Page 7 of 230

Posted: Mon, 16 May 2005 , 09:11
by kristian
Ja po nuk kan dasht me e maru kampionatin me nji pik, i kuptoj naqe :lol: :lol:

Posted: Mon, 16 May 2005 , 20:06
by kristian
Ekipi shkodran po e mbyll si mos më keq këtë sezon, duke nxjerrë në pah shumë probleme dhe pakënaqësi

Vllaznia, ndeshja me Laçin konfirmoi krizën


Shumëkush mund të ketë menduar një fitore të thellë ndaj Laçit të shkodranëve këtë javë, por kjo nuk ka ndodhur. Mbase ka qenë fati ai që u ka dhënë tri pikë kuqebluve në takimin e luajtur në Kamzë. Për më tepër, kjo ndeshje është shoqëruar edhe me një tension të pajustifikueshëm mes lojtarëve të dy ekipve. Ndonëse ka qenë një takim pa asnjëlloj rëndësie ai i dy ditëve më parë, është shoqëruar me grushte dhe rrahje të lojtarëve. Fajtorë nuk dihet se kush mund të ketë qenë ekzaktësisht, por një gjë është më se e qartë: nuk ishte nevoja të shkonte deri aty. Por laçianët e stërmërzitur këtë sezon me mungesën e një pike, apo të një goli të vetëm, kur kanë parë përballë tyre një Vllazni më se të shkatërruar, kanë filluar të mendojnë për pikë. Nga ana tjetër, ajo që duhet evidentuar është se shkodranëve nuk u falej ajo që ndodhi. Edhe në këtë rast, megjithatë, është një justifikim. Skuadra është në krizë të plotë, besimi dhe morali. Duke qenë kështu, edhe fitorja ndaj Laçit të vendit të fundit u vu në një pikëpyetje të madhe. Trajneri Medja pas ndeshjes është justifikuar me faktin që e gjithë loja e skuadrës së tij u përqendrua tek Abilio, i cili duhej të shënonte sa më shumë gola për renditjen e golashënuesve. Por edhe ky nuk është justifikim. Një skuadër "tallet" në një mënyrë të tillë vetëm kur e ka fitoren të sigurt. Vllaznia, megjithatë, deri në minutën e 90?të nuk pati asgjë të sigurt. Nuk është justifikim as aktivizimi i disa prej lojtarëve të rinj shkodranë në këtë ndeshje, sepse në të vërtetë ata nuk janë krejt ashtu. Ju kujtojmë që mosha mesatare e ekipit që luajti të shtunën ishte 23 vjeç, që do të thotë se edhe ky fakt nuk është justifikim. Ajo që duhet të kuptojnë të gjithë është gjendja e kësaj skuadre në krizë të plotë. Në radhë të parë, nuk është një "ansambël" i krijuar për të nderuar veten dhe Shkodrën. Ekipi aktual është një "mbetje" e pretendimeve të mëdha të fillimsezonit. Duke qenë kështu, askush nuk ka të drejtën morale të fajësojë njërin apo tjetrin. Ndeshja e fundit me Laçin rikonfirmoi faktin që Vllaznia është në krizë të plotë. Ajo ka shansin më të mirë që në ndeshjen e fundit të këtij kampionati të kërkojë falje para publikut të saj për zhgënjimin që u solli këtë vit. Nga ana tjetër, nuk është çudi që edhe ndaj Lushnjës në këtë javë të fundit kuqeblutë të jenë hija e vetvetes. Shumëkush mendon se kjo skuadër duhet rindërtuar nga themelet, dikush tjetër që ka nevojë vetëm për "meremetime". E rëndësishme është që skuadra që është tani nuk duhet të jetë më. Të paktën të ndërrojë motivi për të cilin ajo do të luajë, ndryshe të gjithë do të vazhdojnë "të qajnë" për këtë Vllazni, që jo pak ka sjellë dëshpërim te fansët e saj.

Posted: Tue, 17 May 2005 , 13:54
by vllaznia1919
Kuqeblutë, pasiguria për të ardhmen

Në radhët e ekipit shkodran të shumtë janë lojtarët që ende nuk e dinë fatin e tyre për sezonin tjetër. Disa prej lojtarëve aktualë të ekipit, sipas paralajmërimit që ka dhënë presidenca e Vllaznisë, do të largohen. Por se kush do të jenë ata, emrat ende nuk janë deklaruar. Po ashtu, disa prej titullarëve aktualë të skuadrës tashmë kanë marrë edhe ftesat përkatëse nga ekipet e tjera për të ndërruar fanellë. Bëhet fjalë për emra të tillë, si Sinani, Lici, Abilio, Shehi, Belisha etj. Në këtë kontekst, ajo që duhet të flasë është presidenca e klubit. Për të saktësuar shumë gjëra, në radhë të parë për t'i qartësuar vetë këta lojtarë nëse e kanë të sigurt qëndrimin te Vllaznia, apo jo. Të gjithë presin, ndonëse kohë ka shumë në dispozicion, por edhe nuk ka. Skuadra duhet ideuar që tani.

Posted: Tue, 17 May 2005 , 19:04
by kristian
Braziliani do të mungojë në ndeshjen e fundit, pasi ka tre kartonë të verdhë, duke e lënë garën për golashënuesin

