Post
by fpjalmi » Sat, 07 Feb 2009 , 19:53
Ganezi Ampofo pret një shans nga Vllaznia
Autori: Gjergj Kola
Data: 07/02/2009
Version Print
Sulmuesi Emanuel Ampofo po stërvitet me kuqeblutë, por akoma nuk i është dhënë shansi
Ka mbërritur para 8 ditësh në Shqipëri dhe ende nuk e di nëse do qëndrojë apo jo te Vllaznia për llogari të së cilës ka ardhur. Ganezi 22-vjeçar Emanuel Ampofo është duke u stërvitur me kuqeblutë, por megjithatë akoma nuk i është dhënë mundësia të demonstrojë atë që di të bëjë. Luan si sulmues dhe tashmë vetë ai e ka të qartë se nuk do ta ketë të lehtë të sigurojë një vend titullari, duke qenë se do ketë konkurrencë dyshen Sinani Sukaj. I ardhur nga Gana në dy ditët e fundit të mbylljes së merkatos së dimrit, Ampofo është federuar nga drejtuesit e Vllaznisë dhe ai mundet të luajë për këtë skuadër. Nuk e ka bërë as për ndeshjen me Shkumbinin dhe as atë me Besën, madje nuk ka qenë fare në planet e stafit drejtues.
Kjo sepse askush nuk e di kush është dhe çfarë aftësish ka. Ka ndodhur kështu, sepse stafi drejtues i skuadrës shkodrane nuk ka pasur mundësi për asnjë moment ta shohë në fushën e lojës këtë futbollist. Edhe ndonjë seancë stërvitore që është zhvilluar gjatë këtyre ditëve, nuk ka pasur brenda atë qetësinë që duhet për të dhënë verdiktin për një futbollist. Aq më tepër që shirat kanë qenë të shumtë dhe stërvitjet në disa raste janë zhvilluar në ambiente të mbyllura. Kështu ka ndodhur edhe dje, teksa ekipi i Vllaznisë është stërvitur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Në ato pak lojëra të zhvilluara, sigurisht që nuk mund të dalësh kurrsesi në një mendim përfundimtar për të. Mbase duke nisur që nga sot e në vazhdim, ndoshta deri në ndeshjen e ardhshme me Elbasanin do jepet verdikti për këtë futbollist të ardhur nga Afrika e largët. Me shumë të ngjarë, nesër trajneri Canaj do të organizojë një ndeshje kontrolli, mund të jetë edhe miqësore, ku do jetë mundësia më e mirë për të parë aftësitë e këtij lojtari. Një provë tjetër mund të jetë edhe mesjavën e ardhshme dhe më pas do jepet përgjigjja: bën apo s’bën për Vllazninë.
Nëse nuk bën, do kthehet andej nga ka ardhur. Nëse është e kundërta, mund të jetë në dispozicion të skuadrës që për ndeshjen e radhës në Elbasan, ngaqë është i federuar me kuqeblutë dhe nuk ka asnjë problem aktivizimi. Ai që ka hyrë garant për aftësitë e këtij lojtari, ganezi tjetër i Vllaznisë, Xhejms Boadu, sërish është i bindur se prova e bashkatdhetarit të tij do rezultojë e suksesshme. Këtë gjë ka thënë edhe trajneri i këtyre dy sportistëve nga Gana, që ka folur me superlativa për Ampofon. Presidenti Fushaj sigurisht që dëshiron të dalë fjala e tyre dhe të firmosë një kontratë me këtë futbollist, sepse gara sa vjen e vështirësohet dhe sa më shumë lojtarë cilësorë në skuadër, aq më garanci do ketë për daljen kampion. Megjithatë, deri të shtunën mund të jepet përgjigjja e parë për sulmuesin afrikan të ardhur gjatë merkatos së janarit.
