Page 2 of 56

Posted: Wed, 06 Apr 2005 , 11:35
by piero
Fillim shkaterues i Liverpul per 25 minuta.Pastaj Juve zgjohet,por vetem sa shkurton distancat me ane te Canavaros.



Canavaro mban Juven ne loje.


Kur dhimbja mbetet ne kujtimin e te gjitheve per ta shlyer ate mund te mos mjaftoje vetem nje ndeshje edhe pse ajo eshte celebruar me manifestime njerzore dhe qytetar.Pak lot dhe fairplay sherbejne per te nderruar mentalitetin e futbollit te sotem sidomos atij anglez.

Kujtimi i Heysel nuk mund te harrohet kurre dhe eshte e drejte keshtu:
nuk duhet te harrojme per te mos kryer edhe nje here ato gabime qofshin ato te cdo niveli.

Juventusi del me koken lart nga Anfield edhe pse kaloi 25 minuta prej ferri:barazimi do te ishte me i drejte duke pare pjesen e dyte edhe pse iu anullua nje gol me se i rregullt Del Pieros.
Benitez cudit te gjithe kur pas sulmuesit te vetem fut te riun Le Tallec i sapo, ardhur nga huazimi te Saint Etienne dhe duke lene pushim Smicer.Portieri Dudek eshte i rekuperuar por qendron ne pankine.Hapesire atehere per portierin e trete Carson,i cili kohet e fundit kishte zhvilluar disa ndeshje te mira.Capello mban ate formacion te deklaruar me Nedved,i cili rikthehet pas ndeshjes me Realin ne Bernabeu.Liverpul niset me marsh te katert dhe mberthen Juven ne zinxhire.Pas disa gabimesh juventine ne mbrojtje ne minuten e 10 Liverpuli kalon ne avantazh.Goditje kendi nga e djathta,nuk arrin askush ta largoje dhe topi perfundon te kembet e Hypia i harruar nga Zebina.Finlandezi godet fluturimthi dhe nuk i le shprese Bufonit.Juventus hutohet plotesisht duket si Milani i La Corunjes(4-0)vjet.E c'orientuar dhe nuk arrin te arsyetoje,Juve rreziko pesoje golin e dyte ne minuten e 18 nga nje kombinim mes Luis Garcia dhe Baros.Ne minuten e 24 spanjoli konfirmon se eshte duke kaluar nje moment magjik dhe nga nje pasim i Le Tallec godet nga 25 metra me te majten dhe topi perfundon ne trekendesh duke hedhur poshte cdo tentative te Bufon per ta grushtuar ate.Goli i dyte kurorezin hegjemonine e plote te Liverpulit,por ka edhe funksioni te zgjoje djemte e Capelos qe perpara kishin pesuar dy gola gjithe turneun.Ne harkun e pak minutave Ibrahimovic godet shtyllen,duke finalizuar nje aksion te Nedved.Pastaj kapiteni bardhezi balle per balle me Carson humbet rastin me te mire per shenim.Juventus eshte dhe insiston;ne minuten e 40 nje anesor miop i mohon nje gol me se te rregullt(dhe te bukur) Del Pieros.

Ne pjesen e dyte Capelo fut Pesoton ne vend te nje Blazi te fjetur.Tashme Juventus eshte me ritmike dhe ka kontrollin ne mesfushe fale kjo edhe renies fizike te kundershtareve qe kishin zhvilluar nje pjese te pare me ritme gati mbinjerzore.Ne minuten e 60 stafeta e zakonshme mes Trezeguet dhe Del Piero,por eshte Kanavaro ne version gladiatori qe shenon ne minuten e 63me koke nga nje kros i perkryer i Zambrotes.2-1 dhe Juvja merr fryme me lirisht.Mbi te kuqte bie papritur nje frike,por qe lojtaret bardhezinj nuk e shfyteojne plotesisht.Camoranesi i afrohet barazimit por gjuajtja e tij perfundon per pak jashte.

Dominimi i torinezeve ngjan me ate te "Redsave" ne minutat e para,ku mesfusha Juventine ka kontroll absolut,por pasimet per sulmuesat ne momentin e fundit shpesh jane te pasakta.Ndeshja vazhdon e qete deri ne minuten e 90;juventusit i mbet pishmani se nuk diti te perqendrohet ne loje dhe pse jo te fitonte nje ndeshje me se te pranueshme per ta.Rafa Benitez gjeti te gjitha levizjet taktike te rendesishme,por Juventusi ne pjesen e dyte tregoi nje superioritet prej nje ekipi te madh.Kualifikimi duket i hapur edhe pershtypjet jane me se te mira.




Liverpool2-1Juventus

Shenues:10'Hypia,25'Luis Garcia;63'Cannavaro.


Liverpool(4-4-1-1);Carson5,Finnan5.5,Carrager6,Hyypia7,Traore6,Luis Garcia7,Gerard7,Biscan5.5,Risse5.5,Le Tallec6(73'Smicer sv),Baros5(67'Nunez 6.5)
Trajner:Benitez6.5




Juventus(4-4-2)Buffon5.5,Zebina5.5(80'Montero sv)Cannavaro6.5,Thuram6.5,Zambrotta6,Blasi4.5(46'Pessotto6)Emerson5.5,Camoranesi6,Nedved5.5,Del Piero6(60'Trezeguet5),Ibrahimovic6
Trajner:Capello6


Arbiter:Frank de Bleeckere(belgjike)5.5

Posted: Wed, 06 Apr 2005 , 13:23
by vllaznia1919
Do ti shkaterrojme ne "Delle Alpi". :D

Posted: Wed, 06 Apr 2005 , 18:30
by piero
Te lumte goja se me ty jam e ishalla ne Delle Alpi lujme sikunder Realit po kete here me gola ma shume e te mos na bajne ma me zemer si heren tjeter.



Forza Juve,per sempre bianconeri!!!!!! :wink: :wink: :wink: :wink:


:o :o :o :o

Posted: Thu, 07 Apr 2005 , 11:43
by piero
Stam dhe Shevcenko ndeshkojne Interin.Tani per skuadren zikalter kualifikimi eshte shume i veshtire.


Interi qan,Milani fiton,si zakonisht.


