Page 2 of 160

Posted: Fri, 08 Jul 2005 , 22:28
by vvvllaznia
100% dakort mke.Nuk e di se sa lojtar te mir mund te ket ne kosov por eshte ghynah qe per shemull Debatik Curri te gjej nje skuader ne ukrain pa kalu per shqipni

Posted: Fri, 15 Jul 2005 , 19:50
by Admin
Pershendetje !!

A di si asht nji pun se skan met lojtar shqiptar per me ble edhe kshu qe detyrimisht shkojn e blejn lojtar nga mali i zi !!!
Sa i takon ne Kosove jam dakort qe duhet pare per lojtare por nuk eshte e thene qe lojtaret qe lujn ne kosove jane shum te mire .
Sa i takon Malazeze qe kan ardh tek vllaznia psh Marash ska ken i keq po ashtu edhe Gjokoviç-i ka lujt mire .
Masandej nuk duhet me pretendu ma shum se lojtare cilsore nga kampionati jon skan mbet e kshu skan ca me ba .....

Posted: Fri, 15 Jul 2005 , 20:35
by Tifozi Kuq e Blu
Kapaj, firma e katërt për kuqeblutë.

Dalëngadalë, numri i lojtarëve që po hedhin firmë për Vllazninë po shtohet. Pas malazezëve Radusinoviç dhe Çetkoviç, si dhe portierit Shehi, dje është shtuar edhe lojtari i katërt që firmosi për kuqeblutë. Ai është pikërisht Marenglen Kapaj, i cili është zyrtarisht tashmë futbollist i Vllaznisë. Paradreken e djeshme, ai në zyrën e noterit të klubit "Vllaznia", Arben Kopliku, i shoqëruar nga sekretari i klubit Ismet Hoxha dhe drejtori teknik Gëzim Mustafaraj, ka hedhur firmë në kontratën njëvjeçare të afruar nga skuadra shkodrane. Gjithçka është mbyllur shpejt mes këtij lojtari dhe presidentit Çela. Ky i fundit, me t'u kthyer nga Italia, i ka hyrë menjëherë punës dhe ka ftuar në Shkodër pikërisht Kapajn. Biseda me të ka qenë e shkurtër dhe, për rrjedhojë, të dyja palët kanë shtrënguar menjëherë duart. Ata kanë rënë dakord për gjithçka sa i takon kontratës njëvjeçare dhe kanë shpejtuar të hedhin firmë. Vetë lojtari është dukur i kënaqur në momentin e firmosjes, teksa ka shpjeguar edhe arsyet pse pranoi ofertën shkodrane. "Pranova të jem te Vllaznia, sepse kjo skuadër më pëlqen. I njoh thuajse të gjithë djemtë e ekipit. Përveç kësaj, një arsye më tepër që më bindi për të firmosur ishte dhe premtimi i presidentit Çela se ka për të ndërtuar një skuadër pretendente. Shpresojmë që sezonin e ri skuadra të mos dalë duarbosh, siç doli sivjet dhe në këtë sukses dëshiroj të kem pjesën time edhe unë," ka thënë 26-vjeçari nga kryeqyteti. Ardhja e tij në këtë mënyrë ka shtuar një lojtar më tepër në organikën e kuqebluve, kur Kapaj ka qenë fare pranë nënshkrimit me skuadra të tjera, oferta që edhe ai vetë i pranon, kur thotë: "Edhe ju e dini tashmë që kam pasur edhe oferta të tjera, ku më interesantet kanë qenë ato të Skënderbeut dhe Apolonisë. Por unë vendosa të firmos për Vllazninë, nisur nga vetë emri që ka kjo skuadër, nga tradita e saj, përpos asaj që unë mendoj të rri sa më gjatë në Shkodër." Një arsye më tepër pse Kapaj i tha "po" ofertës shkodrane, natyrisht që është dhe fakti që ai ka qenë i kërkuari i trajnerit Haxhiosmanoviç. Kjo gjë e ka ngacmuar lojtarin për të qenë sërish nën urdhrat e "Dedës", ashtu si dy vjet më parë. "Me trajnerin Haxhiosmanoviç kam pasur raporte mjaft të mira në periudhën kur kemi qenë së bashku te Vllaznia para dy vjetësh dhe, kur mësova se ka qenë vetë ai që ka shfaqur dëshirën për të më pasur në skuadër, natyrisht që afrimi im me Vllazninë u bë punë e kryer," ka shtuar lojtari që në sezonin e fundit ka luajtur në kategorinë e tretë në Zvicër. Në këtë mënyrë, ai tashmë është pjesë e kuqebluve për një vit, duke shpresuar që do të arrijë sukses me këtë ekip. "Presidenti Çela më shpjegoi se ka në plan të blejë 3-4 lojtarë cilësorë, prandaj shpresoj që Vllaznia të jetë një skuadër e fortë sivjet, në mënyrë që të marrim ndonjë trofe," ? ka përfunduar Kapaj.

Marre nga Sporti Shqiptar

Posted: Fri, 15 Jul 2005 , 20:38
by Tifozi Kuq e Blu
Çela: Sinani do të qëndrojë te Vllaznia.

