Han vjell vrer: “Në Shqipëri nuk kishte ushqim e pije”
Vetëm 24 orë pas zyrtarizimit të shkarkimi të tij, ish-trajneri holandez i Shqipërisë, 60-vjeçari Ari Han, hodhi vrer jo vetëm ndaj Kombëtares shqiptare, të cilën e drejtoi për gati 16 muaj, por dhe ndaj vendit prej të cilit arriti të përfitojë rreth 240 mijë euro për 6 pikët e grumbulluara nga shtatë ndeshjet e drejtuara prej tij në fushatën kualifikuese të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”.
Deklaratat cinike të trajnerit të katërt të huaj gjatë “epokës Duka” në një prej revistave më prestigjioze në Holandë, “Voetbal International”, për mungesë “uji e buke” në Shqipëri, janë nga më të turpshmet të bëra ndonjëherë nga një teknik i huaj që ka drejtuar në Shqipëri, përfshirë edhe ata që janë drejtuar në klubet e Kategorisë Superiore apo të Parë.
“Voetbal International” citon faktin se Han u shkarkua nga “Federata e Futbollit të vendit të Europës Lindore, për rezultatet e dobëta në kualifikueset e Kupës së Botës. Bashkë me Hanin u larguan automatikisht nga stafi teknik edhe dy ndihmësit e tij, Vim Surbier e Nikola de Bri. Han gjatë intervistës dhënë për revistën sportive holandeze e përkufizoi punën e tij: “Unë isha më shumë një menaxher ekipi, sesa një trajner”. Ja dhe intervista e plotë:
“Voetbal International”: Sipas komunikatës së shtypit të dhënë dje (të mërkurën, nga Federata Shqiptare e Futbollit), ju u ndatë përmes një marrëveshje të pranueshme (nga drejtimi i Kombëtares shqiptare).
Ari Han: “Federata nuk dëshironte që unë të largohesha, por thjesht ne nuk arritëm të punonim së bashku. Ju mund të humbisni gjithmonë ndeshjet, por unë dëshiroja të punoja në një mënyrë tjetër, sesa ajo që m’u mundësua në Shqipëri.
Federata theksonte se rezultatet në kualifikueset e Kupës së Botës nuk ishin mjaftueshëm të mira.
Rezultate të dobëta? Ok, por ata do të thoshin patjetër diçka. Ndeshja kundër Maltës ishte shumë e keqe, por kundër Hungarisë ne humbëm se ishim të pafat në shtëpi, dhe po kështu atje në vendin e tyre, edhe pse ne u përpoqëm.
Përse ndodhi kjo?
Ishte Federata, që gati në mënyrë direkte më kërkoi që ne të kualifikoheshim për Kupën e Botës në Afrikën e Jugut, dhe duhej të fitonim patjetër ndeshjen me Hungarinë. Ne nuk ishim mirë në punët organizative. Këtë e diskutova edhe gjatë stërvitjes së parë që unë pata në Shqipëri (për ndeshjen me Hungarinë). Nuk kishte asgjë të rregullt dhe unë i shkrova një letër presidentit Armando Duka. Stadiumi ishte mbyllur dhe përfundimisht ishte ministri (i MTKRS-së, Turku), ai që urdhëroi të hapej. Nga ana tjetër, atje ku qëndronim nuk ishte një hotel i rregullt, nuk kishte ushqim, nuk kishte pije. Unë ndihesha më shumë një menaxher, sesa një trajner. Përfundimisht, ishte iniciativa ime që Duka dhe unë të flisnim me njëri-tjetrin. Ishte thjesht një bisedë formale “çfarë mendon ti dhe çfarë mendoj unë”. Arritëm shumë shpejt në përfundimin se nuk kishte më arsye të punonim së bashku.
Çfarë nuk arritët ju të bënit?
Ne nuk fituam. Dhe ndoshta, unë dëshiroja të bëja shumë gjëra përnjëherësh. Ndoshta unë e di se në një vend si Shqipëria, jo gjithçka është e mundur. Unë nuk kish më fuqi. Më tepër isha i zënë me planifikimin e ndeshjeve. Ata nuk kishin asnjë objektiv, asnjë plan. Ok, kaq është mjaftueshëm për Shqipërinë. Unë nuk kisha shumë influencë aty. Kjo e krahasueshme, për shembull, me kohën time në Kinë. Atje kisha gjithçka.
Sa herë që ikni nga diku, kujtoni kohën tuaj në Kinë. Përse nuk kthehen atje?
Muajin tjetër do të shkoj atje. Federata Kineze gjithmonë më telefonon menjëherë sapo unë largohem nga diku. Brenda pak javësh ne do të bisedojmë sërish.