Lici, “veterani” dhe shakaxhiu i kuqebluve
Ka një përvojë të madhe në futboll, pasi prej 17 vitesh luan si titullar në kampionatin shqiptar. Suad Lici është 35 vjeç, më “veterani” në radhët e kuqebluve, por njëkohësisht edhe njeriu që qesh më shumë nga të gjithë. Sidomos në seancat stërvitore, e mban “gjallë” gjithë ekipin. Batutat e tij janë gjithnjë të pranishme, si me lojtarët e tjerë me përvojë të skuadrës, ashtu edhe me të rinjtë. Për këta të fundit nuk ngurron edhe t’u japë këshilla, apo dhe t’i kritikojë, kur e sheh të arsyeshme. I qeshur dhe mjaft në humor duket edhe para gazetarëve. Në fushë ndërkohë vazhdon të tregojë një formë të lartë sportive, falë edhe regjimit të mirë sportiv që mban.
Ndërprerja e kampionatit, në kohën e duhur
Për ekipin e Vllaznisë duket se kjo ndërprerje e kampionatit ka ardhur në kohën e duhur. Fitorja ndaj Besës ka kthyer qetësinë momentale në kampin shkodran dhe tashmë futbollistët dhe stafi drejtues kanë mundësi të punojnë pa ndonjë stres të madh. Në fakt para ndeshjes me kavajasit, situata nuk ka qenë shumë e qetë dhe madje, nëse do kishte ndonjë rezultat negativ, mund të kishte edhe masa ndëshkimore ndaj pjesëtarëve të tij. Tashmë kjo kaloi dhe në mendje janë përgatitjet sa më mirë për ndeshjen e radhës me Elbasanin, e cila është një provë tjetër shumë e vështirë për kryesuesit aktualë të kampionatit.
Shifrat e javës së 19 të të superligës:
- U shënuan 12 gola (5 në 45 minutat e para). Kaq qenë shënuar edhe në javën e 3 të dhe të 15 të. Mesatarja është 2 gola për ndeshje.
- Totali i golave të shënuar arriti në 226, që do të thotë mesatarisht 11.89 për çdo javë.
- Listën e golashënuesve më të mirë e kryeson M.Memelli i Tiranës me 12 gola.
- Xh.Sukaj është autor i tregolëshit të vetëm të kësaj jave.
- Ferizoviç i Apolonisë ishte i vetmi nga të huajt që shënoi këtë javë.
- Si në javën e 1 rë, 4 t, 8 të, 9 të, 12 të, 13 të dhe 18 të, edhe këtë herë gjyqtarët nuk dhanë asnjë 11 metërsh.
- Përsëri u sigluan 5 fitore dhe 1 barazim, si në javën e 3 të, 8 të, 17 të dhe 18 të.
- Arkitekti i fitores ndaj Besës, Xh.Sukaj, është autor i golit të 190 të jubilar të Vllaznisë.
- Beratari K.Arbri me golin e 60 të jubilar i dha fitoren ekipit lushnjar ndaj Elbasanit.
- Duke mundur fqinjët ballshiotë, Apolonia e çoi raportin e fitoreve ndaj tyre në 9 8.
- Fierakët rrëmbyen fitoren e 4 t, ndërsa Partizani të 3 ën radhazi në këtë kampionat. Po 3 fitore të njëpasnjëshme arritën edhe futbollistët e Tiranës.
- Dinamo pësoi humbjen e dytë radhazi dhe kjo e detyroi trajnerin kroat Z.Daliç të jepte dorëheqjen.
- Gjyqtari i kolegjiumit të Vlorës, A.Lulaj, drejtoi takimin e 5 të jubilar në këtë kampionat.
- U dhanë 20 kartonë të verdhë, ndërsa totali i tyre shkoi në 477, ose mesatarisht 25.1 për çdo javë.
- U dhanë 3 kartonë të kuq, ndërsa totali i tyre shkoi në 45, ose mesatarisht 2.38 për çdo javë.