Nëse deri dje kishte dyshime në lidhje me të ardhmen, apo dhe kompletimin e Vllaznisë në prag të nisjes së stërvitjes prej saj, këto dyshime kanë rënë poshtë. Ai që e thotë këtë është pikërisht njeriu të cilin e priste skuadra, presidenti Agron Çela. Me t'u kthyer nga Italia, ai ka nisur menjëherë nga puna, teksa është vënë në krye të ekipit dhe ka arritur të realizojë një tjetër goditje në merkato, teksa ka firmosur për Vllazninë edhe Kapaj. Por në ditët e ardhshme priten edhe të tjera goditje në merkato dhe këtë e ka pranuar edhe vetë presidenti Agron Çela në intervistën e tij për "Sportin shqiptar":
- Skuadra ju ka pritur juve, me sa duket, për të mbyllur ato tratativa të lëna në mes, apo jo?
- Nuk mendoj krejt kështu, sepse edhe kur nuk isha këtu, drejtuesit e tjerë të klubit janë marrë me gjërat që kanë pasur për t'u marrë dhe nuk ka asnjë problem.
-Mos jeni vonë për sa i takon kompletimit të skuadrës me lojtarët që keni premtuar?
- Ju e shihni vetë që sot (dje) firmosi edhe Kapaj. Të tjerë pas tij gjatë këtyre ditëve do të firmosin sërish dhe nuk besoj se jemi vonë. Skuadra në 70-80 për qind të saj është e kompletuar dhe nuk ka pse të jemi vonë. Ka edhe 40 ditë për t'u mbyllur merkatoja dhe deri atëherë normalisht nuk do të ketë mbetur asnjë vend bosh në skuadër. Për këtë, të gjithë tifozët tanë duhet të ndihen të qetë. Ndërkohë kanë ikur Lici dhe Kraja...
- Licin kemi pasur dëshirë ta mbajmë, por para një oferte të mirë nga jashtë Shqipërisë natyrisht që nuk kishim si ta pengonim. Sa për Krajën, ai kishte dëshirë të provonte të luante diku tjetër dhe, pasi pagoi detyrimin që kishte ndaj klubit, e lamë të lirë të largohej.
- Abilio bëhet e ditur se është duke tentuar të luajë në Greqi. Keni ndonjë informacion për këtë?
- Jo, nuk kam ndonjë informacion, përveçse e presim që të bashkohet me skuadrën, siç kishte premtuar dhe vetë. Por nëse dëshiron të largohet, kuptohet nuk mund ta bëjë një gjë të tillë kollaj, pasi ka një kontratë me Vllazninë dhe lejekalimin mund ta marrë vetëm pasi të paguajë dëmshpërblimin që do t'i kërkojë klubi ynë për prishjen e kontratës.
- Nga ana tjetër, si qëndron çështja e Sinanit, pasi ai shprehet se ende nuk kam firmosur për Vllazninë?
- Di të them që me Sinanin kemi rënë dakord për çdo gjë dhe nuk mendoj se këtu ka ndonjë problem të pazgjidhur. Për mendimin tim, çështja e tij është e mbyllur.
- Keni premtuar që të shtunën skuadra do të jetë e kompletuar, në mënyrë që të dielën pastaj i gjithë grupi i lojtarëve të jetë në dispozicion të trajnerit. Do ta realizoni këtë gjë?
- E thashë edhe më lart, se 70-80 për qind e ekipit është prezente, ndërkohë që në ditët e ardhshme ky kontigjent do të kompletohet. E dini fare mirë që edhe brenda një dite mund të ndërtosh një skuadër. Stërvitja do të fillojë me këta lojtarët që kanë firmosur deri tani, ndërkohë që, siç e kemi bërë publike, në planet tona janë edhe disa lojtarë që aktualisht po luajnë tek Elbasani dhe ata janë të stërvitur.
- Firmosi edhe Kapaj. Kush do të jetë lojtari i radhës që do të firmosë?
- Jeni të sigurt që çdo ditë do të ketë nga një lojtar që do të hedhë firmë për Vllazninë. Sivjet keni për të parë një skuadër vërtet të fortë dhe pretendente për të dy trofetë.

Marre nga Sporti Shqiptar

Posted: Sat, 16 Jul 2005 , 19:21
by vllaznia1919
Abilio ka kaluar tek skuadra e Rodit te Greqise.Kategoria e trete greke!!!!!
:cry:

Posted: Sat, 16 Jul 2005 , 19:26
by vllaznia1919
Ka firmosur nje kontrate 1+1 dhe i ka bere kerkese drejtuesve te skuadres greke qe te marrin edhe braziljanin tjeter Leandro(qe do te vinte tek Vllaznia)! :evil: :evil:

Posted: Sat, 16 Jul 2005 , 19:41
by vllaznia1919
Malazezët, tjetër "zbarkim" në Shkodër
Duket e sigurt që të dielën, ditën kur do të nisë stërvitjen Vllaznia, në seancën e parë do të jenë prezent edhe disa futbollistë të tjerë malazezë. Ata janë pikasur gjatë ditëve të fundit nga trajneri Haxhiosmanoviç dhe, duke filluar nga nesër, do të nisin edhe provën te skuadra shkodrane. Përveç Radusinoviçit dhe Çetkoviçit, që tashmë kanë firmosur kontratat njëvjeçare me kuqeblutë, do të vijnë edhe disa lojtarë të tjerë nga vendi fqinj. Nuk dihet i saktë numri, por me shumë të ngjarë do të jenë dy, ose tre futbollistë nga Mali i Zi, që do të tentojnë sërish të shtojnë numrin e fqinjëve te Vllaznia. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë klubit, të cilët gjithashtu shpjegojnë se këta lojtarë të dielën do të jenë në Shkodër. Nga ana tjetër, nuk mund të thuhet me saktësi se mes tyre do të jenë edhe dy lojtarët e Buduçnostit, Perishiç dhe Marash, që tashmë e kanë marrë ofertën kuqeblu dhe pritet të vendosin nëse sezonin që vjen do të luajnë me Vllazninë, apo jo.