Abilio-Vllaznia, sot flitet për kontratën


I deklaruar prej kohësh si i dashuruar pas Vllaznisë, braziliani Abilio megjithatë ende nuk dihet nëse do të qëndrojë te skuadra shkodrane edhe sezonin tjetër apo jo. Një gjë e tillë ende nuk është përcaktuar, madje mund të thuhet se është çështje orësh për ta mësuar të vërtetën rreth këtij fakti. Autori i 20 golave në këtë kampionat për kuqeblutë, edhe më parë e ka shfaqur hapur dëshirën e tij për të qëndruar edhe një vit tjetër në Shkodër. Por dëshira mbetet dëshirë dhe ajo që vendos në këtë mes pa dyshim është ana financiare. Braziliani do të largohet sot për në vendin e tij dhe para se të niset natyrisht që ka planifikuar edhe një bisedë me presidentin e Vllaznisë, Agron Çela. Këtë e bën të ditur vetë sulmuesi, kur shprehet: "Së bashku me Juniorin e kemi lënë të nisemi nesër (sot) për në Brazil. Por përpara nisjes natyrisht që do të bisedoj me presidentin për të ardhmen time. Nëse oferta që do të më bëhet prej tij do të më kënaqte, unë do të kthehem sërish të luaj me Vllazninë edhe sezonin tjetër. Nëse jo, atëherë me shumë të ngjarë nuk do të kthehem më në Shqipëri." Abilio i thotë këto fjalë, duke përmendur faktin që kontrata e tij me shkodranët ka përfunduar. Nga ana tjetër, në klubin shkodran qarkullojnë fjalë se ai ka të firmosur një kontratë dyvjeçare me kuqeblutë. Megjithatë, ajo që do të përcaktojë më qartë të ardhmen e tij, natyrisht që do të jetë takimi me numrin një të klubit shkodran. E rëndësishme është që dy palët kanë dëshirë për të vazhduar bashkëpunimin me njëra?tjetrën. Lojtari që ka luajtur 5 sezone te Partizani erdhi me shumë bujë në "Loro Boriçi" në fillim të këtij sezoni. Një nga dëshirat e tij të mëdha për të dalë me një trofe sivjet nga ky sezon i parë me Vllazninë nuk është realizuar për brazilianin Abilio. Kuqeblutë shkodranë nuk kanë arritur të fitojnë as kupën dhe as kampionatin, duke zhgënjyer, sidomos me paraqitjen e tyre në këtë fundsezoni. Nga ana tjetër, për brazilianin 31-vjeçar nuk është realizuar as ëndrra tjetër, ajo e fitimit të "Këpucës së artë". Një objektiv të tillë ai e ka pasur deri në fund, megjithatë për fatin e tij të keq, nuk do jetë në luftë më për ta fituar këtë trofe të shënuesve. Ai në ndeshjen e fundit me Laçin ka marrë kartonin e tretë të verdhë dhe për rrjedhojë nuk do të luajë kundër Lushnjës në javën e fundit. Një "pishman" i vogël i Abilios i ka mbetur në këtë mes, megjithatë ndihet edhe i kënaqur, sepse bastin që kishte vënë me veten e ka fituar. "Kisha premtuar 20 gola dhe ia arrita. Më vjen mirë për këtë, ndonëse pretendova deri në fund edhe për "Këpucën e artë". Megjithatë, besoj se kam dhënë më të mirën për Vllazninë në këtë sezon të parë dhe, nëse do të jem sërish vitin tjetër, premtoj se do të bëj më tepër," ? thotë Abilio para nisjes për në vendlindjen e tij.

Posted: Wed, 18 May 2005 , 13:31
by vllaznia1919
Abilio-Vllaznia, edhe një vit bashkë

Dashuria mes Vllaznisë dhe brazilianit Abilio do të vazhdojë edhe një vit tjetër. Ky është konkluzioni me të cilin është dalë dje nga takimi që sulmuesi i kuqebluve ka pasur me presidentin e ekipit, Agron Çela. Në këtë mënyrë ka marrë zgjidhje edhe një nga enigmat e para të fillimit të merkatos së kuqebluve. Presidenca e Vllaznisë, duke iu mbajtur premtimeve të saj se do të ndërtonte një skuadër pretendente sezonin që vjen, e ka filluar punën me mbajtjen e brazilianit. Në fakt, ka qenë vetë Abilio ai që dy ditë më parë është shprehur se e ardhmja e tij te Vllaznia ishte në pikëpyetje. Vetë futbollisti i ardhur nga vendi i sambës, pati deklaruar se kontrata e tij me shkodranët kishte qenë njëvjeçare dhe, nëse drejtuesit e klubit nuk uleshin për të biseduar me të para nisjes për në Brazil, ai vështirë të kthehej më atje. Megjithatë, reagimi i presidentit të Vllaznisë, Agron Çela, në lidhje me pretendimet e sulmuesit brazilian Abilio, ka qenë i thjeshtë. Presidenti, duke argumentuar marrëdhëniet e mira me këtë futbollist, ka bërë të ditur se firma që ky futbollist ka hedhur në kontratën e firmosur një vit më parë ka qenë për dy sezone dhe jo për një. Abilio, prej kohësh, duke parandier që sezonit po i vinte fundi, është shprehur se do të mendonte mirë para se të firmoste kontratën e re, megjithëse dëshira e tij ishte të qëndronte sërish në Shkodër. Nga ana tjetër, dje presidenti i Vllaznisë ka treguar se kontrata që është edhe në zyrat e FSHF-së është dyvjeçare. "Di të them që vitin e kaluar me Abilion kemi nënshkruar një kontratë dyvjeçare. Prandaj nuk ka pse të jetë ndryshe. Ky lojtar do të jetë pjesë e Vllaznisë edhe në sezonin tjetër," - është shprehur ai. Pas gjithë kësaj rezymeje, duhet thënë që dy palët dje në drekë janë ulur të bisedojnë. Për këtë qëllim, vetë sulmuesi ka shtyrë edhe udhëtimin e planifikuar për në Brazil. Biseda që ai ka zhvilluar me presidentin Çela ka qenë shumë miqësore dhe në fund të saj mësohet që të dy ata kanë shtrënguar duart. Bashkëpunimi mes tyre do të vazhdojë edhe për një sezon tjetër. Një lajm ky që natyrisht duhet të ketë kënaqur të gjithë simpatizantët e kësaj skuadre, të cilët e kanë kthyer në idhull të tyre brazilianin. Lajmin për akordin e arritur me presidentin e bën të ditur vetë Abilio, kur shprehet: "Në takimin që pata me presidentin, ramë dakord që të vazhdoj të jem pjesë e Vllaznisë edhe në sezonin tjetër. Jam i kënaqur nga ky vendim, sepse në Shkodër ndihem mirë dhe shpresoj njëkohësisht që sezonin tjetër të marr ndonjë trofe me këtë skuadër." Por më i rëndësishëm sesa lajmi që Abilio do të jetë edhe për një sezon tjetër i veshur kuqeblu, është ai i garancisë që po jep presidenca e klubit për ndërtimin e një Vllaznie të madhe në sezonin tjetër.

