Merkatoja, konfirmohen lëvizjet e para
Merkatoja dimërore e Kategorisë Superiore ka nisur me lëvizje të bujshme
SKËNDERBEU – Korçarët e mbyllën pjesën e parë të sezonit në vendin e dytë, me 31 pikë, tri më pak se Flamurtari kryesues. Me objektiv madhor titullin kampion, presidenca e Skënderbeut – aktualisht klubi me financat më të mëdha në dispozicion – ka hartuar një listë cilësore afrimesh. Renato Arapi (ish-Shkumbini) ka firmosur me klubin korçar, e në këtë rrugë është dhe Emiljano Veliaj. Skënderbeu synon dhe shërbimet e mesfushorit të Dinamos, Gjergji Muzaka. Drejt kalimit në Korçë është dhe sulmuesi i talentuar i Besës, Sokol Cikalleshi. Përsa u përket largimeve nga Skënderbeu emrat janë argjentinasi Rafael Soza (oferta nga klube arabe dhe Kazakistani), serbi Mlladen Bërkiç (për të interesohen Flamurtari, Vllaznia dhe Besa), si dhe kosovari Alban Dragusha me destinacion Kalmarin e Suedisë.
DINAMO – Golashënuesi dhe lojtari më i mirë i Dinamos, Elis Bakaj, është pranë një transferimi në Turqi. Mediat kanë përmendur emrin e Sivasporit, por për mesfushorin e Kombëtares shqiptare interesohet edhe Gençlerbirlixhi (me këtë klub luajnë Debatik Curri, Harbuzi dhe Balaj). Gjatë merkatos verore, Bakaj u provua në Gjermani te Hanoveri, por për shkak të çmimit të lartë të kartonit të ofruar nga Dinamo, skuadra gjermane u tërhoq. Për Bakajn u fol dhe një pistë greke, e më parë ai ka qenë në fokusin e ekipeve nga Kazakistani, Bullgaria, Rumania dhe Kroacia. Nga Dinamo do të largohet edhe mesfushori argjentinas Esteban Garsia.
BESA – Skuadra kavajase ka rekrutuar portierin e njohur elbasanas, Elvis Kotori, i cili gjatë pjesës së parë të sezonit luajti për fanellën e Shkumbinit. 31-vjeçari Kotori ka luajtur me Elbasanin (kampion në sezonin 2005-2006) dhe Dinamon (kampion në sezonet 2007-2008 dhe 2009-2010). Kotori, i cili kishte firmosur një kontratë te Shkumbini me ish-presidentin Ylli Ndroqi, pati ofertë edhe nga Flamurtari. Besa kërkon dhe shërbimet e sulmuesit të Shkumbinit, Arlind Nora dhe atij të Dinamos, Fatjon Sefa. Pranë nënshkrimit me kavajasit janë dhe Bledar Mancaku, Bledar Hodo dhe Aleksandar Kristevski. Nga kavajasit janë larguar deri tani tetë lojtarë: Edin Ferizoviç, Sead dhe Semir Haxhibuliç, Betim Aliju, Bilal Velija, Marius Ngjela, Minas Osmani dhe Alfred Osmani. Skuadra kavajase renditet në vendin e 10-të.
SHKUMBINI – Pas listës së gjatë të largimeve për shkak të kontratave të kripura me ish-presidentin Ylli Ndroqi, peqinasit kanë hartuar listën e afrimeve. Portieri Ervin Llani (Elbasani), Ylli Shameti dhe Elton Grami. Në Peqin po lakohet dhe emri i sulmuesit Fatjon Sefa të Dinamos. Nga Shkumbini janë larguar Elvis Kotori (te Besa), Emiljano Veliaj dhe Renato Arapi (të dy te Skënderbeu) dhe në sistem e sipër janë dhe Bledar Mancaku, Bledar Hodo dhe Aleksandar Kristevski.
ELBASANI – Pas konfirmimit të trajnerit Esad Karishik edhe Elbasani po mendon të lëvizë fuqishëm në merkato për të arritur të mbijetojë në Superligë. Vetë trajneri ka deklaruar se do të sjellë të paktën katër lojtarë cilësorë. I larguar janë Ervin Llani, por dhe Jasmin Rraboshta. Armando Sadiku, i pezulluar dy vjet nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, është duke kërkuar fatin e tij në Itali, pranë skuadrës së Kievos, një ish-ekip i Erjon Bogdanit, e ku ndodhet edhe sulmuesi tjetër shqiptar Ledion Memushaj, i thirrur së fundi në miqësoren kundër Maqedonisë.
TIRANA – Sebino Plaku mund të jetë i larguari i madh nga Tirana, edhe pse presidenti Refik Halili, e ka refuzuar lëvizjen e tij, të paktën nëse ai nuk paguan një shumë prej 30 mijë eurosh. Edhe Pero Pejiç, golashënuesi më i mirë i kampionatit (12 gola), e ka shprehur mundësinë e largimit. Në kërkim të një destinacioni të ri është dhe sulmuesi Enco Malindi.
FLAMURTARI – Vlonjatët janë krye të Superligës me tri pikë më shumë se Skënderbeu. Trajneri Gugash Magani deklaroi se ai ka nevojë për dy përforcime. Njëri nga këta është Sebino Plaku, një ëndërr e vjetër e presidentit Shpëtim Gjika.
VLLAZNIA – Skuadra shkodrane synon mesfushorin Gilman Lika. Shkodrani i Kombëtares shqiptare aktualisht luan në Turqi, te Diabarbakirspori i Kategorisë së Dytë turke.
KASTRIOTI – Kosovari Liridon Leci është tashmë i larguar, ndërkohë që dhe gjirokastrit Ylli Shameti është larg skuadrës krutane. Kastrioti është i gatshëm të rinovojë kontratat me kroatët Ivan Babiç dhe Matko Djarmati.
http://albania-sport.com/mat.php?idm=16066
Rraboshten e paskan hek prej elbasanit.