Holandë-Spanjë, sfidë mes filozofive të ndryshme
Në fakt, dy kombëtaret që do të diskutojnë Kupën e Botës kanë një të përbashkët të madhe: luajnë futboll sulmues. Por e veçanta mes tyre është se secila e interpreton këtë lojë sulmuese në mënyra të ndryshme. Holanda mbështetet kryesisht te lojtarët e avancuar, kurse Spanja sulmon nga mesfusha, me topa që kalojnë patjetër në këmbët e mesfushorëve
Portokallinjtë kanë hequr dorë nga futbolli total, me të cilin paraardhësit e tyre kanë bërë historinë. Nuk prodhojnë spektakël (për këtë shumë u kanë ‘tërhequr veshin’), por gjithsesi arritën deri në finalen e kampionatit botëror që mungonte prej vitit 1978. Jo vetëm kaq: Holanda ka fituar të gjashta ndeshjet deri tani dhe gjithashtu, të 10 takimet e luajtura gjatë vitit 2010. Pra, faktet i japin të drejtë
Futbollistët kyç garantojnë futboll sulmues. Van Marvijk përdor dy mesfushorë si De Jong dhe Van Bomel para mbrojtjes (çka i lemeris mbrojtësit e futbollit të luajtur në gjysmëfushën kundërshtare), dhe në këtë mënyrë krijon hapësira për katër super lojtarë sulmi me aftësi të ndryshme, që dinë të bëjnë keq në çdo moment. Shnajder është bërë njeriu simbol i kësaj skuadre, çdo top që prek e kthen në mrekulli. Me pesë gola të shënuar dhe katër herë i shpallur lojtari i ndeshjes, është shndërruar në vlerë të shtuar të Holandës e cila duket e favorizuar përsa i përket mbështetjes nga tifozët. Interisti gjendet gjithnjë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, në ndeshjet më delikate.
Pastaj është Robeni. Pësoi një dëmtim që e vuri në dyshim pjesëmarrjen në botëror, por u rikthye dhe dalëngadalë filloi të bëjë diferencën me dy gola të shënuar në ndeshjet me eliminim direkt. Është njeriu i “një kundër një” dhe nëse gjendet para portës, nuk fal. Përkrah tij është Dirk Kait, loja e të cilit nuk bie shumë në sy, por që vrapon gjatë gjithë 90-minutëshit. Mund të luajë kudo: në të majtë, në të djathtë apo si sulmues i avancuar, duke nxjerrë gjithnjë më të mirën. Emri tjetër është Van Persi, që nuk ka shkëlqyer, por që në finale ka rastin më të mirë për të treguar vlerat. Duke pasur katër “musketierë” përpara, skuadra mund t’i lejojë vetes një mbrojtje disi të dobët (pesë gola të pësuar). Gjithsesi, me 12 gola të shënuar në gjashtë ndeshje, takimi për holandezët fillon në 2-0.
----------------------------------------------------------------------------------------------------------
Në krahun tjetër, kampionët e Europës ia dolën të luajnë finalen e parë në historinë e tyre, duke aplikuar një futboll tërësisht sulmues. Por në mënyrë tjetër nga Holanda: duke e mbajtur topin gjithnjë në zotërim. Pra, e gjeni dot ç’do të ndodhë të dielën në Johanesburg? Spanjollët kanë në përbërje “prestigjatorë” të topit si Ksavi, Iniesta dhe Ksabi Alonso. Për çfarëdo lloj nevoje, gjithnjë gati qëndron Fabregasi
Ata e “trullosin” kundërshtarin me pasime pafund, i “vjedhin” iniciativën dhe “fshehin” topin në mënyrë spektakolare. Jo më kot kanë pësuar vetëm dy gola. Meritë e mbrojtjes, sigurisht, por një dorë të mirë ndihme ka dhënë edhe sulmi duke mbajtur kundërshtarin larg portës së Kasiljasit. Gjithsesi, botërori afrikanojugor ka nxjerrë në pah mungesën e finalizimit të aksioneve të panumërt. Praktikisht, Spanja luan me vetëm një sulmues, David Vilën, duke qenë se Fernando Torres është plotësisht jashtë forme.
Me pesë gola në gjashtë ndeshje, sulmuesi i sapoblerë nga Barcelona, të dielën ka sfidën direkte me bashkëkryesuesin e listës së golashënuesve: Uezli Shnajder. Por nëse Vila është jashtë forme, skuadra e Del Boskes has vështirësi serioze për të konkretizuar lojën voluminoze. Kampionët e Europës kanë shënuar vetëm shtatë gola, me një mesatare prej pak më tepër se një gol për ndeshje. Holanda dhe Spanja nuk kanë fituar asnjë botëror deri tani. Por të diëlën, mundësia për njërën prej tyre, do të digjet
http://topsporti.com/2010/07/holande-sp ... -ndryshme/