Page 6 of 230

Posted: Wed, 27 Apr 2005 , 18:21
by kristian
hahahahaha ke te drejt naqe po qa me ba, ishalla marrin mend per sezonin tjeter

Posted: Thu, 28 Apr 2005 , 12:17
by kristian
Shehi: Vllaznia, zgjedhja ime e parë


Paraqitja e tij e sivjetme te Vllaznia ka qenë ajo që pritej. Orges Shehi, portieri i njohur durrsak, ka shpalosur vlerat e tij më të mira në këtë skuadër, duke e justifikuar plotësisht blerjen e tij nga presidenca shkodrane. Së bashku me Abilion ishin të vetmet pika ku kuqeblutë nuk gabuan në merkato. Të dy këta lojtarë, edhe në ndeshjen e fundit të Vllaznisë, atë kundër Partizanit, treguan nivel të lartë në lojën e tyre. Madje Shehi në veçanti ka marrë përgëzime të shumta pas ndeshjes, sidomos nga stafi drejtues i ekipit. Edhe në analizën e zhvilluar ditën e hënë, trajneri Medja nuk ka munguar të lëshojë disa fjalë të mira në adresë të Shehit. Por vetë portieri 28-vjeçar nuk entuziazmohet shumë prej tyre, edhe për faktin se vetë ecuria e ekipit ua ka prishur të gjithëve buzëqeshjen. Për të e rëndësishme është të mbyllet mirë ky kampionat, duke pretenduar deri në fund vendin e tretë. "Eliminimi nga kupa kuptohet që nuk ka sjellë atmosferë të mirë në skuadër. E kishim menduar të sigurt pjesëmarrjen në kupat e Europës dhe dalja pa gjë natyrisht që e ka ulur moralin e ekipit. Megjithatë, janë edhe 4 ndeshje për t'u luajtur dhe ne do të tentojmë deri në fund për vendin e tretë," ? thotë Orgesi. Nëse do të arrihej kjo, natyrisht që do t'i kënaqte të gjithë, aq më tepër që do të luhej në Intertoto. Por ndërkohë, në këtë fund sezoni, çdo futbollist natyrisht që ka filluar të bëjë planet e tij për të ardhmen. Shehi është ndër të paktët futbollistë aktualë të Vllaznisë që i përfundon kontrata në qershor. Kjo e ka bërë atë të fillojë të mendojë për të ardhmen, megjithëse asgjë nuk ka precizuar sa i takon kontratës së re. "Gjatë periudhës së fundit kam pasur dy oferta nga skuadra të kampionatit tonë, por për momentin nuk u kam kthyer përgjigje, pasi sezoni akoma nuk ka përfunduar. Kontrata ime me Vllazninë përfundon më 8 qershor dhe vetëm pas kësaj date do të mendoj për të ardhmen time. Qëndrimi te Vllaznia? Nuk e di. Jo gjithçka është në dorën time. Presidentin Çela nuk e kam takuar për këtë problem dhe në ditët e ardhshme ndoshta mund të bisedojmë. Dëshira është për të qëndruar, por varet nga oferta që drejtuesit e Vllaznisë do të më bëjnë," ? sqaron numri 1 i portës shkodrane. Rrjedhimisht vjen edhe pyetja: A do të ndikojë në përzgjedhjen e tij fakti që ekipi i ardhshmë luan apo jo në kupat e Europës? Përgjigjja është e menjëhershme: "Kjo nuk ka të bëjë aspak. Unë jam profesionist dhe si i tillë mirëpres çdo ofertë që do të më kënaqë." Megjithatë, edhe ky fakt në vetvete ka ndonjë gjë që nuk thuhet. Shkodranët duken të bindur (të paktën nga ana e jashtme) se Shehi, më parë se Vllazninë, do të zgjidhte Teutën, qytetin e tij të lindjes, aq më tepër që kjo skuadër sivjet do të luajë edhe në Kupën UEFA. Portieri i talentuar, megjithatë, e kundërshton këtë gjë, kur në fund do të thoshte: "Jo, kjo nuk është logjike. Më shumë shanse ka që të qëndroj te Vllaznia sesa të kaloj te Teuta".

Posted: Thu, 28 Apr 2005 , 13:48
by vllaznia1919
Presidenca, gati ofertat për Osjen dhe Kaçin

Në planet e drejtuesve të Vllaznisë për sezonin e ardhshëm, para së gjithash, duket se është rikthimi në skuadër i disa prej futbollistëve shkodranë që aktualisht luajnë në ekipe të tjera. Pas mosmarrëveshjeve të lindura në ndeshjet e Kupës Intertoto sezonin e shkuar mes presidencës kuqeblu dhe një grupi prej 7 lojtarësh, këta të fundit u pezulluan nga ekipi. Në sezonin e fundit, disa prej tyre shkuan të luajnë me Elbasanin, dikush tjetër në Kosovë, tek Apolonia, Egnatia etj. Rrjedhimisht, në skuadrën shkodrane u krijuan shumë "gropa", që u mbyllën me "importimin" nga jashtë të disa të huajve, apo edhe me seleksionimin e elementit të perspektivës nga ekipet e të rinjve. Pavarësisht nga kjo, Vllaznia e sivjetme, siç po shihet, nuk kënaqi askënd. Duke qenë kështu, presidenca e klubit, në planet që po bën për ndërtimin e skuadrës së sezonit tjetër, është duke menduar seriozisht për rikthimin në skuadër të disa prej këtyre lojtarëve. Natyrisht që vëmendja më e madhe është përqendruar te dy prej tyre. Bëhet fjalë për lojtarët që sivjet u paraqitën në mënyrë të shkëlqyer tek Elbasani, mesfushorin Safet Osja dhe sulmuesin Albert Kaçi. Ende nuk bëhet e ditur me saktësi nëse kontaktet mes dy palëve kanë nisur apo jo, por një gjë është e sigurt: ata shpejt do të ulen në bisedime. Këtë gjë e konfirmojnë edhe burime pranë këtyre lojtarëve, sipas të cilëve, si Osja ashtu edhe Kaçi kanë shprehur dëshirën të rikthehen në skuadrën që i bëri të njohur. Një arsye më tepër, që mund të çojë në riveshjen kuqeblu të këtyre dy futbollistëve, janë edhe ato familjare. Distanca mes Elbasanit dhe Shkodrës i ka lodhur shumë ata sivjet, prandaj një rikthim në shtëpi do të ishte një gjë e lumtur. Por nga ana tjetër, përveç këtyre dy lojtarëve, nuk përjashtohet mundësia që te Vllaznia të rikthehen edhe emra të tjerë të njohur, si Cungu, Zmijani e Dibra. Në Shkodër, sivjet është përmendur shpesh shprehja: Vllazninë e bëjnë vetëm shkodranët. Bashkë me ta edhe 3-4 lojtarë cilësorë "jabanxhinj" (jo si ata të huajt që erdhën me shumicë te kuqeblutë këtë sezon) dhe skuadra bëhet, madje për të pretenduar. Projekti i presidencës shkodrane për t'i bërë të gjithë lojtarët me kontrata 2-3 vjeçare tashmë shihet si një sukses për të. Ky ekip që është tani në qershor thuajse i gjithi nuk ka probleme largimi. Lojtarët janë ende me kontratë dhe ajo që mbetet është afrimi i këtyre shkodranëve të tjerë. Osja e Kaçi janë të domosdoshëm për Vllazninë, e cila i mirëpret ata. Një fakt i tillë natyrisht që thjeshtëson shumë gjëra dhe për rrjedhojë shkodranët do të rikthehen shpejt në ato vende ku u takon të jenë.