Posted: Sat, 16 Jul 2005 , 19:42
by vllaznia1919
Vllaznia seleksionon elementin e ri
Gjatë ditëve të fundit, drejtuesit e klubit "Vllaznia", në bashkëpunim me trajnerët e ekipeve të moshave të këtij klubi, kanë përcaktuar edhe listën paraprake të futbollistëve që do të kalojnë nga ekipet e të rinjve tek ekipi i të rriturve. Ndonëse ende nuk ka një listë zyrtare të këtyre emrave (kjo do mësohet nesër kur të nisë stërvitja), mësohet se disa nga emrat e shënjestruar janë Pjetrani, Kruja, Semina, Beqiri dhe Nimani. Megjithatë, në ditët e ardhshme mund të ketë të tjerë emra që do të kalojnë për t'u testuar nga trajnerët Haxhiosmanoviç dhe Premçi.

Posted: Mon, 18 Jul 2005 , 17:46
by Tifozi Kuq e Blu
Bejzade: Te Vllaznia, nëse vjen Bushati

Për të është një "dashuri e vjetër", sepse Skerdi Bejzade, në një sezon që ka luajtur me Vllazninë, ia ka kaluar në mënyrë të shkëlqyer. Ka qenë lojtari i adhuruar i tifozërisë shkodrane, i vlerësuar nga drejtuesit e klubit dhe ai vetë ka bërë maksimumin për t'i kënaqur të gjithë ata dhe e ka bërë këtë. Por tani duket se ka ardhur momenti që dyshja Vllaznia?Bejzade të bashkohet sërish. Një gjë e tillë ende nuk ka përfunduar plotësisht, por duket se bisedimet janë në rrugë të mbarë për këtë. Lajmin që shkodranët e kërkojnë, e ka konfirmuar dje vetë Skerdi, që për "Sportin shqiptar" do të shprehej: "Me drejtuesit e Vllaznisë është e vërtetë që kam patur shumë kontakte këto kohët e fundit. Ata më kanë shprehur dëshirën e tyre për të patur në skuadër dhe po ashtu edhe tek unë ekziston dëshira për një rikthim në këtë qytet, ku ia kam kaluar shumë mirë. Megjithatë, kemi biseduar vetëm për gjëra të përgjithshme, për të tjerat mund të bisedojmë më vonë, pasi të kem përfunduar gjithçka për kupën UEFA me Elbasanin". Por ndërkohë për lojtarin që sezonin e fundit ka luajtur me sukses për skuadrën verdheblu, oferta shkodrane nuk është e vetmja që ka. Ai vetë ka pranuar që janë disa skuadra të cilat duan ta kenë shërbimin e tij, por për këtë do të vendos pas disa ditësh. "Nëse do të ishte në dëshirën time, natyrisht që do ta kisha shumë të vështirë të vendosja për njërën nga tre skuadrat, Vllazninë, Partizanin dhe Elbasanin. Kjo sepse me të tre këto skuadra ia kam kaluar mjaft mirë në periudhat kur kam luajtur për to. Ekzistojnë mundësitë që për njërën nga këto tre skuadra unë të firmos pas ndeshjeve europiane, por ditët e fundit kam marrë edhe një ofertë shumë interesante, atë të Skënderbeut. Drejtuesit e këtij klubi kanë shprehur dëshirën për të më patur në skuadrën e tyre për sezonin e ardhshëm dhe kuptohet që një ofertë e tillë është për t'u patur në konsideratë, aq më tepër që në krye të saj tani është një trajner i njohur si Josa. Megjithatë e përsëris, më parë do të zgjedh njërën nga tre skuadrat ku unë kam luajtur," ka shtuar më tej Bejzade. Gjithsesi, në Shkodër emri i tij është duke u lakuar çdo ditë e më tepër, si një nga kandidatët e mundshëm për të veshur fanellën kuqeblu. Madje shumë vetë presin që trajneri i Elbasanit të sotëm, Artan Bushati, të kthehet pas ndeshjeve europiane me këtë skuadër me një "tabor" lojtarësh, që aktualisht janë pjesë e verdhebluve. Ajo që e përforcon këtë është edhe shprehja e fundit e Bejzades, që thotë: "Nëse trajneri Bushati kthehet të punojë te Vllaznia ashtu siç ka premtuar, atëherë me shumë të ngjarë do të vij edhe unë. Por nëse nuk ndodh kështu, atëherë edhe shanset që unë të rivishem kuqeblu janë më të pakta. Kjo sepse me Bushatin marrëdhëniet e mia, si te Vllaznia kur ishte drejtues klubi, ashtu edhe tani te Elbasani që është trajner, kanë qenë të shkëlqyera dhe është kënaqësi të punosh me një njeri të tillë". Në këtë mënyrë, për të mësuar më tepër në lidhje me merkaton shkodrane, natyrisht që duhet pritur mbarimi i aventurës europiane i skuadrës së Elbasanit.

Marre nga Sporti Shqiptar

Posted: Mon, 18 Jul 2005 , 17:48
by Tifozi Kuq e Blu
Osja e Kaçi, dyshja që pritet të kthehet

Drejtuesit më të lartë të klubit shkodran, presidenti Agron Çela dhe sekretari Ismet Hoxha e kanë bërë fakt të kryer rikthimin në skuadër të dy shkodranëve, Osja dhe Kaçi. Pritet vetëm përfundimi i aventurës europiane të Elbasanit, pjesë e të cilit këta lojtarë janë, dhe më pas të dy ata pritet të vishen kuqeblu. Kështu të paktën thotë presidenti Çela, i cili i referohet edhe bisedave që ai ka zhvilluar me të dy këta lojtarë para disa kohësh. "Unë e quaj fakt të kryer ardhjen e këtyre dy lojtarëve dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe. Të paktën kështu e kam lënë nga biseda që kam zhvilluar para disa kohësh me të dy ata," ? thotë ai. Nga ana tjetër, edhe sekretari Hoxha, ndoshta duke iu referuar këtyre bisedave, është shprehur se bashkë me Telin e Belishën, do të kthehen edhe dy futbollistët e tjerë shkodranë. "Besoj se gjithçka është e mbyllur në këtë drejtim. Këta lojtarë konsiderohen pjesë e skuadrës sonë për sezonin e ri, madje shpresojmë që bashkë me ta nga Elbasani të vijë edhe ndonjë lojtar tjetër," shton njëshi i ekzekutivit shkodran. Në këtë mënyrë, nisur edhe nga siguria që i kanë dhënë krerët e klubit, trajneri Haxhiosmanoviç ka bërë të ditur se i ka llogaritur, si Osjen, ashtu edhe Kaçin, pjesë të skuadrës së tij për sezonin e ri.