Hani në “variantin pozitiv”
Han jep përshtypjet e tij për Shqipërinë në faqen holandeze depers.nl, menjëheerë pas barazimi me Suedinë, më 6 shtator 2008, në Tiranë: “Unë erdha në vitin 1971 kur Ajaksi u ndesh me Tiranën. Imazhi që unë krijova gjatë atij udhëtimi është shumë larg realitetit të sotëm. Shqipëria është një vend në zhvillim e sipër. Hidhni një sy përreth jush, ju do të shikoni se ekonomia punon. Vendi është pozicionuar në mënyrë ideale në detin Adriatik, me një influencë të dukshëm nga Europa Jugore dhe Ballkani. Herën e fundit unë isha në një restorant në qendër të Tiranës, ku kishte një restorant francez”
Marrë nga depers.nl
Largimet, nga Dosena te Hani
Vetëm dy nga katër trajnerët e huaj të punësuar në “epokën Duka”, gjermani Hans Peter Brigel (2002-2005) dhe kroati Oto Bariç (2006-2007) kanë mundur ta përfundojnë kontratën e tyre në drejtimin e Kombëtares, ndërsa nga dy të tjerët, italiani Xhuzepe Dosena (korrik-tetor 2007) e holandezi Ari Han (janar 2008-prill 2009), i pari e braktisi Shqipërinë, ndërkohë që i fundit u shkarkua.
16 muaj si trajner
Ari Han i dha fund aventurës së tij me Kombëtaren dhe futbollin shqiptar, 16 muaj pasi holandezi drejtoi pa sukses kuqezinjtë e kur kanë mbetur edhe 3 ndeshje nga përfundimi i fushatës kualifikuese të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut”, por duke marrë si kompensim për pranimin e dorëheqjes një faturë të kënaqshme financiare: 24 mijë euro plus. Hani e mori ekipin, më 3 janar 2008 dhe e la më 15 prill 2009.
7 ndeshje, 6 pikë
Pas një fillimi befasues në katër ndeshjet e para, ku spikasin dy barazimet e mëdha me Suedinë në Tiranë (0-0) e Portugalinë në Braga, të shoqëruara edhe me fitoren kundër Maltës (3-0) në “Qemal Stafa” e humbjen me Hungarinë (2-0) në “Ferenc Pushkash”, pjesa e dytë e aventurës së Hanit ishte një katastrofë e vërtetë: 0-0 në Maltë, 0-1 me Hungarinë në Tiranë dhe 0-3 me Danimarkën në Kopenhagen. Ndeshjet për t’u luajtur: Portugali, Danimarkë, Suedi.
Hani, i huaji më i dobët
Performanca e Ari Hanit në krye të ekipit më të rëndësishëm përfaqësues të Shqipërisë, atë A, përveç kurbës në rënie të rezultateve (7 takime zyrtare; 1 fitore, 3 barazime, 3 humbje) ka qenë edhe nga ana profesionale e drejtimit të Kombëtares më e varfra në raport me dy paraardhësit e tij, gjermanin Hans Peter Brigel dhe kroatin Oto Bariç, pa përfshirë këtu italianin Xhuzepe Dosena, pasi ky i fundit e drejtoi Shqipërinë vetëm në dy ndeshje.
Listë e gjatë shkarkimesh
Në fakt, FSHF-ja nuk është federata e vetme europiane që shkarkon trajnerin gjatë kësaj fushate eliminatore të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, pasi më parë këtë e kishte bërë edhe Belgjika me trajnerin Rene Vandereycken, Çekia me Petr Rada, Maqedonia me Sreçko Katanecin dhe së fundi edhe Rumania me të mirënjohurin Viktor Picurka, edhe pse ky i fundit e kishte çuar në finalet e Euro 2008.
“Valsi” i kandidatëve, “boom” emrash
Faksi i zyrës për marrëdhënie me jashtë në Federatën Shqiptare të Futbollit është duke punuar në maksimum. Kandidatura trajnerësh po vërshojnë nga të gjitha anët, ku mbizotërojnë ato gjermane, por edhe polake, rumune e madje holandeze. Një nga të vetëofruarit për të drejtuar Kombëtaren shqiptare ishte edhe gjermani Lorenz-Günther Këstner, i cili aktualisht drejton ekipin e dytë të Volfsburgut, apo U-23. Kostner, 57 vjeç, ka qenë edhe trajneri i Edmond Kapllanit te Karlsruhe, por dhe me Frajburgun, Unterhaching, Karlsuhe, Hofenhajmin, Këlnin, Rot-Vajs Esenin, ndërkohë që ka punuar edhe si ndihmëstrajner me Kristof Daumin te Shtutgardi, ku në vitin 1982 arriti edhe të shpallej kampion i Gjermanisë.
