Post
by fpjalmi » Sat, 09 Jan 2010 , 01:02
Halili-Sinanit: Hajde te Tirana, të dalësh sërish kampion
Vioresin Sinani mbetet për presidentin e Tiranës, Refik Halili, jo vetëm një futbollist model, një golashënues “rrace”, por edhe një njeri i shkëlqyer. Gjë që e ka provuar edhe në “bashkëjetesën” e para disa kohëve, kur sulmi bardheblu iu besua dyshes shkodrane, Salihi-Sinani. Qysh asokohe kanë rrjedhur shumë ujëra dhe tashmë, duke qenë se i ka vetë në dorë gjërat tek ekipi kampion, Zoti Halili kërkon të korrigjojë diçka që e mundon. Pra, të risjellë te Tirana një nga sulmuesit më të mirë shqiptarë të dekadës së fundit, Vioresin Sinanin, të cilin nuk arriti ta mbante te bardheblutë në “martesën” e parë, edhe pse dëshira e tij personale ishte e madhe, por duheshin bërë “katër mendje” bashkë. Duke studiuar situatën dhe pozitën e Sinanit te Vllaznia, e cila, nga burimet e tij, nuk ngjason aspak me ndonjë “muaj mjalti”, përkundrazi, ka gati ofertën për ta marrë te Tirana. Me një kusht, pa interferuar aspak në klubin shkodran. Pra, vetëm nëse presidenti kuqeblu, Valter Fushaj, bie dakord që ta lërë të lirë Sinanin, atëherë ky i fundit i ka dyert të hapura te skuadra kampione në fuqi. “Konsiderata ime për Viorin është maksimale. Jo vetëm si futbollist, por edhe si njeri. Gjatë qëndrimit tim si donator te Tirana, kam kaluar shumë futbollistë nëpër duar, duke nënshkruar kontrata me ta, duke bashkëpunuar, por si Sinani nuk më ka lënë mbresa njeri. S’dua ta flas për cilësitë e tij si futbollist, sepse ai e ka treguar këtë në fushën e lojës, por të shpreh interesimin maksimal për ta rikthyer edhe njëherë te Tirana. Herën e parë, kur erdhi në skuadrën tonë, bashkë me Salihin, dha maksimumin e tij dhe ne u shpallëm kampionë. Personalisht nuk doja ta lija të ikte, por nuk e kisha gjithçka vetë në dorë. Sot qëndron ndryshe puna, jam president i Tiranës, ndaj edhe për ta korrigjuar atë gabim, por edhe për t’i shtuar një xhevahir skuadrës sime, jam gati ta ndërmarr hapin zyrtar. E di se Sinani po stërvitet në Ulqin me Vllazninë, di edhe se kolegu im Fushaj, përmes gazetës suaj ka nënvizuar se nuk e pengon sulmuesin, nëse do të largohet diku tjetër, kështu që ai i ka dyert të hapura te Tirana. Kjo vlen vetëm nëse Vllaznia e lë të lirë lojtarin, sepse nuk duam të krijojmë asnjë shqetësim për kolegët tanë shkodranë. Dëshira ime është e madhe që Sinani t’i bashkohet Tiranës, sepse kështu maksimalizojmë shanset për t’i shtuar edhe një titull tjetër klubit tonë, por edhe vetë sulmuesi i njohur shkodran një titull më shumë në karrierën e tij,” - nënvizon mes të tjerash presidenti bardheblu, Refik Halili.
Sikurse duket, 24 herë kampionët e vendit “ia kanë bërë me sy” goleadorit të njohur. I cili, duke parë edhe pozicionin e tij te Vllaznia, i ka vetë në dorë gjërat për t’i vendosur pikat mbi “I”. Nëse dëshira dhe vlerësimi maksimal i presidentit të Tiranës, Refik Halili, përputhet edhe me planet e tij aktuale, atëherë duket se nuk ka asnjë pengesë që mes të dyja palëve të kryhet një “martesë” e dytë. Përjashto këtu klubin e Vllaznisë, pa miratimin e të cilit bardheblutë nuk do të marrin asnjë hap në këtë drejtim. Çka do të thotë se vetë Sinani duhet ta zgjidhë këtë problem me presidentin Fushaj.