Pas dy vitesh nga gjysemfinalja qe me dy barazime i dhuroi Milanit finalen,e cila i shkaktoi Moratit nje nga dhimjet me te medha si president,europa sjell perseri derbin e Champions League.Milani niset si me e avantazhuar duke pasur parasysh se jane te paret ne kampionat dhe kane nje presion me te lehte,ndersa Interi qe ndjek kusherinjte me 16 pas i duhet medoemos te fitoje qe te shpetoje nje sezon te deshtuar.
Anceloti hedh ne fushe ate qe mund ta quajme formacioni tip.Stam ne qender te mbrojtjes me Nesten dhe Maldini majtas.Rombit klasik kuqezi i eshte dhene detyra qe te furnizoje me topa dyshen Sheva-Crespo.Ne krahun tjeter Mancini akoma pa Adrianon dhe me Vierin gati ne pankine hedh ne loje dyshen Cruz-Martins,si zakonisht perpara linjes me kater mesfushore.Ne qender te mbrojtjes Mihajlovic eshte me i preferuar se Materaci,ndersa Cordoba shterngon dhembet dhe eshte rregullisht ne fushe.
Ndeshja fillon me ritme te shpejta me Interin qe kerkon te beje loje duke pare se ne leter luan ne fushe kundershtare dhe nje gol i shenuar mund te vleje dyfish.Anceloti eshte i kenaqur edhe me nje 0-0.Martins luan ne te djathte dhe Cruz disi prapa per te lejuar avancimet e Veronit dhe Stankovic.Milani mbrohet mire me Stam dhe Nesta dhe kerkon te nisi ,me topa te gjate Shevcenkon dhe Crespon,por nje here Mihajlovic pastaj mbitegjitha Cordoba behen nje mur i pakalueshem.
Ne minuten e 10' nje goditje denimi e ekzekutuar nga serbi do te perfundonte nen traverse po te mos ishte ne porte Dida,qe grushton topin ne korne me resurse misterioze.Kuqezinjte edhe pse nuk kane rreziqe ne mbrojtje nuk arrijne te rrezikojne porten interiste dhe Toldo pothuajse gjithe pjesen e pare mbetet pa pune.Nje karon i verdhe i Gatuzos i kushton ndeshjen e kthimit,godet Veron fort por gjen Diden te pergatitur.Portieri brazilian eshte edhe nje here i shkelqyer kur grushton nje kthese te bukur te Cruz.Pjesa e pare duket se do te mbyllet barazim.Por nje faull trashanik dhe i panevojshem i Cruz i lejon specialistit Pirlo te krosoje ne zone ku kercen Stam fuqishem duke e derguar topin ne cepin e portes dhe duke mos i dhene shprese Toldos te pafajshem.Nje goditje e rende per Interin edhe pse pa bere gjera te medha kishte luajtur me mire se kundershtari.
Ne fillim te pjeses se dyte eshte Mihajlovic qe kerkon barazimin me nje goditje denimi qe nuk tremb Diden dhe perfundon jashte.Interi provon te reagoje me forcen e krenarise,por dalengadale Milani duket me i sigurt.Ne minuten e 54'Sheva nuk arrin te devioje ne porte nje pasim te Pirlos.Mancini tenton karten Vieri.Por edhe nderrimi i forcave ne sulm nuk prodhon asgje per Interin.Cerek ore pa perfunduar loja Mihajlovic shkakton nje faull te kote nga nje aksion i parrezikshem qe nuk mund te lindte asgje.Fotokopja e golit te pare.Kroson i pazevendesueshmi Pirlo dhe Shevcenko fiton friken duke goditur me koke dhe duke shenuar golin e dyte dhe te sigurise per ekipin e vet.San Siro qe ishte tejet i mbushur(rekord persa i perket arketimeve)shperthen ne nje ulerime gezimi dhe clodhjeje.Ndeshja mbyllet shpirterisht ketu;zikalterit nuk arrijne te prodhojne me loje dhe aksione,pervecse nje shtylle e jashtme e Karagunis,i cili godet nga nje pozicion tejet i pamundur per te shenuar.E majta e Shevcenkos te cilen Toldo e prek me majen e gishtave eshte rasti i fundit i takimit.Rezultati denon rende Interin qe ne planin e lojes ishte gati i barabarte me Milanin,por beri disa gabime qe nje skuadre cinike si Milanit nuk duhet t'i dhurohen.Tashme edhe thirrja rikthimit te Adrianos per ndeshjen tjeter mund te mos mjaftoje;te shenosh ne porten e milanit me kete Dide duket e pamundur per gjithekend.



Milan 2-1 Inter
Shenues:46'Stam,74'Shevcenko



MILAN(4-4-2):Dida7.5-Cafu6(92'Costacurta sv)-Stam7-Nesta7(60'Kaladze6)-Maldini6.5-Gatusso6.5-Pirlo6.5-Kakà6-Seedorf6-Shevcenko6.5-Crespo5.5(83'Ambrosini sv)


TRAJNER:Ancelotti7



INTER(4-4-2):Toldo6-J.Zanetti6.5-Cordoba7-Mihajlovic6-Favalli6-Veron5.5(70'Karagounis6)-C.Zanetti6(81'Van der Meyde sv)-Cambiasso6-Stankovic5-Cruz5.5(55'Vieri5.5)-Martins6


TRAJNER:Mancini5.5


ARBITRI:Sars6.5

KARTONA te VERDHE:37'Gattuso(M),65'Stam(M),66'Mihajlovic(I),74'Shevcenko(M),78'C.Zanneti(I)

KARTONA te KUQ:Asnje


STADIUMI:Giuseppe Meazza(San Siro):SHIKUES:79.958

Posted: Thu, 07 Apr 2005 , 11:49
by piero
Pa Mourinjon e skualifikuar, londinezët arrijnë një rezultat të kënaqshëm në "Stemford Brixh"



Çelsi, shumë i fortë për Bajernin



Dje u luajtën ndeshjet e dyta çerekfinale në Ligën e Kampioneve. Ekipi anglez i Çelsit ka fituar bindshëm ndaj ekipit gjerman të Bajernit, me rezultatin 4-2. Dy golat e mesfushorit të kombëtares angleze, Frenk Lampard, i kanë dhënë kontrollin e ndeshjes ekipit të Abrahamoviçit. Çelsi u imponua që në fillim të ndeshjes dhe në minutën e katërt, Xho Kol ka shënuar golin e avantazhit për vendësit, pas një topi të goditur nga Xhon Terri. Goli i ardhur në minutat e para e uli pak ritmin e lojës dhe bavarezët përfituan në fillim të pjesës së dytë, duke shënuar golin e barazimit në minutën e 52-të. Për Bajernin, autori i golit ishte Bastian Shveinsteiger, i cili përfitoi nga një rrëmujë në zonën e portierit Çeh, duke i dhënë ekipit të tij golin e barazimit të përkohshëm. Vazhdimi i pjesës së dytë ishte i papërmbajtshëm për Çelsin, i cili arriti të shënonte edhe tre gola në portën e Kahnit. Frenk Lampard, i cili në pjesën e parë qëndroi në hije, e justifikoi famën e tij ndërkombëtare, duke shënuar dy gola spektakolarë në portën e Bajernit, në minutën e 60-të dhe në minutën e 70-të . Më pas ishte sulmuesi i rikthyer, Didië Drogba, ai që shënoi golin e katërt për ekipin e drejtuar nga Hoze Mourinjo. Në kohën shtesë të takimit ishte Balak ai që i dha shpresë Bajernit, duke transformuar në gol penalltinë e marrë nga ai vetë. Me Kezhmanin të pezulluar dhe Arjen Robenin të dëmtuar, ekipi i Çelsit luajti në sulm me Didië Drogbanë, të mbështetur nga Xho Koli dhe Damien Dafi. Për Bajernin nuk ishin të disponueshëm të dy sulmuesit kryesorë, Klaudio Pizarro dhe Roi Makai, për shkak të dëmtimeve. Trajneri Feliks Magat ka vendosur në fushë vetëm sulmuesin Hoze Paolo Ferrero, i cili nuk ka mundur të rrezikojë seriozisht portën e Çeslsit. Për Çelsin janë për t'u përmendur shumë raste në pjesën e dytë, kurse për Bajernin pati vetëm një rast për t'u shënuar, kur lojtari anglez i Bajernit, Ouen Ergrivsit, rrezikoi portën me një goditje dënimi mjeshtërore. Ky rezultat e çon Çelsin më të qetë në ndeshjen e kthimit të martën e ardhshme në Mynih. Trajneri i Çelsitm, Mourinjo, e pa ndeshjen jashtë ambienteve të "Stemford Brixhit", për shkak të pezullimit të dhënë nga UEFA, pas akuzave për shpifje, të ngritura ndaj tij. Ekipi i mundshëm kampion i Anglisë ka treguar dje edhe një herë se është një nga pretendentët kryesorë për fitimin e Ligës së Kampioneve. Për ekipin e Feliks Magatit, ky rezultat i mban akoma gjallë shpresat për kualifikim. Në ndeshjen e kthimit, Bajernit i duhet të fitojë të paktën 2-0 për t'u kualifikuar për

