Kuqeblutë vazhdojnë të vuajnë në gjetjen e golave, ka qenë Osja që u ka dhënë fitoren shkodranve

Vllaznia ka arritur fitoren e tretë dje në këtë kampionat dhe më në fund e ka lënë fundin e renditjes. Ndoshta një herë e mirë, megjithatë duhet thënë se ajo vazhdon të mos bindë shumë me lojërat që po zhvillon. Ndaj Gramozit dje ka pasur shumë oshilacione. Skuadra shkodrane e nisi këtë ndeshje me disa ndryshime në formacion. Kështu, Elvin Beqiri këtë herë u pa të luante edhe në rolin e mbrojtësit të majtë, pasi kishte provuar më parë edhe disa pozicione të tjera në fushën e lojës. Nga ana tjetër, për herë të parë në formacion si titullar luajti këtë herë edhe Alikaj, ndërkohë që në sulm, po për herë të parë, funksiononte dyshja Bala‑Galica. Vllaznia e filloi më mirë ndeshjen, teksa duket e vendosur për të shënuar sa më shpejt. Krijon dy‑tri raste, por pa arritur dot të shënojë e pas kësaj loja e vendësve bie disi. Dy sulmuesit Bala e Galica luajnë të dy në qendër dhe mbrojtësit e Gramozit nuk e kanë të vështirë t’i neutralizojnë. Edhe mesfusha nuk shtyn shumë përpara dhe për këtë arsye ka shumë pak raste shënimi. Kërkohen më tepër goditjet standarde për të shfrytëzuar shtatlartësinë e disa lojtarëve të Vllaznisë, por edhe këtu nuk arrihet asgjë. Ndërkohë, miqtë janë të vendosur mirë në prapavijë dhe trajneri Canaj i kishte udhëzuar ashtu siç duhet lojtarët e tij për të bërë kujdes. Përpos kësaj, me topa të gjatë duhej të kërkonin Dos Santosin, por në 45 minutat e para ai nuk arriti të bëjë asgjë. Në këtë mënyrë, pa asnjë gol të dy skuadrave, u mbyll kjo pjesë e parë e kësaj loje. E dyta nis me të njëjtën tablo, të paktën në minutat e para, por më pas gjërat fillojnë të ndryshojnë. Trajneri Luçi bën dy lëvizje, teksa largon nga fusha Alikajn për Osjen dhe Galicën për Nikën. Këto ndryshime sikur sjellin pak ndryshim, jo vetëm për faktin se njëri nga të aktivizuarit ishte edhe autori i golit të fitores, por sepse pikërisht Osja i dha shpirt skuadrës në mesfushë. Pas shënimit të golit nga ana e Vllaznisë, për pak minuta vazhdoi presioni i saj në kërkim të golit të dytë, por më pas çuditërisht loja e saj bie ndjeshëm. Aq sa në minutat e fundit dhe ato shtesë është Gramozi ai që hidhet i tëri në sulm për të shënuar golin e barazimit dhe kjo situatë solli njëfarë paniku, megjithatë vërshëllima e fundit e gjyqtarit Dobi u dha qetësinë vendësve, që më në fund nuk e shohin veten në mbyllje të renditjes. Janë ngjitur në kuotën e 11 pikëve, duke lënë pas disa skuadra, edhe Gramozin madje. Ishte një fitore pa ndonjë shkëlqim, por që jep shumë shpresë për ndeshjet në vijim, duke filluar nga Besa në Shkodër, java e parë e fazës së dytë. Ndërsa për Gramozin bëhet edhe më e vështirë, pasi do t’i duhet të luajë në Peqin, një fushë e vështirë edhe për skuadrat pretendente, jo vetëm për kolonjarët.

Deklarojnë


Roland Luçi, trajner i Vllaznisë: "Ka qenë një fitore e vështirë, sepse unë e kam thënë se nuk ka kundërshtar të lehtë. E kishim vlerësuar siç duhet Gramozin, i cili vinte për pikë në Shkodër e në një ambient të tillë krejt të qetë, aty ku dhe arbitri nuk ndikohet nga fusha ku arbitron, sigurisht që është e vështirë për të mundur çdolloj ekipi. Arbitri nuk akordoi një 11‑metërsh për ne. Ndryshimet e bëra në pjesën e dytë për atë arsye bëhen, për t’i dhënë një ndihmë skuadrës dhe për fatin e mirë na rezultuan ashtu siç duhet. Shpresoj që tashmë të mos kthehemi më në vendin e fundit."
Agim Canaj, trajner i Gramozit: "Me lojën që zhvilluam, mund të merrnim më tepër, për vetë lojën që zhvilloi Vllaznia. Por nëse duhet që gjyqtari t’i japë një dorë Vllaznisë për të dalë nga situata ku ndodhej, do të isha dakord, por nuk ka pse të ndëshkohet Gramozi. Nuk duhej të ishim ne viktima. Nuk them se gjyqtari i dha fitoren Vllaznisë, sepse goli ishte i rregullt, por pati shumë faulle të dhëna kundër nesh."

Të veçanta
- Hyrja në stadium ka qenë pa bileta dhe të pranishëm kanë qenë rreth 3 mijë veta, të cilët vetëm në fund të ndeshjes kanë dalë të kënaqur.
- Krahas presidentit Fushaj dhe atij të Gramozit, Taçi, në tribunën VIP të "Loro Boriçit" dje kanë qenë edhe emra të tillë si Rragami, Zhega, Martini, apo kompozitori i njohur Osman Mula dhe ikona e mikrofonit Ismet Bellova.
- Të dy trajnerët në konferencën e shtypit kanë pasur vërejtje për gjyqtarin e ndeshjes

Komentet