Post
by Skodrinon » Fri, 12 Feb 2010 , 17:47
Vllaznia e re e Martinit:“S’kam skemë fikse, por Haxhibulic është titullar”
13 Shkurt Trajneri kuqeblu: “Mos prisni të shihni një Vllazni të njëjtë, ndryshoj përherë”
“Më vjen keq që nuk e kemi mbyllur kualifikim për në kupë që në Korçë”. Kështu ka thënë trajneri i Vllaznisë, Edi Martini një ditë pas ndeshjes me Skëndërbeun. Numri 1 i pankinës shkodranë është shfaqur optimist për gjendjen që po kalon ekipi, teksa nuk e ka konsideruar rezultat negativ barazimin, pavarësisht se ai synonte fitore. Gjithsesi ai mendon se kualifikimi akoma nuk është arritur pasi do të zhvillohet dhe një ndeshje tjetër. Ndërkohë, duke u ndalur tek ndeshja e kampionatit që do të luhet përballë Skënderbeut, Martini nuk i trembet aspak kundërshtarit. Duke e respektuar atë, tekniku shkodran ka kërkuar maksimumin nga lojtarët e tij për të arritur një fitore. Përsa i përket ndryshimeve taktike të lojës së Vllaznisë nga skema 4-4-2 në 4-5-1, Martini sqaron me detaje arsyet e këtyre lëvizjeve. Ndryshimi që ka rënë në sy, ka qenë aktivizimi i Balës ndërsa Haxhibulic është lënë në stol me Tiranën. Ndërkohë që me Skëndërbeun, Bala ulet në stol dhe sulmuesi serb aktivizohet nga minuta e parë.Vetë drejtuesi i pankinës shkodrane ka sqaruar se ndryshimet bëhen në të mirë të rezultatit, teksa ka theksuar se Haxhibuliç është një lojtar formacioni, por që është sakrifikuar për disa ndryshime taktike. Në lidhje me objektivat e Vllaznisë, Martini ka theksuar faktin se dëshiron t’i hedhë hapat ngadalë, duke u shprehur se “oreksi vjen duke ngrënë”.
- Martini, një barazim në Korçë, në temperatura të ulëta. Çfarë mund të thoni tani, 24 orë më pas për ndeshjen?
- E kishim vlerësuar takimin maksimalisht, pasi është një ndër objektivat kryesorë të klubit, pasi duam të shkojmë në Kupat e Europës. Sigurisht, bëmë disa lëvizje në formacion për arsye taktike në ndeshjen me Skëndërbeun. Duke përjashtuar 10 apo 15 minutat e para të takimit, ku ekipi korçar na vuri disi nën trysni, pjesa tjetër e lojës ka qenë plotësisht e dominuar nga ekipi ynë. Lojtarët kanë fituar besimin e duhur që pas ndeshjen me Tiranën. Megjithatë, them që ndeshja me Skënderbeun duhej të fitohej nga ne dhe me vjen keq që nuk e kemi siguruar që atje kualifikimin.
- Është i hapur kualifikimi?
- Është absolutisht i hapur kualifikimi, pasi ndeshja e parë është vetëm 0-0. Ne duhet që mos të neglizhojmë dhe të mos mendojmë se kemi kaluar turin, sepse janë edhe 90 minuta për t’u luajtur.
- Ndërkohë, duke ndalur tek ndryshimet taktike që ju keni realizuar. Çfarë keni synuar të arrini?
- Janë zëvëndësuar Alikaj me Sykajn dhe Bala me Haxhibuliçin. i bëmë këto ndryshime duke patur parasysh një terren shumë të rënduar dhe mënyrën e lojës të trajnerit Josa. Duke qenë në dijeni të mënyrës së lojës së trajnerit, menduam që të aktivizonim Sykajn për të fuqizuar mesin e fushës. Ndërsa Balën me Haxhibuliçin për shumë arsye. Si fillim, Bala ka bërë një ndeshje shumë të mirë të shtunën me Tiranën dhe ka konsumuar shumë energji. Ne e kemi parë të arsyeshme aktivizimin e Haxhibuliçit edhe për arsyen tjetër, se edhe ai është një lojtar shumë i mirë, shumë i nevojshëm për ekipin.
- Mendoni se Haxhibuliç mund të ndjehet disi i nënvlerësuar?