Posted: Fri, 20 May 2005 , 09:11
by kristian
Shumë lojtarë kuqeblu janë akoma me kontratë, por disa nga emrat cilësorë kanë marrë oferta nga ekipe të tjera

Vllaznia: Ka mjaft kohë për merkaton


Dështimi në këtë sezon natyrisht që ka lënë një shije jo të mirë te të gjithë simpatizantët dhe dashamirësit e futbollit shkodran. Asnjëri prej tyre nuk do ta dëshironte kurrsesi një paraqitje të tillë as sezonin e ardhshëm. Për këtë qëllim, të gjithë presin me sytë nga presidenca aktuale e Vllaznisë se çfarë do të bëjë. Skuadrat e tjera, kuptohet ato që gjithnjë konsiderohen pretendente, i kanë filluar lëvizjet e tyre prej kohësh. Në mos me firma të hedhura, të paktën kanë biseduar dhe i kanë lënë hapur gjërat për ditët në vijim. Ndërkohë, në kampin shkodran, ende punët nuk janë vënë në një vijë të tillë. Hapi i parë që duhet evidentuar, është mbajtja edhe për sezonin tjetër në skuadër e brazilianit Abilio. Kjo duket të jetë lëvizja e parë, por që nuk mjafton. Siç është bërë e ditur tashmë edhe përmes shtypit sportiv, disa prej skuadrave të tjera kanë hedhur "grepat" për disa prej titullarëve aktualë të Vllaznisë. Emrat e tyre tashmë janë bërë publikë dhe janë jo pak tundues. Sinani, Shehi, Lici, Belisha e ndonjë tjetër, i kanë gati ofertat për të ndërruar fanellë. Secili prej tyre, natyrisht, pret se çfarë do të ndodhë në radhë të parë te Vllaznia, për të nisur pastaj ndonjë aventurë tjetër. E sigurt duket që Partizani është skuadra që po tenton të mësyjë më tepër drejt futbollistëve të Vllaznisë. Burime pranë këtyre lojtarëve i konfirmojnë ofertat që kanë marrë nga Xhani dhe, megjithatë, asgjë nuk është e qartë. Në Shkodër, ndërkohë, nuk po nguten. Vetë presidenti Çela herë pas here është shprehur se është ende herët për të folur për merkato. Sezoni aktual ende nuk ka përfunduar dhe si i tillë ka shumë kohë derisa të nisë i riu. Për më tepër që Vllaznia sivjet nuk do të marrë pjesë në asnjërën prej kupave të Europës. Deri në korrik, kur mund të nisë stërvitja e kuqebluve, ka shumë kohë në dispozicion, por edhe nuk ka. Nëse presidenca shkodrane ka të piketuar si përforcime disa prej lojtarëve më të mirë të kampionatit tonë, nëse pritet korriku, do të jenë shumë të vonuar. Megjithatë, presidenti Çela ka premtuar se gjërat do të fillojnë të lëvizin aty nga mesi i qershorit, periudhë kur edhe mund të mësohen emrat e lojatrëve që do të veshin fanellën kuqeblu për sezonin tjetër. Deri atëherë duhet sqaruar problemi i kontratave të disa prej lojtarëve që janë aktualisht te Vllaznia. Sinani, Lici dhe Shehi duket se janë të vetmit që do të jenë të lirë pas përfundimit të këtij sezoni. Ndaj tyre normalisht nuk duhet vonuar oferta, por deri dje asgjë nuk është konkretizuar në këtë mes. E rëndësishme është që disa lojtarë të tjerë, si Belisha, Teli, Doçi, Ahi, Beqiri, Ndoja etj., kanë edhe nga një vit kontratë me kuqeblutë, që do të thotë se baza është, por mbeten vetëm përforcimet cilësore.

Posted: Fri, 20 May 2005 , 09:14
by kristian
Orges Shehi mes Vllaznisë dhe Partizanit


Ashtu siç përflitej, ashtu ka rezultuar. Skuadra e Partizanit i ka bërë ofertë portierit aktual të Vllaznisë, Orges Shehi. Këtë e pranon edhe vetë portieri durrsak, i cili, nga ana tjetër, shprehet se është ende herët për të vendosur për të ardhmen e tij. "Unë kam një kontratë me Vllazninë deri në ditët e para të qershorit me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër. Por përveç Vllaznisë, që ka shprehur dëshirën për të më pasur sërish në skuadër, mund të konfirmoj se edhe Partizani më ka bërë një ofertë. Ende nuk kam vendosur se me kë do të luaj. Kjo gjë mund të mësohet vetëm pas disa kohësh," ? është shprehur Shehi. Natyrisht që paraqitja e tij e sivjetme në radhët e kuqebluve ka qenë përgjithësisht e mirë dhe jo më kot blerja e tij është konsideruar një nga më të rëndësishmet për Vllazninë e këtij sezoni. Megjithatë, në këtë periudhë merkatoje, pa dyshim që emri i tij nuk kishte se si të mos ishte objekt i merkatos, aq më tepër kur portierë cilësorë ka pak kampionati ynë. Si rrjedhojë, në skenë tashmë ka dalë edhe Partizani dhe Shehit i duhet të bëjë zgjedhjen e tij.

Posted: Fri, 20 May 2005 , 13:40
by vllaznia1919
Te marrin nej portier shkodran pra,Grima apo Mustafa.

Posted: Fri, 20 May 2005 , 13:46
by vllaznia1919
Kuqeblutë me mungesa ndaj Lushnjës

Në ndeshjen e fundit të këtij kampionati Vllaznia do të ketë shumë mungesa në radhët e saj. Kështu, siç bëhet e ditur, do të mungojnë për arsye kartonësh Abilio dhe Junior, ndërsa Teli është i skualifikuar pas vendimit të komisionit të disiplinës. Nga ana tjetër, një lajm i mirë për trajnerin Medja është rikthimi në skuadër pas dy javëve pezullim i sulmuesit kryesor të saj, Sinani. Stafi drejtues i kuqebluve bën të ditur se në këtë takim do të kenë mundësi të thonë fjalën e tyre edhe disa prej të rinjve që bëjnë pjesë aktualisht në skuadër. Kjo nuk do të thotë se Vllaznia nuk do të ketë objektiv prioritar fitoren e këtij takimi të fundit të këtij kampionati.

Posted: Tue, 24 May 2005 , 13:35
by vllaznia1919
"Deda" apo Bushati, trajner i Vllaznisë?