Posted: Sun, 01 May 2005 , 00:40
by kristian
Vllaznia pa rroga, harrohet Elbasani


Të pretendosh është gjë tjetër dhe të besosh në vetvete është një gjë krejt tjetër. Ky duket se është ndryshimi kryesor mes asaj që dëshirojnë dhe asaj që pritet të japin në fushën e lojës kuqeblutë e Vllaznisë. Ata e kanë si objektiv ende vendin e tretë në kampionat, por për ta arritur atë në radhë të parë duhet fituar sot në Elbasan. Një gjë vërtet shumë e vështirë, për vetë faktin që shkodranët nuk e kanë shumë mendjen te fitorja, apo vendi i tretë. Vonesa në marrjen e rrogave, apo dhe pasiguria për të ardhmen, kanë sjellë një atmosferë jo shumë entuziaste në ekip në këtë pragndeshje. Çdo gjë është pasojë e eliminimit nga kupa. Presidenca e klubit kishte paralajmëruar se në rast dështimi edhe në këtë kompeticion, atëherë për skuadrën do të kishte sanksione financiare. Por që pas ndeshjes me Tiranën, presidenti Çela nuk ndodhet në Shqipëri dhe për rrjedhojë ende nuk mund të thuhet me saktësi se çfarë do të ngjasë me ekipin. Lojtarët presin rrogat, ndërkohë që nuk dihet ende nëse do t'i marrin apo jo. Edhe brenda presidencës duket se ka mendime të kundërta për sa i takon këtij fakti. Ndonjëri prej sponsorëve është i mendimit se rrogat duhen dhënë. Të tjerët thonë të kundërtën. Në kuadrin e gjithë kësaj, ajo që e pëson është skuadra, për të mos thënë që ajo ka qenë "e çoroditur" ditët e fundit. Gjithsesi, puna ka vazhduar. Drejtuesit e skuadrës mendojnë se me vendin e tretë do të mbylleshin shumë gjëra, prandaj dhe trajneri Medja u bën thirrje lojtarëve të japin maksimumin në këto ndeshje të mbetura. "Mundësitë janë që ta kapim vendin e tretë. Por çdo gjë kalon nga Elbasani. Një disfatë atje do të mbyllte çdo pretendim tonin, prandaj dhe skuadra duhet të japë maksimumin për këtë takim. Me vendin e tretë besoj se shpërblehet edhe puna e të gjithë neve në këtë sezon, si dhe hidhen piketat për sezonin tjetër," ? ka thënë ai. Jo krejt kështu mendon sulmuesi i njohur i këtij ekipi, Vioresin Sinani. Për të, vendi që mban aktualisht Vllaznia është më i miri i mundshëm që mund të arrihej, por kjo nuk do të thotë se nuk do tentohet edhe i treti. "Kaq mendoj se ishin mundësitë tona. Vendi që kemi në renditje është ideali për paraqitjen që kemi bërë, megjithatë nuk ka pse të mos pretendojmë edhe të tretin," ? thotë Sinani. Deklaratat mbeten deklarata, por po ashtu ajo që vërehet është gjendja dhe mobilizimi i skuadrës. Problemet financiare që kanë nxjerrë krye ditët e fundit mund ta komplikojnë shumë gjendjen, aq sa sot mund të shkohet në Elbasan vetëm sa për formalitet dhe për të respektuar kampionatin. Nëse ndodh vërtet kështu, atëherë do të ishte një gjë jo e mirë për këtë skuadër, e cila me "divorcin" e vendit të tretë do të krijonte shumë probleme edhe brenda saj.

Posted: Tue, 03 May 2005 , 11:06
by kristian
Vllaznia, e pafuqishme për vendin e tretë



Ajo që pritej ndodhi. Vllaznia, duke mos qenë në gjendje të luajë ashtu siç duhet, ka dorëzuar edhe vendin e tretë. Matematikisht ndoshta ende jo, por nisur nga ndeshjet që janë në vazhdim, vështirë të ketë arsye për ta kundërshtuar kush këtë gjë. Shkodranët, në të vërtetë, duket se i kanë të sigurta 9 pikët e mbetura ende në lojë deri në fund të kampionatit, por po kaq e sigurt duket edhe Dinamo në moslëshimin e këtij vendi, aq më tepër kur blutë kanë qenë "të etur" prej kohësh për të kapur vendin e tretë, ndërsa Vllaznia, duke e pasur atë në dorë, sikur deshi vetë ta lëshonte. Nuk ka sesi të justifikohet ndryshe fakti që kuqeblutë në 7 ndeshjet e fundit kanë marrë vetëm 5 pikë, nga 21 të mundshmet! Në këtë logjikë, dashje pa dashje, ajo që duhet bërë tashmë nga drejtuesit e klubit shkodran është të ulen dhe të analizojnë me qetësi çfarë ka ngjarë dhe të nxjerrin arsyet pse ka ndodhur ky dorëzim i skuadrës së tyre. Po të ndodhë kjo, atëherë në radhë të parë, secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Duke filluar nga presidenca, e cila vërtet shpenzoi shumë para në këtë sezon, por po del e zhgënjyer prej tij. Për të vazhduar me stafin drejtues dhe lojtarët, të cilët kanë fajet e veta edhe ata. Ajo që mbetet është zhgënjimi që ka sjellë te tifozët e shumtë shkodranë Vllaznia e sivjetme. Shumëkush ka pritur që të shtunën shkodranët do të bënin diçka në Elbasan, aq më tepër kur kjo ndeshje konsiderohej shumë e rëndësishme sa u takonte pretendimeve për vendin e tretë. Trajneri Medja u bënte thirrje lojtarëve të jepnin maksimumin për këtë 90-minutësh, për të shpresuar deri në fund për vendin që të çon në Intertoto. Dhe në të vërtetë, kuqeblutë u përpoqën të bënin diçka të mirë për të kërkuar fitoren në "Ruzhdi Bizhuta". Megjithatë, ajo çfarë e parapriu këtë ndeshje nuk të linte vend për ndonjë shpresë. Presidenca e klubit si dhe stafi drejtues i skuadrës shpresonin dhe dëshironin që të luftohej deri në fund për vendin e tretë. Por nuk kanë qenë të këtij mendimi protagonistët e fushës, futbollistët kuqeblu. Disa probleme financiare që kishin nxjerrë krye ditët e fundit, dashje pa dashje, kishin ndikimin e vet në lojën e tyre. Futbollistët nuk e kishin shumë mendjen te vendi i tretë. Në mendjen e tyre kishte gjëra tjera që i shqetësonin. Kjo u reflektua edhe në kartonët e shumtë që lojtarët e Vllaznisë morën në këtë ndeshje të qetë. Kjo tregon se brenda tyre ka një tension jo të vogël, çka reflektohet edhe në rezultatet e arritura. Në këtë logjikë, të gjithë presin vetëm përfundimin e këtij kampionati, duke shpresuar që ai tjetri të jetë më ndryshe. Kuptohet, në të gjitha drejtimet, sepse një Vllazni të tillë, si kjo e sivjetmja, askush nuk dëshiron ta shohë në fushë.

