Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ngre zërin edhe një herë për gjykimin e ndeshjeve
Ai nuk ka dëshirë ta mendojë se gjërat bëhen me qëllim kundër Vllaznisë. Janë disa raste që gjyqtarët e ndëshkojnë rëndë atë dhe askush nuk reagon. Mbase për presidentin e Vllaznisë, Valter Fushaj, vetë Federata është palë me ta, ndonëse ai nuk ka dëshirë ta pranojë këtë gjë. Në intervistën e tij për “Sportin shqiptar”, numri një i klubit shkodran ngre shumë probleme dhe në fund kërkon drejtësi. Vetëm kaq, sepse shkodranët nuk duan më tepër. Ja intervista e plotë e tij:
‑ Një ndeshje e mbyllur në mënyrën më të keqe të mundshme ajo ndaj Besës. Cili është mendimi juaj për të?
‑ Unë personalisht ende nuk dua ta besoj se nuk e kemi fituar atë ndeshje. Për mënyrën si rodhën ngjarjet, duhej të kishim marrë tri pikë, por çuditërisht nuk kemi marrë asnjë. E pranoj se kemi pjesën tonë të fajit në pësimin e golit të dytë dhe që nuk ditëm ta administrojmë siç duhet lojën në fund të takimit. Por duhet ta them hapur se rezultati i kësaj ndeshje u vendos edhe nga gjyqtarët. Janë disa momente ku Jemini u shfaq kundër nesh në gjykim. E nisim me golin e parë të Besës. Xhafaj ka ngritur takën kundër futbollistit tonë dhe në vend që të jepej faull për ne, loja vazhdon dhe topi përfundon në rrjetë. Sinani pengohet brenda zonës në një moment dhe mund të jepej 11‑metërsh. Një lojtar i Besës duhej të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë dhe të largohej nga fusha e lojës që në minutën e 65‑të. Përpos kësaj, shtesa prej 9 minutash në fund të takimit është e pajustifikueshme.
‑ E thoni këtë ngaqë e pësuat ju?
‑ Jo, është rregullorja. Nëse arbitri nuk donte të bëhej problem, e mbyllte 2‑2 ndeshjen dhe askush nuk do të merrej me të. Më duket se gjërat janë bërë me dashje dhe prandaj fajtorët duhen ndëshkuar. Po ju jap vetëm një shembull: Në Mal të Zi para pak kohësh, një arbitër është dënuar 2 vjet vetëm se ka shtyrë ndeshjen më shumë nga se duhej. Po ashtu, po në Mal të Zi një arbitër tjetër para dy javësh është përjashtuar krejtësisht nga gjykimi vetëm se ka dhënë një penallti të paqenë në favor të Buduçnostit. Këtu tek ne ndërkohë ndodhin shumë gjëra që bien në sy për keq dhe askush nuk dënohet.
‑ Në këtë kampionat po ankoheni shumë për gjyqtarët. Vërtetë ju kanë penalizuar?
‑ Ne e kemi dhënë me fakte, që në ndeshjen e parë të kampionatit në Kavajë. Nuk na jepet një penallti dhe nuk dënohet një lojtar i Besës me karton të kuq. Për të vazhduar me ndeshjen me Tiranën kur nuk na akordohen dy penallti. Gjërat pasohen në ndeshjen me Skënderbeun kur akordohet një gol në portën tonë nga një pozicion jashtë loje. Për të përfunduar pastaj me ndeshjen e fundit me Besën. Besoj se janë fakte të pakundërshtueshme nga askush.
‑ Do të ankoheni në federatë për këtë gjë?
‑ Sigurisht që do të ankohemi zyrtarisht për këtë gjë dhe do ta ngrejmë këtë çështje në të gjitha komisionet e federatës. Ajo çfarë më bën përshtypje është se ne ankohemi dhe asnjë masë nuk merret. Nuk e di pse ndodh kështu dhe përderisa federata nuk reagon, do të thotë se ajo është palë me këta gjyqtarë. Unë nuk dua ta besoj këtë, por realiteti ky është. Nga ana tjetër, nuk më ka pëlqyer aspak qëndrimi i Plarent Kotheres që del në televizion dhe qesh për gabimet e gjyqtarëve. Ai duhet ta dijë se ka jo pak përgjegjësi në këto arbitrime të qëllimshme, sepse luhet me milionat tona, luhet me ndenjën e shumë tifozëve.
‑ Para disa kohësh keni kërkuar takim me presidentin Duka për këtë qëllim. Jeni takuar me të?
‑ Po, jam takuar dhe kemi biseduar gjatë. Ai më ka bërë tre premtime: tapetin e “Loro Boriçit”, një makinë korrëse për fushën, dhe e treta se nuk do të kemi më probleme me arbitrat. Këto probleme ndërkohë po vazhdojnë.
‑ Jemini futet në listën e zezë të Vllaznisë pas Pashajt?
‑ Unë nuk e kuptoj se çfarë po ndodh me këtë arbitër. Vjet ka qenë Vllaznia që e ka kërkuar me konsensus në disa ndeshje të rëndësishme atë dhe në fakt e ka mbajtur përgjithësisht mirë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur së fundi me të, sepse ka disa ndeshje që nuk gjykon drejt. Nuk dua ta besoj se e bën me qëllim, megjithatë janë gjëra që të bëjnë të dyshosh.
‑ Ajo çfarë bie në sy është se në fushën e lojës Vllaznia nuk reagon, ose reagon shumë pak ndaj këtyre veprimeve të gjyqtarëve. Pse ndodh kështu?
‑ Ky është ndër gabimet tona më të mëdha. Gjithnjë i kemi porositur futbollistët për të mos reaguar ndaj gjyqtarëve se ndryshe do ndëshkoheshin nga ana jonë si klub. Në fakt duhet të jetë ndryshe. Tani e tutje gjërat do të jenë më ndryshe, nëse nuk reagon federata. Nuk do ketë më qëndrime të kulturuara.
Kuqeblutë, pesë pikë më pak për 2 minuta
Brenda 2 javësh ndodh ajo që nuk duhej të ndodhte për skuadrën shkodrane. Në Korçë ka fitoren në “xhep”, por korçarët barazojnë në minutat shtesë dhe Vllaznia humbet dy pikë. Ndaj Besës historia përsëritet në mos më keq. Kuqeblutë e kanë sërish fitoren në dorë, por nuk arrijnë ta mbajnë, madje as barazimin, sepse pësojnë dy gola në shtesë dhe humbin edhe tri pikë të tjera. Përfundimi është i qartë: ata kanë 5 pikë më pak në renditje. Në vend që sot të kishin 16 pikë dhe të ishin në një pozicion komod, vuajnë fundin e renditjes. Ato 5 pikë janë humbur për vetëm 2 minuta lojë.
Komentet