Ndërrimi i stafit drejtues aktual të Vllaznisë tashmë është punë e kryer. Ajo që mbetet është vetëm pritja edhe për disa ditë të tjera për të mësuar për emrat e rinj që do ta drejtojnë skuadrën shkodrane. Ai që thotë se ringritja e skuadrës do të fillojë nga stafi drejtues për të vazhduar më pas me lojtarët, është vetë presidenti i kuqebluve, Agron Çela. "Ndërtimi i skuadrës do të fillojë që nga përzgjedhja e stafit të ri drejtues të ekipit,"ka thënë ai. Në këtë aspekt, ideja duket e qartë dhe serioze. Më parë se presidenca e klubit të bëjë gati kontratat e reja, natyrisht që duhet marrë edhe mendimi i njeriut që do të punojë për një vit me radhë me ta. Parë në këtë këndvështrim, shanset për të bërë një Vllazni shumë më ndryshe sivjet duken të mëdha. E sigurt duket që trajneri që ka drejtuar në këto javë të fundit skuadrës, Agim Medja, nuk do të jetë më në krye të kësaj skuadre. Kjo gjë ende nuk është zyrtarizuar, por ajo që të çon në këtë mendim është fakti që me të askush nuk ka folur për vazhdimësinë. Pavarësisht nga kjo, Medja është shprehur se është i hapur ndaj çdo propozimi të presidencës. "Ne trajnerët jemi gjithnjë në dispozicion të zanatit tonë. Aktualisht e kam mbyllur atë kontratë miqësore që kam pasur me drejtuesit e Vllaznisë dhe ende nuk kam bërë asnjë bisedë tjetër, nëse do të vazhdoj të punoj me këtë skuadër apo jo. Megjithatë, unë jam sërish në shërbim të skuadrës edhe për të rifilluar stërvitjen me të të mërkurën, derisa të bisedojmë se çfarë do të bëhet,"ka thënë trajneri Medja. Ky i fundit e ka marrë drejtimin e Vllaznisë në një moment shumë të vështirë pas dorëheqjes së Vasil Bicit. Në "epokën Medja", kuqeblutë kanë zhvilluar 8 ndeshje, nga të cilat kanë fituar 3, barazuar po aq dhe humbur 2 të tjera. Por, siç e thamë, rënia e skuadrës në këto javë të fundit ka ardhur jo si rrjedhojë e drejtimit jo të mirë nga stoli. Megjithatë, shkodranët janë vënë në kërkim të trajnerit të ri. E sigurt është që ai do të jetë një emër i njohur. Kandidaturat dhe emrat përkatës për këtë post kanë filluar prej ditësh të qarkullojnë. Në "pole-position" duket se është malazezi i njohur për shkodranët, Dervish Haxhiosmanoviç. Ai herë pas here ka shprehur dëshirën e tij për t'u rikthyer në "timonin" e Vllaznisë në çdo rast që drejtuesit e saj do ta shihnin të nevojshëm. Shanset për të ndodhur kjo janë të mëdha, aq më tepër që në Shkodër ai ka shumë njerëz që e adhurojnë mënyrën e tij të drejtimit. Por nga ana tjetër, ditët e fundit ka dalë në skenë edhe emri i Artan Bushatit. Njeriu që drejtoi me sukses Elbasanin sezonin që sapo përfundoi ka deklaruar tashmë divorcin me këtë skuadër pas ndeshjeve të Kupës UEFA. Arsyet, kuptohet, janë ato familjare dhe për rrjedhojë më mirë se në Shkodër ai nuk ka ku ndihet tjetër. Pavarësisht këtyre emrave, që duhet pranuar se nuk janë zyrtarizuar nga presidenca kuqeblu si kandidatura të stolit së tyre, ajo që mbetet është të presim. "Të jeni të sigurt se ne do të kërkojmë trajnerin më të mirë për të drejtuar Vllazninë. I huaj apo vendës, për ne nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme është të jetë më i miri,"është shprehur para pak ditësh presidenti Çela.

Posted: Tue, 24 May 2005 , 13:37
by vllaznia1919
Kuqeblutë, 30 futbollistë për një vend të 4-t

Numri i futbollistëve që kanë luajtur sivjet te Vllaznia ka qenë 30. Në pamje të parë konsiderohet i madh, gjithnjë duke e vlerësuar me renditjen përfundimtare të kampionatit. Në këtë kontigjent lojtarësh përfshihen edhe blerjet që presidenca e klubit ka bërë gjatë këtij sezoni dhe emrat nuk janë të paktë. Duke filluar nga Shehi e Abilio, për të shkuar më tej me Ziambon, Singbon, Oliveirën, Leandron, Gjokoviçin, Alcanin, Juniorin, Liçajn e Tomën. Janë plot 11 futbollistë, për të cilët është shpenzuar jo pak. Por në të vërtetë, vetëm 2 prej tyre e justifikuan plotësisht veten. Bëhet fjalë për dy të parët, portierin Shehi dhe sulmuesin Abilio. Të dy këta futbollistë kanë luajtur edhe më tepër se askush tjetër këtë sezon te kuqeblutë, nga 34 ndeshje, po aq sa dhe kapiteni Lici. Në minutazhin e luajtur, megjithatë, dy "jabanxhinjtë" janë më përpara: durrsaku 3015 minuta të luajtura dhe braziliani 2989 minuta. Pas tyre, Lici me 2926 minuta, pastaj udhëheqi shkodranët e tjerë, Teli me 2790 (31 ndeshje), Belisha me 2521 (30 ndeshje), Kraja me 2439 minuta (30 ndeshje) dhe Doçi me 2324 minuta (31 ndeshje). Jo shumë larg tyre qëndron edhe Sinani, i cili iu bashkua skuadrës vetëm në javën e 11?të dhe megjithatë ishte në fushë për 2082 minuta në 24 ndeshje. Kjo është pak a shumë "fytyra" e Vllaznisë e sezonit që shkoi. Të tjerët nuk kanë qenë asnjëherë stabël. Kanë shërbyer sa për të plotësuar 11?shen, ose kanë hyrë dhe kanë dalë pa ndonjë ndikim të madh në lojën e ekipit shkodran. Nga blerjet që presidenca bëri këtë sezon, natyrisht që pritej më tepër nga Leandro (që iku dhe nuk pranoi të kthehej më), Ziambo e Singbo, të dy të larguar në mënyrë të mistershme nga Shkodra. Ndërsa "dështimet" më të mëdha të merkatos kuqeblu pa dyshim që janë emrat e Liçajt dhe Tomës. Për ta vërtet nuk është se u shpenzua ndonjë shifër kushedi se çfarë, por e papranueshme për ta është etiketimi si "blerje të Vllaznisë" dhe aktivizimi i tyre shumë pak: Toma 35 minuta dhe Liçaj edhe më keq, 14. Ky i fundit madje ka bërë edhe fazën përgatitore me kuqeblutë. Në këtë logjikë, e gjithë ecuria e kësaj skuadre në sezonin që sapo u mbyll ka nevojë për një analizë të thellë, nga ku mund të nxirren gabimet, por edhe mësimet për të ardhmen. E vetmja gjë që Vllaznia fitoi sivjet janë disa të rinj të saj. Sukaj, Lika, Cani, D.Zmijani dhe Tërmeti e provuan ta veshin fanellën kuqeblu. E provuan përgjegjësinë që mbart në vetvete kjo gjë dhe tashmë të gjithë presin që sezonin e ardhshëm ata ta thonë edhe më mirë fjalën e tyre.