Posted: Tue, 03 May 2005 , 17:36
by kristian
Vllaznia, 6 milionë kostoja e Elbasanit



Nga kampi shkodran vijnë lajme jo shumë entuziaste. Skuadra, dje pasdite ka rifilluar stërvitjen për ndeshjen e radhës kundër Shkumbinit, por dukej qartë që në radhët e lojtarëve nuk kishte shumë optimizëm. Gjendja që është krijuar pas rezultateve të fundit negative nuk është aspak optimiste. Për rrjedhojë, askush në radhët e kuqebluve nuk ka dëshirë të flasë. Ndoshta se vërtet nuk ka se çfarë të thonë, por më tepër për të mos e rënduar situatën. Edhe vendi i tretë tashmë ndoshta mund të quhet një "ëndërr e keqe" për ta. Në ndeshjen e fundit në Elbasan ndaj skuadrës vendëse, megjithatë, futbollistët e Vllaznisë u përpoqën mjaft për një rezultat pozitiv. Kjo edhe për faktin se drejtues të klubit përpara ndeshjes u kanë vënë përpara atyre shumën prej 6 milionë lekësh të vjetra, që ekipi do të përfitonte në rast fitoreje në "Ruzhdi Bizhuta". Një fakt i tillë të duket paksa i çuditshëm edhe për arsye se pikërisht rrogat futbollistët shkodranë nuk i kanë marrë ende. Të gjithë justifikohen me mungesën e presidentit Çela në Shqipëri, pasi ka qenë po vetë ai që e ka marrë një vendim të tillë. Megjithatë, ajo që të bën përshtypje është, siç e thamë, shpërblimi i lartë prej 6 milionë lekësh që presidenca e Vllaznisë akordoi për fitoren në Elbasan. Kjo tregon se vetë ata që hedhin lekë për këtë skuadër vazhdojnë ta duan atë. Një dalje nga kupat e Europës (edhe Intertotoja vlente) do të ishte një mbyllje me një "happy?end" të këtij sezoni të stërzgjatur dhe të stërlodhshëm. Përballë gjithë kësaj vorbulle, ata që vuajnë u përkasin të gjitha palëve, duke filluar nga presidenca, e cila ka shpenzuar jo pak në këtë sezon për të ngritur një ekip pretendent, për të vazhduar me futbollistët, që lodhjen e madhe të sezonit po e shoqërojnë edhe me mungesën e parave në xhepat e tyre, pastaj për ta mbyllur me tifozërinë shkodrane, e cila është zhgënjyer vërtet sivjet. Në këtë kontekst, kur janë për t'u luajtur edhe tri ndeshje të tjera deri në fund të kamopionatit, ende nuk dihet si do t'i shtyjnë ditët kuqeblutë. Për ta, ky sezon duhet harruar sa më parë. Megjithatë, dikush shpreson ende te vendi i tretë. Njëri prej tyre është edhe zëvendëspresidenti Valter Fushaj, që thotë: "Objektivi ynë ishte që skuadra të fitonte në Elbasan, prandaj dhe akorduam atë premio të lartë. Dhe vërtet që në Elbasan skuadra jonë luajti mirë dhe ishim fare pranë marrjes së ndonjë pike. Vendi i tretë? Shanset tashmë janë minimizuar, por nuk duhet të dorëzohemi plotësisht. Duke i menduar të sigurta 9 pikët tona për tri ndeshjet që kanë mbetur, shpresoj shumë te ndonjë hap i gabuar i Dinamos, gjithnjë nëse luhet në mënyrë korrekte, prandaj dhe duhet të besojmë deri në fund."

Posted: Thu, 05 May 2005 , 23:36
by kristian
Sinani: Nuk e meritoja kartonin e kuq



Shumëkujt i ka bërë përshtypje fakti që në ndeshjen e javës së kaluar me Elbasanin sulmuesi kryesor i Vllaznisë, Vioresin Sinani, është larguar nga fusha e lojës me karton të kuq. Një vendim i gjyqtarit, që do të prishte edhe ekuilibrat në fushë për të dy skuadrat, bëri që Elbasani të mos e kishte të vështirë të shënonte. Por çfarë ngjau që "Këpuca e artë" u ndëshkua me karton të kuq? Këtë e shpjegon vetë ai, kur thotë: "Kartonë mund të kem marrë edhe herë të tjera, por këtë me Elbasanin, sinqerisht që nuk e meritoja. Ishte një ndërhyrje në dëm të shokut tim, Osjes, që për mendimin tim nuk ishte as faull, jo më të ndëshkohesha me karton të verdhë, dhe krejt papritur pashë gjyqtarin Sopjani të fuste dorën në xhep. Ishte e vetmja gjë që nuk doja të ndodhte që para ndeshjes. Kisha dy kartonë të verdhë dhe doja t'i ruhesha marrjes së një të treti, sepse do më linte pa luajtur në ndeshjen e radhës. Por gjyqtari me dashje, apo pa dashje nuk e di, por u tregua i gatshëm të më ndëshkonte. Kuptohet, në një moment të tillë njeriu e humbet arsyetimin dhe kundërshtova, por sërish pas një tjetër kartoni që më nxirrej para syve dhe isha i detyruar të lija fushën e lojës. E përsëris edhe një herë: atë karton nuk e meritoja." Sinani ka reaguar edhe ndaj vendimit të komisionit të disiplinës, që e dënoi me dy ndeshje pezullim. "Nuk e kuptoj pse e kanë kapur me mua. As e kam sharë gjyqtarin dhe as as e kam ofenduar, thjesht kam reklamuar kartonin e verdhë që ma nxori pa shkak. Tani e kuptoj që ndoshta Sopjani, nip në Shkodër, duke mos qenë i kënaqur me skuadrën që bënte tifozllëk dikur, zgjodhi Elbasanin atë ndeshje. Ai e ka bërë qëllimisht për të favorizuar kundërshtarin, sepse pas daljes sime skuadra ishte e pafuqishme për të shënuar," - përfundon Sinani, i cili do të mungojë ndaj Shkumbinit dhe Laçit.