Posted: Thu, 07 Apr 2005 , 14:55
by futbollist
Hupme dje :evil: :evil: 4-2

Bayerni ka lujte pa dy sulmust kryesor Makay edhe Pizarro :!:

Posted: Thu, 07 Apr 2005 , 17:05
by piero
Futbollist nuk duhet me sha ashtu.Ju tifozat gjermane duhet me kene pak realiste.Chelsea asht ma mire se Bayern kjo duhet pranu.
Ashtu po qe se doli Juve kunder Chelseat,anglezet jane prep ma mire. :cry: :cry: :cry: :cry: :cry:

Posted: Sat, 09 Apr 2005 , 11:30
by piero
Rikuperimi i sulmuesit brazilian po ecën pa pengesa



Adriano, derbi s'është një utopi



Pas 0-2-shit të pësuar në takimin e parë, Interi shpreson më shumë se kurrë ta shohë Adrianon në fushë në euroderbin e kthimit ndaj Milanit. Dhe duke u bazuar te të dhënat e ditëve të fundit, rikuperimi i brazilianit, që fillimisht dukej i pamundur, tani është mëse i mundshëm, të paktën për disa minuta lojë. Në fakt, Adriano po e vazhdon pa cungime programin e parashikuar për t'u kthyer sa më parë në fushë. Adriano e ka euroderbin në "shënjestër". Ai e kishte qysh përpara ndeshjes së të mërkurës dhe tani e ka edhe më shumë në mendje pas rezultatit të takimit të parë, duke qenë se prania e një sulmuesi të fuqisë dhe aftësisë së tij mund të jetë e domosdoshme për të realizuar dy apo tre gola, që u shërbejnë zikaltërve për të përmbysur 0-2-shin. Programi i rikuperimit të brazilianit ka pasur që në fillim si synim, që t'i mundësojë Adrianos të kthehet në fushë me rastin e asaj që është kthyer në një udhëkryq thelbësor për sezonin e Interit. Fakti që programi i tij rehabilitues ka ecur më së miri, e bën të gjithë publikun interist, të shpresojë shumë. Që nga dita e hënë, Adriano ka filluar një punë specifike, të përgatitur për të nga stafi mjekësor zikaltër. Të enjten, braziliani rinisi të punonte me topin dhe kreu një varg ushtrimesh që kishin për qëllim të testonin muskulin e dëmtuar. Nëse do të vazhdojë sipas programit të përcaktuar, ai mund t'i bashkohet që nesër grupit: Mançini, i cili zor se do ta marrë me vete në stol në Bolonjë, do të vendosë se çfarë do të bëjë në supersfidën e së martës. Ka pak mundësi që trajneri të vendosë ta aktivizojë që nga minuta e parë, pasi është më e mundshme që Mançio ta ulë në stol përkrah tij, për ta përdorur si armë shtesë ndoshta në pjesën e dytë. Do t'i varë shptresat tek ai për një përmbysje, e cila mund të hynte në histori.

Posted: Sat, 09 Apr 2005 , 11:31
by piero
Trajneri i Interit bën të ditur se skuadra tij do të bëjë "ç'është e mundur dhe e pamundur për ta kaluar turin"


Mançini: Kush tha se jemi dorëzuar?




0-2-shi në takimin e parë të euroderbit ka sjellë pak tension në kampin e Interit dhe këtë e dëshmon edhe Roberto Mançini, i cili është "grindur" me disa gazetarë në prag të transfertës në Bolonjë. "Për sa kohë të jem unë këtu, askush s'do ta braktisë varkën dhe do të punohet seriozisht deri në fund, - ka thënë trajneri. - Morati? Respekti dhe çmimi ynë është reciprok. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur dhe e pamundur për ta kaluar turin". Në mjedisin e "Apiano Xhentiles" ndihet ende zhgënjimi dhe mërzia për humbjen e shëmtuar në derbin e parë të Ligës së Kampioneve: një 0-2 që lë shpresa të pakta për përmbysje rezultati në ndeshjen e kthimit. Trajneri, edhe pse u duk shumë i vrenjtur në fytyrë, nuk do gjithsesi të dëgjojë të flitet për dorëzim. "Kur punohet, punohet seriozisht. Dhe kjo duhet bërë deri në fund, - tha Mançini. - Edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë. Është shumë e lehtë të braktisësh gjithçka, kur gjërat shkojnë keq. Kjo është një skuadër me djem seriozë, që do të punojnë seriozisht deri në fund. Për sa kohë që do të jem unë, këtu do të punohet me seriozitet". Trajneri nuk ka ndër mend t'i komentojë deklaratat e Moratit: "Unë do të doja t'i shmangia komentet për këtë argument. Unë dhe Morati kemi folur mes nesh, por këto janë gjëra që mbeten mes nesh. Ai është presidenti, unë trajneri dhe është një nder i madh për mua që ndodhem tek Interi. Ne e kemi çmuar dhe vazhdojmë ta çmojmë njëri-tjetrin. Mund të them vetëm se do të bëjmë gjithçka, është e mundur dhe e pamundur për ta kaluar turin." Shpresa e madhe e publikut zikaltër është rikthimi i Adrianos: "Për momentin nuk do ta marr me vete në Bolonjë: është më mirë të vazhdojë të stërvitet këtu. Ka shpresa për të martën, por varet se si do të ndihet. Adriano po punon mirë, po stërvitet si gjithë të tjerët, më pas do të shohim." Ndërkohë, nesër pasdite Interin e pret transferta e Bolonjës: "Ne jemi Interi, s'mund të shkojmë për t'u turpëruar. Është një ndeshje e rëndësishme jo vetëm për renditjen dhe për të ruajtur zonën Champions, por edhe në nivel psiko-fizik, në kuadër të së martës. Zgjedhjet nuk do të varen nga rrotacioni, por nga gjendja fizike. Disa lojtarë dolën me probleme nga derbi, tani të shohim."

Posted: Sat, 09 Apr 2005 , 11:32
by piero
Torino, ndalohen pijet alkoolike të mërkurën




Pijet alkoolike do të ndalohen në Torino, për arsye të sigurisë publike për ndeshjen çerekfinale të kthimit në "Dele Alpi", mes Juventusit dhe Liverpulit. Kështu ka vendosur prefekti i Torinos, për të shmangur çdo parregullsi apo mosmarrëveshje mes tifozerive të dy skuadrave, që kanë vënë në alarm policinë torineze, për shkak të kërcënimeve të fundit të bardhezinjve. Dyqanet, që i përkasin si shitjes, ashtu edhe mbajtjes së çdo pijeje alkoolike, do të jenë hapur nga mesnata e 13 prillit, deri më 18.00 të ditës pasardhëse.

