Bushati: “U-21, Kroacia më e fortë se Greqia”
“Duke veçuar Italinë si favoriten kryesore të grupit tonë, çmoj se Kroacia është më e fortë se Greqia, të cilën e konsideroj si të kualifikuarën e dytë teorike në eliminatoret për Grupin 1 të vlefshme për Kampionatin Europian U-21, finalet e të cilit do të zhvillohen në Suedi”, thotë ekskluzivisht për Albania-sport.com trajneri i Shpresave, Artan Bushati. Shqipëria U-21 ndodhet në Grupin 1 së bashku me Italinë, Kroacinë, Greqinë, Azerbajxhanin dhe Ishujt Faroe.
Më 28 mars Shqipëria do të luajë një ndeshje miqësore me Maqedoninë. Trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Artan Bushati në një prononcim për Albania-sport.com, u shpreh i kënaqur nga kjo mundësi: “Takimi miqësor me Maqedoninë, i cili do të luhet në transfertë, është një ndeshje të cilën e konsideroj në kohën e duhur dhe që plotëson serinë e miqësoreve të Shpresave tona, pas atyre me Turqinë (0-2, në Stamboll) dhe Greqinë (3-1, në Athinë). Kjo i shërben më së miri për përgatitjeve tona për eliminatoret e Kampionatit Europian 2009. Testi me Maqedoninë do të jetë një mundësi më shumë për të përzgjedhur edhe elementët më të mirë”.
* * *
Bushati, shorti i eliminatorëve të Kampionatin Europian U-21 e ka vendosur Shqipërinë përballë emrave të njohur si Italia, Kroacia dhe Greqia.
- Padyshim që e cilësoj si një grup me kundërshtarë të fortë. Personalisht do të çmoja Kroacinë si ekipin e dytë më të fortë të Grupit 1, kjo edhe mbi bazën e koeficentëve të paravendosur përpara hedhjes së shortit në Suedi. Nuk mund të flas për Italinë, pasi janë të njohura vlerat e saj në Europë, është në elitën e futbollit.
Në grupin tonë bëjnë pjesë edhe dy ekipe, të cilat në përshtypjen e parë konsiderohen të lehta.
- Jo vetëm për ju, por dhe për media të tjera kam theksuar se nuk dëshiroj kurrsesi të zhvlerësoj as Azerbajxhanin dhe as modestët nga Ishujt Faroe. Ndaj këtyre të dyjave ne jemi të detyruar të marrim pikët maksimale, pra të arrijmë fitoret si brenda fushës sonë ashtu edhe në transfertë. Në pamje të parë duket se janë ekipe poshtë nivelit të Shqipërisë, por nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë, pasi në futboll ka gjithmonë surpriza.
Shqipëria humbi ndeshjen miqësore me Greqinë U-21 në Athinë, ndërsa tani Kombëtaren tonë e pret një ndeshje zyrtare. Cila është përshtypja juaj pas atij testi?
- Nuk dua ta ripërsëris se në atë takim kundër grekëve luajtëm me dis mungesa të rëndësishme, por kemi nxjerrë edhe reflekimet e duhura nga ai takim i humbur 3-1. Unë dhe stafi im kam besim te kontigjenti i lojtarëve tanë. Ne na duhet të japim maksimumin dhe do të mundohemi që të paktën në fushën tonë të arrijmë një rezultat pozitiv me Greqinë.
Nuk është ende shorti i Grupit 1. Kë do të donte Bushati të kishte kundërshtarin e parë?
- Për anën psikologjike të skuadrës do të preferoja një skuadër të lehtë si Ishuj Faroe dhe ndeshjen e parë në transfertë me këtë ekip.
Në vazhdimësi do të doja Kroacinë në Shqipëri, më pas Azerbajxhanin në transfertë dhe Italinë në Shqipëri në javën e katërt. Greqinë e dua në takimin e parë në Athinë. Atë e njohim tashmë. Gjithsesi ne këmi bërë planifikimet tona dhe kemi shkëmbyer fakse me federatat e tjera. Nëse palët e përfshira në Grupin 1, atëherë do të mblidhemi sërish në një nga vendet që do të përcaktojë UEFA dhe më 13 mars do të zyrtarizojmë shortin.
Bushati, grumbullimi i radhës dhe me emra të rinj, sa ju shërben ai?
- Është një tjetër mundësi për të parë elementë të tjerë kandidatë, që vinë nga ekipe shqiptare, por edhe nga skuadra jashtë shtetit si nga Italia dhe Greqia. Ky grumbllim do të na shërbejë edhe për ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë, më 28 mars në Ohër. Disa nga lojtarët e ftuar nuk kanë mbërritur për arsye të ndryshme. Rrudho i Kievos nuk ka ardhur, ndërsa Renaldo Rama i Olimpiakos ktheu përgjigje negative me faks pasi ishte i dëmtuar. Gerti Rama i Fostira pati probleme me vizën.
Vemendja kryesore do t’i kushtohet reparti të mbrojtjes ku kemi shfaqur edhe dobësi. Në portë kemi ftuar edhe 16-vjeçarin Stiv Frashëri të Skënderbeut për të cilin ka dhënë rekomandime të veçanta trajneri i portierëve të U-21, Jani Kaçi. Përsa i përket dy lojtarëve të ardhur nga Italia, Fatjon Vuçaj dhe Helton Shkurtit, ata i kam ndjekur vetë në aksion me ekipet e tyre.
Lista e 22 lojtarëve:
Stivi Frashëri (Skënderbeu)
Alban Hoxha (Dinamo)
Bruno Guri (Jonikos)
Bledion Guga (Flamurtari)
Renato Arapi (Besa)
Kristo Papajorgji (Asteras)
Nertil Bako (Elbasan)
Rigers Mehmeti (Dinamo)
Fatjon Vucaj (A.S.D. Martinsikuro)
Saimir Xhelaj (U.S.Classe)
Vangjel Mile (Dinamo)
Gerti Rama (Fostira)
Nertil Ferra (Dinamo)
Marjo Gjoni (Rollos)
Helton Shkurti (A.S.D. Silana 1947)
Mariglen Shoshi (Apolonia)
Arlind Berdica (Vllaznia)
Mareglen Prela (ADA)
Josef Thana (Olimpik)
Indrit Ymeri (Partizani)
Ilirjan Caushaj (Dinamo)
Sadush Danaj (Besëlidhja)
------------------------------------
Marre nga
Albania-Sports