Shkrimi i botuar sot dt.22.05.2007,nga Prof.Dr.Besnik Dizdari ku behet fjale per kampionatet e mohuara te Tirones e Vllaznise:
http://www.gazetatema.net/index.php?gju ... y=9&id=245
-----------------------------------------------------------------------------
SK Tirana dhe të tjerët…Nga Besnik Dizdari
* Përse fitorja e 23-të zyrtare dhe e 25-të autentike e SK Tiranës është fitore e historisë?
* Cilat janë 16 skuadrat më të mira të 77 vjetëve, shifër shpëtimtare që thërret për 16 skuadra në kampionatin kombëtar 2007-’08
Kjo është një temë e patrajtuar ndonjëherë, ndonëse titulli duket se nuk të ngjall një kërshëri. Është një temë që i përket vetëm periudhës së mbaskomunizmit. Më përpara, tema “SK Tirana dhe të tjerët” nuk mund të trajtohej përderisa kampionati i Shqipërisë sundohej nga tema “Partizani dhe Dinamo”. Të paktën kësisosji deri kah fund i viteve ’80, edhe pse qe mu 17 Nëntori (sot SK Tirana), ai i cili, qysh në vitet ’60 kishte nisur ta kundërshtonte temën e vjetër të dyshes së madhe dikasteriale, i pasuar nga Vllaznia dhe paksa prej Labinotit të Elbasanit dhe Flamurtarit të Vlorës. Duhej të silleshin në skenën e historisë 7 kampionatet kombëtare të Mbretërisë prej autorit të këtij shkrimi, që historia të konfigurohej për kah e vërteta. Është e çuditshme, por vetëm më 1990-’91-shin ia arritëm të vinim në vend historinë dhe 17 Nëntori, si dikur Sportklub Tirana, t’i kthehej kryesimit të kësaj historie, më saktë sundimit të saj. Tash po, mund të trajtonim temën “e re” “SK Tirana dhe të tjerët”.
1.
Në të vërtetë, mbas kurorëzimit të së shtunës që kaloi, kurorëzimi i 23-të zyrtar, më duket se nuk kam çka shtoj, por i kthehem një shkrimi emblematik të vitit 2004, të cilin më duhet ta “ribotoj”, duke i bërë “errata corrige”- n e vitit 2007, sepse asgjë tjetër më fort se ai gjykim i përtërirë i vitit 2004 nuk i shkon më përshtat temës “SK Tirana dhe të tjertë”. Dhe më del përsëri pak a shumë në variantin që thotë se, “fitorja e SK Tiranës është fitore e historisë”.
Ndonëse për një çast të duket se është një trajtim i gabuar kësisoji, ky përkufizim i përfundimit të Kampionatit të 68-të Kombëtar të Futbollit, sepse, në fund të fundit, SK Tirana është një klub i Tiranës dhe jo i gjithë Shqipërisë dhe se titulli i 23-të i saj, mbase nuk mund të quhet një fitore e mirëfilltë e historisë, por e historisë së sportklubit tonë të shquar.
E megjithatë, them se sidoqoftë, është pikërisht edhe një fitorë e historisë sonë kombëtare të sporteve dhe të futbollit. Ndoshta edhe më tej. Në radhë të parë, sepse ky kampionat i 68-të, u fitua nga kampioni i parë i Shqipërisë që është SK Tirana. Por edhe kjo duket thjesht si një vlerë disi statistikore. E vërteta e kësaj "historie" qëndron diku tjetër: në atë që vetë Sportklub Tirana është një histori, histori e gjallë e kulturës sonë kombëtare, e sportit tonë kombëtar, e kampionatit tonë shqiptar. Pikërisht për histori, ajo fiton 23 kampionate, sepse fitoret i ka pjesë të historisë së saj dhe pa to ajo nuk mund të ekzistojë. Jo thjesht në kuptimin e fitoreve, por më tepër të rolit të saj në të gjithë këtë histori. Është një pjesëmarrje duke luajtur gjithmonë në role të dorës së parë. Fitoret e saj kanë shtyrë përpara një histori të futbollit shqiptar dhe sado modeste që të jetë ajo, si të gjitha historitë e Shqipërisë, roli i SK Tiranës është tejet i madh. Kjo shihet edhe te shifra "23", kur kundërshtarin më të afërt ka Dinamon më 7 kampionate më pak. Edhe për këtë, fitorja e SK Tiranës është fitore e historisë. SK Tirana ka bërë historinë e kampionateve tona, e ka themeluar atë, e ka çuar përpara, e ka gjallëruar, e ka shpëtuar kur ajo rrezikohej të mos ishte më histori dhe madje ka falë histori. Më e pakta, SK Tirana i ka falë histori dy klubeve, të cilët së bashku kanë fituar 31 kampionate, Partizanit dhe Dinamos - të cilët kur u themeluan, të paktën gjysmën e lojtarëve i kishin të Sportklub Tiranës, Punës së Tiranës apo 17 Nëntorit të Tiranës. Për fat, ky ka qenë çasti kur pa pikë mirënjohje këta dy klube që SK Tirana iu fali histori, deshën të ndalnin historinë e SK Tiranës. Për mbi 20 vjet, ata ia arritën ta ndalnin këtë histori. Nuk e ndalën thjesht duke mos e lejuar atë vetë të bënte histori përmes titujve kampionë, por gati të mos e lejonin të luante asnjë rol në këtë histori. Harruan se personazhet e mëdhenj nuk mund t’i heqësh nga historia edhe pse për një farë kohë ia arrin t'i mënjanosh prej saj.