Si iku Hani nga Kameruni
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, me siguri duhet ta dijë arsyen se përse ish-trajneri i Shqipërisë u largua nga drejtimi i Kamerunit përpara se bosi i FSHF-së të vendoste për të punësuar holandezin Ari Han dhe jo austriakun Hans Krankël. Ari Han dha dorëheqjen nga drejtimi i “luanëve” afrikanë për një arsye shumë të thjeshtë kur kishte mbushur vetëm gjashtë muaj në drejtimin e Samuel Eto’së me shokë. “Unë nuk mund të ndërtoj një ekip të mirë për Kamerunin për shkak të ndërhyrjes në punën time”, - tha Han për prestigjiozen britanike “BBC” në shkurt të vitit 2007, duke fajësuar presidentin e Federatës Kamerunase të Futbollit, Mohamed Iya. “Gjithkush në federatë ndërhyn dhe në mënyrë të veçantë presidenti, kështu që nuk është më e nevojshme që unë të qëndroj”. Han tregon edhe shkakun e largimit. Federata kamerunase organizoi një ndeshje miqësore me Togon (një vend tjetër afrikan), por pa dijeninë e holandezit. “Ata nuk respektuan dëshirën time për miqësoren kundër Togos dhe i nisën përgatitjet pa marrë më parë aprovimin tim. Jam unë ai që duhet të organizoj ndeshjet për ekipin kombëtar dhe jo federata”, - sqaron Han për “BBC”-në. Për ta përkeqësuar edhe më shumë humorin e Arit, federata kamerunase e përjashtoi atë nga një delegacion zyrtar për Kampionatin Afrikan të të Rinjve që u zhvillua në Kongo. “Unë dëshiroja të monitoroja disa lojtarë të rinj për ekipin kombëtar, por ata refuzuan. Kjo tregon se federata ka një vizion ndryshe nga ai që kam unë për futbollin kamerunas. Unë do të kthehem pas nëse gjërat do të ndryshojnë”, - përfundoi Han, por ai nuk u kthye më kurrë aty.
Ari Hani për veten në 360 gradë
“Jam i martuar, kam tre fëmijë dhe bëj një jetë të mirë. Martesa ime shkon mirë dhe karriera më ka ecur mirë në përgjithësi. Në jetën private nuk kam asgjë që mund të mbetet merak”
* * *
“Kam shëtitur në të gjithë botën. Kam qenë në Nju Jork, Meksikë, Kinë, Kamerun, Amerikën e Jugut, në Amerikën e Veriut, në Qipro, Greqi, Rio de Zhaniero, Iran. Vetëm në Antarktidë nuk kam qenë ndonjëherë”
* * *
“Në karrierën time kam pasur ulje-ngritje të vazhdueshme, por kjo është e bukura. Nuk do të doja të kisha vetëm ngritje dhe më pas të rrëzohesha keqazi, dhe anasjelltas.
* * *
“Futbolli është pasioni im. Çdo njeri ka pasionet e tij dhe për mua futbolli është gjithçka. Më tërheqin librat 'thriller', ose ata të shkruar nga njerëz të politikës, pasi këta të fundit ta kenë mbyllur karrierën. Kanë gjithnjë mistere”
* * *
“Dëgjoj muzikë nga të gjitha rrymat. Varet se si jam shpirtërisht dhe në çfarë rrethanash. Këngëtari im i preferuar është Elvis Presli”.
* * *
“Gazetarët janë gjithnjë problem, sepse i fusin hundët edhe atje ku nuk duhet. Megjithatë unë nuk është se kam shumë probleme me ta, sepse jam mësuar tashmë”
* * *
“Problemi im i vërtetë, të paktën gjatë kohës që kam punuar me klube, janë menaxherët e skuadrave. Ata gjithnjë krijojnë marrëdhënie më të mira me presidentët, sepse mburren ose i gënjejnë kur shesin e blejnë lojtarë”
* * *
“Nuk dua që lojtarët të pinë duhan në praninë time. Ata mund të bëjnë çfarë të duan në kohën e lirë, por jo në praninë time. As të shkojnë në kazino apo për darka jashtë hotelit një ditë para ndeshjes
* * *
“Jam i predispozuar të mos kem probleme me lojtarët. Ata duhet të bëjnë punën e tyre dhe unë timen. Unë kam fatin e madh që kam qenë një futbollist i madh dhe e di se si mendon një futbollist i tillë. Futbollistët e mëdhenj janë si artistët, janë shumë të ndjeshëm.
* * *
“Në Shqipëri njerëzit jetojnë më shumë me futbollin dhe e ndjejnë më shumë atë. Kjo pasqyrohet edhe te lojtarët, të cilët përpos mundësive, kanë shumë më tepër dëshirë dhe zell për të mësuar se sa kinezët apo kamerunasit”