë. Një fakt që është pranuar nga të dyja palët në këtë analizë, ishte se pësimi i 5 golave në dy ndeshjet e para të këtij sezoni kanë ardhur nga topa të gjatë, gjë e cila pasqyron mungesën e vigjilencës së futbollistëve shkodranë në të tilla raste, sidomos të mbrojtësve. Ndërsa skuadra e Vllaznisë që prej ardhjes së teknikut malazez në krye të saj ka përdorur skemën e lojës 4-4-2, duket se nuk po i jep efektet e duhura. Në të tilla kushte, disa futbollistë kuqeblu kanë kërkuar ndryshimin e kësaj skeme loje si e papërshtatshme për ta dhe lojën e tyre, por tekniku Haxhiosmanoviç është shprehur shumë i vendosur në përdorimin e këtij modul loje. Kjo analizë ka zgjatur për rreth 30 minuta, ku është karakterizuar nga vërejtje, kritika, por edhe debate të shumta, në mes futbollistëve dhe trajnerëve në lidhje me atë se çfarë mund të riparohet për të ndryshuar rrjedhën e rezultateve të Vllaznisë, në mënyrë që në ndeshjet e ardhme ato të jenë pozitive. Pas kësaj analize, çdo gjë ka marrë rrjedhën normale të seancës stërvitore, ku i gjithë ekipi është angazhuar në stërvitje.