Dhe 17 Nëntori, Sportklub Tirana apo Puna e Tiranës u rikthye në mesin e viteve '60, jo vetëm për të mos dalë më kurrë nga historia, por për të vazhduar drejtimin e historisë. Më 1990-ën, ajo ia arriti të nxirrte në skenë historinë e mohuar, sepse SK Tirana deri më 1991-shin ka qenë i vetmi klub futbolli në Evropë, të cilit me vendim shtetëror, pra përmbi 45 vjet, ia kishin hequr historinë e 6 titujve të kampionit. Dhe, kur një ditë të bukur iu kthye kjo histori, papritmas ajo u shndërrua në atë që kishte qenë, në "primadonë" ose në zonjë e parë.
Kjo është Sportklub Tirana, fitorja e 23-të e së cilës është fitore e historisë, fitore e themelimit, fitore e fillimit dhe e fundit, që kurrë nuk mund të këtë më fund. Është fitore mbarëkombëtare, pra më tepër se kombëtare, ndonëse çdo kampione, dihet që quhet kombëtare. Fitorja e SK Tiranës është mbarëkombëtare, sepse askush tjetër si ajo nuk ka patur në gjirin e vet larminë më të pafund të përfaqësuesve të të gjithë zonave të trevave shqiptare. Kur është themeluar si kampione më 1930-ën, ajo ka patur në 11-shen e saj tiranase, shkodranë, elbasanas, mallakastriotë, korçarë, dibranë, por edhe mitrovicas e gjakovarë. Do të vështroni mbas pak ditëve kur të botoj Panteonin e saj, tash të pasuruar edhe më tej.
SK Tirana në mbarëkombëtarinë e saj është unikale. Ajo të rrëmbën. Të gjithë "të huajt", ajo ka një aftësi të jashtëzakonshme për t'i shndërruar në tiranas të vërtetë të futbollit dhe mbrenda një kohe të shkurtër arrin t'iu blatojë stilin e saj. Mandej, kur ata largohen, atje ku shkojnë, vetvetiu përçojnë këtë stil historik te skuadrat e tyre. SK Tirana, që njihet për "konservatore", në të vërtetë është më liberalja. Tregun e futbollit në Shqipëri e para e ka filluar ajo. Është e para dhe e vetmja që i ka falë Juventusit dhe Romës së Italisë dy kampionë të rangut evropian, Riza Lushtën dhe Naim Kryeziun. SK Tirana është i vetmi klub futbolli në Shqipëri, përfaqësues të së cilës, të arratisur prej një terrori, një herë ia kanë arritur të dalin në fushën e lojës në një stadium të madh të Evropës në Romë dhe me fanelat e kombëtares me shqiponjën e flamurit, të zhvillojnë ndeshje me një klub të madh: Lazio të Romës. Vetëm këta lojtarë të Sportklub Tiranës kanë zhvilluar një ndeshje revolte atdhetare, kundër vendosjes së regjimit komunist në Evropën Lindore. Ishin futbollistë të shquar, të cilët përveç të tjerave kishin fituar dy kampionate kombëtare (1939, 1942) të Luftës në Shqipëri, të cilët ne po luftojmë tash pak vjet që të njihen, e për këtë iu kemi kushtuar një libër të posaçëm. Atëbotë, SK Tirana do të kishte për të qenë jo 23, por 25 herë kampione e Shqipërisë. Portat për të tjerët i ka hapur e para në Shqipëri po SK Tirana. Vështroni edhe emrat e stinës 2006-’07, se çfarë larmie krahinash gjen te protagonistët e saj. Kam vendosur që në këtë shkrim të mos përmend asnjë emër se do të gaboj. Emrat i gjeni së shpejti te 200 kampionët e Panteonit. E atëbotë, në mungesë të analizës së një kampionati, të cilin SK Tirana e fitoi prap me një epërsi, sepse e siguroi para kohe, do të flasë Panteoni si dhe kjo ese lakonike si