Historia e dashurisë se Dos Santos nga Brazili dhe vajzës nga Erseka
Ajo bionde me sy blu, ndërsa ai një njeri me ngjyrë. Ajo nga Erseka, ai nga… Brazili. Marko Do Santos është futbollist i kampionatit kombëtar të futbollit në Shqipëri. Para katër vitesh ka qenë pjesë e skuadrës së Ersekës.
Tashmë, Marko dhe Ina prej më shumë se një viti bashkëjetojnë, por pa miratimin e babait të vajzës
Dashuria e tyre nuk ka qenë e zakontë, kjo për shkak të ngjyrës që ka Markos. Para tre vjetësh, qyteti ziente nga thashethemet për lidhjen e vajzës me futbollistin e qytetit. Çifti na tregon se në fillim ata kanë qenë miq. Marko shkonte shpesh në shtëpinë e Inës, për shkak të shoqërisë më të vëllanë. Më pas, gjithçka ndryshoi… ata filluan të ndienin diçka për njeri-tjetrin që më vonë e kuptuan që ishte dëshira që do t’u merrte mendjen. Të gjithë ishin kundra Inës. Ajo nuk duhet të sillte një dhëndër me ngjyrë në shtëpi. Këto “presione” nuk e ndalën vajzën nga Erseka që një ditë të bukur të bënte valixhet gati dhe t’ia “mbathte” në Brazil. Marko tregon se e vetmja mënyrë për të qëndruar me të ishte ta “rrëmbente”, e “rrëmbimi” ka ndodhur në 12 të drekës, kur askush nuk ishte në shtëpi. Tani ata jetojnë në Tiranë. Ina nuk komunikon me babanë e saj. Marko është lojtar i Besës së Kavajës. Të dy kanë shpresa që babai t’i pranojë dhe t’u japë bekim dashurisë së tyre, pavarësisht ngjyrave.
Erseka ka qenë një qytet i veçantë për ju, përveçse keni qëndruar më gjatë, por aty keni njohur edhe një person të veçantë, apo jo?
Po, me Inën, jam njohur në Ersekë, kam kujtime shumë të bukura nga ai qytet.
Marko, po ju çfarë ju pëlqeu tek Ina, a e di familja juaj këtë lidhje?
Marko: Shpirti, mënyra se si fliste. Prindërit e dinë, Ina ka ardhur në Brazil me mua.
Marko, po si e rrëmbyet Inën?
Kisha një problem familjar ato ditë dhe i thash, bëj gati valixhet se nesër do të ikim. Ashtu u bë.
Marko, çfarë nuk ju pëlqen tek Ina?
Xhelozinë, ka shumë…
Kur keni ndërmend të bëheni prindër?
Po me kësmet, pas një viti, po këto gjëra ndonjëherë nuk janë me plan.
FLET INA:
Si jeni njohur me njeri-tjetrin?
Vëllai im ishte shumë shok me Markon dhe vinte shumë shpesh në shtëpinë tonë, dhe kështu u dashuruam.
Është interesante fakti që Do Santos është njeri me ngjyrë, nuk të ka munduar kjo gjë për ta dashur?
E di, këtu ka shumë racistë. Ndërsa mua nuk më ka munduar asgjë, përkundrazi.
Po njerëzit e afërm, familja, si e kanë pritur?
Normal që të gjithë kanë reaguar në fillim, por që më pas mësohesh, nuk ke çfarë bën. Sot nuk do të thotë gjë ngjyra, mosha kur fillon dhe dashuron një njeri, rëndësi ka që ta duash.
Çfarë ju pëlqeu në fillim te Marko?
Për paraqitjen e jashtme nuk kam pasur asnjë problem, nuk ka rëndësi fare për mua. Rëndësi ka që më respekton, më do dhe shkojmë shumë mirë. Shpirti i tij i pastër
Si merreshit vesh në fillim, pasi Marko tha që nuk dinte shqip?
Po ashtu, gjysma-gjysma, në fillim me shenja. Më vonë e mësova unë të shkruante. U kuptuam që duheshim, nga mënyra e shikimit, e komunikimit. Në fillim fare i shkruanim letra njeri-tjetrit, pastaj me telefon. Më vonë filluam të dilnim edhe për kafe. Erseka është vend shumë i vogël dhe merret vesh shumë shpejt.
Keni bërë dasmë?
Joo, ne ende bashkëjetojmë. Nuk kemi bërë dasmë, pasi unë kam ikur nga shtëpia. Nuk është se kanë pranuar prindërit. Unë jam rrëmbyer. Me babin ende nuk flas, për këtë arsye nuk kemi bërë celebrimin akoma, pasi do të donim të bënim dasmë.
Sa kohë keni qenë të dashuruar në fshehtësi?
Gati tre vjet. Pas tre vjetësh e mori vesh edhe babai. Bija dhe unë në sy, pasi dilja shumë. Marko erdhi tre herë të më kërkonte dorën në shtëpi dhe ai nuk pranoi. Nuk donin, si çdo prind. Është një gjë se i vret opinioni i njerëzve, jo se nuk duan vetë. Babai im e ka dashur shumë Markon. Mua nuk më intereson fare, ndoshta do të vijë një ditë që do të pajtohemi. Vetëm më babin nuk flas, ndërsa nëna gjithmonë bën të pamundurën, vjen shpesh më viziton, vëllai po ashtu, motra.
Ina e kishit menduar që do të merrnit një njeri me ngjyrë?
Joo, kurrë në jetë time. Kam bërë shumë gjëra për Markon, kam sakrifikuar edhe familjen time.
Çfarë “çmendurie” keni bërë për Markon?
Unë jam shumë xheloze, dhe nga nervat kam pirë disa herë ilaçe. Kam ikur nga shtëpia natën për të takuar Markon, kam bërë shumë nga këto.
Ina, keni ndonjë fjalë përkëdhelëse për Markon?
Bukuroshi im, (ndërhyn Marko) simpatik po, por jo bukurosh
kjo vajz nuk po na tregon qe jo vetem nuk kena hy ne nato dhe ne europe por nuk jena as rracista
http://www.sportishqiptar.com.al/histor ... ga-erseka/