Marre nga Sporti Shqiptar

Posted: Mon, 18 Jul 2005 , 17:56
by Tifozi Kuq e Blu
vllaznia1919 wrote:Abilio ka kaluar tek skuadra e Rodit te Greqise.Kategoria e trete greke!!!!!
:cry:
Vllaznia: Abilio, nuk ke ku shkon!

Lajmet e ditëve të fundit, të botuara në shtypin sportiv shqiptar, por edhe në atë grek, për tentativat e futbollistit brazilian Abilio, për të firmosur me një nga skuadrat e Greqisë, nuk kishin si të kalonin pa u analizuar mirë nga ana e drejtuesve të Vllaznisë; aq më tepër, tashmë që është publikuar edhe lajmi që ky futbollist paska firmosur për ekipin e Rodosit. Shqetësimi natyrisht ka qenë i madh, pasi Abilio Neves dos Reis është një futbollist që i përket Vllaznisë, klub me të cilin ai ka të firmosur një kontratë deri në qershor të vitit 2006. Por, nga ana tjetër, shkodranët nuk kanë dashur të nguten në marrjen e vendimeve përkatëse për këtë çështje.
I pyetur në lidhje me këtë çështje, presidenti i klubit shkodran Agron Çela është shprehur dje se më konkretisht me këtë problem është duke u marrë drejtori teknik, Mustafaraj. Por, nga ana tjetër, ka lënë të kuptojë se janë duke menduar edhe për veprimet që do të ndërmerren në rast se vërtetohet që Abilio ka firmosur për skuadrën greke. "Jam në dijeni të këtij problemi, por nuk mund të them me saktësi nëse Abilio ka firmosur për ndonjë skuadër tjetër apo do të kthehet për ta zbatuar kontratën që ka me klubin tonë deri në vitin e ardhshëm. Me sqarimin e këtij problemi është duke u marrë drejtori teknik Mustafaraj, por, nëse vërtetohet ajo që lojtari në fjalë ka firmosur për një skuadër tjetër, natyrisht që do të reagojmë,"- ka thënë njëshi i klubit shkodran.
Vetë Mustafaraj, njeriu që është duke u marrë direkt me këtë çështje, nga njëra anë shpjegon se braziliani edhe mund të ketë udhëtuar drejt Greqisë, pasi, ndonëse i ka telefonuar atij disa herë në Brazil asnjëherë këto kohët e fundit nuk ka mundur të flasë me të. Por, nga ana tjetër, shkodranët mësohet se janë duke kërkuar përmes burimeve të ndryshme të marrin informacione të sakta, nëse vërtet Abilio ka firmosur apo do të firmosë për grekët. "Natyrisht që, duke parë disa hezitime të këtij lojtari për t'u rikthyer në Shkodër, për të vazhduar kontratën që ka me klubin tonë, na lindën dyshimet për ndonjë kontakt të tij me ekipe të tjera. Jemi duke mbledhur informacionet e duhura që do të vërtetojnë nëse vërtet Abilio ka firmosur në Greqi apo jo; nëse rezulton e vërtetë, atëherë ne sigurisht që do të ndërhyjmë. Nuk mund të lejojmë që një futbollist ta thyejë në mënyrë të hapur kontratën, prandaj edhe do t'i vëmë të gjithë gurët në lëvizje, në mënyrë që të vërtetohet e drejta jonë,"- thotë Mustafaraj.
Por, a ka menduar Vllaznia ta bëjë gati edhe shumën e gjobës që vendoset në raste të tilla të thyerjes së kontratës? Drejtori teknik i klubit shkodran shprehet: "Aktualisht nuk jemi duke menduar për një gjë të tillë, pasi mendojmë se Abilio do të kthehet në Shkodër për të vazhduar kontratën që ka me ne. Madje, në këtë rast mendojmë se edhe Leandro, që mendohet të jetë bashkë me të në Greqi, nuk mund të firmosë me ndonjë klub tjetër, pa u marrë vesh me Vllazninë më parë. Siç e dinë të gjithë, ai e la përgjysëm kontratën me ne, kur për disa arsye familjare, në fund të dhjetorit iu desh të kthehej në Brazil; prandaj dhe kartoni i tij vazhdon të jetë ende te ne".

Posted: Tue, 19 Jul 2005 , 20:09
by vllaznia1919
Sinani - Vllaznia, "dashuria" vazhdon sërish