Posted: Wed, 25 May 2005 , 14:01
by vllaznia1919
Bie kandidatura e Bushatit për kuqeblutë

Deri dje konsiderohej një nga më të mundshmit e emërimit në krye të stolit shkodran. Por po dje vetë Artan Bushati, në njëfarë mënyre, e ka hedhur poshtë një mundësi të tillë. Jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por logjikshëm dhe kjo rrugë e përcaktuar prej tij sjell ndoshta edhe "jo"?në e tij. I pyetur në lidhje me faktin që emri i tij përflitej për uljen në krye të stolit shkodran, tashmë që ai nuk do të punojë më me Elbasanin, Bushati me diplomaci i është përgjigjur: "Sa i takon të ardhmes sime si trajner, nuk mund të them asgjë të sigurt. I kam premtuar presidentit Laze të Elbasanit se do ta drejtoj këtë skuadër deri pas ndeshjeve të Kupës UEFA. Pas tyre unë do të jem i lirë dhe do të pres ofertat që do më bëhen, por, që të jem i sinqertë, nuk e di saktësisht se kur do ta lë punën me skuadrën elbasanase. Pretendimet e saj do të jenë për të kaluar një apo dy ture, prandaj me asnjë ekip tjetër nuk mund të lidhë as marrëveshje xhentëlmenësh. Kjo sepse asnjë skuadër nuk mund të presë kaq gjatë për një trajner, sepse ajo do përgatitjen e duhur për të përballuar siç duhet një sezon të gjatë." Në këtë mënyrë, kur Vllaznia është vënë në kërkim të trajnerit të ri (emri i tij mund të mësohet që javën e ardhshme), kandidatura e Bushatit ka rënë.

Posted: Thu, 26 May 2005 , 13:28
by vllaznia1919
Vllaznia, të shtunën analiza e sezonit

Paraqitja e skuadrës në edicionin që sapo përfundoi nuk do të kalojë pa u analizuar imtësisht. Një gjë e tillë pritet të bëhet ditën e shtunë, kur është lënë për t'u zhvilluar edhe analiza përfundimtare e këtij sezoni përgjithësisht të dështuar. Ajo çfarë të bën përshtypje është fakti që kërkesa për zhvillimin e kësaj analize nuk ka ardhur nga drejtuesit e klubit, por nga vetë stafi drejtues dhe futbollistët. Ata me sa duket, duan të marrin gjithsecili përgjegjësitë e veta për mosarritjen e objektivave të këtij sezoni, por mbi të gjitha duan të mësojnë më shumë gjëra në lidhje me të ardhmen. Siç ishte paralajmëruar, kuqeblutë janë mbledhur edhe dje për të zhvilluar një seancë stërvitore të lehtë. E planifikuar për t'u zhvilluar pasdite, ajo është zhvendosur në orët e paradrekes. E veçantë ka qenë paraqitja e thuajse e të gjithë kontigjentit të skuadrës që mbylli sezonin. Përjashtim këtu bënin vetëm Alcani e Junior, që përfundimsht i kanë dhënë lamtumirën Vllaznisë, si dhe Abilio që është me pushime në Brazil. Të tjerët kanë qenë të gjithë të pranishëm, futbollistë e trajnerë. Këta të fundit, me Medjen në krye, kanë treguar se e duan këtë skuadër dhe nuk mund ta braktisin kollaj atë, megjithëse kontrata morale që mund të kenë pasur me presidencën mund t'i ketë përfunduar. Në njëfarë mënyre, ky është një lajm i mirë për shkodranët, sepse tregon se të gjithë ata që janë aktualisht në skuadër, dëshirojnë të qëndrojnë sërish aty, nëse presidenca vazhdon të mbajë raporte korrekte me ta. Kuptohet, stërvitja e djeshme ka qenë e thjeshtë dhe është zhvilluar me synimin që futbollistët të mos bien menjëherë në pasivitet. Pas përfundimit të kësaj seance, mësohet se të dy palët, si futbollistë, ashtu dhe trajnerët, kanë qenë të një ideje: pikërisht të asaj për zhvillimin e një analize të përgjithshme të sezonit që përfundoi dhe për atë që do të vijë. Palët kanë pasur një miratim edhe nga ana e presidencës për zhvillimin e kësaj analize dhe gjithçka është lënë për t'u zhvilluar ditën e shtunë. Kjo analizë, natyrisht, pritet me mjaft interes, sepse për të parën herë pas disa kohësh skuadra dhe presidenca vihen përballë njëra?tjetrës. Pika më interesante e kësaj analize natyrisht që do jetë diskutimi në lidhje me Vllazninë e ardhshme. Pjesëtarët aktualë të saj duan të dinë nëse do të jenë apo jo pjesë e saj edhe për të ardhmen, apo duhet të mendojnë për ndonjë "strehë" tjetër. Megjithatë, kjo nuk vlen për shumicën e ekipit, sepse ata kanë kontrata dyvjeçare me presidencën. Bëhet fjalë për 3 apo 4 titullarë që janë të lirë tashmë dhe kanë marrë njëkohësisht ofertat e para nga ekipet e tjera. Por para se të vendosin, ata natyrisht që kanë dëshirë të marrin edhe ofertën kuqeblu. Në këtë analizë pritet të mësohet edhe mbi fatin e stafit Medja. Për të gjitha këto, natyrisht që ia vlen të pritet me interes analiza e ditës së shtunë.