Posted: Thu, 05 May 2005 , 23:48
by kristian
Sulmuesi brazilian i Vllaznisë i ka të gjitha shanset për "Këpucën e artë", pasi ka tri ndeshje të lehta

Abilio: Flas me gola dhe jo me fjalë


Braziliani i njohur i kampionatit tonë, Abilio, ndihet i qetë në këtë fundkampionati. Ai nuk e sheh veten nën presion sa i takon luftës për fitimin e "Këpucës së artë", përkundrazi thotë që do të vazhdojë të bëjë punën e tij, ashtu siç e ka bërë deri tani. Megjithatë, dëshira për të shënuar do të jetë edhe në të tri ndeshjet e mbetura. Nga ana tjetër, Abilio shpreson shumë që Vllaznia do t'i marrë të 9 pikët që kanë mbetur në lojë, duke shpresuar te ndonjë hap i gabuar i rivales së saj, Dinamos. Ja si shprehet ai për "Sportin shqiptar":
? Abilio, nuk ju shkoi dhe aq mirë në Elbasan, apo jo?
? Në këtë takim kemi luajtur mirë, madje në disa raste edhe mund të kishim kaluar në avantazh. Por në pjesën e dytë, edhe pas daljes me karton të kuq të Sinanit, Elbasani mori zemër, shënoi një gol të vetëm dhe arriti të fitonte takimin. Nuk ishte e mira që të humbisnim në këtë takim, por kështu është futbolli.
? Në ditët e para të kësaj jave ju kemi parë të bëni stërvitje të diferencuar. Bëhet fjalë për ndonjë dëmtim që ju shqetëson?
? Në ndeshjen e kaluar kam pësuar një goditje në gju, e cila më pas më krijoi edhe disa dhimbje, por nuk mendoj se ka ndonjë problem për t'u shqetësuar.
? Domethënë, të shtunën do të jeni në fushë si zakonisht?
? Po, po. Kështu mendoj dhe e konsideroj plotësisht të sigurt aktivizimin tim ndaj Shkumbinit në ndeshjen e radhës.
? Jeni 4 pikë prapa Dinamos tashmë. Besoni se mund ta kapni sërish vendin e tretë?
? Duhet ta pranojmë që shanset nuk janë në anën tonë. Diferenca me Dinamon nuk është dhe aq e vogël, për më tepër që janë vetëm tri ndeshje për t'u luajtur. Por kjo nuk do të thotë që nuk do të provojmë deri në fund për të kapur vendin e tretë. Për këtë qëllim, ne synojmë t'i marrim të 9 pikët që janë ende në lojë dhe pastaj të presim nëse Dinamo do të gabojë apo jo. Duhet të fitojmë fillimisht me Shkumbinin, ku mendoj se nuk do të jetë e lehtë, aq më tepër që nuk do të kemi as Sinanin. Për ekipin tonë, Viori është shumë i rëndësishëm dhe shpresoj që mungesa e tij të mos ndihet në lojën tonë.
? Ndërkohë duket se momentet më të bukura të këtij fundkampionati do t'i dhurojë gara për fitimin e "Këpucës së artë". Rivalët tuaj janë shprehur ditët e fundit se e shohin veten pretendentë. Ju vetë jeni i bindur se do të jeni njëshi?
? I bindur? Çdo futbollist, po të ishte në pozitat ku jam unë, do të tentonte patjetër që ta mbante vendin e parë deri në fund. Rivalët e mi natyrisht që do të kërkojnë edhe ata të shpallen më të mirët shënues në fund të kampionatit, por ajo që duhet të them unë është se "Këpucën e artë" nuk e fiton ai që flet më bukur dhe më shumë nëpër gazeta. Unë nuk them që do të jem golashënuesi më i mirë, por do të punoj deri në fund për të qenë më i miri. Kjo arrihet mbi të gjitha duke shënuar dhe jo me fjalë.
? Me 20 golat që keni premtuar, besoni se mund të fitoni "Këpucën e artë"?
? Kësaj nuk i dihet. Ndoshta gara përfundon edhe me 17 gola që kam të shënuar deri tani. Megjithatë, premtimin do ta mbaj: 20 golat do t'i shënoj, duke shpresuar që njëkohësisht të jem më i miri ndër shënuesit e këtij kampionati.
? Kanë mbetur edhe tri ndeshje, relativisht të lehta për Vllazninë. Besoni se do të shënoni në secilën prej tyre?
? Pikësynimi im është të shënoj dhe të shohim se çfarë do të ngjasë.

Posted: Fri, 06 May 2005 , 13:41
by vllaznia1919
Veq nji ky gzim na ka met simjet! :cry:

Posted: Fri, 06 May 2005 , 16:22
by kristian
Kuqeblutë i shohin të fituara tri ndeshjet e fundit dhe presin ndonjë hap të gabuar të Dinamos rivale
Vllaznia: Do t'i marrim 9 pikët e mbetura