Çështja "Sinani" është mbyllur me një "happy-end". Dje në mesditë, rreth orës 14:00, sulmuesi i njohur shkodran ka firmosur edhe për një vit tjetër për skuadrën e tij të zemrës. Një firmë që ka gëzuar pa dyshim të gjithë dashamirësit dhe simpatizantët e kësaj skuadre, pasi vlerat e këtij lojtari njihen nga të gjithë. I gëzuar natyrisht që ka qenë edhe trajneri Haxhiosmanoviç, i cili me Sinanin në skuadër e sheh edhe punën e tij më të lehtë. Po ashtu, shumë entuziast është shfaqur dje pas firmosjes së kontratës edhe vetë presidenti Agron Çela. "E kisha thënë prej kohësh që Sinani nuk do të largohej nga Vllaznia. Ne kemi objektiva serioze për të ndërtuar një skuadër pretendente dhe pa një lojtar të tillë natyrisht që gjërat nuk do të ishin ashtu si duhet. Megjithatë, ne si presidencë bëmë më të mirën në ofertën tonë dhe njëkohësisht edhe Sinani vetë duhet vlerësuar për respektin që tregoi ndaj Vllaznisë, duke mos e braktisur atë. Me mbajtjen e Sinanit në skuadër kemi hedhur një hap të rëndësishëm në ndërtimin e asaj skuadre që presin të gjithë tifozët tanë. Shpresojmë shumë që ditët e ardhëshme do të kemi edhe të tjerë emra lojtarësh cilësorë që do të veshin fanelën e Vllaznisë,"është shprehur "bosi" i kuqebluve. I kënaqur me kontratën që ka nënshkruar duket edhe vetë sulmuesi, që tashmë do të mbajë edhe shiritin e kapitenit të skuadrës shkodrane. Vioresin Sinani, pavarësisht ofertave të shumta që ka patur, i ka lënë ata edhe njëherë tjetër pas krahëve, duke vendosur të qëndrojë në "Loro Boriçi", në atë stadium ku mësoi lojën e bukur të futbollit dhe që e bëri të njohur në mbarë vendin. Të gjithë prisnin që Viori këtë sezon të ndërronte skuadër, nisur edhe nga oferta joshëse që i kishte bërë presidenti Xhani i Partizanit. Por gjaku i shkodranit e ka mbajtur edhe njëherë tjetër në qytetin e tij një ndër sulmuesit më të njohur të kampionatit tonë. "Natyrisht që jam i kënaqur me nënshkrimin e kësaj kontrate. Kam firmosur për Vllazninë, skuadrën time të zemrës edhe për një sezon tjetër dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë. Vërtet kam pasur disa oferta të mira këto kohët e fundit, por siç e kam theksuar edhe herë të tjera, Vllazninë nuk e ndërroj për pak gjë me asnjë ekip tjetër. Mendoj se sivjet njëkohësisht do të bëjmë më të mirën për t'u prezantuar ndryshe nga sezoni e kaluar dhe për të arritur diçka të rëndësishme në këtë që vjen,"ka deklaruar pas firmosjes së kontratës së re Vioresin Sinani. Nuk bëhet e ditur shuma e kontratës që do të përfitojë sulmuesi 28-vjeçar, por përderisa ai ka mbetur i kënaqur me të, natyrisht që merret me mend që ajo është e konsiderueshme. Kontrata aktuale që numri 9 i kuqebluve ka firmosur dje është njëvjeçare dhe përfundon në përfundim të sezonit që vjen.

Posted: Sat, 23 Jul 2005 , 14:58
by vllaznia1919
Deri dje konsiderohej punë e kryer ardhja e tyre. Por gjërat duket se kanë ndryshuar. Kështu të paktën bëjnë të ditur burime pranë skuadrës shkodrane. Sipas tyre, nëse kthimi te Vllaznia i dy shkodranëve që luajnë me Elbasanin, Safet Osjes dhe Albert Kaçit, deri dje nuk kishte dyshim, nuk mund të thuhet një gjë e tillë tani. Një çështje e tillë ka qenë prezent në disa biseda që trajneri Haxhiosmanoviç ka patur me disa sportistë dhe kolegë të stafit të tij. Nuk dihet ende me saktësi se kush është ai që ka biseduar me lojtarët, por e rëndësishme është që Vllaznia nuk duhet t'i bëjë planet me këta dy lojtarë në përbërje të saj. Të paktën për momentin, apo edhe për disa ditë të tjera, derisa të mësohet destinacioni i tyre përfudimtar, pasi mesa duket elbasanasit nuk kanë dëshirë t'i lëshojnë kollaj ata. Si Osja, ashtu edhe Kaçi prej kohësh konsideroheshin si pjesë e skuadrës së ardhshme që do të drejtohet nga trajneri Haxhiosmanoviç. Kjo bazuar në bisedat që vetë presidenti Agron Çela pati zhvilluar me të dy këta futbollistë, para se ata të bashkoheshin me skuadrën elbasanase për aventurën europiane. Për këtë arsye, edhe vetë trajneri aktual i kuqebluve, në një intervistë të para dy ditëve, duke folur në lidhje me ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri, i ka konsideruar, si Osjen, ashtu edhe Kaçin, pjesë të rëndësishme të formacionit kuqeblu. Por dje vetë "Deda" ka ngritur supet në lidhje me ardhjen e këtyre dy lojtarëve. Dikush nga stafi i tij, apo lojtarët, e ka njoftuar atë se ka shumë dyshime në lidhje me kthimin e këtyre dy futbollistëve në skuadër. Megjithatë, trajneri malazez, duke dashur t'i besojë fjalëve të presidentit Agron Çela, ende shpreson që do t'i ketë në dispozicion të tij këta dy futbollistë. Megjithatë, duke patur besim se gjithçka do të shkojë ashtu siç duhet. Mendoj se drejtuesit e Vllaznisë duan t'i kenë sërish "pronë" të tyre këta lojtarë të talentuar. Por ndërsa çështja e Osjes dhe Kaçit duket se është ndërlikuar, burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se drejtues të tij kanë nisur tratativat për të gjetur një sulmues cilësor. Vëmendja është përqendruar te disa nga emrat më të spikatur të kampionatit tonë dhe natyrisht tek ata që janë ende të lirë. Nuk konfirmohet zyrtarisht, por mësohet se një nga objektivat e kuqebluve mund të jetë edhe Migen Memelli. Ai, siç është bërë e ditur ditët e fundit, është në prag të "divorcit" me Elbasanin dhe nuk përjashtohet mundësia që sezonin tjetër t'a shohim të veshur kuqeblu. Megjithatë, më tepër në lidhje me këtë çështje natyrisht që do të mësohet në ditët e ardhshme, kur dhe do të vërtetohet, apo jo një lajm i tillë. Sakaq, më shumë se çëshjta e sulmuesit, shkodranët, është duke i munduar çështja e Osjes dhe Kaçit. Ndërlikimi i planeve në lidhje me ta ka "prishur gjumin" e shkodranëve.