argument që fitorja e 23-të zyrtare apo e 25-të autentike e SK Tiranës, është fitore e historisë; jo thjesht sepse një kampione i përket gjithë historisë kombëtare, po sepse askush më mirë se SK Tirana, nuk ka plazmuar aq fort, një histori futbolli të Shqipërisë, kaq kombëtare dhë përtej. Çuditërisht, jo vetëm sepse ajo i ka dhënë kombëtares numrin më të madh të lojtarëve qysh ditën e parë kur u themelua më 1936-ën, dhe madje as sepse përherë ka qenë në përbërje një skuadër mbarëkombëtare qytetesh e trevash, por sepse askush më fort së SK Tirana, nuk ka përfaqësuar shpirtin rinor të kombit tonë në fushën e blertë. Forca, pasioni i madh, këmbëngulja e jashtëzakonshme, etja e madhe për kthesë, energjia, shpirti i paepur dhe në fund të fundit, stili i një vrulli dhe mosdorëzimi asesi në këtë fushë të blertë, çka shpesh shumëkush i ka quajtur veçori të futbollit shqiptar, më parë se të tjerët, janë brumosur te Sportklub Tirana. Është ai që njihet si "shpirti i Tiranës".
I dha të gjitha këto dhe mu në këtë 2006-’07, ndonëse për fatin e saj të keq, qenë të një kohe kur historia nuk vlerësohet. Për hir të Panteonit, thashë se nuk do të përmend asnjë emër. Megjithatë, edhe më e tana ka një përjashtim. Do ta mbyll me vetëm dhjetë emra, dhjetë njerëz, të cilët me këtë cilësim nuk i ka as Panteoni. Janë ata të cilët kanë plazmuar me duart e tyre vetë Panteonin e Sportklub Tiranës. Janë mësuesit e saj, trajnerët, nga i pari te i fundit.
Nderim pra për SAMO SINGERIN, SELMAN STËRMASIN, MYSLYM ALLËN, ENVER SHEHUN, SHYQYRI RRELIN, SHKËLQIM MUÇËN, SULEJMAN MEMËN, ENVER HADZIABDIC, FATMIR FRASHËRIN, KRENAR ALIMEHMETIN, LUAN SENGLA, SULEJMAN STAROVËN, MIREL JOSËN, e përsëri MIREL JOSËN, e edhe më përsëri SHKËLQIM MUÇËN të kurorës numër 23. Kështu, duke i vënë të gjithë, qoftë ata që e kanë drejtuar edhe një apo dy javë si trajnerë të parë SK Tiranën në vitin e fitimit të çdo titulli të saj. Pa ta, Sportklub Tirana nuk mund t’i përkasë historisë.
2.
E tash pak për të tjerët.
Ose më mirë me thënë, për të mëdhenjtë e tjerë. Sepse, përveç SK Tiranës, Kampionati i Shqipërisë ka edhe të mëdhenj të tjerë, të cilët herë mbas here kur kanë marrë edhe ata titujt e tyre të kampionit, kanë mëtuar që edhe fitorja e tyre të jetë po aq një “fitore e historisë”. Sepse dihet, përveç 23 kampionateve të sportklubit janë edhe plot 45 kampionate të tjerë, që i kanë fituar të tjerë. Dhe mbrenda kësaj 45-she gjen edhe një sundim tjetër, sundimin e Partizan-Dinamos: 31 kampionate të fituar së bashku, 16 Dinamo dhe 15 Partizani, por vetëm dy të fituar në 17 vjetët e fundit prej tyre: vetëm 1 Partizani më 1993 dhe vetëm 1 Dinamo më 2002. Histori e mbyllur, e harruar, gati e shuar. Një epokë që është ndrydhur si në një prehistori. Po të thoje në vitet ’70 apo ’80 se do të vijë një kohë që Partizani dhe Dinamo në 17 vjet rresht do të fitonin vetëm nga 1 kampionat, do të vinim buzën në gaz. Mirëpo, përmbysja erdhi. Dy superklubet e dikurshëm tash rrezikojnë gjithnjë e më fort të humbin historinë, e cila nëse nuk përsëritet, vërtet që nëse nuk mund të humbë, mund të shtresëzohet nën dhé si teatrot e lashtësisë.