Posted: Fri, 27 May 2005 , 13:55
by vllaznia1919
Roland Luçi, në radhë për stolin kuqeblu

Në listën e emrave që pritet të ulet në stolin shkodran ditët e fundit është shtuar edhe një emër tjetër. Bëhet fjalë për Roland Luçin, një emër i njohur ky për historinë e futbollit shkodran. Ish-futbollisti i viteve '80 ka dalë në skenë ditët e fundit si një kandidaturë për t'u ulur në stolin e Vllaznisë. Luçi, aktualisht, jeton e punon prej vitesh në Austri, megjithatë asnjëherë nuk i ka shkëputur lidhjet me skuadrën e qytetit të tij të lindjes. Në të vërtetë, dalja e tij në skenë si kandidaturë pati ndodhur që në muajin korrik të vitit të kaluar. Ai kishte udhëtuar që nga Austria për në Kroaci për të ndjekur ndeshjen e Vllaznisë për Kupën Intertoto kundër vendësve të Slaven Belupos. Kontaktet që pati me drejtuesit shkodranë kanë lënë çdo gjë të hapur për ndonjë bashkëpunim në vazhdim. Ndërkohë, tashmë skuadra ka nevojë për një trajner. Në fillim të kësaj jave, dy ishin kandidaturat që lakoheshin më tepër: Dervish Haxhiosmanoviç dhe Artan Bushati. Ky i dyti, vetëm një ditë më vonë, në mënyrë indirekte la të kuptohej se nuk do të ulej në stolin e Vllaznisë. Po ashtu, edhe kandidatura e "Dedës", megjithëse pëlqehet shumë në publik, nuk është se ka fituar pikë te drejtuesit, për të cilët gjithsesi mbetet një alternativë. Megjithatë, ajo e Roland Luçit duket se është në "pole-position" për momentin.

Posted: Sat, 28 May 2005 , 11:35
by kristian
Shumë pjesëtarë të ekipit kuqeblu do të marrin përgjigje për të ardhmen e tyre, duke filluar nga trajneri Medja

Vllaznia, sot takimi presidencë-skuadër


Piketat e Vllaznisë së ardhshme pritet të hidhen sot. Të paktën kështu është deklaruar nga drejtuesit e skuadrës, të cilët kanë lënë një takim me presidencën pikërisht paradreken e sotme. Një takim i tillë është kërkuar madje nga vetë futbollistët dhe stafi drejtues i skuadrës. Secili prej kuqebluve kërkon të mësojë diçka më tepër në lidhje me të ardhmen e tyre. E vërteta është se deri më sot pikëpyetjet janë të mëdha në lidhje me ndërtimin e ekipit të ri. Presidenti Çela, pikërisht një javë më parë, në ditën e ndeshjes së fundit të kampionatit me Lushnjën, do të deklaronte se Vllaznia e madhe do të ndërtohej shpejt. Madje njëshi i klubit kuqeblu, ndër të tjera, do të përmendte që ai dhe stafi i tij kishin hyrë në bisedime me plot 13 lojtarë të kampionatit tonë. Por pas kësaj deklarate, Çela, për një tjetër udhëtim pune ka udhëtuar drejt Greqisë, nga ku do të jetë kthyer mbrëmë vonë. Gjatë këtyre ditëve, ndërkohë, skuadra ka qenë në një amulli të plotë. Lojtarët ditën e mërkurë kanë dalë sërish në stërvitje, më tepër për të parë se çfarë do të bëhet me ta sesa për të djersitur. Nga ana tjetër, trajneri Agim Medja pret edhe ai të mësojë për fatin e tij. Deri më sot ka vazhduar të bëjë punën që i ishte ngarkuar pa as më të voglën ankesë, por tani duket se ka ardhur momenti që të kërkojë të dijë më shumë rreth fatit të tij. "Unë vazhdoj të jem në krye të skuadrës, të paktën deri nesër (sot) kur do të takohemi me presidentin. Në të vërtetë, mund të mos jem më në krye të kësaj skuadre, por e kam vazhduar punën deri në këto momente nisur nga ndjenja e qytetarit, specialistit dhe dashamirësit të futbollit. Shpresoj që zgjidhja e problemit të trajnerit të marrë rrugë sa më shpejt, për të ditur secili pozicionin e vet," - ka thënë Medja. Nga ana tjetër, me interes e presin takimin e sotëm me presidentin edhe futbollistët. Të paktën tre prej tyre e kanë përfunduar kontratën që kanë pasur të fitmosur me kuqeblutë dhe tashmë janë në pritje të ofertës së re që do t'u bëjë Vllaznia. Dhe në të vërtetë nuk është se bëhet fjalë për lojtarë të çfarëdoshëm, por për emra të tillë, si Sinani, Lici dhe Shehi. Të tre ata, në prononcimet e tyre të këtyre ditëve, kanë bërë të ditur ofertat që kanë marrë nga disa ekipe të tjera, por ndërkohë janë duke pritur edhe ofertën që do t'u bëjë presidenca shkodrane. Dëshira e tyre është për të vazhduar qëndrimin e tyre në "Loro Boriçi", por nëse sponsorët e Vllaznisë nuk nxitojnë në ofertat e tyre, nuk është çudi që të tre këta lojtarë pas pak ditësh t'i shohim me fanellë tjetër të veshur. Sezoni i ri natyrisht që nuk nis tani. Ai ka edhe shumë kohë për të startuar dhe si rrjedhojë për të ndërtuar një skuadër ka kohë shumë, por edhe jo. Futbollistët cilësorë nuk gjenden shpesh të lirë, prandaj dhe duhet shpejtuar. Te kuqeblutë mbase piketat e sezonit të ri mund të hidhen që sot.

Posted: Sun, 29 May 2005 , 10:39
by kristian
Lojtarët titullarë nuk do të lejohen të ikin, pasi javën që vjen do të diskutohen kontratat e tyre

