Post
by vllaznia1919 » Wed, 11 Jan 2006 , 14:58
Lici-Ndreka, dhembje koke për Dedjen
Dita e ndeshjes shumë të rëndësishme me Tiranën po afron dhe në kampin shkodran përgatitjet po shkojnë ashtu si duhet. Trajneri Dedja duket shumë i kënaqur me gjendjen e skuadrës dhe shpreson shumë tek një paraqitje shumë e mirë e saj të shtunën kundër bardhebluve. Por ajo që i shqetëson së tepërmi drejtuesit e
Vllaznisë është fakti nëse do t'i kenë apo jo në dispozicion për këtë ndeshje futbollistët Henri Ndreka dhe Suad Lici. Ky i fundit, siç dihet, vetëm javën e kaluar vendosi të rikthehej në kampionatin shqiptar, duke zgjedhur Vllazninë. Futbollisti me shumë përvojë, kohët e fundit pati nisur një aventurë të re në Azerbajxhan me fituesen e kupës së këtij vendi, FC Baku. Por pas aktivizimit në
Kupën UEFA me këtë skuadër, shkodrani 31-vjeçar për asnjë moment tjetër nuk arriti të luante me këtë ekip. Arsyeja fillimisht ka qenë një dëmtin i rëndë që pësoi dhe për rrjedhojë qëndroi për më tepër se një muaj jashtë fushave të blerta. Pas periudhës së rikuperimit, Suadi është paraqitur sërish në Azerbajxhan, ku gjithsesi asnjëherë punët nuk i kanë shkuar mirë. Disa mosmarrëveshje me drejtuesit e kubit në lidhje me disa pagesa, kanë bërë që Lici të vendosë në janar prishjen e kontratës me FC Bakunë. Në të vërtetë, nuk duket një prishje e njëanshme nga ana e lojtarit, pasi ka qenë klubi azerbajxhanas që nuk është treguar korrekt me lojtarin. Në këto pozita, por edhe pasi Lici ka rënë dakord të luajë me Vllazninë në pjesën e mbetur të sezonit, drejtuesit e kësaj të fundit, përmes FSHF së, u kanë kërkuar azerbajxhanasve lejen e kalimit të futbollistit. Një kërkesë e tillë, të paktën deri dje në drekë, nuk ka pasur përgjigje e në këto kushte, ajo që mbetet është pamundësia e lojtarit për të qenë në fushë derisa ky problem të zgjidhet. Drejtuesit shkodranë nuk mendojnë se do të kenë probleme me këtë çështje, prandaj Dedja e ka pjesë të 11 shes anti Tirana Suad Licin.
Po kështu, duket e sigurt edhe mungesa e Ndrekës në sfidën me Tiranën. Lezhjani, siç është bërë e ditur, ka shkuar për t'u provuar tek ekipi ukrainas Vorllska Polltava dhe nuk dihet se kur do të merret një përgjigje përfundimtare, nëse do të firmosë për të apo jo. Vetë Ndreka, para nisjes, ka premtuar se do ta zgjidhë gjithçka brenda pak ditësh, në mënyrë që, nëse ka një përgjigje negative për firmosje kontrate me ukrainasit, të jetë të premten në Shqipëri, që të shtunën të jetë në formacion kundër Tiranës. Por sa e sigurt është kjo gjë? Kësaj pyetjeje askush për momentin nuk mund t'i japë një përgjigje të saktë e për rrjedhojë trajneri Dedja ka të drejtë të jetë me dhembje koke. Planet për këtë ndeshje ai i ka bërë me Ndrekën e Licin në formacion, por nuk është çudi që asnjëri prej tyre të mos luajë të shtunën. Për këtë arsye, me siguri që sot, në miqësoren me Besën, trajneri i kuqebluve do të bëjë të tjerë eksperimente në vendosje dhe në lojtarë, në mënyrë që të mos gjendet i papërgatitur para këtyre fakteve. Gjithsesi, ajo që është realitet është se planet duhen bërë edhe pa këta dy lojtarë të rëndësishëm të formacionit shkodran.