Posted: Sat, 09 Apr 2005 , 11:33
by piero
Sulmuesi ukrainas, protagonist në fitoren e euroderbit, tregon rikthimin si triumfues

Sheva: Goli, një çmim për vuajtjet e mia




Që prej vitit 1999, gjumi i interistëve është plot ëndrra të këqija, në veçanti ai i Kordobës. 14 derbi të luajtur, 12 gola të shënuar! Interi është "viktima" e radhës për Andrei Shevçenkon, golashënuesi 28-vjeçar ukrainas. Një gol i shënuar prej tij, 2 vjet më parë, ndaloi hapin e Interit për të shkuar në finalen e Ligës së Kampioneve, ndërsa goli i së mërkurës rrezikon të përsërisë të njëjtën skenë të dy viteve më parë, që do të thotë rrënimin e ëndrrës zikaltër për në Europë. Pas golit, rendja e tij pa fanelë poshtë tribunës së kuqezinjve, gati sa nuk shkatërroi përfundimisht frikën dhe ankthet e një traume rrënqethëse. "E prisja atë gol, e shpresoja, e ëndërroja. Nuk e ndieja frikën aspak dhe kur pashë të mbërrinte drejt meje krosi Pirlos, godita i bindur me kokë. Më vjen keq për ndëshkimin me karton të verdhë. Goli është një dedikim special për bashkëshorten time Kristen dhe djalin Xhordan, të cilët ndodhen gjithnjë pranë meje". Më 19 shkurt, kur luhej ndeshja kundër Kaljarit, sulmuesi rrezikoi jetën. Frakturë e dyfishtë në tëmth, pas një përplasjeje me Lorian. "Çfarë ndjesie të çuditshme kisha kur shikohesha në pasqyrë, pamja ime ishte shpërfytyruar, - tregon sulmuesi kuqezi. - Kanë qenë të zotë mjekët, të cilët bënë një punë madhështore, ndërsa mua m'u desh të duroja shumë dhimbje. Goli kundër Interit ka qenë çmimi i gjithë atyre vuajtjeve. Tradita kundër zikaltërve është e pabesueshme, të martën dua të shënoj golin e 13-të. Gjysmëfinalja është afër, por duhet të jemi të kujdesshëm, megjithëse nuk do të ndodhë siç ndodhi dhe kundër Deportivos..." Në Ligën e Kampioneve ka arritur në kuotën e 32 golave, por goli i parë është realizuar këtu e 10 vjet të shkuara. "Aktivizohesha me Dinamon e Kievit dhe isha vetëm 18 vjeç kur tekniku vendosi të luaja si sulmues i tretë. Ai gol që shënova kundër Bajernit të Mynihut, ishte i pamjaftueshëm, sepse ishin gjermanët ata që shkuan në finale, por mbi të gjitha ka qenë një moment i rëndësishëm i karrierës sime. Pastaj ka qenë penalltia vendimtare kundër Bufonit në Mançester, gëzimi më i madh për një futbollist. Championsi është gjithçka për mua, përderisa nuk më është dhënë kurrë mundësia të luaj një finale të një kampionati europian ose të një botërori. Shpresoj që Ukraina të kualifikohet në Botërorin Gjermania 2006, mund t'ia dalë mbanë".

Posted: Tue, 12 Apr 2005 , 11:47
by piero
Trajneri i Milanit kërkon që djemtë e tij t'i japin goditjen e "K.O"-së Interit, sonte mbrëma

Ançeloti: Dua menjëherë një gol



Në prag të euroderbit të kthimit në Ligën e Kampioneve, trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, ia ka shtuar tensionin sfidës: "Duhet të shënojmë menjëherë një gol, për t'i dhënë fund gjithçkaje, - tha ai. - Duhet të mbajmë qëndrimin që kishim në ndeshjen e parë, sepse gjëja që mund ta bezdisë më shumë Interin, është t'i shënojmë menjëherë një gol. Një gjë e tillë do të na e siguronte përfundimisht kualifikimin dhe duam ta arrijmë sa më shpejt këtë gjë." Një gol sa më parë që të jetë e mundur. Është ky udhëzimi që trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, u jep djemve të tij në prag të sfidës delikate në Champions ndaj kushërinjve të Interit. Gjithçka do të nisë nga 2?0-ja e takimit të parë, një rezultat ngazëllyes, por gjëja më e rëndësishme për Milanin do të ishte të kalonte menjëherë në avantazh, sepse në një rast të tillë zikaltërve do t'u duhej të shënonin 4 gola për ta kaluar turin. "S'do të zbresim në fushë për t'u mbyllur në portë. Duhet të mbajmë të njëjtin qëndrim të takimit të parë dhe kështu që do të luajmë një ndeshje pa u kushtëzuar nga 2-0-ja e takimit të parë, që gjithsesi mbetet një rezultat tejet pozitiv." Në krahasim me një javë më parë, kësaj here Interit i është kthyer Adriano. "Nëse braziliani do të luajë, duhet të kemi kujdes prej tij. Në rast të kundërt, do të shqetësohemi për ata që do të zbresin në fushë në vend të tij. Interi ka disa lojtarë që mund të na krijojnë probleme, rreziqet dhe surprizat ndodhen gjithnjë pas qoshes. Ne synojmë të ecim përpara dhe kualifikimi në gjysmëfinale do të ishte një rezultat i rëndësishëm." Një vit më parë, Milani u eliminua në çerekfinale nga Deportivo La Korunja. Pas fitores 4?1 në takimin parë, kuqezinjtë u përmbysën 4?0 në Spanjë. "La Korunja? Nuk e kam menduar gjatë. Për t'i përgatitur mirë pragndeshjet, duhet të kesh në kokë mendime pozitive. Situata jonë sot ndryshon nga ajo e La Korunjës vjet, ne sonte s'do të ndihemi në transfertë, do të ndihemi si në shtëpinë tonë, "San Siro" është stadiumi ynë." Një sfidë që i sjell në mendje Ançelotit ballafaqimin e dyfishtë në Europë, dy vjet më parë: "Nëse shohim të kaluarën, them se Interi i Kuperit ishte shumë konkret, më kompakt, kurse Interi i sotëm pasqyron shijen e lojës dhe një cilësi më të lartë, gjë që nga ana tjetër, Mançini e kishte edhe kur luante vetë." Për të përfunduar, diçka për të ardhmen e tij: "Ndihem mirë këtu, pavarësisht nga ato që mund të jenë objektivat finale të sezonit. Kjo është një skuadër që mund të japë ende shumë, të rritet dhe të përmirësohet. Cikli vazhdon dhe shpresoj që të vazhdojë me mua, pavarësisht nga fakti se si do të shkojë sezoni i sivjetshëm."

Posted: Tue, 12 Apr 2005 , 11:48
by piero
Dy qendërmbrojtësit e Milanit shprehen se mund ta neutralizojnë brazilianin


Nesta dhe Stam: Do ta bllokojmë Adrianon!