Presidenca e Vllaznisë, garanci për të ardhmen


Për skuadrën shkodrane, lajme të mira duket se po vijnë. Drejtuesit e klubit kanë vendosur të mos lejojnë largimin e disa prej titullarëve aktualë të ekipit për në skuadrat e tjera. Kështu të paktën bëhet e ditur nga burime pranë klubit të Vllaznisë, të cilat i referohen një bisede që trajnerët Medja e Ndoja kanë pasur me presidentin Çela. Ky takim (më tepër ka qenë një kafe pune) është zhvilluar dje paradreke dhe, për rrjedhojë, mund të merret si një lajm i mirë për kuqeblutë. Deklarimi i drejtuesit më të lartë të klubit për një qëndrim të lojtarëve titullarë edhe për sezonin tjetër, natyrisht që është një plus më tepër për ndërtimin e skuadrës së ardhshme. Dhe nuk bëhet fjalë për emra pa ndonjë bujë, por për Sinanin, Licin e Shehin. Pa harruar këtu edhe Abilion, Belishën e Telin, që kanë ende kontratë me kuqeblutë. Duke qenë kështu, baza e ekipit të ardhshëm është dhe ajo që mbetet natyrisht që është afrimi i lojtarëve të tjerë nga merkatoja. Edhe në këtë pikë mësohet se presidenti Çela ka dhënë garancinë se disa nga emrat e piketuar që tani do të veshin fanellën kuqeblu në të ardhmen. Në këtë kontekst, edhe tifozeria shkodrane duket se tani e tutje do të ndihet më e qetë sa i takon ankthit të saj për ringritjen e Vllaznisë. Dita e djeshme është shoqëruar me një ritakim të futbollistëve kuqeblu për një seancë stërvitore të dytë pas asaj të së mërkurës. Ideja e zhvillimit të kësaj seance ka qenë pa dyshim edhe mundësia për t'u takuar me presidencën e tyre dhe saktësimin e shumë gjërave që kishin të bënin me të ardhmen. Skuadra, në orën 9:30 të paradrekes, është grumbulluar në ambientet e stadiumit "Loro Boriçi" dhe ka zhvilluar një stërvitje të lehtë. Megjithatë, futbollistët nuk janë takuar me drejtuesit e klubit dhe këtë mundësi e kanë pasur vetëm trajnerët Medja dhe Ndoja. Këta të fundit janë takuar me presidentin Çela dhe kanë pirë kafe së bashku, duke diskutuar gjerë e gjatë edhe për problemet që e shqetësojnë aktualisht skuadrën. Trajnerët natyrisht që si problemin më të rëndësishëm kanë shtuar idenë e largimit të 3?4 titullarëve, që i kanë gati ofertat nga klubet e tjera. Një gjë e tillë do të ishte me pasoja për ekipin, pasi ata janë boshti i tij. Por këtij shqetësimi, numri 1 i klubit natyrisht i ka paraprirë me deklaratën se këta lojtarë do të vazhdojnë të qëndrojnë të veshur kuqeblu. Kontaktet me ta për shtyrjen e kontratës do të bëhen javën që vjen dhe, duke parë edhe dëshirën e këtyre futbollistëve për të qëndruar sërish te Vllaznia, atëherë lajmet duken të mira. Ajo që mbetet natyrisht që është takimi që presidenca do të ketë me këta lojtarë dhe hedhja "e së bardhës mbi të zezë". Njëlloj siç bëri Abilio para pak kohësh, kur firmosi qëndrimin e tij edhe për një vit tjetër në Shkodër.

Posted: Mon, 30 May 2005 , 14:03
by vllaznia1919
Vllaznia, ku projektet nuk mungojnë

Ekipi shkodran ka filluar pushimet. Kjo sa u takon futbollistëve që e përbëjnë këtë ekip, por ndërkohë drejtuesit e tij i kanë zënë "ethet". Sytë e të gjithë shkodranëve janë të drejtuar drejt tyre. Ata presin se çfarë do të ngjasë me Vllazninë e ardhshme. Sezoni që sapo lamë pas ishte dëshpërues për të gjithë dashamirësit e kësaj skuadre. Ata kanë parë me sytë e tyre se si Tirana i mundi plot 6 herë, kanë parë se si nuk mundën të rivalizojnë dot me Elbasanin e bujshëm të këtij sezoni. Për më tepër, kanë parë edhe atë më të çuditshmen, shkarjen edhe nga vendi i tretë, pavarësisht se në fillim të fazës së katërt ishin plot 10 pikë para Dinamos. Në këtë mënyrë, kuqeblutë kanë dalë duarbosh nga i gjithë ky sezon prej 44 ndeshjesh dhe, për më tepër, janë braktisur edhe nga tifozët e tyre. Kjo ka qenë e pafalshme. Në Shkodër, kur diskutohet për problemin e trajnerit, të gjithë thonë: Vllaznia edhe pa trajner fare del në vendin e katërt. Sivjet, skuadra i pati trajnerët, pati edhe drejtorët teknikë apo shefin e klubit. Strukturat e klubit nuk kanë munguar, por rezultatet po. Nga ana tjetër, në gjithë ambientet sportive të këtij qyteti shpeshherë thuhet: Vllaznia nuk ka nevojë për një "koloni të huajsh". Edhe me shkodranët ajo është në gjendje të arrijë vendin e katërt, madje dhe më lart. Në Shkodër këtë sezon kanë "bujtur" plot 11 "jabanxhinj", pa harruar edhe rumunët, apo malazezët e shumtë që janë provuar te kjo skuadër. Shpenzimet për ta kanë qenë të mëdha dhe në këtë kontekst, ajo që del në plan të parë është menaxhimi jo i mirë i skuadrës. Pikërisht për të mos ndodhur më kështu, presidenca e klubit në projektet që po bën për sezonin e ardhshëm kërkon të tregohet shumë e matur. Ajo është duke i shoshitur mirë gjërat, duke filluar nga përzgjedhja e trajnerit të ri, për të vazhduar më pas edhe me lojtarët. Hedhja në letër e këtyre projekteve ka ditë që ka filluar dhe duke nisur nga dita e nesërme mund të konkretizohen. Por si do të jetë Vllaznia e ardhshme? Kësaj përgjigjeje ende askush nuk është në gjendje t'i përgjigjet, ndoshta as vetë presidenti Çela, pasi ende nuk dihet nëse do t'i realizohen të gjithë planet që ka në kokë. Deri më sot, vetëm "receta Sinani" duket se ka më shumë shanse të zbatohet. Kthimi i të gjithë shkodranëve në skuadër dhe blerja e 3-4 lojtarëve të tjerë tepër cilësorë. Po të ndodhë kështu, sulmuesi i njohur është shumë i bindur se suksesi nuk do të vonojë të vijë. Ideatori i një teorie të tillë natyrisht që është i mirënjohuri Paulin Ndoja. Ai edhe sezonin e kaluar ka qenë i të njëjtit mendim, pavarësisht se si shkuan punët. Megjithatë, asgjë nuk është e përfunduar. E sigurt është që dëshira për të ndërtuar një Vllazni pretendente ekziston te të gjithë. Se çfarë do të ngjasë më vonë, mbetet për t'u parë.

