Post
by fpjalmi » Sat, 07 Feb 2009 , 19:56
Josa: Nuk e prisja një largim të tillë
Autori: Ervin Sina
Data: 07/02/2009
Trajneri Mirel Josa ka mbetur i habitur nga shkarkimi në krye të stolit të Elbasanit
Pas tetë muajsh në krye të skuadrës së Elbasanit, ai nuk do të ketë më mundësinë që të vazhdojë ëndrrën e tij për të fituar një trofe me skuadrën verdheblu. Mirel Josa ka ndjekur të premten shembullin e trajnerit kroat të Dinamos, Zlatko Daliç. Si një profesionist i vërtetë, Josa ka mbërritur rreth orës 13:30 në ambientet e stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” dhe me një qetësi të admirueshme ka hyrë në dhomat e zhveshjes, ku ka qenë e gjithë skuadra në pritje për të dëgjuar fjalët e fundit të njeriut që nuk mundi t’i udhëheqë dot drejt sukseseve.
“Bashkë kemi kaluar periudha të mira dhe të këqija, megjithatë të gjitha janë pjesë të lojës së futbollit. Unë kam besim se forca e këtij grupi lojtarësh është më e madhe, prandaj ju uroj suksese!” Këto kanë qenë disa ndër fjalët me të cilët u është drejtuar lojtarëve që stërviste Mirel Josa, i cili më pas u ka shtrënguar dorën të gjithë futbollistëve mes një ndarje vërtet shumë emocionuese. Pasi ka bërë gati të gjitha sendet e tij, duke mbushur me shumë se tri çanta, Josa nuk mund t’i shpëtonte një kafeje mjaft miqësore në lokalin e stadiumit me sekretarin e klubit, Artin Kovaçi, dhe menaxherin Ferdinand Lleshi. I kontaktuar nga gazeta “Sporti shqiptar”, Josa u shpreh:
“Më vjen shumë keq për këtë ndarje, sepse gjatë 8 muajve patëm synime të tjera për të arritur dhe tani largohem me disa pengje të mosarritjes së objektivave të deklaruara, për arsye që ju i dini më mirë sesa unë dhe që nuk ia vlen t’i thuash. Ndryshe u nis dhe ndryshe u kris.
Nuk është hera e parë që unë largohem në situata të tilla nga një klub, por do të kishte qenë më mirë për të dyja palët që gjërat të kishin marrë rrugën që në fund të muajit dhjetor, kur u mundëm nga Besa, në mënyrë që edhe trajneri i ri të kishte kohë të punonte me skuadrën edhe më mirë.” Josa la të nënkuptohej se krisja mes tij dhe drejtuesve më të lartë të ekipit ka nisur shumë kohë më parë. “E thashë këtë gjë, sepse u kuptoka tani që, nëse do të kisha humbur në Durrës, mund të isha larguar që atje. Po them gjithashtu se është vendim i asamblesë së klubit dhe asnjëherë vendimi im.
U thashë edhe lojtarëve që bashkëpunimi duhet të kishte vazhduar, por kështu paska qenë e thënë,” - u shpreh Josa, i cili zbardh edhe disa nga prapaskenat e fundit të bisedave mes palëve, të cilat çuan në largimin e tij. “Dje në mesditë kam folur në telefon me Gentian Çërragën, i cili ishte i autorizuar për të më komunikuar zgjedhjet që ishin bërë në këtë rast. Njëra ishte ndërprerja e marrëdhënieve si trajner dhe vazhdimi si drejtor teknik, tjetra ishte dorëheqja ime dhe e fundit ishte një afat që mund të më vihej deri në takimin me Vllazninë dhe, nëse nuk do të kishte gjë pozitive, unë duhej të ikja vetë. Nuk pranova asnjë nga këto zgjedhje, sepse unë kisha kontratë si trajner me këtë ekip dhe klubi duhet të më paguajë deri në fund për këtë. Për më tepër që binte edhe autoriteti dhe prestigji im, duke mos lënë mënjanë faktin se një trajner nuk mund të punojë në trysninë e të qenit sot ose nesër pranë shkarkimit,” - deklaroi trajneri Mirel Josa në fund.
Josa: U jam borxhli tifozëve elbasanas
Pasi ka diskutuar në lidhje me të gjitha situatat që e shqetësonin, trajneri Josa ka thënë dy fjalë për skuadrën që ka lënë pas dhe faktin që kurrë nuk mundi t’i dhurojë një kënaqësi të madhe publikut të mrekulllueshëm elbasanas. “Pas kësaj që ndodhi, rëndësi ka që unë me drejtuesit e kësaj skuadre do të mbetem sërish mik dhe, nëse në të ardhmen do të më vinte prapë një ofertë, do ta pranoja. Këtë ekip unë do ta dua, sepse u mbetem borxhli mbi të gjitha tifozëve të shkëlqyer elbasanas për mosarritjen e objektivave,” - u shpreh ish-trajneri i Elbasanit.
Josa mohon kontaktet me Dinamon
Mirel Josa nuk ka pasur asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me skuadrën e Dinamos. Të paktën kjo ka ndodhur deri në orën 15:00 të ditës së premte, siç ka pohuar vetë ish-trajneri i Elbasanit, i cili për momentin është i papunë. “Deri në këtë moment që po flasim bashkë, telefoni im nuk ka rënë asnjëherë dhe asnjë nga Dinamoja nuk ka komunikuar me mua. Megjithatë, jam i nderuar që, nëse një gjë e tillë është e vërtetë, drejtuesit e Dinamos kështu më vlerësojnë si figurë. Do ta shqyrtoja një gjë të tillë nëse do të ndodhte,” - tha Josa.
Bejzade e Kacollja nuk stërviten me ekipin
Skerdi Bejzade dhe Mardian Kacollja kanë qenë dy mungesat e skuadrës së Elbasanit në seancën stërvitore të ditës së premte. Stërvitja është zhvilluar në ambientet e stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” dhe ka qenë më shumë një seancë me karakter atletik, e drejtuar nga zv/trajneri Ilirian File. Me grupin e lojtarëve nuk janë stërvitur në kohë të plotë Ahmataj dhe Qorri, të cilët kanë probleme të vogla, ndërsa me ta është stërvitur edhe Dorian Bylykbashi.