Ekipi shkodran është i vendosur të luftojë deri në fund për vendin e tretë. Ky është pak a shumë motivi dhe ajo çfarë do të tentojnë kuqeblutë për të arritur, në mënyrë që ky sezon të quhet i shpëtuar. Gabimet e shumta gjatë rrugës që Vllaznia ka bërë i kanë dhënë mundësi Dinamos "të parakalojë". Kjo e ndikuar edhe nga shorti që ka qenë më i favorshëm për blutë në këtë fazë të katërt. Megjithatë, për shkodranët, tri javët e mbetura deri në fund të kampionatit janë relativisht të lehta, aq sa çdokush e bën të sigurt marrjen e 9 pikëve prej tyre. Këtë ide dhe objektiv kanë edhe vetë protagonistët e këtij ekipi, futbollistë e trajnerë. Pas problemeve që kanë kaluar kohët e fundit me ndeshjen e Elbasanit, duket se janë kthyer edhe motivet e kësaj skuadre. Deri dje, për të edhe vendi i tretë nuk ishte ndonjë arsye për të luajtur fort, nisur edhe nga fakti që ky ekip e nisi sezonin me pretendime të larta. Tashmë llogaritë duhen bërë ndryshe, prandaj dhe kjo po vërehet ditët e fundit në kampin kuqeblu. Vendi i tretë dhe pjesëmarrja në Intertoto konsiderohet nga drejtuesit e klubit një mundësi e mirë për afirmimin e skuadrës së tyre edhe në kompeticionet europiane. Duke qenë kështu, kuqeblutë me mendjen se 9 pikët e veta janë të sigurta, po ndjekin me interes ecurinë e bluve. Kalendari për ta nuk konsiderohet i favorshëm dhe, nëse luhet ndershmërisht, atëherë nuk do të jetë çudi nëse Vllaznia renditet e treta. Trajneri i saj, Agim Medja, vijon të jetë optimist, ndonëse rezultatet në "epokën" e tij nuk kanë qenë shumë entuziaste. "Ju siguroj se Vllaznia do të bëjë më të mirën e mundshme që t'i marrë këto 9 pikët që kanë mbetur ende në lojë. Do të dalin apo jo të tretët, këtë askush nuk di ta thotë, sepse kjo varet nga ecuria e Dinamos. Megjithatë, e përsëris, ekipi që unë drejtoj do ta bëjë të tijën deri në fund të kampionatit," ? shprehet trajneri i skuadrës shkodrane. Të njëjtën gjë dhe të njëjtin mendim ka edhe pjesa tjetër e tjetër e ekipit. Ata duhet të fitojnë që këtë javë kundër Shkumbinit në "Loro Boriçi", për të vijuar me të njëjtën mënyrë edhe në dy ndeshjet e tjera, ato ndaj Laçit dhe Lushnjës. Në dy prej tyre, ato të parat, do të mungojë sulmuesi i njohur i saj, Vioresin Sinani, pas pezullimit dyjavor të ardhur nga disiplina. Pesha e këtij lojtari dihet tashmë në lojën e Vllaznisë, megjithatë vetë "Këpuca e artë" shpreson që ekipi të mos e ndiejë mungesën e tij dhe t'i fitojë këto ndeshje. "Jam shprehur edhe dje që, si kartoni, ashtu edhe vendimi i disiplinës, kanë qenë të qëllimshëm ndaj meje. Megjithatë, shpresoj që ekipi të luajë ashtu si duhet dhe t'i fitojë këto takime që kanë mbetur për të marrë pikët maksimale që kanë mbetur ende në lojë," ? shprehet Sinani.

Posted: Sat, 07 May 2005 , 15:54
by kristian
Kapiteni i Vllaznisë u bën thirrje të gjithë futbollistëve kuqeblu të mos i nënvlerësojnë ndeshjet e mbetura

Lici: Shkumbini kërkon mobilizim



Ecuria e skuadrës shkodrane varet shumë në këto javë të fundit të kampionatit nga forma që do të tregojë i gjithë grupi i lojtarëve në tërësi. Kështu mendon kapiteni i Vllaznisë, Suad Lici. Për të mbërritur në këtë përfundim, ai i referohet mungesës në takimin e radhës të dy prej titullarëve të ekipit, pikërisht sulmuesit Sinani dhe mbrojtësit Kraja. Sidomos ajo e të parit, që është i skualifikuar edhe për ndeshjen tjetër kundër Laçit, konsiderohet shumë serioze, nisur nga vetë vlerat e tij si lojtar. Duke folur në lidhje me ndeshjen e sotme kundër Shkumbinit, Lici do të shprehej: "Për mendimin tim, ky takim është i vështirë. Nuk duhet kurrsesi të mendojmë që i kemi të sigurta të 9 pikët që kanë mbetur në lojë, sepse në radhë të parë duhet t'i meritojmë në fushë. Në këtë moment të kampionatit, kur ka rënë interesi për të, natyrisht që është e vështirë të motivosh edhe lojtarët, aq më tepër që në takimin me Shkumbinin neve na mungon edhe Sinani. Vlerat e tij si lojtar njihen nga të gjithë dhe normalisht me mungesën e tij do të prishen shumë plane, pasi sulmin kemi pasur pikën tonë më të fortë". Pavarësisht nga këto fjalë, njeriu që mban shiritin e kapitenit të kuqebluve, është i mendimit se skuadra e tij do të fitojë sot kundër peqinasve. "Kur thashë që do ta kemi të vështirë, nuk thashë që nuk do të fitojmë. Por për të arritur atë, natyrisht që duhet shumë motivim nga të gjithë ne," - shton më tej lojtari që mund të luajë në shumë pozicione në fushë. Në këtë mënyrë, kur kanë mbetur edhe 270 minuta nga përfundimi i sezonit, mundësitë që Vllaznia të kapë vendin e tretë janë sërish në letër. Jo gjithçka varet nga vetë ata, por duke shpresuar që edhe Dinamo të gabojë në dy prej tri ndeshjeve të mbetura, atëherë kuqebluve u mbetet të shohin se çfarë ngjet me skuadrën blu, normalisht, duke i pasur të sigurta 9 pikët e veta, megjithëse Licit nuk i pëlqen fare t'i konsiderojë të tilla që tani. Për ndeshjen e sotme ka shumë të ngjarë që të mos ketë shumë tifozë në shkallët e "Loro Boriçit", por megjithatë vetë pjesëtarët e skuadrës shkodrane, teksa kanë kërkuar falje për zhgënjimin që u kanë sjellë në këtë sezon, presin që t'i kenë sërish fansët e tyre kërkrah në këtë fund-sezoni, kur në lojë ka mbetur ende vendi i tretë.

Posted: Sun, 08 May 2005 , 10:47
by kristian
Kuqeblutë nuk arrijnë të kapin as vendin e tretë në këtë sezon, duke humbur të gjitha objektivat

Vllaznia, lamtumirë vendi i tretë...


