Mbrojtësi i Vllaznisë ka shënuar sërish, duke u bërë protagonist në lojën e skudrës së tij
Kohët e fundit i ka ecur në Fierë, jo vetëm se ka luajtur mirë, por edhe se ka qenë protagonist për Vllazninë me golat e tij. Elvin Beqiri ka shënuar edhe kampionatin e kaluar, pikërisht ndaj Apolonisë një gol shumë të rëndësishëm. Ka ndodhur më 15 mars dhe e ka dërguar topin në rrjetë pikërisht në minutën e 88‑të të ndeshjes, duke i dhënë një fitore shumë me vlerë skuadrës së tij.
E ka bërë edhe këtë javë, teksa ka shënuar sërish, këtë herë në minutat e para të ndeshjes, por goli i tij nuk ka rezultuar aq me vlerë sa në sezonin e shkuar. Fierakët arritën të barazojnë në pjesën e dytë të ndeshjes dhe për rrjedhojë të dyja skuadrat ndanë nga një gol. Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, vetë numri 18 i kuqebluve ka deklaruar: “Mendova se ai gol do të kishte sërish vlerën e tri pikëve, ashtu si edhe kampionatin e kaluar, por nuk ndodhi kështu.
Kishim shumë nevojë për një fitore në transfertë, por nuk qe e thënë ta arrinim. Ajo që po na ndëshkon është edhe mungesa e fatit. Nuk është se po luajmë keq, por kemi problem në marrjen e pikëve dhe ngjitjen në tabelën e renditjes.” Vllaznia në të dy ndeshjet e saj të fundit në transfertë, ka qenë shumë pranë fitores, por si në Korçë, ashtu edhe në Fier, nuk arriti ta administrojë avantazhin. Në të dy rastet nuk ka shkuar më tepër se barazimi, dhe megjithatë ky është një tregues i mirë se skuadra dalngadalë po merr pikë edhe jashtë dhe po del nga situata jo e mirë ku ndodhet.
Për mbrojtësin Elvin Beqiri, që njëkohësisht është edhe i vetmi anëtar i kombëtares shqiptare te Vllaznia, skuadra po bind çdo ditë e më tepër dhe kjo është shumë pozitive. “Nëse do të kishim pasur më tepër fat dhe nëse do të kishim qenë pak më të kujdesshëm, sot minimumi do të kishim pasur 5‑6 pikë më tepër në renditje. Do kishim qenë në pozita shumë më komode dhe pretendimet tona do të kishin qenë të tjera. Megjithatë, dy ndeshjet e fundit jashtë, si ajo me Skënderbeun, edhe kjo me Apoloninë, treguan se skuadra ka forca për të qenë shumë më lart në renditje dhe shumë shpejt do të ngjitet për të shkuar në vendin që i takon”, ‑ ka shtuar ai. Këtë javë shkodranët do të presin në fushën e tyre Kastriotin.
Për mbrojtësin e qendrës së Vllaznisë, fitorja me këtë skuadër është detyrë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë eufori të lojtarit, por ai e konsideron këtë detyrë. “Nuk kemi asnjë alternativë tjetër, jo ndaj Kastriotit, por ndaj asnjë skuadre tjetër, përveç fitores në fushën tonë.
Ne po kërkojmë të marrim pikë jashtë, sepse në “Loro Boriçi” nuk duhet të mendojmë për të tjerë hapa të gabuar. Kështu që ndaj Kastriotit ne e konsiderojmë detyrë marrjen e tri pikëve. Jemi duke u përgatitur për këtë, sepse e dimë që nuk ka kundërshtarë të lehtë për ne, megjithatë jam shumë i bindur se do t’ia dalim”, - ka thënë në fund Elvin Beqiri.
“Me Fushajn do të bisedoj në janar”
Prej disa kohësh është kthyer në një çështje te Vllaznia. Bëhet fjalë për mbarimin e kontratës së mbrojtësit Elvin Beqiri, pikërisht pas një muaji. Ende nuk ka asnjë lajm për një rinovim të mundshëm të kësaj kontrate, megjithëse vetë presidenti Fushaj, para disa ditësh, u shpreh se e kemi lënë të bisedojmë në janar. I pyetur për ndonjë ofertë të mundshme nga Vllaznia, apo ndonjë ekip tjetër, Beqiri ka thënë: “Për momentin nuk kemi asgjë të re. Sigurisht, që dëshira ime është të qëndroj te Vllaznia, nëse qëndroj në Shqipëri.
Për këtë e kemi lënë me presidentin Fushaj që të flasim në janar, atëherë kur mbaron kontrata. Tani jemi në dhjetor dhe nuk kemi pse të flasim për këtë çështje. Kur t’i vijë koha do ta diskutojmë, ashtu siç mund të vijnë edhe oferta të tjera. Për momentin nuk jam duke e mbajtur mendjen aty. Jam duke u përpjekur në maksimum për të ndihmuar Vllazninë të dalë nga situata ku ajo ndodhet aktualisht.”
sprti shqiptar
Komentet