Posted: Mon, 25 Jul 2005 , 21:53
by Tifozi Kuq e Blu
Shkodranët, probleme të pafundme me merkaton.

Planet kanë qenë të shumta dhe natyrisht që shpresat ishin të mëdha për një skuadër pretendente. Por deri më tani duket qartë që Vllaznia e re nuk është ajo që drejtuesit e saj kishin menduar. Mjafton për këtë të ndalesh te skuadra aktuale që ka në dispozicion trajneri Haxhiosmanoviç. Në portë i padiskutueshëm është Shehi, ndërsa në mbrojtje e rëndësishme është ardhja e Radusinoviçit, i cili ka marrë shumë vlerësime pozitive nga të gjithë specialistët, ndonëse sapo ka ardhur te kjo skuadër. Bashkë me të në qendër të mbrojtjes është edhe Teli, ndërsa në të majtë është malazezi tjetër Çetkoviç. Ndërkohë mesfusha ka të gatshëm lojtarë të tillë, si Kapaj, Sukaj, Ahi, Beqiri, Doçi, kurse pika më e fortë e këtij reparti duket se do të jetë dyshja Belisha?Radonji. Ndërsa sulmi për momentin ka në dispozicion vetëm Sinanin dhe të riun Cani. Ndërkohë të gatshëm janë një grup lojtarësh të rinj 18?21 vjeçarë, si Ndoja, Zmijani, Hoti, Tafili, Frroku, Halluni, Mashi, Bega dhe Bishja. Pa lënë mënjanë edhe ndonjë lojtar tjetër të ri që do të afrohet tani pranë skuadrës së parë. Kjo është e gjithë struktura e skuadrës shkodrane për momentin, megjithëse ishte shpresuar që të ishte ndryshe. Nga sa shikohet, vetëm nga një vështrim i shpejtë i këtij kontigjenti, vëren se emrat me përvojë janë të pakët. Ajo çfarë pritet tani është përgjigjja pozitive ose negative nga ana e Osjes dhe Kaçit për t'u kthyer në "folenë" e tyre. Po ashtu, edhe ndonjë lëvizje e mundur e Bejzades, apo ndonjë tjetri nga kampionati ynë. Ajo çfarë konstatohet është që shkodranët kanë dështuar në marrjen e disa lojtarëve cilësorë. Këtu bëhet fjalë për Devollin, Arbrin, apo së fundi edhe Memellin. Nuk dihen saktë arsyet pse këta lojtarë nuk preferojnë të vijnë për të luajtur në Shkodër, megjithatë realiteti është që nga viti në vit Vllaznia nuk po pëlqehet shumë nga "jabanxhinjtë". Tashmë e vetmja pistë ku po tentohet sërish është ajo e futbollistëve nga Mali i Zi. Dy prej tyre tashmë kanë firmosur, Radusinoviç dhe Çetkoviç, ndërsa sot firmos edhe i treti, Radonji. Ata kanë arritur të mbyllin deri tani disa boshllëqe që ka skuadra, por realisht ajo ka nevojë për të tjerë lojtarë. Madje në të gjithë repartet, sepse kampionati është i gjatë dhe numri i lojtarëve të gatshëm duhet të jetë i madh. Për këtë edhe në ditët e ardhshme do të tentohet edhe njëherë në pistën malazeze, për të gjetur edhe ndonjë lojtar tjetër cilësor dhe për këtë prova më e mirë për ta do të jenë ndeshjet miqësore që do të zhvillohen. Nga ana tjetër, po gjatë kësaj jave do të marrin fund edhe enigmat, nëse do të ketë edhe ndonjë lojtar tjetër nga kampionati ynë te Vllaznia, apo jo. Dhe për të gjitha këto edhe një javë i'a vlen për të pritur.

Marre nga Sporti Shqiptar

Posted: Tue, 26 Jul 2005 , 14:07
by vllaznia1919
Çela: Osja dhe Kaçi më kanë dhënë fjalën

Ajo që është kthyer në qendër të vëmendjes për opinionin shkodran, apo dhe vetë drejtuesit e skuadrës kuqeblu, është kthimi apo jo i dy futbollistëve që aktualisht luajnë për Elbasanin. Bëhet fjalë për të njohurit Osja dhe Kaçi, për të cilët, nëse deri para pak ditësh bëhej e kryer riveshja e tyre me fanellën e Vllaznisë, sipas komenteve që qarkullojnë, tashmë vihet në pikëpyetje ardhja e tyre. Por megjithatë drejtues të skuadrës shkodrane, duke e bërë fakt të kryer ardhjen e këtyre dy lojtarëve, i kanë përfshirë ata në listën e lojtarëve që trajneri Haxhiosmanoviç do të stërvisë në Mal të Zi. I pyetur në lidhje me këtë fakt, presidenti i Vllaznisë, Agron Çela, dje është shprehur: "Di të them që, sipas bisedave që kam bërë me të dy këta lojtarë, ata më kanë premtuar se pas përfundimit të ndeshjeve europiane me Elbasanin do të kthehen te Vllaznia. Kaq di të them unë dhe shpresoj që ata ta mbajnë fjalën". Ndërkohë, sipas disa prej futbollistëve kuqeblu, që kanë komunikuar me dy shokët e tyre në Elbasan, thuhet që për Kaçin shanset janë më të mëdha që ai të kthehet, ndërsa për Osjen nuk është ky entuziazëm.

