Post
by Skodrinon » Thu, 06 Aug 2009 , 17:00
Vllaznia, kërkesë Liverpulit për miqësore në Shkodër
Presidenti Fushaj ndodhet në Norvegji, ku do t’u propozojë dëshirën e tij drejtuesve anglezë
Mund të duket e çuditshme, por është e vërtetë. Drejtuesit e lartë të Vllaznisë do t’u kërkojnë homologëve të tyre të Liverpulit zhvillimin e një ndeshjeje miqësore në “Loro Boriçi”. Lajmi bëhet i ditur nga presidenti Valter Fushaj, i cili ka udhëtuar dje në mesditë drejt Norvegjisë.
Arsyeja e këtij udhëtimi ka qenë ftesa e presidentit të Lynit për të asistuar në miqësoren, që ky ekip ka zhvilluar mbrëmë ndaj anglezëve të Liverpulit. Fushaj ka njohje të vjetra me drejtuesit e klubit norvegjez dhe për këtë arsye ka ardhur edhe ftesa e tyre. Presidenti i Vllaznisë shoqërohet në Norvegji nga menaxheri i marketingut pranë klubit shkodran, Armando Lohja.
Vetë Fushaj e ka bërë të qartë qëllimin kryesor që do të ketë në këtë udhëtim drejt vendit skandinav, teksa ka thënë: “Do të mundohem ta shfrytëzoj këtë ftesë të miqve të mi, drejtuesve të Lynit të Oslos, për të biseduar me drejtuesit e Liverpulit për mundësinë e një miqësoreje me ta në Shkodër. Liverpuli në çdo pragsezoni organizon takime të ndryshme miqësore në vende të ndryshme të botës për të rritur famën e tij kudo.
Kështu veproi ditët e fundit, teksa luajti në Austri me Rapidin e Vjenës, tri ditë pasi austriakët luajtën me ne. Kështu po vepron edhe tani në Norvegji me Lynin. Do të ishte diçka fantastike që Liverpuli të vinte në Shqipëri dhe në Shkodër për të luajtur një miqësore. Ne do të shfrytëzojmë edhe miqësinë që kemi me drejtuesit e klubit norvegjez. Me ndihmën e tyre do të bëjmë ç’është e mundur që një miqësore e tillë të luhet edhe në “Loro Boriçi”.
Do të ishte vërtet diçka e bukur dhe ajo ditë do të kthehej në një festë të vërtetë për gjithë Shkodrën e më gjerë.” Nëse realizohet kjo dëshirë, sigurisht që do të ishte gjë e bukur. Pas Milanit, mbase shqiptarët do të kenë mundësi të shohin nga shkallët e stadiumit edhe një tjetër emër të madh të futbollit europian e botëror, Liverpulin. Valter Fushaj me këtë ide është nisur dje drejt Norvegjisë. Se çfarë do të rezultojë pas këtij udhëtimi, kjo mbetet për t’u parë.
Fushaj: Vllaznia pretendente, me ose pa Beqirin
Ka një vendosmëri të madhe për të pasur sërish një skuadër pretendente. Po punon për këtë dhe është i bindur se do t’ia arrijë qëllimit. Valter Fushaj, presidenti i Vllaznisë, e njeh mirë tashmë futbollin shqiptar, pasi prej 6 vitesh është pranë tij. Ka një përvojë të mjaftueshme për të kuptuar se si duhen bërë gjërat dhe në intervistën e mëposhtme jep disa detaje. Ai flet për çështjen “Beqiri”, teksa i jep edhe paralajmërimin e fundit lojtarit të kombëtares shqiptare për të vendosur nëse do të qëndrojë apo do të largohet. Gjithashtu, flet për ardhjet dhe largimet e mundshme. Në fund, ajo që ka rëndësi më shumë për sportdashësit shkodranë, Fushaj premton se Vllaznia do të jetë pretendente për titull. Ja çfarë ka thënë Fushaj dje për “Sportin shqiptar”:
? Fushaj, Vllaznia duket se po lëviz mirë në merkato. Afrimet e fundit mendoni se e kanë kompletuar skuadrën?
? Mund të them vetëm që po bëjmë më të mirën e mundshme në këtë drejtim. Kemi firmosur me disa lojtarë, të tjerë janë në provë dhe po ashtu në ditët në vazhdim mund të vijë edhe ndonjë lojtar tjetër. Vllaznia pa diskutim që do të plotësohet dhe do të jetë pretendente në sezonin e ri.
? Por, përveçse është larguar Bashiç, mund të ikë edhe Beqiri dhe skuadra mund të dobësohet, apo jo?
? Bashiç u largua, ngaqë nuk e kishim në planet tona. Ai nuk ishte në formë të mirë. Ndërsa për Beqirin është çështje tjetër. Ai ka një kontratë me Vllazninë dhe, sipas saj, mund të largohej në merkaton e verës, nëse do të kishte ofertë kundrejt një dëmshpërblimi. E bëri këtë gjë, kur për një javë shkoi në Francë, duke na thënë se do të shkonte për të firmosur. Ne filluam të mendojmë për zëvendësimin e tij dhe morëm malazezin Rajoviç, por Beqiri është kthyer në stërvitje, sepse nuk firmosi atje. E pranuam, por ai përsëri deklaron se do të provojë të largohet, nëse i del ndonjë mundësi tjetër. Vllaznia sigurisht që nuk mund të presë as atë dhe askënd tjetër. Kampionati po afron dhe ne i bëjmë planet me lojtarët që kemi në dispozicion dhe jo me ata që duan të largohen. Kështu, me shumë mundësi, Beqiri nuk do të jetë në stërvitje me ekipin në përgatitoren e Pukës. Nëse e ka mendjen për të ikur, të paguajë dëmshpërblimin dhe të ikë. E përsëris se nuk mund ta presim atë, sepse në rast largimi, do të gjendemi të papërgatitur. Për këtë arsye, jemi shumë pranë arritjes së marrëveshjes edhe me një mbrojtës tjetër.
? Dhe cili është ai?
? Bëhet fjalë për Ditmar Bicin, lojtarin e ekipit Shpresa, që ka luajtur kohët e fundit në Bullgari. Marrëveshja është shumë pranë zyrtarizimit dhe mund të mbyllet në ditët në vazhdim.
? Po lojtarë të tjerë do të ketë?
? Po punojmë në këtë drejtim. Pikësëpari, do të marrim një vendim për këta që janë duke u provuar. Ndërkohë, po shohim mundësinë e marrjes së ndonjë lojtari tjetër, ashtu siç mund të ketë edhe ndonjë largim tjetër.
? Sërish lojtarë që do të largohen?
? Kemi portierin Bishani. Ai prej kohësh po na kërkon ta lëmë të shkojë të luajë diku tjetër, ngaqë nuk ka pasur shumë vend te Vllaznia. Aq më tepër që tani në provë tek ne është edhe një portier serb. Duke qenë kështu, Bishanin mund ta huazojmë në ndonjë ekip tjetër për sezonin e ri. Përveç tij, mund të ketë edhe ndonjë largim tjetër, por për momentin nuk mund ta bëjmë të ditur emrin.
- Shumë ndryshime për sezonin e ri. A do të mundet Vllaznia të jetë sërish pretendente?
? Ndryshimet nganjëherë janë të domosdoshme dhe ne jemi duke parë pozitën e gjithsecilit, nga futbollisti më i ri e deri te punëtori i fushës. Këto ndryshime besoj se do të ndikojnë për mirë në skuadër dhe Vllaznia edhe në sezonin e ri do të jetë pretendente serioze për fitimin e të dy trofeve.