“Deda”: Mirupafshim Vllazni, do të takohemi së shpejti!
Haxhiosmanoviç: Ja e vërteta e liçensës sime!
S’është shuar ende jehona e mbarimit të sezonit të fundit futbollistik. Pa pushuar shumë, kanë nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Sidoqoftë ende ruhen emocionet për kampionatin që uli siparin pak javë më parë. Njëri nga ata që mendon ende për të është edhe ish-trajneri i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç. i bëmë një vizitë këto ditë vape në Podgoricë, aty ku jeton sëbashku me familje, gruan dhe tre fëmijët. “Deda” siç e thërrasin ata që e njohin, na prêt me kënaqësi dhe bujari. Futbolli është tema kryesore e bisedës sonë. Padyshim ndjen keqardhje për titullin e humbur ndonëse kërkonte të përsëriste suksesin e sezonit 2000-01 me presidentin Myftar Çela.
“Më vjen keq që publikut të mrekullueshëm shkodran dhe presidentit Valter Fushaj, nuk i sollëm titullin kampion. Mund të jenë disa arsye. Por të jeni të bindur- Vllaznia e sivjetme se kishte stofin e duhur për të dalë kampion. S’ishte e plotë për një gjë të tillë. Objektivi fillestar siç e dini ka qenë sigurimi i pjesmarrjes në Ligën Europiane. Duke shprehur konsideratën time për punën e paraardhësit tim Agim Canajt, kuqeblutë u shkëputën 7 pikë nga tiranasit. ishte koha të vërtetohej thënia juaj “oreksi vjen duke ngrënë”. U blenë lojtarë apo u rikthye ndonjëri si Sukaj. Po ç’ ndodhi? U prishën ekuilibrat. Kroati Plantiç rezultoi një dështim i plotë. Sukaj spostoi në stol Dhëmbin dhe luajti për hesap të vet duke harruar se futbolli është një lojë kolektive. Më kishin thënë fjalët më të mirë për lojtarin ganez Boadu por edhe ai humbi në apatinë e lojtarëve të tjerë. Mbrojtja s’mori shumë përsipër kurse në fazën e tretë, thuajse me “grafik” pësoheshin golat për gabimet e papranueshme të Beqirit dhe Bashiç. Kapiteni Sinani për shkak dëmtimi, s’ishte më ai i pari. Thuajse gjithçka pritej nga rendimenti i Nallbanit dhe Shtubinës. Pa harruar këtu edhe dëmtimie e Doçit dhe Osjes. Në 11 javët që kam drejtuar Vllazninë, natyrisht kam patur edhe unë gabimet e mia”- thotë trajneri malazez.
Ai pushon paksa në rrëfimin e tij dhe më pas vazhdon sërish: “E vetmja gjë që s’më ka pëlqyer ka qenë qëndrimi aspak dashamirës i specialistëve të futbollit shkodran por edhe më gjerë. Xhelozia, mesa duket, dhe qëndrimi shumë nihilist, u kishte errësuar jo pak logjikën. Sulmet denigruese të disa prej tyre qoftë në shtypin sportive apo kanalet televizive, sidomos ato locale, qenë pa etikë profesionale dhe pa doganë. Mungesa e LIÇENSES, ishte thjesht një “GJETHE FIKU” për të justifikuar largimin tim. Dhe e kërkonin, derisa ia arritën qëllimit me një dashakeqësi tipike dhe pa as më të voglin bonsens”. “Deda” duhej të largohej në fakt sepse sulmet ndaj tij u shtuan. Puna arriti deri aty sa edhe merita e tij shumëzoheshin me zero, vlerësoheshin si rastësore, të një trajneri “anonim” sipas tyre, pa qenë “i mirëfilltë”, që nuk di të stërvisë (akuzë e një kolegu të tij me të ciliën ka punuar 4-5 javë, këtu e nja 10 vjet përpara), që nuk ka aftësi për të bërë zëvendësime gjatë ndeshjes, nuk njeh taktikën etj, etj Sikur të mos kishte pasur përgatitjen e duhur edhe në aspektin taktik, ai s’do të kishte guxuar të aplikonte për herë të parë në futbollin shqiptar mbrojtjen me 4 lojtarë në një vijë të drejtë(pikërisht në Prishtinë, në ndeshjen Prishtina- Vllaznia 1-1).
Harrojnë se pikërisht Haxhiosmanoviç është më i suksesshmi nga trajnerët e klubebe, se me 104 ndeshje në pankinë, lë pas vetes trajnerë të tillë si Temeshvari (Hungari), Ticleanu (Rumani), Kovaçiç (Kroaci), Gori (Itali), Dumitresku (Rumani), Slishkoviç (Bosnjë- Hercegovinë), Paskuli (Argjentinë), Menekini (Itali), Shulze (Gjermani), Kataliniç (Kroaci), Haxhiabdiç (Bosnjë- Hercegovinë), Arabov (Bullgari), Bonaçiç (Kroaci) e Daliç (Kroaci). “Deda” në krye të skuadrës kuqeblu ka fituar kampionatin, superkupën dhe kupën e Shqipërisë, tre veprimtaritë më të rëndësishme të futbollit tonë. Pas tij asnjëri se ka bërë një gjë të tillë duke përfshirë edhe kritizerët.