Vllaznia ka zhgënjyer edhe një herë tjetër dje. Kjo për të disatën herë gjatë këtij sezoni, teksa më në fund mund t'i thotë lamtumirë edhe vendit të tretë, që gjithsesi e lakmonte deri në fund. Përballë një Shkumbini pa ndonjë motiv të qartë, shkodranët nuk kanë arritur të demonstrojnë asgjë nga vlerat e veta, aq sa trajneri Sejdini pas ndeshjes do të shprehej: "Po të ishin treguar më të mençur lojtarët e mi në këtë ndeshje, Vllaznia do të ishte rrahur keq." E pra, ky është pak a shumë edhe komenti i këtij 90-minutëshi. Gjashtë gola të shënuar, nga tre për secilën skuadër dhe një barazim që nuk i vlen askujt, përveçse dëmtoi Vllazninë, e cila "lau duart" edhe me vendin e tretë. Ndeshja ka qenë e një niveli të dobët. Pa Sinanin në krah, edhe Abilio ndihet i vetmuar, duke mos pasur shumë besim në vetvete. Kështu mund të shpjegohet edhe ai 11-metërsh i humbur prej tij në pjesën e parë. Nga ana tjetër, Shkumbini i motivuar së tepërmi nga thirrjet e "Xhaxhit" nga stoli, e kuptoi fare mirë se që të mundej Vllaznia nuk ishte ndonjë gjë e vështirë. Miqtë kaluan dy herë në avantazh dhe, megjithëse nuk e mbajtën atë, sërish në fund, duke përfituar edhe nga tërheqja e vendësve, gjetën kurajon të barazojnë. Fundi ka qenë dëshpërues në "Loro Boriçi". Edhe ata pak tifozë që ishin në stadium nuk përtuan të akuzojnë protagonistët e skuadrës së tyre të zemrës për zhgënjimin e madh që u sollën sivjet. I nisur si një investim i madh, përfundimi në këtë gjendje natyrisht që është për t'u analizuar thellë. Shkodra nuk e meriton këtë gjë dhe kjo shihet edhe nga braktisja që i kanë bërë prej javësh skuadrës tifozët e saj. Vllaznia humbet kështu shansin për të marrë pjesë në Kupën Intertoto, çka do të ishte ngushëllimi i vetëm i këtij sezoni. Tani nuk dihet se çfarë sanksionesh do të ketë për futbollistët, pasi presidenca dhe stafi e kishin paralajmëruar këtë më parë. Futbollistët kanë kohë pa marrë rrogat dhe ndoshta kjo pakënaqësi është reflektuar edhe në takimin e djeshëm. Ky dështim mund të ketë pasoja në klubin shkodran, aq sa nuk dihet se ç'do të ndodhë sezonin tjetër, teksa sponsorët nuk kanë deklaruar asgjë kohët e fundit. Ndërsa për Shkumbinin është një ngushëllim barazimi i djeshëm, pas atij hapi fals javën e kaluar, teksa barazoi në fushën e vet me Egnatian. Pozitiv është fakti se peqinasit arritën të shënonin tre gola, shumë rrallë këtë kampionat, ashtu si në fazën e parë po ndaj Vllaznisë, por atëherë shkodranët fitonin 5-3 në Peqin. Shkumbini, me këtë barazim ka rikuperuar edhe një vend në renditje, falë golavarazhit më të mirë se Lushnja, duke u ngjitur kështu në vendin e shtatë me pikë të barabarta edhe me Partizanin.

Deklarojnë:
Agim Medja, trajner i Vllaznisë: "Ishim përgatitur për ta kaluar me sukses këtë ndeshje, por sërish te skuadra u shfaqën problemet e kohëve të fundit, humbja e motivimit, pozicioni në renditje dhe ndonjë faktor tjetër. Përveç kësaj, në pjesën e dytë u vunë re edhe shenja lodhjeje fizike dhe për pasojë si rezultat i mospërqendrimit si duhet të skuadrës, e pësuam sërish në fund. Kështu na ka ndodhur në disa ndeshje gjatë këtij sezoni, çka është e pafalshme për ne."
Faruk Sejdini, trajner i Shkumbinit: "U luajt një futboll i hapur, ku fare mirë edhe mund të kishim fituar. Megjithatë, për mendimin tim, barazimi ishte rezultati më i drejtë. Ashtu siç luajti Vllaznia, na e bëri më të lehtë lojën tonë dhe për pasojë shënuam tri herë. Jam i gëzuar që më në fund shënuam kaq shumë gola, pasi kemi vuajtur në këtë drejtim. Do ta respektojmë kampionatin deri në fund, megjithëse tashmë, siç e dini, ai zhvillohet kot."

Të veçanta:
- Shumë pak shikues të pranishëm dje në stadiumin "Loro Boriçi". Në tribunën përkarshi dhe atë anësore nuk ka pasur asnjeri, pasi edhe dyert e tyre kanë qenë të mbyllura, ndërsa në atë qendroren nuk kanë qenë më shumë se 200 tifozë.
- Në takimin e djeshëm ka rënë në sy edhe mosprania e asnjë personaliteti në tribunën "VIP". Në të nuk ka pasur asnjë drejtues të Vllaznisë, apo të Shkumbinit, por vetëm 4-5 tifozë të zakonshëm.
- Si tifozë, në takimin e djeshëm janë parë edhe ish-futbollistët e Vllaznisë, Salihi, Dibra, Osja dhe Kaçi, që së bashku kanë parë një ndeshje zhgënjyese të ish-skuadrës së tyre të zemrës.
- Mbrojtësi lezhjan Alcani nuk ka qenë dje as në fushë dhe as në stol. Nuk bëhen të ditur arsyet e mungesës së tij, veçse mësohet se ai nuk ka qenë i dëmtuar, apo i pezulluar.

Posted: Tue, 10 May 2005 , 19:20
by kristian
Braziliani kërkon të ngushëllojë me këtë trofe tifozët shkodranë, që e kanë përkrahur shumë në këtë sezon

Abilio: S'jam dorëzuar për "Këpucën e artë"



