Dinamo - Vllaznia 4-2

Shënues: Sefa 2′, 49′ 52′, Bakaj 7′, Rajoviç 21′, E.Beqiri 23′

Dinamo: Kotorri, Xhafa, Malakarne, Malota (Ferraj 46′), Del Monte, Allmuça, G.Muça, Diop, Kuli (Progni 69′), Bakaj, Sefa (Plaku 76′).

Trajner: Sh. Muça

Vllaznia: Bishani, Mrvaljeviç, Sykaj, Rajoviç, Hallaçi (Doçi 82′), Alikal (Galica 51′), E. Beqiri, Nallbani, Rustemi (Vajushi 78′), Shtubina, Bala. Trajner: R. Luçi

Gjyqtarë: A. Taullaraj, G. Qirici (Tiranë), G. Koka (Lezhë)

Vëzhgues: H. Kuka

Kartonë të verdhë: Diop, Rajoviç, Malota

“Radiografia”

2′- Mrvaljeviç kërkon të kthejë topin pas për Bishanin, që kapet në kohë të kundërt. Njëri nga mbrojtësit e Vllaznisë kërkon të largojë panikun nga zona, por topi përplaset në gjoksin e Sefës dhe përfundon në rrjetë.

7′- Dy mbrojtësit e Vllaznisë ngatërrohen me njëri-tjetrin pas një aksioni pa pretendime dhe topi përfundon në këmbët e Bakajt, që nuk e ka të vështirë të shënojë golin e dytë të takimit.

21′- Këndore për Vllazninë. Alikaj harkon për Rajoviçin në zonë, që me kokë ngushton diferencën në 2-1.

23′- Aksion rrëmujë në zonën e Dinamos dhe Beqiri përfiton, duke shënuar golin e barazimit për shkodranët. 2-2.

29′- Hallaçi nga krahu i majtë kroson saktësisht për Balën që përballë Kotorrit me kokë godet, por iniciativa e shkodranit është qendrore dhe neutralizohet nga portieri blu.

40′- Bakaj jep një asist të perfekt për Allmuçën. Brënda zone në krahun e djathtë, mesfushori blu hedh një top në zonë që kalon gjithë pasqyrën e portës, pa u shtyrë në rrjetë nga sulmuesit blu.

41′- Bakaj kroson nga këndorja. Në fillim është Sefa që godet me të djathtën, por grushton Bishani. Topi kthehet te Diop, që godet menjëherë, por sërish grushton në goditje këndi portieri i ri i Vllaznisë.

49′- Allmuça kroson bukur nga e djathta për Sefën, që me kokë shënon golin e avantazhit.

52′- Allmuça jep një asist nga thellësia e mesfushës për Sefën që sërish me kokë shënon golin e 4-t për blutë dhe të 3-tin personal. 4-2 në favor të Dinamos.

54′- Shtubina përballë Kotorrit godet, por reagon Kotorri, topi mbetet në zonë dhe në momentin e fundit e largon Xhafa.

56′- Bakaj futet bukur në qendër nga e majta, godet, por Bishani pret pa problem.

70′- Godet fuqishëm Galica me të majtën, por Kotorri grushton një gjuajtje të rrezikshme.

86′- Galica sërish lëshon një “predhë” nga jashtë zone, Kotorri grushton, topi përplaset në shtyllën e djathtë pingule.

90+3′- Bakaj jep një asist për Allmuçën, që godet menjëherë, por “sfera” nuk i bindet mesfushorit blu dhe përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të portës së Bishanit.

Komenti

Në tapetin e blertë të “Qemal Stafës” pasditen e djeshme kanë zbritur dy skuadra me tradita në futbollin shqiptar, si Dinamo dhe Vllaznia. Blutë kryesues në kampionat janë përballur me Vllazninë, që ndodhet në pozita të vështira aktualisht. Në të dy kampet ka pasur mungesa, pasi për blutë mungonin Soza (3 kartona të verdhë), Putinçanin (i pezulluar), Pisha (gjendje gripale), ndërkohë që edhe shkodranët kishin një “mal” me mungesa, ku veç Sinanit, edhe Grima nuk ka qenë i gatshëm si pasojë e një dëmtimi më brinjë. Ndeshja nis e vrullshme për blutë, të cilët pas gabimeve foshnjarake të mbrojtës mike arrijnë të gjejnë 2 gola për 7 minuta me anë të Sefës dhe Bakajt.

Por ekipi i drejtuar nga Luçi reagon dhe pas dy goditjeve këndore është Rajoviç dhe Beqiri që u japin barazimin momental kuqebluve. Vllaznia merr zemër dhe hidhet në sulm, duke kombinuar mirë në mesfushë, por Balaj & CO shpërdorojnë disa mundësi të mira shënimi. Në krahun tjetër, blutë me Allmuçën rrezikojnë portën mike. Por nuk do të mbaronte këtu ofensiva e Dinamos në fraksionin e parë. Sefa dhe Diop “breshërojnë” portën e Bishanit, i cili tregohet i saktë në ndërhyrjet e tij, duke ruajtur në barazim 2-2 rezultatin e pjesës së parë.

Në pjesën e dytë dinamovitët e mbyllin takimin menjëherë me autor Fatjon Sefën, i cili shënon një dygolësh të shpejtë në fillim të fraksionit të dytë (dhe të tretin personal). Vllaznia është munduar me anë të Galicës e Shtubinës, por Kotorri u ka thënë “jo” të gjitha iniciativave të kuqebluve. Me fitoren e djeshme, dinamovitët kanë “arkivuar” suksesin e 13-të në kampionat, duke veçuar vetëm 2 barazime ndaj shkodranëve në fazën e parë dhe të Skënderbeut në javën e 8-të. Tashmë blutë mendojnë për transfertën e Peqinit, ku do të përballen me Shkumbinin vendës. Nëse blutë nuk ndalen as në Peqin, normalisht sërish do të lindë pyetja: Vallë kush do ta ndalë këtë Dinamo?

Deklarojnë…

Shkëlqim Muça, trajner i Dinamos: “Ishte një ndeshje e vështirë, pavarësisht se fituam. Në pjesën e parë të dy skuadrat bënë “dhurata”. Vllaznia bëri dy “dhurata” të mira dhe ne ia “shpërblyem” në të njëjtën mënyrë. Pas dy golave të parë, kemi toleruar shumë dhe për meritë të Vllaznisë, loja mori ngjyra të tjera dhe më pas na vunë në vështirësi deri në fundin e pjesës së parë. Ndërkohë, pjesën e dytë, më ndërrimet e kryera, ekipi u ingranua shumë. Shënuam dy gola të shpejtë, që na dhanë mundësi për të qenë më të qetë. Ishte një fitore e bukur dhe më erdhi mirë që shënuam 4 gola.”

Roland Luçi, trajner i Vllaznisë: “Që në fillim të sfidës kam pasur mendimin se Dinamo nuk është në gjendje të luajë aq mirë përballë nesh sa diferenca në pikë që kemi. Rezultati nuk shpreh “fytyrën” e vërtetë të ndeshjes, por Dinamo ka një ndryshim nga ne, ka futbollistë vërtet profesionistë, kurse lojtarët tanë bëjnë gabime që nuk u lejohen as amatorëve. Ky është ndryshimi midis dy skuadrave. Sigurisht, humbja rëndon në fillim mbi mua, sepse edhe unë jam pjesë e kësaj skuadre. Por futbollistët tanë vazhdojnë të bëjnë gabime amatore. Ju i patë edhe vetë golat, e filluam lojën 2-0 në favor të Dinamos.”

Komentet