Posted: Tue, 26 Jul 2005 , 14:07
by vllaznia1919
Radonjiç, malazezi i tretë që firmos për Vllazninë

Dje në orët e para të paradites, në zyrën e noterit të klubit "Vllaznia", Arben Kopliku, i ka ardhur radha për të hedhur firmë për kuqeblutë edhe malazezit tjetër, Ranko Radonjiç. Ai në këtë mënyrë bëhet i treti lojtar nga vendi fqinj që tashmë ka hedhur firmë për kuqeblutë, por mund të mos jetë i fundit, pasi të tjerë lojtarë nga Mali i Zi mund të firmosin ditët e ardhshme.
Radonjiç, 30-vjeçar, luan si mesfushor?organizator, pykë për të cilën kishte nevojë skuadra shkodrane. Gjatë karrierës së tij mësohet të ketë luajtur me skuadrat më të mira malazeze, si Buduçnost, Zeta, KOM, Sutjeska dhe Nikshiqit. Vetë Radonjiç, pas firmosjes së kontratës njëvjeçare me Vllazninë, është dukur i kënaqur edhe nga oferta financiare e ofruar nga presidenti Çela. "Jam i kënaqur që tashmë jam pjesë e Vllaznisë dhe shpresoj shumë që sivjet minimumi i asaj që do të arrrijmë të jetë kupa UEFA,"ka thënë ai pas hedhjes së firmës në kontratë.

Posted: Tue, 26 Jul 2005 , 14:08
by vllaznia1919
"Deda": Mbaj unë përgjegjësi për Vllazninë

Seleksionimi i elementit të ri që u afrua ditët e fundit pranë Vllaznisë nuk është se ka kaluar pa polemika. Kuptohet, numri i vogël i lojtarëve që duhet të ishin kontigjent i skuadrës së parë ka shtuar edhe pakënaqësitë në lidhje me zgjedhjet që mund të jenë bërë. Sportistë, prindër, por edhe trajnerë të ndryshëm që punojnë me moshat në këtë qytet, kanë shprehur opinionet e tyre në lidhje me përzgjedhjen që është bërë, duke patur brenda edhe tone kritike. Një mendim të tillë ka shfaqur edhe mjeshtri i njohur, Sabah Bizi, i cili bënte thirrje për më tepër vëmendje ndaj elementit të ri, për të mos e zhvlerësuar atë para të huajve që po vijnë me shumicë. Në të vërtetë, mënyra e përzgjedhjes dhe seleksionimit sivjet ka qenë e veçantë, pasi për dy ditë me radhë në tribunën e stadiumit "Loro Boriçi" kanë qenë me laps e letër në dorë edhe specialistët shkodranë, si Bizi, Borshi, Paçrami, Sukaj dhe Axhani, pa lënë mënjanë drejtuesit e klubit, Hoxha, Mustafaraj dhe Medja.
I pyetur me këtë risi në përzgjedhjen e elementit të ri, trajneri i parë i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç, ka bërë të ditur se e ka mirëpritur gjithnjë bashkëpunimin me specialistët shkodranë. "Kam qenë dhe jam gjithnjë i hapur për biseda të tilla dhe për marrje mendimesh edhe nga specialistët shkodranë. Duke bashkëpunuar në këtë mënyrë, natyrisht që edhe punët shkojnë më mirë,"ka thënë ai. Por përpos kësaj deklarate të trajnerit malazez, ka ardhur edhe ajo tjetra pas saj, e cila, duke e parë në thelb, i kundërshton të gjitha këto çfarë thuhen lart e poshtë. Sipas vetë "Dedës", përderisa atij i "është vënë kapelja" për të drejtuar skuadrën shkodrane, është ai që vendos për çdo gjë. "E thashë edhe më lart se mirëpres çdo sugjerim të gjithësecilit, por në fund të fundit, "gërshërët i kam unë" dhe jam unë ai që vendos se kush do të rrijë dhe kush do të largohet nga skuadra. Kjo sepse Vllaznia çdo vit ka pretendime serioze dhe përgjegjësitë për mosarritjen e rezultatit pikësëpari bien mbi mua,"ka shtuar "Deda".
Me këto fjalë të dala nga goja e tij, trajneri aktual i kuqebluve nuk është kundër elementit të ri, madje thotë që Vllaznia mund të nxjerrë edhe lojtarë të tjerë të tipit "Salihi". Por ndërkohë në një skuadër me pretendime, natyrisht që hapësirat për të rinjtë janë shumë të vogla. Rregulli i vendosur nga Federata Shqiptare e Futbollit për federimin medoemos të 4 futbollistëve të rinj nga çdo skuadër për sezonin e ri, nuk ka sjellë asgjë të re për shkodranët. Këta të fundit janë të rregullt në federimin dhe aktivizimin çdo vit të elementit të ri. Edhe sezonin e kaluar me fanellën kuqeblu kanë debutuar një kontigjent lojtarësh 17-19 vjeçarë, si Sukaj, Lika, Cani e Tërmeti, të cilët janë emrat që mund të mbushin listën edhe sivjet, pa harruar të rinj të tjerë që mund t'i shtohen skuadrës rrugës.

Posted: Mon, 01 Aug 2005 , 13:49
by vllaznia1919
Kaçi, prova në Zvicër ftoh shpresat shkodrane

Problemet për Vllazninë duket se nuk paskan të sosur. Drejtuesit e saj i kishin bërë planet duke i pasur në skuadër dy lojtarët që luajtën me Elbasanin sezonin e fundit, Osjen dhe Kaçin. Por nëse për të parin shpresat ranë përfundimisht pas deklaratës së këtij lojtari, që thoshte se edhe për një sezon tjetër kishte zgjedhur Elbasanin për të luajtur. Ndërkohë dukej që për lojtarin tjetër, Albert Kaçin, punët do të ishin më ndryshe. Megjithatë, nga burime pranë lojtarit mësohet se ai sot, ose nesër, do të udhëtojë drejt Zvicrës për të kontaktuar me drejtuesit e një skuadre të kategorisë së dytë të këtij vendi. Vetë Kaçi është shprehur se vetëm nëse gjërat nuk shkojnë ashtu si duhet në Zvicër, atëherë do të kthehet për të studiuar ofertat, ku ajo e Vllaznisë duket se do të ketë më prioritet.