Vendi i parë në renditje është mundësuar nga një gol më pak që ka pësuar mbrojtja milaniste, në krahasim me atë juventine. Bardhezinjtë kanë pësuar 19 gola, kurse Milani 18: thuajse një mbyllje hermetike, kundrejt vështirësive që paraqet kampionati italian. Interi, që në Serinë A ka pësuar 35 gola, ka shënuar gjithsesi më shumë gola se dy ekipet e para në renditje dhe në këtë pikë, në kuadër të derbit të sotëm në Ligën e Kampioneve, nuk dihet nëse është më i shqetësuar Milani nga sulmi i Interit, apo Interi nga ai mur që ka çuar dëm mundin e shumë talenteve zikaltër për ta çarë. Tani që do të ketë përballë pengesën Adriano, të cilin fati i mirë ia shmangu në derbin e parë, muri flet dhe nuk duket se ndihet i emocionuar. "Nëse jam mirë, mund të mbaj çfarëdo lloj sulmuesi, edhe një lojtar me shumë talent dhe fuqi fizike si Adriano", - tha Jap Stami. Kurse Alesandro Nesta shtoi: "Nuk them se Adriano nuk i sposton ekuilibret. Adriano është shumë i fortë, është i rëndësishëm për skuadrën e tij dhe ka luajtur shumë mirë edhe në derbet e kaluara. Por rezultatet që kemi arritur herët e fundit që jemi ndeshur me Interin, na bëjnë të kemi besim në forcat tona." Gjëra të sigurta nuk ka, muri nuk jep garanci. Sidoqoftë, me ose pa Nestën apo Stamin, Milani i ka arritur sukseset e tij në fazën mbrojtëse, por lojtarët bazë janë njerëz të ngurtë dhe nuk lënë që të tërhiqen nga entuziazmi apo të demoralizohen nga kritikat. "Kemi luajtur ndeshje të mira ndaj të gjithëve, por ndaj Breshias nuk hasëm vështirësi vetëm në fazën mbrojtëse, por edhe në atë sulmuese, - tha Nesta. - Japi dhe Paolo janë lojtarë të rëndësishëm për skuadrën, edhe pse për të mbrojtur mirë është i nevojshëm bashkëpunimi i të gjithëve. Dhe për fat të keq, një ditë e shtrembër mund t'i ndodhë kujtdo." Gjithsesi, sot prapavija e Milanit do të jetë e plotë, në përpjekje për të ndalur ëndrrën e Interit për ta kaluar turin. Së bashku me mbrojtjen kuqezi do të jetë edhe një fantazëm, fantazma e famshme e La Korunjës. "Nuk mendoj as se do të kemi vështirësi psikologjike, sepse barazuam në kampionat, as se do të luajmë më të përqendruar për të njëjtën arsye. Milani është i ndërgjegjshëm për forcën që ka, - tha Nesta, - dhe është në dijeni të rëndësisë që ka mbrëmja e sotme. Do të dimë të luajmë me tonin e duhur. Sa për humbjen e një viti më parë, unë i harroj shpejt kujtimet e këqija, kështu që mund të them se e kam harruar edhe Deportivon." Maldini: Të fitojmë pa bërë llogari Paolo Maldini ka siguruar tifozët, përsa i takon aktivizimit të tij në euroderbin e sotëm ndaj Interit, dhe bën të ditur se Milani do të luajë për të fituar, pa bërë shumë llogari me rezultatin e takimit të parë: "Ndihem mjaft mirë dhe jam i gatshëm të luaj. E dimë se Interi do të përpiqet të luajë menjëherë në sulm, por ky është edhe synimi ynë. Ne kemi një avantazh të pamohueshëm, por dimë gjithashtu se situata mund të ndryshojë sa hap e mbyll sytë. Duhet të bëjmë gjithçka, që kjo të mos ndodhë. Dhe nëse ne shënojmë një gol, më pas ata duhet të shënojnë 4. Për këtë arsye do të përpiqemi të bëjmë lojën tonë dhe të fitojmë pa bërë llogari." Pas deklaratave të interistëve se do të përsëritin ndeshjen e La Korunjës, ku Milani u eliminua vjet nga Championsi, Maldini kundërpërgjigjet: "Pse, nuk e dinë ata se nga gabimet nxiren mësime? Megjithatë, Interi ka të drejtë që flet, pasi përveç kësaj s'mund të bëjë asgjë tjetër." Gjithsesi, morali i kapitenit është i lartë: "Ndryshimi më i madh në krahasim me pragndeshjen e kthimit të derbit të 2 viteve më parë në Europë, është rezultati". Kafu: Të luajmë me kundërsulm Markos Kafu është shprehur për faqet e së përditshmes italiane "Tuttosport": "2?0-ja është vetëm rezultati i pjesës së parë. Pjesën e dytë do ta luajmë sot. Në futboll, deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, është gjithçka e hapur. Ata do të na sulmojnë, do të përpiqen të shënojnë menjëherë. Mbrojtja jonë, padyshim, do të ngacmohet shumë. Ne duhet të gjejmë hapësirë për kundërsulmet dhe Kakaja mund të na ndihmojë shumë me shpejtësinë e tij në mesfushë. Mendoj se Riku mund të jetë me të vërtetë njeriu ndeshje për ne." Ambrozini: Nuk jemi kualifikuar ende Masimo Ambrozini ka deklaruar për "Corriere dello Sport?Stadio": "Të mërkurën, kur u kthyem në dhomat e zhveshjes, askush nuk festoi së tepërmi, sepse ishim të vetëdijshëm se nuk ishte vendosur asgjë. Thjesht e mbyllëm në avantazh pjesën e parë, kjo është e gjitha, dhe mezi prisnim që të fillonte ndeshja e kthimit, tani ky moment ka mbërritur." Saki: Milan, kujdes nga Interi Në prag të derbit të kthimit në Ligën e Kampioneve, Arrigo Saki paralajmëron Milanin: "U them të kenë kujdes, sepse nuk më entuziazmuan të mërkurën e kaluar dhe as të shtunën ndaj Breshias, - tha ai. - Për mendimin tim, Milani nuk po kalon një formë të shkëlqyer, mua më duket pak më i dobët nga ç'e tregojnë rezultatet." Gjermani Markus Merk gjyqtari i sfidës Është zgjedhur dhe gjyqtari i ndeshjes së kthimit mes Interit e Milanit. Ai do të jetë Markus Merk, një emër dhe personazh i njohur në arenën ndërkombëtare. Gjyqtari gjerman, ka drejtuar ndër të tjera edhe finalen e Europianit të fundit në Portugali mes Greqisë dhe Portugalisë. Ndërkohë, sifda mes Bajernit të Mynihut dhe Çelsit, i është besuar spanjollit Mejuto Gonzales.

Posted: Tue, 12 Apr 2005 , 11:49
by piero
Trajneri zikaltër kërkon një ndeshje të madhe nga skuadra, që duhet të përmbysë rezultatin e parë 2-0


Mançini: Të rrezikojmë për t'u kualifikuar




Roberto Mançini, në prag të euroderbit të kthimit, ka thuajse të njëjtën dëshirë si të Karlo Ançelotit: "Duhet të shënojmë një gol sa më shpejt, edhe pse nuk do të jetë e lehtë, - tha ai, - sepse ata kanë në portë një fenomen. Duhet të mendojmë për të zhvilluar një ndeshje të madhe për të kaluar turin. Adrianoja? Do të jetë pa diskutim. Nuk mund të jetë 100%, por një sulmues si ai mjafton të godasë tri herë në portë për të shënuar gol". Pra do të jetë ylli brazilian, njeriu kyç, ku trajneri zikaltër do të përqendrohet për të synuar një fitore, e cila do të ishte historike. "Ka dhënë gjithçka për t'u riaftësuar, është i zoti, - thotë trajneri i Interit, duke iu referuar brazilianit. - Në kësi rastesh, dëshira për të luajtur ka shumë rëndësi, ndoshta edhe duke rrezikuar diçka. Në një situatë të tillë, duhet të lodhet sa më pak të jetë e mundur. Ai shpesh shkon për të fituar topa nga të gjitha anët e fushës, përpiqet shumë, nëse do të harxhonte më pak energji, mund të jetë sigurisht më i vlefshëm. Varet vetëm nga ai, nga mënyra se si do të paraqitet". Por Adrianoja mund të mos jetë surpriza e vetme e ndeshjes ndaj Milanit. Do të ndryshojë diçka, por jo shumë. Karagunis? E di se çfarë mund të më japë ai, edhe pse ka kohë që nuk luan". Por çelësi i vërtetë i kthesës, sipas trajnerit zikaltër, më shumë se lojtarët e veçantë, do të jetë temperamenti dhe karakteri, që skuadra do të arrijë të japë në fushë. "Nuk besoj se do të ketë renie të përqendrimit, paraqitja duhet të jetë pozitive, - siguron Mançini. - Në ndeshje të tilla, taktika kalon në plan të dytë ose të tretë. Rëndësi ka dëshira për të fituar, për të përmbysur rezultatin me paraqitjen e duhur. Duhet të rrezikojmë edhe diçka më shumë, pa menduar se duhet ta presim kundërshtarin në fushë. Do të jetë vendimtare nëse shënojmë një gol menjëherë, sepse ata kanë në portë Didën, që është një fenomen dhe nuk gabon asnjëherë. Ne duhet të përpiqemi të shënojmë menjëherë". Pra, do të jenë 90 minuta intensive? "Jo, 90 minuta është e pamundur, - reagon Mançini, - por të paktën 20-30 minuta me karakter agresiv për të gjetur golin, na nevojiten. Pastaj, shumë do të varet nga mënyra e reagimit të stadiumit: nëse tifozët tanë do të na mbështesin pa pushim, mund të arrijmë një fitore të jashtëzakonshme". Në tri derbet e këtij viti (përfshirë këtu dy të kampionatit), Interi nuk ka shënuar asnjë gol. "Po, por skuadrat janë të ekuilibruara, nuk ka pasur asnjë skuadër më superiore se tjetra, - nënvizoi tekniku interist. - Rezulatatet mund të ndryshojmë edhe nga mendimet, por nuk kam parë ndryshime mes nesh dhe atyre. Milani është skuadra e vetme, së cilës nuk i kemi shënuar. Shpresojmë t'ia shënojmë të gjithë golat në një ndeshje".

