Post
by fpjalmi » Mon, 16 Feb 2009 , 21:45
Elbasani zbret nga “froni” Vllazninë
Autori: Ervin Sina
Data: 16/02/2009
Version Print
Verdheblutë nuk kanë fituar, por u kanë mohuar shkodranëve të mbeten të parët në renditje
Elbasani Vllaznia 0 0
Elbasani: Osmani, A.Beqiri, Dede, Vrapi, Ahmataj, Hallaçi, Fagu, Meglenski (Hyshmeri 46?), Qorri, Pema, Stojku (Abazaj 66?). Trajner: F.Sejdini.
Vllaznia: Grima, Smajli , Lici (Dhëmbi 77?), Osja, Belisha, E.Beqiri, Nallbani, Shtubina (Kaçi 77?), Boadu (Doçi 78?), Sinani, Sukaj. Trajner: A.Canaj.
Gjyqtarë: A.Taullau, G.Qirici (Tiranë), A.Guçe (Lushnjë)
“Radiografia”
3? Qorri ekzekuton bukur një goditje dënimi, por topi përfundon jashtë.
17? Boadu pason mjaft mirë për Sukajn, i cili futet brenda zonës, por në çastin e fundit gjuajtja e tij ndalet nga Nevil Dede.
20? Sinani përgjigjet me një goditje dënimi të dërguar mbi traversë.
25? Boadu edhe një herë tjetër shmanget shumë mirë në të djathtë, pasim i tij i gjatë në të majtë të sulmit brenda zonës, ku ndodhet Lici, i cili godet me kokë dhe topi merr një trajektore të çuditshme, por përfundon në traversë.
30? Pas një goditjeje dënimi të Vrapit, vjen një krosim i Qorrit nga e majta sulmit dhe Pema zhytet me kokë, duke humbur një rast të pastër, që përfundon jashtë.
61? Kombinim i shpejtë mes Sinanit dhe Sukajt, ky i fundit lëshon të djathtën e tij, por pret në dy kohë Osmani.
63? Tjetër sulm i Vllaznisë, kësaj radhe me Boadun nga e djathta. Pasim i artë për Osjen, i cili pranë vijës fatale nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë, teksa Osmani shpëton portën e tij.
67? Rast i pastër për Elbasanin, por Abazaj nuk arrin të shmangë pengesën E.Beqiri, i cili largon topin në çastin final.
68? Goditje e fortë e Ahmatajt nga distanca, por jashtë.
71? Përgjigjet kosovari Nallbani me një gjuajtje nga distanca, por mbi traversë.
74? Kundërsulm i shpejtë i ekipit mik me Sinanin në të majtë, por jashtë.
81? Goditje e befasishme e Osjes nga 30 metra, Osmani shpëton falë një grushtimi të bukur në trekëndëshin e djathtë të portës.
84? Gabim i rëndë i Ardit Beqirit, përfiton Sukaj, që është i vetëm në të majtë, por gjuajtja e tij është për t’u harruar.
86? Mundësi shumë e mirë për Pemën, që e merr topin shumë mirë, futet në zonë, por godet shumë keq.
87? Rasti më i mirë i ndeshjes për Elbasanin, i cili duhet të kishte shënuar me Abazajn. Sulmuesi merr një top nga mesfusha, futet djathtas në zonë, gjuan fort, por Grima është në lartësinë e duhur.
