Java e fundit e fazës së parë e gjen ekipin shkodran me një sërë dëmtimesh të rëndësishme
Kështu nuk e kishte parashikuar askush. Vllaznia për ndeshjen me Gramozin pritet të mos ketë disa lojtarë të rëndësishëm të saj. Ditën e djeshme, plot 3 futbollistë të saj, kanë lënë stërvitjen në mes, ngaqë kanë ndier shqetësime dëmtimesh. Një ditë më parë, një tjetër futbollist kishte marrë lajmin e keq se duhej t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për të kaluar dëmtimin që ka. Përpos këtyre, edhe sulmuesi kryesor i skuadrës do të mungojë për arsye dëmtimi. Këto ndodhin të gjitha te Vllaznia në pragndeshjen me Gramozin. Nëse për Sinanin dihej që do të mungonte ngaqë ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë, për të tjerët shkak janë dëmtimet. Te skuadra shkodrane duket se ka rënë “epidemia” e tyre.
Ditën e hënë kosovari Kasapi ka qenë në Tiranë dhe ka bërë rezonancën magnetike, ngaqë kohët e fundit ka pasur dhimbje. Rezultati i saj ka sjellë një lajm të keq për të, por edhe për stafin. Ai ka probleme me meniskun e gjurit dhe po ashtu edhe në gjurin tjetër ka probleme me ligamentet. Për pasojë, do të duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Kjo do të thotë se mbase sezoni është mbyllur për të. Sikur të mos mjaftonte kjo gjë, në stërvitjen e djeshme, e cila ka konsistuar në një ndeshje kontrolli kundër ekipit të të rinjve, kanë shfaqur probleme plot 3 futbollistë.
Kështu, Shtubina, që në seancën e së hënës ka pasur shqetësime në pjesën e prapme të kofshës dhe dje është këshilluar nga mjekët për të bërë stërvitje individuale, në fakt e ka ndërprerë shpejt atë, sepse ka ndier dhimbje. Fizioterapisti Haxhaja dhe masazhatori Mesi janë dukur skeptikë për rikuperimin e këtij lojtari për ndeshjen e kësaj jave. Kjo do të thotë se me shumë gjasa Shtubina nuk do të luajë ndaj Gramozit, duke e çuar kështu në tre numrin e mungesave në këtë ndeshje. Bashkë me të, dje ka bërë stërvitje individuale edhe kosovari Nallbani.
Edhe ai ka ndjerë shqetësime në pjesën e pasme të kofshës, por sipas stafit mjekësor, gjendja e tij nuk duket problematike dhe për këtë arsye, në ditët në vazhdim do të punohet me shumë kujdes me të në mënyrë që të rikuperohet për këtë ndeshje. Sakaq, në ndeshjen ndaj të rinjve ka luajtur në formacion edhe i riu Nika.
Ai është projektuar nga stafi drejtues për të qenë në sulm ndoshta në takimin e radhës, ngaqë do të mungojë Sinani, por ndërkohë gjatë ndeshjes së djeshme, ai është detyruar ta ndërpresë atë në pjesën e dytë, sepse ka ndier shqetësime në muskujt rrëzë kofshës. Mjekët janë alarmuar dhe menjëherë janë vënë në shërbim të këtyre futbollistëve të dëmtuar me qëllim rikuperimin e tyre sa më parë. Gjatë një momenti të lojës, edhe Elvin Beqiri është parë të shtrihet në fushë pas një përplasjeje me një kundërshtar dhe kjo e shtoi edhe më tepër panikun te stafi. Dje të gjithë që kanë qenë të pranishëm në fushën sportive të Shtojit, kanë menduar se te Vllaznia kishte rënë “epidemia” e dëmtimeve. Një problem ky jo i vogël në përgatitjet ndaj Gramozit.
Kuqeblutë mundin të rinjtë shkodranë 4‑1
Edhe gjatë ditës së djeshme, ekipi i Vllaznsië ka zhvilluar një tjetër test kontrolli kundër të rinjve të klubit. Në fakt, ishte menduar që të luhej ndaj Mamurrasit, por një gjë e tillë ka ndryshuar. Gjatë testit të djeshëm trajneri Luçi ka aktivizuar në fillim këta lojtarë: Grima, A.Beqiri, Rajoviç, Mrvaljeviç, Hallaçi, Osja, Alikaj, Smajli, Doçi, Nika e Galica. Pjesa e parë është mbyllur 2‑1 për të rriturit, kur golat për ta janë shënuar nga E.Beqiri me 11‑metërsh dhe Nika, ndërsa të vetmin gol për të rinjtë e ka shënuar Erkoçi me 11‑metërsh.
Në pjesën e dytë, trajneri Luçi ka aktivizuar dhe Llengën, Leandron, Musabelliun, ndërsa të rinjtë kanë luajtur me formacionin e tyre të dytë. Gjatë 45 minutave të dyta, Vllaznia ka shënuar edhe dy gola të tjerë me autorë Galicën dhe E.Beqirin. Në këtë mënyrë, e gjithë ndeshja u mbyll 4‑1. Trajneri Luçi është parë i shqetësuar nga dëmtimet e disa lojtarëve, ndërkohë që një lajm i mirë është rikuperimi i Alikajt, që dje ka luajtur 90 minuta.
s.shqiptar
Komentet