Posted: Tue, 12 Apr 2005 , 11:50
by piero
Braziliani është riaftësuar në kohë rekord, por shoku i tij i sulmit ende nuk është zgjedhur


Adriano titullar, kolegu i tij pikëpyetje




Përkundër çdo parashikimi, ndeshja e kthimit në euroderbin e Championsit mes Interit e Milanit do ta shohë Adrianon në fushë që nga minuta e parë. Në dyshim mbetet për momentin partneri që do të ketë në krah, mes Vierit, Martinsit e Kruzit. Mançini ka riaftësuar edhe të dëmtuarit e tjerë, duke pasur të gatshëm Veronin, Stankoviçin, Materacin dhe Kordobën. Nëntëdhjetë minuta për një fitore, por për të hyrë në histori dhe për tentuar realizimin e një ëndrre, do të jetë dhe "Perandori" që nga minuta e parë. Adrianoja ka bërë një riaftësim të shpejtë nga dëmtimi që pësoi në gju më 20 mars, në ndeshjen kundër Fiorentinës. Megjithatë, tani Mançinit i mbetet një dyshim se kush do të jetë kolegu i Adrianos në sulm. Logjika thotë Martinsi. "Oba Oba" është mirë fizikisht dhe është i vetmi që i ka shënuar një gol Milanit në tri përballjet europiane. Ndër të tjera është shndërruar në një sulmues i frikshëm nga mbrojtja e Milanit. Por trajneri zikaltër është mësuar me zgjedhje surprizë, ndaj edhe Kruzi me Vierin shpresojnë për një vend titullari. Argjentinasi shënoi golin vendimtar në Bolonjë dhe dukej në formë, ndërsa mbi dyshen Adriano-Vieri, "Mançio" ka synuar shumë kur dy lojtarët ishin në formë. Sidoqoftë, duket e vështirë përfshirja e Bobos që nga fillimi, sepse do të hynin në fushë dy sulmues që rikthehen nga dëmtime respektive. Kësisoj, mbeten edhe dy mundësi të tjera, "tredhëmbëshi" apo skema me vetëm një sulmues. Mançini e ka zbatuar rallë këtë modulin me tre sulmues që nga fillimi, duke i dhënë sinjale pozitive gjatë ndeshjes, kur ishin për t'u bërë përmbysje në fund, si barazimi 2-2 me Juven dhe fitorja 3-2 ndaj Sampdorias. Duke dashur të përmbysë dygolëshin e kuqezinjve të takimit të parë, është shumë e vështirë të luajë me 4-2-3-1. Sa i takon pjesës tjetër, ka mundësi për të reja në mesfushë, ndryshe nga ndeshja e parë. Veroni duhet të luajë në qendër, i shoqëruar nga Kambiasoja, me Van der Meiden dhe Stankoviçin në krah. Në mbrojtje duhet të jenë si gjithnjë nga krahët Havier Zaneti dhe Favali, me Kordobën dhe Mihajlloviçin qendrorë, edhe pse Materaci, pas provës së mirë në Bolonjë, shpreson të luajë në vend të serbit.

Posted: Tue, 12 Apr 2005 , 11:52
by piero
Mitiku "Giusseppe Meazza" edhe kete here do te jete plot me tifoze dhe behet gati per te pritur sonte ndeshjen e dyte ku do te dale nje pjese e Milanos ne gjysem finale.



Në "San Siro", asnjë vend bosh




Stadiumi i Milanos, "San Siro", do të jetë i mbushur plot e përplot sonte në mbrëmje për euroderbin e kthimit mes Interit e Milanit. Tri mijë biletat e fundit që klubi i Interit (si pritës) nxori në shitje, u blenë menjëherë nga sportdashësit e Milanos. Edhe në ndeshjen e parë, të luajtur të mërkurën e shkuar, ku Milani ishte skuadër pritëse, të gjitha vendet në "San Siro" ishin të zëna. Zikaltrit, stërvitje në stadium Dje pasdite, para konferencës për shtyp, Roberto Mançini ka zhvilluar një stërvitje në stadiumin "San Siro" (ku sot do të zhvillohet ndeshja), për t'u lejuar lojtarëve të tij që të jenë më të përshtatur me fushën. Po ashtu, edhe pas konferencës për shtyp të trajnerit zikaltër, lojtarët interistë kanë vazhduar stërvitjen dhe në fund janë grumbulluar në klub, në prag të ndeshjes. Euroderbi, ja uniformat e skuadrave Janë zgjedhur dhe uniformat e lojtarëve për euroderbin e sotëm në mbrëmje në "San Siro", mes Interit dhe Milanit, i vlefshëm për ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve. Interi do të zbresë në fushë me fanelën blu dhe vija të zeza e gri, në formë horizontale. Të së njëjtës ngjyrë do të jenë edhe çorapet dhe mbathjet. Milani do të luajë me fanelën kuqezi, ku çorapet dhe mbathjet do të jenë të bardha. H.Zaneti: Të luajmë me forcë dhe zemër Havier Zaneti flet për krenari, forcë dhe dëshirë. Pikërisht me këto "armë", Interi duhet të mundë sot Milanin në derbi, për të përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë. "Jemi të përqendruar për ndeshjen që na pret, - tha kapiteni zikaltër. - Objektivi ynë është të kalojmë turin. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse nisemi nga një disavantazh prej dy golash, ndaj na duhet një ndeshje e përsosur dhe do të provojmë të luajmë. Sot do të jetë vendimtare të japim në fushë të gjithë zemrën dhe krenarinë tonë, gjithçka që kemi". Shifra dhe fakte Milan - Inter Milan Të skualifikuar: Gatuzo Të dëmtuar: Asnjë Në dyshim: Inzagi, Maldini Inter Të skualifikuar: Asnjë Të dëmtuar: Rekoba, Emre Në dyshim: Adriano, Kordoba Bilanci në Champions: 2 ndeshje në total, (një fitore Milani, dy barazime) 07.05.03 Milan - Inter 0-0 13.05.03 Inter - Milan 1-1 06.04.05 Milan - Inter 2-0 * Milani ka fituar shtatë ndeshjet e fundit, të vlefshme për Ligën e Kampioneve, që ka luajtur në "San Siro". Kuqezinjtë në këto takime kanë shënuar 19 gola dhe kanë pësuar vetëm tre. * Milani fitoi Ligën e Kampioneve dy vjet më parë, në saje të tri barazimeve radhazi me skuadrat italiane. Me Interin barazoi dy herë në gjysmëfinale, por u kualifikua se kishte shënuar në fushën e kundërshtarit. Ndërsa me Juventusin në finale, pas barazimit 0-0, fitoi trofeun me 11-metërsha. * Milani nuk humbet 0-2 në "San Siro", në një ndeshje të vlefshme për Ligën e Kampioneve, që nga sezoni 1994-95, kur u mposhtën nga Ajaksi. * Interi ka fituar katër nga pesë ndeshjet e fundit që ka zhvilluar në fushën e tij në këtë edicion të Ligës së Kampioneve, me dy gola diferencë. * Interi do të kërkojë fitoren e 50-të në Ligën e Kampioneve, në 96 ndeshjet që ka zhvilluar në këtë veprimtari