—————————————————————————————
Komenti
Nuk ka fitues në një nga takimet më të rëndësishme të javës në futbollin shqiptar mes Elbasanit dhe Vllaznisë. Ndeshja mes skuadrave në fjalë e zhvilluar në “Ruzhdi Bizhuta” ka qenë një takim vërtet shumë burrëror në aspektin e luftës sportive dhe shumë emocionues deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Artan Taullau. Në fund, barazimi pa gola nuk ka lënë të kënaqur asnjë ekip, sepse Elbasani nuk ka mundur t’i largohej zonës së ftohtë, ndërsa Vllaznia pas shumë javësh rrëzohet nga kreu i klasifikimit dhe e bën këtë gjë në një stadium ku më parë ka marrë shumë kënaqësi. Por kësaj radhe “Ruzhdi Bizhuta”, ashtu siç ishte premtuar edhe para ndeshjes, ka luajtur për vete dhe për të larë hesapet e së kaluarës, ku gjithnjë Vllaznia ishte pengesa më e madhe drejt zonave të larta të klasifikimit. Mërzitje dhe shumë zhgënjim te shkodranët, një inat i shprehur më shumë te presidenti Fushaj, paksa i inatosur edhe me grintën e madhe të treguar nga Elbasani. Natyrisht, jo shumë i kuptueshëm një qëndrim i tillë, kur dihet që Elbasani, para se t’i bëjë “ndere” Tiranës, apo ndonjë skuadre tjetër, po mendon të nxjerrë veten nga situata shumë e sikletshme ku është futur. Sa i takon lojës, ka qenë një takim, siç thamë, shumë taktik, me dy trajnerë të kujdesur në maksimum për të mos i dhuruar asgjë kundërshtarit. Elbasani, i privuar shumë nga mungesat e Bejzades, Xhafës dhe Karçevit, tentoi më shumë të luante me një luftë të fortë në topin e parë, duke sulmuar më shumë nga krahët. Megjithatë, premiera e Faruk Sejdinit konfirmoi se “Xhaxhi” ka shumë punë për të bërë për ta nxjerrë këtë ekip nga situata e vështirë ku ndodhet. Me një organikë të tillë kaq të pasur, është keq të besosh se verdheblutë kanë gjuajtur vetëm dy herë në kuadrat dhe tri herë jashtë tij. Pa diskutim nota më e ulët i shkon sulmit dhe deri diku mesfushës. Nga ana tjetër, Vllaznia e fut shumë me vonesë në lojë, gati pas minutës së 30-të të pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë miqtë duhet ta kishin fituar takimin falë disa kundërsulmeve, që gjenin të zbuluar Elbasanin. Për t’u evidentuar mbrojtja e hekurt e miqve dhe problemet evidente në sulm, ku Sukaj dhe Sinani më shumë menduan për veten, sesa për skuadrën. Notë jo pozitive edhe për gjykimin, sidomos te mosmarrëveshjet mes kryesorit Taullau dhe anësorit Qirici. Duke mbetur te kronika e ndeshjes, deri në minutën e 25-të ishte Elbasani që pati dy momente shumë të mira me Deden dhe Qorrin, ndërsa shkodranët fillojnë të kuptojnë se nuk mund të rrinë duarkryq dhe shkojnë shumë pranë golit me Licin, që godet traversën. Elbasani përgjigjet me një rast të pastër të Pemës, por pa rezultat, duke shkuar në dhomat e zhveshjes me shifrat e bardha. Pjesa e dytë sheh një Vllazni më agresive, e cila qarkullon shumë topin në mesfushë, ndërsa futja e Hyshmerit e bën më të rrezikshëm ekipin vendës nga krahu u djathtë. Sidoqoftë, janë miqtë më të rrezikshëm, pasi Osja dhe Sukaj kanë rastet më të mira për të shënuar, ndërsa loja e Vllaznisë rrite shumë pas tri zëvendësimeve në mesfushë, ku futen Dhëmbi, Kaçi dhe Doçi, pavarësisht se Lici debaton fort me Canajn për zëvendësimin. Mbyllet 0-0 dhe zhgënjimi ndihet qartë në sytë e të gjithëve. Elbasani ia bën më të vështirë rrugën vetes, ndërsa Vllaznia do të kërkojë të rifitojë vendin e parë në klasifikim.
Deklarojnë:
Faruk Sejdini, trajner i Elbasanit: “Fitorja, natyrisht, do të na jepte më shumë prioritet, por duhet të kënaqemi edhe me një pikë. Kishim përballë ekipin kryesues, një skuadër vërtet shumë e fortë, kështu që mund të them që morëm atë që meritonim. Bëmë shumë përpjekje, por nuk e çamë dot mbrojtjen e Vllaznisë. Ka vend për përmirësime dhe mendoj se këtë gjë do ta bëjmë në takimet e radhës. Diferencat mes ekipeve janë të vogla, prandaj ka shumë kohë për të punuar dhe përmirësuar gjërat. Do ta kalojmë këtë ngërç.”
Agim Canaj, trajner i Vllaznisë: “Ishte ndeshja më e mirë e pjesës së dytë të kampionatit. Patëm mundësi të merrnim tri pikë, por nuk ia dolëm dhe ndoshta edhe për meritë të Elbasanit, që me thënë të drejtën nuk është një ekip për këtë vend në klasifikim. Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, ndërsa në të dytën ne ishim më afër fitores, sidomos në 25 minutat e fundit, ku dominuam. Rruga është e gjatë, por sot treguam që jemi një ekip serioz në pretendimet tona.”
Të veçanta:
Numër shumë i madh tifozësh në “Ruzhdi Bizhuta”, gati 7 mijë. Në tribunën “VIP” ndodheshin Qazim Sejdini, Gentian Çërraga, Valter Fushaj dhe Bujar Kasmi, zv/president i FSHF së.
Ka dalë shumë i mërzitur presidenti Fushaj nga stadiumi i Elbasanit, duke pohuar se verdheblutë kanë luajtur për Tiranën.