Ndeshja e së shtunës kundër Shkumbinit i ka kushtuar shumë brazilianit të Vllaznisë, Abilio. Ai, me 11?metërshin e humbur, i ka hequr të drejtën ekipit të tij që të vazhdojë garën për vendin e tretë. Përveç kësaj, vetë sulmuesi i njohur me këtë rast ka humbur edhe shansin për të vazhduar kryesimin e listës së golashënuesve më të mirë të kampionatit. Dos Reis, tashmë me 18 golat e shënuar, është pas Rrakllit dhe D.Xhafës, që në ndeshjen e fundit mes tyre shënuan nga një tripletë. Sa i takon barazimit të fundit me peqinasit, 31-vjeçari që ka ardhur nga Brazili i largët, thotë që ai dhe shokët e tij të skuadrës kanë bërë shumë gabime, prandaj dhe ky takim nuk u fitua. "Mendimi im është që skuadra u përpoq shumë për ta fituar këtë ndeshje. Njëkohësisht kemi bërë edhe shumë gabime, të cilat çuan në barazimin e kësaj ndeshjeje. Përgjegjësia është e të gjithëve, duke filluar nga unë, megjithatë kështu ndodhi," ? shprehet ai. Në këtë takim, edhe ata pak tifozë që kanë qenë në stadium kanë kërkuar që Abilio të shënonte sa më tepër gola, për të sjellë të paktën një gëzim të vogël në qytetin e Shkodrës në këtë sezon të dështuar. Numri 10 i Vllaznisë e ka ende objektiv këtë gjë, madje ka bërë gati edhe dedikimin në rast se fiton "Këpucën e artë". Atë do t'ia dhurojë vetëm publikut të zjarrtë shkodran, që e ka mbështetur vazhdimisht në këtë sezon të tij të parë me kuqeblutë. "Ndonëse nuk jam sërish në vendin e parë të shënuesve, sërish premtoj që do ta kërkoj me ngulm fitoren e "Këpucës së artë". Nëse ndodh kjo, më tepër se një sadisfaksion personal, jam i mendimit se do të jetë një dhuratë imja për publikun e zjarrtë shkodran, që më ka mbështetur shumë gjatë këtij sezoni te Vllaznia," ? shton më tej Abilio. Dhe në të vërtetë, shanset për të ndodhur kështu janë. Këtë javë, shkodranët kanë një ndeshje praktikisht të lehtë, atë me Laçin, ndërsa javën tjetër do të presin në "Loro Boriçi" ekipin e Lushnjës. Autori i 18 golave të deritanishëm në këtë kampionat, mendon se shanset për të shënuar në këto 2 takime ekzistojnë, për më tepër edhe për ta kapur shifrën e 20 golave, të premtuar nga vetë ai. "Unë kam punuar shumë gjatë këtij sezoni për të qenë në një formë të tillë. Po të më kishin pyetur në fillim të tij nëse do të isha i kënaqur me kaq sa kam shënuar deri tani, natyrisht që do të thoja "po". Por tani që jam në pozita të tilla, patjetër që do të shënoj sa më tepër, për të qenë i pari në fund. Dikush thotë që Abilio ka shanse sepse do luajë kundër Laçit, por të mos harrojmë se përballë saj kanë luajtur të gjithë të tjerët dhe kanë shënuar jo pak," ? e mbyll prononcimin e tij Abilio Neves dos Reis.

Posted: Wed, 11 May 2005 , 14:04
by vllaznia1919
Drejtuesit e klubit: Shkodranë, kthehuni!

Kjo është pak a shumë thirrja që drejtuesit aktualë të Vllaznisë u bëjnë të gjithë futbollistëve shkodranë që aktualisht nuk luajnë për fanellën kuqeblu. Një thirrje e tillë vjen përmes presidentit Çela, i cili, duke folur në lidhje me planet e stafit të tij për sezonin tjetër, nuk harron të ndalet edhe tek emrat e lojtarëve shkodranë që sot nuk luajnë për qytetin e tyre. "Mund të them që dyert e Vllaznisë janë të hapura për të gjithë futbollistët shkodranë, kudo ku ata luajnë, brenda, apo jashtë Shqipërisë. Skuadra ka nevojë për ta, prandaj dhe u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë dëshirë të rikthehen, të vijnë të kontaktojnë me ne dhe të gjejmë akordin e duhur për të qenë sërish pjesë e skuadrës shkodrane,"thotë kreu i klubit të Vllaznisë. Në këtë mënyrë, shprehja e shumëpërdorur "Shkodrën e bëjnë vetëm shkodranët" duket se do të gjejë vend edhe tek ekipi i futbollit të këtij qyteti. Me të kanë bërë aventura shumë të huaj e megjithatë më shumë se vetë shkodranët atë s'e ka dashur dhe as do ta dojë askush.

Shkodranët, sezonin tjetër me staf mbikëqyrës
Që nga sezoni i ardhshëm, Vllazninë nuk do ta drejtojë vetëm stafi drejtues që punon zakonisht në fushën e stërvitjes, apo udhëzon nga stoli. Krerët e këtij klubi kanë vendosur ditët e fundit që në javët e ardhshme do të ngrihet edhe një staf tjetër, që do të marrë emrin "mbikëqyrës". Detyra e këtij të fundit është të ndjekë nga jashtë çdo gjë që ngjet me ekipin e parë, duke dhënë udhëzimet e duhura, duke kërkuar llogari, apo dhe të ndërhyjë në momente kur e sheh të nevojshëm te stafi drejtues. Përpos kësaj, me krijimin e këtij stafi mbikëqyrës, pritet që të përmirësohen shumë gjëra sa i takon ndërtimit të skuadrës së ardhshme. Idenë e re e bën të ditur vetë presidenti i Vllaznisë, Agron Çela, që thotë: "Këtë gjë e kemi vendosur. Sivjet do të ketë edhe një staf mbikëqyrës, që do të ketë shumë detyra në lidhje me mbarëvajtjen sa më të mirë të skuadrës. Mund të them edhe këtë që ky staf do të jetë i përbërë i gjithi nga shkodranë."

Posted: Wed, 11 May 2005 , 18:37
by kristian
Po shkoj edhe un ne Shkoder pra hahahaahha :D :D :D

Posted: Wed, 11 May 2005 , 19:58
by vllaznia1919
Po nisna bashke pra naqe. :lol:

Posted: Thu, 12 May 2005 , 13:25
by kristian
Te nisena tan qa jena ne kyt forum :D :D :D

Posted: Thu, 12 May 2005 , 13:50
by vllaznia1919
Manej bahena shum,duhet me ba nji seleksionim te vogel ma pare. :lol:

Posted: Sun, 15 May 2005 , 21:57
by kristian
Abilio mban premtimin. Incidente gjatë ndeshjes dhe pas saj, ku ndoshta dhe gjykimi ka qenë protagonist

