K.Dalipi: Vendi i dytë, detyrim për Vllazninë
Të gjithë presin që kuqeblutë nesër në darkë të jenë në vendin e dytë të renditjes. Shansi për t'i arritur kësaj është, sepse luajnë në fushën e tyre, para publikut të mrekullueshëm shkodran, ndaj skuadrës që është e dyta aktualisht, Teutës së Durrësit. Në Shkodër askush nuk mendon për një rezultat tjetër, përveç fitores së Vllaznisë. Madje ajo konsiderohet edhe detyrim për skuadrën e drejtuar nga trajneri Josa. Thuajse në të njëjtën logjikë me këtë mendim është edhe njëri prej titullarëve të formacionit shkodran, pikërisht elbasanasi Klevis Dalipi, i cili për gazetën "Sporti shqiptar" do të shprehej: "Kemi ardhur deri këtu natyrisht falë lojërave të mira që kemi zhvilluar dhe si pasojë jemi të tretët në renditje. Megjithatë, të gjithë presim që Vllaznia pas ndeshjes me Teutën të kapë vendin e dytë, i cili pra është një detyrim për ne. Askush nuk do na falte asnjë rezultat tjetër veç fitores në këtë takim shumë të rëndësishëm dhe mundësitë për ta arritur atë janë, sepse jemi duke luajtur mirë." I vendosur pas shpinës së dyshes sulmuese Gudjabi Sukaj, elbasanasi duket se ka gjetur vendin ideal në fushë për të dhënë më të mirën e tij. Ai është shndërruar edhe në një golashënues të rëndësishëm për skuadrën, pasi është duke shënuar gola mjaft decizivë. Kështu, vetëm në dy ndeshjet e fundit ka shënuar tre gola, duke e çuar numrin total të tyre në 6 këtë kampionat. Me këtë shifër ai është ngjitur në krye të listës së shënuesve më të mirë të skuadrës së bashku me Licin, që ka shënuar të njëjtin numër golash me elbasanasin. Klevis Dalipi gjithsesi nuk është shumë i prirur pas shënimit të një numri të madh golash. Ai vetë thotë se preferon më mirë të shënojë pak, por ata të jenë të rëndësishëm për skuadrën. "Vërtet numri i golave të shënuar po vjen duke u rritur, por të them të drejtën nuk e mbaj mendjen shumë te golat. E rëndësishme është që sa herë të shënoj, ato gola të jenë të rëndësishëm për Vllazninë. Sesa do të jetë numri total i golave që do të shënoj, për këtë nuk jam shumë i interesuar," shprehet më tej numri 10 i shkodranëve. Vëmendja e të gjithëve është drejtuar te ndeshja e kësaj të shtune pasdite në "Loro Boriçi" mes Vllaznisë dhe Teutës. Kjo është vetëm një sfidë 90-minutëshe dhe që vlen realisht vetëm 3 pikë, por Klevis Dalipi thotë se i gjithë ky impenjim kaq i madh vjen për faktin se skuadra që do të zërë vendin e dytë në përfundim të kësaj faze, relativisht do të jetë në të njëjtin vend edhe në fundin e krejt kampionatit. "Ne shpresojmë dhe po e kërkojmë me çdo kusht vendin e dytë që këtë fazë, sepse jemi të bindur që në fazën e tretë, nisur edhe nga kalendari i saj, do të jemi në të njëjtin vend, çka do të thotë edhe realizim i objektivave të klubit," deklaron në fund lojtari i ardhur nga ekipi kampion i Elbasanit, Klevis Dalipi.
Marre nga gazeta
Sporti Shqiptar