- Plori, në pamje të parë kur shohim ekipin tuaj aktual, duket se kemi të bëjmë me atë ekipin e paratërinjve që sezonin e kaluar doli kampion. Keni edhe ju të njëjtin mendim?
- Deri diku po sepse janë gati të njëjtët lojtarë. Është ai kontigjen që ka dalë kampion në dy sezonet e fundit me paratërinjtë, shto këtu edhe ndonjë element tjetër. Sa për moshën, vërtetë të krijohet kjo përshtypje sepse plot 7 futbollistë në këtë ekip janë të ditëlindjes 1992. Pra janë elementë me shumë perspektivë.
- Kryesoni me meritë kampionatin. Kjo ka ardhur falë punës së bërë apo ka ndonjë arsye tjetër pse është kjo diferencë me ekipet rivale?
- Kur kemi hyrë në kampionat nuk është se e kemi patur mendjen tek gara shumë megjithëse gjithnjë na ngacmonte ideja e bërjes mirë të gjërave. Por ecuria jonë ka qenë shumë e mirë. Në 10 ndeshjet që kemi zhvilluar, kemi arritur 9 fitore dhe 1 barazim në Tiranë me Shkëndinë. Vllaznia ende nuk njeh shijen e humbjes dhe këto fakte tregojnë se ekipi punon mirë. Për të mos dalë tek golat pastaj kur kemi shënuar 24 dhe kemi pësuar vetëm 4 të tillë. Me këtë ecuri, sigurisht që kemi bërë edhe diferencën me ekipet e tjera por nuk e kemi shumë mendjen tek kjo gjë. Duam të vazhdojmë të bëjmë punën tonë me këtë ekip.
-Ka ndikuar të qënit bashkë e këtij grupi futbollistësh prej disa vitesh?
-Kjo është arsyeja kryesore. Ata punojnë prej tre vjetësh bashkë dhe mënyra organizative e skuadrës ka bërë që grupi të jetë shumë kompakt.
-Disa nga elementët kryesorë të skuadrës suaj tashmë janë edhe pjesë e ekipeve kombëtare. Ju gëzon ky fakt?
-Është një nga më të rëndësishmit. Detyra jonë si trajnerë është të prodhojmë sa më shumë lojtarë për Vllazninë dhe ekipet kombtare. Deri tani gjërat kanë shkuar jashtëzakonisht mirë. Kemi plot 7 futbollistë me këto ekipe, duke filluar nga Hotaj që sëfundi është grumbulluar në ekipin kombëtar shpresa, për të vazhduar me Balën, Hasanin, Vajushin, Djepaxhinë dhe Rexhepin që janë me kombëtaren e 19 vjeçarëve dhe Tafën me atë të 17 vjeçarëve. Nuk është pak, apo jo.
-Do jetë kampione kjo skuadër në fund të sezonit?
-Dëshira dhe objektivi ky është. Jo se është ndonjë gjë e madhe titulli kampion me këtë moshë por duam të brumosin tek këta të rinj mentalitetin se janë dhe duhet të jenë gjithmonë kampionë. E kanë provuar me 17 vjeçarët, ta provojnë me 19 vjeçarët dhe pastaj do t’i vijë rradha edhe me Vllazninë e madhe. Përpos kësaj, titulli kampion është fruti i lojës dhe mentalitetit të tyre fitues në fushë. U jep atyre edhe më tepër autoritet.
-Së fundi, a janë këta lojtarë një garanci për të ardhmen e Vllaznisë?
-Mund të them me plot gojën se është brezi më i miri që ka patur Vllaznia prej shumë vitesh. Janë të gjithë djem të talentuar dhe që premtojnë për të ardhmen. Klubi ka punuar mirë me moshat dhe besoj se shumë shpejt ata do të mbushin rradhët e ekipit të parë. Ndoshta që sezonin e ardhshëm, disa prej këtyre lojtarëve duhet të jenë pjesë e tij por e sigurtë është që pas 2-3 vjetësh, Vllaznia do jetë shumë më e fortë me këta lojtarë dhe nuk do ketë nevojë të blejë futbollistë.
vllaznimi sportiv