- Jo nuk ka pse të jetë. Pasi përveç pushimit që kishim menduar për Balën, donim të tregonim që edhe Haxhibuliç është afër formacionit, për mendimin tim dhe të komplet stafit, pra ai për ne është një lojtar i formacionit të parë. Pavarësisht se e kemi sakrifikuar për ccështje taktike.
- Ju thoni që e keni sakrifikuar, ndërsa Haxhibuliç ka ardhur si një ndër përforcimet kryesore të skuadrës në merkaton e janarit.
- E përsëris që ai është një lojtar formacioni. Megjithatë kur vendoset për të luajtur me një sulmues. aty shikohet kush është në gjendje për momentin dhe kush është i ingranuar më mirë me ekipin. Ai ka shumë pak kohë që ka ardhur tek Vllaznia dhe nuk është 100% i ambientuar me skuadrën. Kjo është një ndër arsyet që është përzgjedhur Bala para tij në ndeshjen me Tiranën. Pavarësisht se për mua janë të dy lojtarë formacioni.
- Duke ndalur në skemat e lojës, ju kemi parë që jeni duke praktikuar 4-5-1. Është e preferuara juaj?
- Skema që ne luajmë sot nuk është e njëjtë në një ndeshje tjetër. Jo çdo ndeshje mund të zhvillohet me një sistem loje. Ne shikojmë kundërshtarin që kemi përballë, vendi ku zhvillohet ndeshja, pra shikohen shumë faktorë për të zgjedhur një mënyrë loje. Nuk është e thënë që është filluar me 4-4-2 dhe do të mbarojë sezoni me të njëjtin sistem loje, apo e kundërta me 4-5-1. E rëndësishme është që si në ndeshjen me Tiranën edhe atë me Skënderbeun, skema e lojës ka funksionuar shumë mirë. Megjithatë asgjë nuk është e prerë më thikë…
- Ditën e shtunë do të luani përsëri me Skënderbeun në “Loro Boriçi”. i trembeni kundërshtarit, pasi ai njeh dhe lojën tuaj tashmë?
- Jo nuk i trembemi. Mua më gëzon për momentin dëshira e futbollistëve, pasi ndeshja me Tiranën ka ndikuar pozitivisht në rritjen e moralit të ekipit. Unë shikoj edhe tek futbollistët një entuziazëm më të madh pas asaj dite, në stërvitje, gjë që e kanë reflektuar dhe në fushën e lojës në ndeshjen me Skëndërbeun, apo dhe sot (dje) sërish në stërvitje. Ndeshjen me Skënderbeun nuk duhet ta nënvlerësojmë, nuk mund të themi se ajo është më dobët se Laçi apo ndonjë ekip tjetër. Atë disfatë që e kemi pësuar me Laçin, pavarësisht fitores me Tiranën, na ka mbetur akoma në kujtesë. Nuk duhet të nënvlerësojmë në mënyrë absolute asnjë kundërshtar. Pasi pikët janë njësoj si t’i fitojmë me Tiranën apo me Skënderbeun, po ashtu me ndonjë ekip tjetër. Prandaj do të kërkojmë një përqëndrim maksimal për të kaluar me sukses ndeshjen me Skëndërbeun.
- Ju kërkoni maksimumin, por sa mund të ndikojë negativisht terreni i rënduar i stadiumit “ Loro Boriçi”?
- Është një terren që nuk i përshtatet ekipit tonë. Pasi siç dihet, Vllaznia ka nevojë për një fushë të mirë për të luajtur futboll. Megjithatë, ne nuk do ta marrim si justifikim pasi si për ne, ashtu edhe për kundërshtarin tonë është e njëjta gjë, kështu që nuk kemi çfarë të diskutojmë.
- Të ndalemi tek objektivat e Vllaznisë. Sa është e aftë ajo t’i arrijë si në kampionat ashtu dhe në kupë?
- Unë, hapat kam dëshirë që t’i bëj të matur dhe gradualisht, pas çdo ndeshjeje. Të shikojmë ndeshjen e radhës, pastaj tjetrën e kështu më radhë. Unë e theksoj që oreksi vjen duke ngrënë, megjithatë mendoj se kemi ndryshuar diçka për mirë, pas atyre dy ndeshjeve të para. Unë shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm, më pas objektivat kemi kohë shumë për t’i përcaktuar, pasi kampionati është ende i gjatë. Megjithatë, them që ekipi do të shkojë atje ku i takon.
s.ekspres