Dhe ata nuk luajnë më role të mëdha në historinë e kampionateve të Shqipërisë. Dikur i merrnin futollistët vetëm me telefona, tash duhen miliona për t’i marrë. Është diçka tjetër. Është kohë tjetër. Ata nuk mund të mbahen më vetë me ngjyrat e klubit që përfaqësojnë vërtet një histori të madhe, por një histori tejet të largët, të dikurshme. Flet qartë për këtë viti 2007. E shikoni se iu duhet të kënaqen vetëm me vende modeste: Partizani i 4-ti dhe Dinamo e 5-ta. Historia e lavdishme duket krejt e mbyllur, sidomos për Partizanin, kur kujton se ka 14 vjet që nuk fiton asnjë titull dhe kur madje ka njohur edhe rënien në Ligën 2 (Kategoria e dytë), ndërkohë që edhe titullin e nënkampionit të Shqipërisë për herë të fundit e ka fituar 15 vjet më parë, më 1992-shin. Dinamo diçka më ndryshe, sepse përveç titullit të 2002-shit, pesë vjet më parë qe nënkampione dhe madje dy herë e treta e Shqipërisë. Po ndërkaq, në këtë 2007 rënia e saj është drastike: 25 pikë larg Sportklub Tiranës, e 5-ta dhe i duhet të kënaqet me faktin e çmuar se të paktën me 16 titujt e fituar, vjen e dyta mbas SK Tiranës me 23 titujt e saj.
Futbolli shqiptar, duket se kështu tashmâ ka mbyllur një herë e mirë punët me sundimin e Partizan-Dinamos.
Teuta e Durrësit - kampione më 1994-ën - është nënkampione mbas 11 vjetëve. 2007-ta qe për të një vit vërtet i lumtur, sepse ka luftuar në dy fronte plot “heroizëm”, ndonëse me vetëm një stonaturë: dorëzimin pa kushte në fundoren e Kupës së Shqipërisë. Pati një prijës jo nga fusha e drejtpërdrejtë, por nga pankina pranë fushës: Sulejman Starova.
Vllaznia e Shkodrës, nga ana e saj është e madhja tjetër historike që në gjithë këto vite ‘2000 i duhet të kënaqet vetëm me titullin e 2001-shit, i fundit për të, i 9-ti në tanësi, pa mbërritur asesi që ta çojë historinë e saj në dy shifrën juibilarë: 10 herë kampione e Shqipërisë. Në të vërtetë, ajo kaq është kur kujton titullin ende të paomologuar të vitit 1940. Por, zyrtarisht ende jo! Në mbrendësi të vetvetes ka një meritë të rrallë edhe për titullin e sportklubit: dy shënuesit e saj i kanë blatuar titullit të SK Tiranës 2007 plot 36 nga 64 golat që kampionia ka shënuar. Më shumë se gjysma e tyre janë të një marke shkodrane, por ky është globalizmi i futbollit të sotëm. Ndonëse për skuadrën shkodrane ka ardhur koha për të që të mbajë fort në tokën e saj talentet e saj. Nuk ia arrin. Ose për shkak të ekonomisë së tregut, që nuk di ta mbarështrojë, ose për shkak të shterrimit të talenteve. Këtë të fundit nuk e besojmë. Vllaznia e Shkodrës, e cila ka plot 20 vjet që nuk fiton as edhe një Kupë të Shqipërisë, megjithë ndryshimin që bëri falë drejtimit të një trajeneri kampion si Mirel Josa, i cili drejtoi në plot 11 javë edhe Sportklub Tiranën 2007, çka do të thotë se statistikisht është po trajner kampion i vitit, së bashku me Shkëlqim Muçën, sepse 22 pikë prej të 72-ve të sporklubit janë të tijat, prap se prap i gjithë organizimi i futbollit shkodran ka vënë në pikëpyetje një traditë. Përveç të tjerave, u pa se edhe aleancat e dikurshme që i bën klubet e tjerë të luajnë futbollin e ndershëm në mbështetje po të atij që quhet “nderi sportiv”, ajo i ka humbur.