Posted: Tue, 12 Apr 2005 , 11:53
by piero
Trajneri i Bajernit, sonte do të ketë të gatshëm holandezin Makai që nga minuta e parë e takimit


Magat: Kemi mundësi të kualifikohemi



Trajneri i Bajernit të Mynihut, Feliks Magat, është i bindur se ekipi i tij do të arrijë ta përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë ndaj Çelsit. Bavarezët humbën me rezultatin 4-2 në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve, në Londër, dhe sot në "Olimpia Stadium" do të përcaktohet skuadra e parë gjysmëfinaliste, e cila do të ndeshet me ekipin fitues të sfidës ndërmjet Liverpulit dhe Juventusit. Bajerni mund të kualifikohet me rezultatin 2-0 dhe Magati ka besim se ekipi i tij është i aftë për ta arritur këtë fitore. "I kemi të gjitha mundësitë të shënojmë dy gola në 45 minuta dhe kjo është pikërisht ajo që na nevojitet sot në ndeshjen ndaj Çelsit. Të shtunën, pas fitores në kampionat ndaj Mynshengladbahut, trajneri i Bajernit deklaroi: "Jo vetëm që arritëm të rikuperonim golin e pësuar, por tani jemi tri pikë para Shalkes dhe kjo na jep më shumë siguri edhe për ndeshjen e Championsit. Në ndeshjen ndaj Çelsit, ekipi do të jetë akoma më i përqendruar dhe ne do të luajmë me bindjen se do të arrijmë të kualifikohemi. Feliks Magat mbeti mjaft i kënaqur me paraqitjen e veteranit Mehmet Sholl, i cili të shtunën shënoi golin e barazimit ndaj Mynshengladbahut. Pas karakterit të fortë të treguar të shtunën, Sholli mund të luajë si titullar sot ndaj Çelsit, duke qenë se Klaudio Pizarro është akoma në dyshim dhe mund të mos luajë në ndeshjen e sotme. Gjithashtu, në fushë sonte do të jetë dhe mesfushori anglez, Ouen Hergrivs, i cili nuk luajti të shtunën në kampionat ndaj Mynshengladbahut. Për Bajernin do të rikthehet sulmuesi holandez, Roi Makai, i cili do të jetë në fushë që nga minuta e parë e takimit. "Jam i lumtur që Makai do të jetë i gatshëm që nga minuta e parë e takimit. Jam i bindur se sonte do të jetë efektiv dhe mjaft i rrezikshëm në portën kundërshtare," - deklaroi Magati. Bashkë me Makain, në sulm mund të rikthehet edhe sulmuesi peruan, Klaudio Pizarro, i cili të dielën mori pjesë në seancën stërvitore të skuadrës, për herë të parë pas dëmtimit të tij që e la jashtë fushës për dy javë. Sulmuesi 26-vjeçar ishte heroi i fitores në Mynih, ndaj ekipit anglez të Arsenalit, dhe Magati shpreson ta ketë të gatshëm golashënuesin, për të eliminuar ekipin e dytë londinez gjatë këtij sezoni. "Nëse nuk do të ketë probleme në stërvitjen e sotme, atëherë do të luajë me siguri në mbrëmje," - përfundoi Magati. Për Bajernin, kjo do të jetë ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe do t'i duhet të fitojë patjetër me një diferencë prej dy golash për t'u kualifikuar.

Posted: Tue, 12 Apr 2005 , 11:53
by piero
Trajneri portugez shpreh përkushtimin e tij ndaj Çelsit dhe i trembet holandezit Makai në ndeshjen e sotme


Mourinjo: Nuk duhet të pësojmë gol




Trajneri i ekipit të Çelsit, Hoze Mourinjo, ka konfirmuar përkushtimin e tij ndaj klubit të tij, edhe pse ky i fundit nuk e apeloi dënimin e dhënë nga UEFA për portugezin, pas polemikave të ngritura gjatë ndeshjes midis Barcelonës dhe Çelsit. Mourinjo dhe lojtarët e ekipit të tij udhëtuan të dielën për në Mynih, për t'u përgatitur për ndeshjen e kthimit për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve ndaj Bajernit. Çelsi do të luajë sot ndaj Bajernit, pas fitores 4-2 të arritur në "Stemford Brixh" javën e kaluar. UEFA e pezulloi Mourinjon për dy ndeshje, por klubi londinez çuditërisht nuk e apeloi vendimin. Për Mourinjon, vendimi ishte i padrejtë dhe megjithëse klubi e pranoi, ky ishte një sulm pa precedent, i bërë ndaj tij. I pyetur për marrëdhëniet me klubin, pas incidentit në "Kamp Nou", Mourinjo u përgjigj: "Përkushtimi im ndaj klubit dhe skuadrës nuk ka ndryshuar aspak. Nuk ka pse të ndryshojë asgjë." Tashmë Mourinjo ka në plan të firmosë një kontratë të re me klubin, e cila do t'i sjellë portugezit 9 milionë dollarë në vit. Lidhur me këtë, portugezi tha: "Kam një grup të mrekullueshëm lojtarësh, bëj pjesë në një klub fantastik dhe jemi pjesë e një projekti të madh. Po ecim shkëlqyeshëm. Ndoshta ky sezon ka qenë më i mirë nga ç'mund të ëndërroja. Gjithmonë e mendoja se mund ta fitonim kampionatin, por nuk më shkonte ndër mend që të kishim 11 pikë avantazh një muaj para përfundimit të tij. Tani më duhet ta balancoj skuadrën edhe përsa i përket Championsit. Në kampionat jemi 11 pikë para Arsenalit dhe 14 pikë para Mançesterit, dhe kjo na lë më shumë hapësirë për t'u fokusuar te ndeshja e sotme. Nuk u kushtoj shumë vëmendje gjërave që shkruhen për mua. Sigurisht, u hedh një sy, por nuk i lexoj deri në fund. Parapëlqej të shoh vetëm titujt e shkrimeve. Më duhet të mësohem. Në qoftë se do t'u vija shumë rëndësi, nuk do të kisha kohë për asgjë tjetër." Mourinjo pranoi se e pati të vështirë drejtimin e skuadrës jashtë stolit të tij: "Ishte shumë e vështirë për mua. Nuk mund të them se mbeta i zhgënjyer, sepse ekipi fitoi bindshëm. Edhe pse ia kisha dhënë të gjitha direktivat zëvendëstrajnerit dhe ekipit, e pata të vështirë ta ndiqja ndeshjen nga ekrani i televizorit. Sonte do të jem diku në tribunë." Për ndeshjen e sotme, Mourinjo nuk do të ketë në dispozicion serbin Mateja Kezhman, i cili është i dëmtuar, por do të ketë lojtarin nga Bregu i Fildishtë, Didië Drogba, që shënoi golin e barazimit në ndeshjen ndaj Birmingemit. " E di që do të jetë një ndeshje e vështirë. Nuk duhet të pësojmë gol. Në qoftë se ata do të arrijnë të shënojnë shpejt, do të bëhet gjithçka më e vështirë për ne. Përderisa luajmë në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, patjetër që çdo ndeshje është e vështirë. Kërcënimi për ne e ka emrin "Roi Makai". Ai është njeriu i duhur në momentin e duhur për Bajernin. Të shtunën ndaj Birmingemit, Mourinjo la në stol një pjesë të lojtarëve titullarë, duke thënë: Ndeshja e sotme ndaj Bajernit do të jetë e treta në 6 ditë. Për lojtarët është shumë e vështirë. Çdo lojtar kishte nevojë të pushonte në ndeshjen ndaj Birmingemit, por nuk kisha mundësi t'i lija të gjithë në stol.