Posted: Mon, 30 May 2005 , 14:04
by vllaznia1919
Të rinjtë, ata që mbeten kuqeblu sërish

Baza e Vllaznisë së ardhshme ekziston. Një grup të rinj 17?22-vjeçarësh janë dhe do të jenë sërish pjesë e skuadrës edhe për sezonin tjetër. Ata kanë të firmosur kontrata dy dhe trevjeçare me klubin dhe si të tillë mendojnë vetëm sa për t'u afirmuar sa më tepër me fanellën kuqeblu. Aktualisht, me kontrata edhe për sezonin tjetër, përveç të njohurve të formacionit, Belisha e Teli, janë edhe emrat e tjerë, si Ndoja, Doçi, Ahi, Hoti, Beqiri, D.Zmijani, për të vazhduar me të të rinjtë, Tërmetin, Canin dhe për të përfunduar me 17-vjeçarët Sukaj, Tafili e Lika. Garancia e së ardhmes është e sigurt për skuadrën shkodrane. Për Shkodrën, gjithnjë është thënë që prodhon talente dhe ata janë prezent edhe tani në skuadër. Natyrisht, kur ke një prapavijë të tillë të sigurt, ajo që kërkohet është një grup lojtarësh të tjerë cilësorë dhe më me përvojë, të cilët do të udhëheqin skuadrën. Prova që këta të rinj dhanë me aktivizimet e tyre këtë sezon që sapo u mbyll është një garanci për një paraqitje edhe më të mirë sezonin tjetër.

Posted: Wed, 01 Jun 2005 , 14:07
by kristian
Presidenti kuqeblu deklaron se drejtuesi i ri i stolit nuk është zgjedhur akoma, edhe pse janë 3-4 kandidatura

Çela: Trajneri i Vllaznisë, vetëm të shtunën


Skuadra shkodrane ende nuk e ka emëruar trajnerin e saj të ri. Ndryshe nga sa është publikuar dje në shtypin sportiv, lajmin për caktimin e Roland Luçit në krye të kuqebluve është vetë presidenti Çela që mohon gjithçka në lidhje me këtë çështje. "Mund të them që ende nuk e kemi zgjedhur trajnerin e ri. Nuk është e vërtetë që kemi përfunduar çdo gjë me Roland Luçin, por mund të them që ai vazhdon të jetë një nga kandidaturat për të qenë trajner i Vllaznisë," ? ka thënë numri një i klubit shkodran. Me këtë deklaratë, natyrisht që sqarohen shumë gjëra, për më tepër që skuadra ende nuk e ka "timonierin" e saj. Por nga ana tjetër, duke folur për "Sportin shqiptar", presidenti Çela ka dhënë edhe afatin e fundit deri kur kjo çështje do të marrë një zgjidhje përfundimtare, prandaj shton: "Besoj se deri të shtunën ka për t'u zgjidhur çdo gjë. Gjatë këtyre ditëve ne do të mundohemi të zgjedhim kandidaturën më të mirë. Mund të saktësoj që janë 3?4 kandidatura pretendente për t'u vënë në krye të Vllaznisë. Dy prej tyre tashmë i keni publikuar, janë Roland Luçi dhe Artan Bushati. Të tjerët janë edhe ata emra të njohur, megjithatë, siç e thashë, të shtunën do të vendoset gjithçka. Në këtë mënyrë, pavarësisht se ishte premtuar që puna te Vllaznia do të niste që sot me emra konkretë, kjo gjë është shtyrë edhe për disa ditë të tjera. Megjithatë, kandidatura e Roland Luçit duket se ka më shumë shanse për të qenë fituese e "tenderit" për vendin e trajnerit të kuqebluve. Dëshira e tij për t'u rikthyer në Shkodër pas disa vitesh emigrimi në Austri, mund të konkretizohet me marrjen e vendin të drejtuesit të stolit në skuadrën ku ka bërë jo pak karrierë si futbollist. Bëhet e ditur se Luçi mund të vijë sot në Shkodër dhe nuk përjashtohet mundësia që të ulet menjëherë në bisedime me presidencën e klubit. Pavarësisht nga këto aludime, ajo që mbetet është deklarata e djeshme e presidentit Çela. Njeriu që investon për këtë skuadër për të tretin sezon me radhë ka lënë të kuptojë hapur se problemi i trajnerit nuk ka marrë ende një zgjidhje përfundimtare. Deri të shtunën mbeten ende për t'u bërë shumë, por e rëndësishme është që të zgjidhet më i miri për drejtimin e këtij ekipi. Ajo çka është më kryesorja ka të bëjë pikërisht me zgjidhjen e këtij problemi në radhë të parë. Pas tij duhet patjetër të shpejtohet në merkatoja, duke pasur natyrisht edhe miratimin e trajnerit të ri për çdo lëvizje që do të bëhet. Punët vetëm kështu nisin mbarë në një skuadër që kërkon të jetë pretendente dhe Vllaznia ashtu dëshiron të jetë pas këtij sezoni zhgënjyes që la pas.

Posted: Wed, 01 Jun 2005 , 14:08
by kristian
Përpjekje për të mbajtur titullarët tek Vllaznia


Problemi që ka shqetësuar drejtuesit e Vllaznisë këto ditë nuk ka pasur të bëjë vetëm me zgjedhjen e trajnerit të ri. Kjo ka qenë njëra pistë e punës që ka bërë presidenca kuqeblu. Pista tjetër ka pasur të bëjë me mbylljen e bisedimeve me disa prej titullarëve aktualë të skuadrës, të cilëve u kanë përfunduar kontratat me Vllazninë dhe kanë marrë oferta prej ekipeve të tjera. Bëhet fjalë për lojtarë me peshë në skuadrën kuqeblu, si Sinani, Lici e Shehi, të cilët janë përpara dilemës për të qëndruar sërish në këtë skuadër, apo për të lëvizur diku tjetër. Megjithatë, drejtuesit e Vllaznisë i shohin këta lojtarë si baza e skuadrës së ardhshme që ka filluar të projektohet. Për rrjedhojë, bëhet e ditur se pjesëtarë të presidencës kuqeblu kanë filluar bisedimet me këta lojtarë për të mundësuar shtyrjen e kontratave. Këtë e konfirmon edhe vetë presidenti Agron Çela, që shprehet: "Dëshira jonë është për t'i mbajtur këta lojtarë. Ata janë pjesë e rëndësishme e skuadrës sonë dhe prandaj kemi filluar bisedimet me ta për të firmosur kontratat e reja. Shpresoj shumë që të gjejmë mirëkuptimin dhe këta lojtarë të vazhdojnë të jenë pjesë e Vllaznisë edhe për sezonin e ardhshëm."