Pa iu larguar modestisë së tij tipike, pyet bashkëbiseduesin e tij: “Më thoni i dashur një emër trajneri të huaj që ka punuar në Shqipëri kaq gjatë, që ka fituar një kampionat apo Kupë Shqipërie?” Më poshtë duke vazhduar në këtë linjë dhe për t’ia freskuar disi kujtesën kritikëve që flasin pa asnjë argument, kujton me kënaqësi që disa nga lojtarët e tij kanë luajtur apo luajnë për ekipet kombëtare të Shqipërisë si beqiri, Salihi, Shtubina, Belisha etj. Vetëm ata që kanë punuar me “Dedën” dhe pranë tij, kanë njohur ndershmërinë si tiparin dallues të karakterit të tij, duke i vlerësuar futbollistët jo aq për emrin sesa për rendimentin në fushën e lojës. Dhe kur ka qenë nevoja, stolin e kanë provuar e3dhe Sinani e Lici, edhe OSja e Kaçi, edhe Sukaj e Boadu etj.
Qahen kritizerët se Vllaznia s’ka talente. Cili e pranon një gjë të tillë? Gocaj, Hasani, Bala, Vucaj, Rexha, Tafaj, Karakaçi, Vajushi, Rraboshta, Erkoçeviç, Pirani, Nika, Hasa, Marku etj, janë vetëm disa prejt tyre që garantojnë të ardhmen e klubit kuqeblu. Liçensa ishte ajo që e largoi “Dedën” nga pankina kuqeblu. Por a e kanë atë trajnerët e tjerë, shqiptarë apo të huaj, që punojnë aktualisht në futbollin shqiptar? S’ta ha mendja! U desh “Deda” të bëhej “kurbani i parë” Trajneri Dervish Haxhiosmanoviç ka punuar me liçensë jugosllave që e ka vlefshmërinë deri më 2011. një kopje e saj i bashkangjitet edhe këtij shkrimi që gjithsesi s’merr përsipër të bëjë avokatin e specialistit në fjalë.
Duke u ndaluar tek puna e tij, “Deda” përmend me kënaqësi synimet që ekipi kuqeblu të mësohet të luajë futboll kolektiv dhe individët të vihen në shërbim të skuadrës. Pyetjes sonë se përse kurdoherë i përgjigjet pozitivisht thirrjes për të drejtuar ekipin e Vllaznisë, trajneri thuajse 50 vjeçar (i mbush më 9 gusht), i përgjigjet: “Së pari Shkodra është afër, së dyti, Vllaznia është një klub i vërtetë profesionist dhe me ambicje të mëdha. Në këto rrethana, kënaqësia për të punuar këtu është e madhe”. Dhe shton: “Në Shkodër ndjehem shumë mirë, njerëzit më respektojnë pa masë”. Pyetjes sonë se sa “Deda” e njeh pasardhësin e tij Hasan Likën, dhe a ndjen “Xhelozi” dhe ç’i uron, trajneri malazez iu përgjigj: “E njoh si djalë të urtë e punëtor. Një këshillë kam për të: të mos shohi lojtarë të vjetër apo të rinj, por të lozin ai që e meriton. Mbështetu tek kolegu yt Armando Cungu sepse është një djalë që nuk të shet. Në qytetin verior ka shumë trajnerë e menaxherë që po të mos tregosh kujdes, të nxjerrin telashe. Pa asnjë ndjenjë xhelozie, i uroj Likës suksese”.
Ndërsa lidhur me marrëdhëniet me presidentin kuqeblu Valter Fushaj, “Deda” tha: “Kanë qenë dhe janë shumë të mira, me respect të ndërsjelltë dhe reciprok. Më ka ndihmuar, më ka mbështetur fuqimisht dhe kurdoherë në shërbim të punës”. Për publikun e mrekullueshëm shkodran, Haxhiosmanoviç foli me respekin dhe simpatinë më të madhe. Teksa pa ndaheshim në Podgoricë, “Deda” shtoi: “Do të paisem me liçensën e UEFA-s se së shpejti do të kthehem në Shkodër. E kam të vështirë të jem larg Vllaznisë. Do të jemi sëbashku. Për herë të gjashtë.
Republika Federative e Jugosllavise Republika e Serbisë
Fakulteti i Filozofisë në Nish Grupi studimor për kulturën Fizike
Dëshmi
Haxhiosmanoviç Dervish U lind më 09.08.1959 në Plevle.
Mbrojti programin e formimit professional si specialist në fushën e SPORTIT në kohëzgjatje prej 12 muajsh me
sukses të merituar 8.61. Gjatë periudhës së specializimit ëshët çmuar më notën 10.00 në provimin përfundimtar.
Për sa më sipër, i jepet kjo dëshimi publike për aftësitë si specialist për titullin: TRAJNER FUTBOLLI I SHKALLËS MË TË LARTË.
Nish, më 19.05.1997.
vllaznimi sportiv