Posted: Tue, 02 Aug 2005 , 13:32
by vllaznia1919
Bejzade-Ndreka i japin fjalën Vllaznisë

Klubi shkodran duket se më në fund po lëviz fuqimisht në merkato. Ajo që pritej prej kohësh mund të konkretizohet. Në ditët e ardhshme për të ndërtuar atë skuadër që presin të gjithë. Kështu, nga burime pranë klubit shkodran, bëhet e ditur se dita e djeshme ka qenë shumë e ngarkuar për drejtuesit kuqeblu. Ata kanë pasur takime me disa lojtarë të kampionatit tonë dhe gjërat, me sa duket, kanë filluar të lëvizin. Kësisoj, Bejzade e Ndreka duken një hap larg Vllaznisë. Të dy këta lojtarë, dje në drekë kanë qenë në Shkodër dhe janë takuar me presidentin Çela dhe stafin e tij. Këta të fundit u kishin bërë një ftesë të dy këtyre lojtarëve për të biseduar me mundësinë e realizimit të ndonjë kontrate për sezonin e ardhshëm dhe ata janë shprehur të gatshëm për këtë gjë. Bisedimet kanë shkuar mbarë dhe, me sa bëhet e ditur, parimisht është rënë dakord që si Bejzade ashtu edhe Ndreka të vishen kuqeblu. Por megjithatë, për të vërtetuar përfundimisht këtë gjë, duhen pritur edhe disa ditë deri në fund të kësaj jave, kohë kur mendohet të hidhen edhe firmat përkatëse.
Kontaktin me drejtuesit e Vllaznisë e ka pohuar dje edhe vetë njëri prej protagonistëve të kësaj çështjeje, Skerdi Bejzade. Në fjalët e tij dukeshin qartë notat optimiste që e lidhin atë dhe shokun e tij, Ndrekën, me Vllazninë. "Siç jam shprehur edhe pak kohë më parë, pas mbarimit të ndeshjeve të Kupës UEFA me Elbasanin, do të studioja edhe ofertat që kisha për të vendosur më pas se ku do të luaj në sezonin e ri. Drejtuesit e Vllaznisë na ftuan, si mua ashtu edhe Ndrekën, të bisedonim dhe mund të them që drejtuesit e Vllaznisë dëshironin të na kishin në skuadrën e tyre për sezonin e ri. Edhe ne natyrisht që kemi dëshirë të luajmë me një skuadër të tillë si ajo dhe pothuajse jemi mirëkuptuar për këtë gjë. Megjithatë, në ditët e ardhshme, mbase brenda kësaj jave, çdo gjë mund të marrë fund dhe ne të firmosim për të. Për mua personalisht do të ishte një kënaqësi shumë e madhe të kthehesha e të luaja sërish në Shkodër, ku kam kaluar një sezon shumë të këndshëm para tre vjetësh. Dhe po ju them vetëm kaq. Nëse nuk do të kishin lindur ato mosmarrëveshje me ish?trajnerin Zhega, unë me siguri që do vazhdoja të isha përsëri pjesë e kësaj skuadre,"ka thënë lojtari që sezonin e fundit luajti me Elbasanin dhe ishte golashënuesi më i mirë i tij.
Duke e menduar si të kryer këtë lëvizje të dyshes Bejzade-Ndreka, me siguri ajo që përfiton është Vllaznia. Për të parin, siç e thamë, dihen raportet e tij me kuqeblutë, ndërsa për të dytin, siç dihet, edhe në janar të këtij viti pati një interesim të shkodranëve për ta marrë, por kjo nuk u bë realitet. Nëse këta lojtarë vishen kuqeblu, atëherë edhe "dhembjet e kokës" për trajnerin Haxhiosmanoviç mund të vijnë duke pushuar. Kjo pasi sigurohet edhe mbrojtja, e cila me Ndrekën, Radusinoviçin dhe Telin do të bëhej e pakalueshme. Po ashtu, edhe reparti ofensiv me Bejzaden që mund të luajë në disa pozicione, do të ishte më ndryshe. Megjithatë, duhet pritur fundi i javës për të parë më konkretisht nëse do të mbyllen tratativat me këta lojtarë apo jo.

Posted: Wed, 03 Aug 2005 , 13:41
by vllaznia1919
Ikën malazezi Xhallac, vjen shkodrani Kulla

Te Vllaznia, me përjashtim të tre malazezëve që tashmë kanë firmosur, nuk ka asnjë lojtar tjetër të huaj, madje me të, në stërvitjet e Gllava Zetës, nuk është as malazezi Millosh Xhallac. Ky i fundit, siç dihet, u afrua ditët e fundit pranë skuadrës
shkodrane, madje luajti dhe shënoi në miqësoen që ajo zhvilloi të shtunën me Zetën. Por Xhallac, që luante si sulmues, mësohet se nuk e ka kaluar provën, ashtu si dhe dy bashkëkombasit e tij, Vukçeviç dhe Nikiç. Ndërkohë, nga e hëna, me skuadrën është bashkuar edhe mesfushori 24-vjeçar shkodran, Leonard Kulla. Ky lojtar ka qenë edhe më parë pjesë e Vllaznisë, por sezonet e fundit ka luajtur me Besëlidhjen dhe Adën.