Vllaznia has në rezistencën e Laçit


Në pamje të parë, është dukur sikur Vllaznia do ta kishte të lehtë dhe do të arrinte ndonjë rezultat si ato të fazave të tjera, por ka ndodhur krejt e kundërta, pavarësisht se shkodranët sërish kanë fituar. Laçi ka bërë ndoshta paraqitjen më dinjitoze dje në Kamëz, ku përveçse ka arritur të shënojë, i ka mbajtur në ankth shkodranët deri në sekondat e fundit të takimit. Megjithatë, deri diku, Vllaznia ia arriti qëllimit, pasi ishte Abilio që i shënoi të dy golat për kuqeblutë, duke e mbajtur premtimin. Ky ishte dhe motivi kryesor i kësaj ndeshjeje për Vllaznisë, ku një ditë më parë ata deklaronin se do të luanin për brazilianin, i cili u ngjit në kuotën e 20 golave, duke realizuar objektivin që i kishte vënë vetes, por pa arritur të jetë në krye të golashënuesve, pasi rivali Daniel Xhafa sërish ka shënuar. Megjithatë, Abilio do ta provojë sërish javës që vjen, duke e mbajtur të ndezur luftën për goleadorin më të mirë të kampionatit.
Në fillim, loja ka nisur e qetë dhe shkodranët e kanë marrë lehtë-lehtë. Laçi ka rezistuar fort dhe ka qenë i mirorganizuar në mbrojtje, duke përfituar edhe nga loja e dobët që bënte Vllaznia. Kulmi i pjesës së parë ka qenë minuta e 32-të, kur gjyqtari kryesor nxjerr nga loja me karton të kuq Dokun për Laçin. Në fakt, gjyqtari ndoshta është nxituar në këtë veprim, pasi Abilio në momentin e pasimit ka qenë në pozicion jashtë loje i dukshëm dhe Doku e ka kapur duke e menduar të tillë. Gjyqtari anësor nuk ka ngritur flamurin dhe kryesori nxjerr me karton të kuq Dokun si lojtar i fundit që pengon një lojtar. Vllaznia, edhe pse ishte në epërsi numerike, nuk ka mundur të përfitojë nga kjo, të paktën në pjesën e parë. Pjesa e dytë fillon direkt me gol. Teli pengohet në zonë dhe gjyqtari akordon 11-metërsh. Abilio nuk mund të gabonte, pasi edhe një javë më parë, pikërisht në pika e bardhë, kishte gabuar ndaj Shkumbinit. Laçianët, për dy minuta ndërpresin lojën, si shenjë proteste për 11-metërshin e dhënë, si dhe për gjykimin e njëanshëm të gjyqtarëve. Eshtë dashur ndërhyrja e shefit të klubit laçian që loja të riniste. Pas dy minutash ndodh surpriza, laçianët barazojnë me anë të Shkurtit, i cili shënon nga një goditje dënimi. Loja vazhdon me këtë skenar: sulmon vazhdimisht Vllaznia dhe mbrohet fort Laçi. Në minutën e 63-të kemi një tjetër episod, kur Kraja godet me grusht Selmanin dhe gjyqtari nuk jep as faull. Ndërsa në minutën e 88-të Ceku godet me grusht Abilion dhe gjyqtari me të drejtë i drejton kartonin e kuq. Laçi mbetet me 9 lojtarë. Eshtë dashur minuta e 89-të që shkodranët të marrin frymë lirisht, duke përfituar tashmë nga epërsi e theksuar numerike. Ka qenë sërish Abilio, por kësaj here shkëputet bukur me kokë. Goli i tij ishte i vlefshëm si për atë, ashtu dhe për skuadrën. Duhet thënë që Vllaznia vazhdon të paraqitet dobët, ndërsa Laçi ndoshta ka bërë një nga paraqitjet më të bukura. Kurbinasit nuk kanë lëshuar dhe Abilio i ka shënuar me meritë të dy golat. Javës që vjen Vllaznia pret Lushnjën, ndërsa Laçi ndeshet me Partizanin, ku sërish një tjetër sulmues, Dorian Bylykbashi, do të kërkojë të shënojë shumë gola në portën e Fishtës. Pas përfundimit të takimit kanë filluar përleshjet ndërmjet futbollistëve në fushë, ku Kaçi ka filluar të replikojë me Telin mbi gjykimin e njëanshëm dhe protestave të vazhdueshme të futbollistëve shkodranë. Më pas kanë filluar edhe goditjet me grushta ndërmjet tyre. Ndërhyrja e shpejtë e policisë ka bërë që gjithçka të shuhet brenda pak minutash, ndërsa policia ka shoqëruar të dy ekipet në dhomat e zhveshjes, duke shmangur incidentet që filluan në fushë.

Deklarojnë:
Sinan Bardhi, trajner i Laçit: "Ishte një gjykim skandaloz dhe i paragjykuar. Që në momentin e largimit të Dokut filloi "agresiviteti" i gjyqtarit ndaj Laçit. Nuk e kuptova përse kaq mllef. Unë dua të përgatis një ekip për të ardhmen dhe nuk pretendoj për kampionat, por gjykime të tilla po prishin futbollin. Gjyqtari na ndëshkoi edhe nga një 11-metërsh i paqenë. Kur topin e kishte lojtari i Laçit, ai jep penallti. Po kështu, lojtarët tanë goditen dhe lojtarët shkodranë nuk ndëshkohen. Ndërsa gjyqtari anësor është shkodran, lejohet të gjykojë. Unë i bëj apel komisionit tekniko-gjykues që të shikojë regjistrimin e kësaj ndeshjeje dhe të reflektojë. Të mos luhet me djersën e askujt. Unë nuk dua mëshirë, por drejtësi. Për sa i përket ekipit, jam i kënaqur nga ajo çfarë dhanë lojtarët e mi në fushë."
Agim Medja, trajner i Vllaznisë: "Dobësia jonë konsistoi në faktin që lojtarët u munduan të furnizonin vetëm Abilion me topa për ta nxjerrë golashënues. Kundërshtari aty e kishte pikësynimin, duke e
mbuluar vazhdimisht. Ndërsa për sa u përket incidenteve në fushë, ishin inatet e Laçit për golat e pësuar."

Të veçanta:
- Pas nxjerrjes së Dokut me karton të kuq, gjyqtari kryesor i takimit ka larguar nga stoli edhe shefin e klubit të Laçit.
- Kraja ka goditur me grusht Selmanin dhe gjyqtari vetëm sa
ka ndërprerë lojën për t'i ardhur në ndihmë sulmuesit laçian, për të vazhduar më pas lojën.
- Ceku ka goditur Abilion me grusht pas një përplasje me parë me top. Ndërsa është ndëshkuar me kartonin e kuq dhe Ceku po largohej nga fusha lojës, gjyqtari kryesor i takimit ka filluar lojën pa dalë futbollisti laçian nga vijat kufizuese të fushës.

Posted: Mon, 16 May 2005 , 01:02
by vllaznia1919
Nuk jane gjane te bukra kta.Poredhe kta trapat e Laçit kane dashte me fitu kampionatin me nji ndeshje a?