Post
by vllaznia1919 » Fri, 14 Jul 2006 , 13:35
Shulze: Vllaznia ka nevojë për 10 blerje
Prej dy ditësh ai është vënë në krye të ekipit shkodran, duke e drejtuar edhe në stërvitje atë dhe gjermanit Ulrih Shulze ka filluar t'i pëlqejë aventura e re. Natyrisht, vjen "nga një botë tjetër", megjithatë është ambientuar edhe me kushtet jo shumë të përshtatshme për trajnim që afron Shkodra dhe ka filluar menjëherë nga puna. Në intervistën e tij të parë nga fusha e stërvitjes, ish portieri i kombëtares së Gjermanisë Lindore, flet me entuziazëm për punën që ka nisur, duke pasur shumë besim edhe te premtimet e presidentit të klubit Fushaj për ndërtimin e një ekipi pretendent. Ja si shprehet për "Sportin shqiptar" trajneri i Vllaznisë, Ulrih Shulze:
- Cilat janë përshtypjet e para mbi këto tri seanca që ju jeni në drejtim të Vllaznisë?
Si çdo eksperiencë e re, natyrisht që ka ato vështirësitë e veta, megjithatë kam filluar të ambientohem me skuadrën dhe mjedisin. Ajo që kam kërkuar unë t'u injektoj futbollistëve, është ideja se trupi i tyre është gjëja më e rëndësishme për ta. Prandaj, nëse janë profesionistë të vërtetë, duke e vënë këtë trup në shërbim të kësaj loje, do të arrijnë të bëjnë diçka të mirë.
Dhe cilat kanë qenë reagimet që keni marrë nga lojtarët?
Shoh që në ekip ka djem që kanë dëshirë të stërviten, por fakti se ata kanë 8 javë të plota që janë pushim ndikon shumë keq në përgatitjen e tyre. Kurrsesi nuk duhej të kishte ndodhur kështu, pavarësisht se skuadra është shoqëruar nga ato probleme që ju i dini më mirë se unë.
E keni të vështirë të përshtateni me këtë ambjent, ku ka probleme sa i takon infrastrukturës sportive dhe kushteve për stërvitje?
Kam ardhur në Shqipëri për t'iu përshtatur ambientit këtu. Kuptohet, e mira do të ishte që kushtet për stërvitje të ishin ideale, por kjo fushë ku po stërvitemi është ndër më të mirat që janë këtu dhe prandaj nuk ka pse të qahemi. Janë edhe disa gjëra të vogla që mund të jenë mungesa e topave, apo bazës materiale, por kanë filluar të zgjidhen dhe besoj se nuk do të ketë probleme në këtë drejtim.
Kampionati nis pas 5 javësh, ndërkohë skuadra që keni ju në dispozicion nuk është e kompletuar, ka shumë futbollistë të rinj. Eshtë në dëmin e skuadrës ky fakt?
Natyrisht që e mira do të ishte t'i kisha në dispozicion të gjithë lojtarët që mendohet të jenë në përbërje të Vllaznisë në sezonin e ri, por jam në dijeni që presidenti Fushaj është duke kontaktuar vazhdimisht me lojtarë që mendon të afrojë në skuadër dhe për rrjedhojë presim. Aktualisht kam në dispozicion vetëm 12 13 lojtarë që janë taman për një skuadër si Vllaznia, që mendon të jetë pretendente.
Do të arrini ta bëni skuadrën gati për në kampionat?
E thashë që e keqja jonë kryesore është se e kemi filluar stërvitjen me 4 javë vonesë, ndërkohë që nga skuadra janë larguar edhe 5 lojtarët më të mirë të saj. Kësisoj, nuk është e lehtë ta arrish këtë, por në periudhën që unë kam në dispozicion do të mundohem të bëj më të mirën e mundshme.
Të kalojmë te porta, meqë vetë ju keni qenë portier. A është e sigurt porta e Vllaznisë me këtë kontigjent portierësh që ka tani?
Grima është një portier që ka përvojë dhe është solid në lojën e tij, ndërkohë që portieri tjetër, ai që është më i ri në moshë, Bishani, duket i talentuar, por ka shumë për të bërë në të ardhmen. Kësisoj, nuk mund të them që porta është e garantuar. Do na duhet të gjejmë edhe një portier tjetër në merkato. Sa i takon këtij malazezit që ka ardhur, është i ri dhe njëkohësisht ka shumë mangësi në përgatitjen e tij. Ai mund të bëhet portier pas dy tre vjetësh, por Vllaznia do një portier për tani. Kësisoj, do të na duhet të gjejmë një portier në Gjermani.
Po për sulmin a jeni i shqetësuar, teksa aktualisht në skuadër nuk keni asnjë sulmues të mirëfilltë për formacion?
Edhe në këtë pikë janë shumë gjëra që duhen saktësuar. Aktualisht është larguar lojtari më i mirë i saj, që ka qenë edhe sulmuesi kryesor, njëkohësisht edhe kapiteni i Vllaznisë. Tashmë na duhet të gjejmë dy sulmues të tjerë, ku nuk përjashtohet mundësia të kemi edhe ndonjë nga kampionati shqiptar dhe, nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të shikojmë nga tregu gjerman. Por duke qenë se unë e kam në mendje mënyrën se si do të luajë Vllaznia, parapëlqej që sulmuesit që do të vijnë të jenë 25 26 vjeç, lojtarë që të kenë si forcë kryesore presingun ndaj kundërshtarit.
Së fundi, a do jetë e kompletuar skuadra kur ajo të niset për në Gjermani për të zhvilluar fazën përgatitore?
Skuadra do të kompletohet me 22 lojtarët që i duhen vetëm pas kthimit të saj nga Gjermania. Atëherë mendoj se do të ketë përfunduar çdo gjë sa i takon seleksionimit dhe do të kemi të gatshme një skuadër për të pretenduar trofe.