Dhe mu këtu merr fund tema jonë “SK Tirana dhe të tjerët”, sepse KS Elbasani la titullin për vendin e 7-të dhe Besa la ndeshje të tana për Kupën e Shqipërisë. Ia arriti kësaj ndoshta më tepër se për meritë stinore, për meritë historike. Edhe këtë, jo vetëm ngaqë ndër vite i kanë rrëshqitur kupat para syve, por sepse i ka dhënë tejet futbollit kombëtar si një nga shoqëritë më të vjetra të Shqipërisë. Mu për këtë e meritonte të përfshinte emrin e saj në Librin e Artë. Ndonëse “mesi” i saj në renditjen e kampionatit të 68-të nuk mund të quhet kurrsesi “i artë”.
Më tej nuk mund të ecim. Historia e tronditur e Flamurtarit të Vlorës, i cili vazhdon të paguajë ende dy vitet në Ligën 2, kërkon bazament të ri, të cilin askush në Vlorë nuk merr përsipër ta ndërtojë dhe vetëm i 9-ti
Të tjerët janë krejt jashtë teme. Ata i përkasin një “bote tjetër”, por edhe në këtë rast ka një përjashtim: Kastrioti i Krujës, i cili ia arriti që mbas 11 vjetëve të ruajë qëndrimin në kampionatin kombëtar, çka përbën suksesin e rrallë, tejet të rrallë të tij.
Do të kemi mbas kaq vitesh tri skuadra të Veriut të Shqipërisë në kampionatin kombëtar: Vllaznia do të ketë dy “aleatë”: Besëlidhjen e Lezhës dhe Kastriotin e Krujës, sepse dihet: ndonëse Veriu i ka dhënë futbollin Shqipërisë, gjithnjë ai ka një prani të varfër në kampionatin kombëtar. Dhe kuptohet përse: futbolli është zakonisht vepër e qyteteve…
Apolonia e Fierit dhe Luftëtari i Gjirokastrës që i thanë lamtumirë kampionatit kombëtar (natyrisht mund të shpresojnë në një shtim të mundshëm të skuadrave prej FSHF-së), qenë pa role të dorës së parë dhe të dytë në një përfshirje të mundshme për një afrim te tema e jonë, por pa ia arritur. Dhe mbërrin Skenderbeu i Korçës, kampioni i vitit 1933, i cili, në gjashtë kampionatet e fundit ka munguar në pesë prej tyre.
Jemi në kërkim një kampionati të qyteteve, ku natyrisht hyn mbrenda edhe kryeqyteti. Nuk mund të themi se po e gjejmë. Kampionati i 68-të që fiksoi për herë të 13-të radhazi praninë e një qyteti të vogël si Peqini, pra Shkumbinin, çka përbën sensacionin ende të papërimtësuar të të gjithë këtyre viteve, duket se më këte fakt e lëkund tejet kërkimin për te një Kampionat i Qyteteve Tradicionale të Futbollit. Në të vërtetë, 16-shja e 68 kampionateve simbas arkivit tonë, me kampionatin e 68-të dha vetëm një ndryshim: Vllaznia e Shkodrës, falë dështimit të Dinamos në këtë 2007, kalon klubin dinamovit dhe ngjitet në vendin e tretë. Kjo ishte e vetmja lëvizje. 16-shja më e mirë për të 68 Kampionatet Kombëtare të Shqipërisë, simbas pikëve të fituar në tanësi, është kjo:
1.SK TIRANA / Tiranë
2.PARTIZANI / Tiranë
3.VLLAZNIA / Shkodër
4.DINAMO / Tiranë
5.TEUTA / Durrës
6. FLAMURTARI / Vlorë
7. KS ELBASANI / Elbasan
8. BESA / Kavajë
9.SKENDERBEU / Korçë
10.KS LUSHNJA / Lushnjë
11.TOMORI / Berat
12.LUFTËTARI / Gjirokastër
13.APOLONIA / Fier
14.SHKUMBINI / Peqin
15.BESËLIDHJA / Lezhë
16.NAFTËTARI / Kuçovë
Këto janë 16 skuadrat më të mira të 68 Kampionateve Kombëtare të Shqipërisë. Kjo është renditja e tyre nga vendi i parë deri tek 16-ti në 77 vjet Kampionat Kombëtar në Shqipëri. Eh! Sikur të ishte diçka kësisoji, me 16 skuadra pjesëmarrëse, kampionati i 69-të!...
Ndryshim i bukur, i madh, origjinal, klasik, realist, historik, e pse jo edhe modern, ndonëse tema do të mbeste po ajo: “SK Tirana dhe të tjerët”.
BESNIK DIZDARI