Posted: Tue, 12 Apr 2005 , 11:54
by piero
Sulmuesi për ndeshjen kundër Liverpulit në Champions, u dërgon një mesazh mbështetësve bardhezi


Del Piero: Tifozë, ejani në "Dele Alpi




Alesandro Del Piero i rikthehet golit dhe buzëqeshjes. Rezultati 3-3 në ndeshjen kundër Fiorentinës, edhe pse nuk i ngjit në klasifikim bardhezinjtë, tregon mbi të gjitha moral dhe shpresë për të pasur një besim të madh, atëherë kur dhe përballja kundër Liverpulit, që do të luhet në Torino, po afron. "Pinturikio" i rikthehet ndeshjes që u zhvillua të shtunën dhe flet për sfidën me Liverpulin: "Çfarë lodhjeje! Janë dashur tre gola për ta barazuar rezultatin dhe për të sjellë në shtëpi një pikë nga Firence. E rëndësishme kjo për të mbajtur të njëjtin hap me Milanin. Tri herë radhazi kemi rrezikuar, - vazhdon Aleksi, - dhe çdo herë i jemi përgjigjur me të njëjtën monedhë. Ishte një barazim që pati më tepër mundime (dhe këto të merituara), sesa raste të gabuara. Pastaj, të dalësh faqebardhë nga një disavantazh prej tre golash, mendoj se qëndron një rezultat më tepër psikologjik, shumë i rëndësishëm (mbase edhe mund të jetë vlerësuar në mënyra të ndryshme goditja me kokë e Kanavaros...). Siç edhe u duk, të luash në Firence, nuk është e njëjta "shëtitje", një ambient i vështirë, por stimulues. Një motiv më shumë për t'u kënaqur me golin tim të 12-të të këtij sezoni, një shifër që fillon të jetë vërtet e konsiderueshme". Juvja e pafatë, por që me vjollcët ka treguar se nuk dorëzohet kurrë dhe këtë e di mirë edhe tekniku i Liverpulit, Rafael Benitez. Për sfidën e së mërkurës mbrëma, në radhët e të kuqëve do të riaftësohet Ksavi Alonso, ndërsa lajmi i mirë për tifozët bardhezi është se Xherrardi nuk do të luajë. Shakaja e fundit e Del Pieros u adresohet tifozëve bardhezinj: "Të mërkurën mbrëma ju dua të gjithëve në "Dele Alpi", që të na zëvendësoni. Ju pres!" - përfundon juventini. Këmbë, mençuri dhe një ëndërr e madhe ta luaje atë finale të Ligës së Kampioneve të vitit 2003, në të cilën Juvja u skualifikua pikërisht nga Milani. "Dua të fitoj me Juven," - shprehet Pavel Nedved pas ndeshjes me Fiorentinën. I larguar prej fushës i dëmtuar, si pasojë e një përplasjeje në lojë me bashkëkombasin e tij, Ujfalushin, ai gjen forcën për t'i qetësuar të gjithë. "Ishte vetëm një përplasje e keqe, - tregon ai. - Kundër Liverpulit shpresoj se do të jem, gjithashtu shpresoj që gjithë ajo periudhë e keqe të ketë mbaruar, sepse dua t'i jap Juves një finale të madhe, përsa i përket këtij sezoni. Për të ardhmen? Kam mësuar t'i shoh ndeshjet njëra pas tjetrës, edhe pse është e vështirë të luash kur ndihesh keq". Pas riaftësimit po mundohem të jap maksimumin, - vazhdon ai. - Jam i kënaqur me lojën që bëra në "Anfield". Ndërsa në Firence nuk u ndjeva mirë, tani të shohim ç'do të sjellë ndeshja e tretë..."

Posted: Wed, 13 Apr 2005 , 12:16
by piero
Ekipi i Magatit nuk ka mundur ta përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë në "Stemford Brixh"

Fiton Bajerni, kualifikohet Çelsi




Ekipi tjetër gjysmëfinalist është Çelsi. Ekipi anglez ka arritur të kualifikohet, edhe pse humbi brenda në "Olimpia Stadium" të Mynihut, me rezultatin 3-2. Tashmë ekipi i drejtuar nga Mourinjo do të ndeshet në gjysmëfinale me Liverpulin ose Juventusin. Për Bajernin, dje ishin të gatshëm që nga minuta e parë të dy sulmuesit, Makai dhe Pizarro, të cilët munguan në ndeshjen e parë. Edhe pse fitoi, Bajerni nuk mundi ta përmbyste rezultatin 4-2 të ndeshjes së parë në "Stemford Brixh" dhe tashmë janë jashtë Ligës së Kampioneve. Bavarezët janë shokuar që në minutën e 30-të të pjesës parë, nga goli i Frenk Lampardit, që tashmë është pa dyshim një nga liderët e ekipit londinez. Goli ka qenë një përsëritje e golit të shënuar në Londër, po nga ai, i cili ka shfrytëzuar një pasim të Xho Kolit dhe ka arritur të shënojë golin e parë të takimit. Bajerni e ka kërkuar vazhdimisht golin, por holandezi Makai ka qenë në hije dhe nuk ka mundur ta kërcënojë seriozisht portën e portierit Çeh. Pjesa e parë u mbyll në avantazh për miqtë, me rezultatin 0-1. Megjithëse trajneri Magat në pjesën e dytë hodhi në fushë veteranin Mehmet Sholl, Bajerni nuk mundi të barazonte deri në minutën e 65-të, kur peruani Pizarro arriti të shënonte golin e parë për vendësit. Pas golit, ekipi i Bajernit u hodh i gjithi në sulm, duke lënë shumë hapësira në mbrojtje. Shpresat e bavarezëve për kualifikim u shuajtën në minutën e 80-të të takimit. Pas një zbritjeje të shpejtë të Çelsit, Xho Kol kroson në zonë dhe Didië Drogba nuk fal, duke shënuar me kokë golin e avantazhit për miqtë. Për Bajernin hyn në fushë peruani Guerrero, në vend të Makait, dhe është pikërisht ai që e barazon rezultatin në minutën e 90-të të takimit. Bajerni shpreson akoma dhe pas një aksioni të gjatë, Mehmet Sholl u jep fitoren bavarezëve në minutën e 95-të. Bajerni beson te goli i katërt, por tashmë nuk ka më kohë dhe gjyqtari Gonazales i jep fund takimit. Ekipi i Çelsit i bashkangjitet Milanit dhe hyn në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, ku do të ndeshet me ekipin që do të kualifikohet nesër në sfidën e "Delle Alpit". Kjo ka qenë ndeshja e dytë jashtë stolit për Mourinjon, i cili vuajti pezullimin dyjavor, të dhënë nga UEFA.