Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ka reaguar pas golit të parregullt të korçarëve


Gjatë gjithë ditës së djeshme, por edhe parmbrëmë, menjëherë pas ndeshjes, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, është shfaqur shumë i revoltuar në lidhje me gjykimin e ndeshjes së luajtur në Korçë. Goli i pësuar në minutën shtesë ka rezultuar të jetë shënuar nga një pozicion jashtë loje nga lojtari i Skënderbeut. Këtë mendim kanë pasur të gjithë pjesëmarrësit në studiot televizive mbrëmjen e së dielës.

Për rrjedhojë, ka vendosur të reagojë dhe të kërkojë llogari. Kjo vjen pas ankesës që klubi shkodran ka pasur edhe javën e shkuar në ndeshjen ndaj Tiranës, kur kuqebluve iu mohuan dy penallti të pastra. Numri një i klubit shkodran dje ka vendosur t’u kërkojë një takim zyrtar krerëve më të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit pikërisht për të diskutuar në lidhje me këtë çështje. “Mendoj se ka ardhur momenti për të ngritur zërin.

Gjyqtarët po na ndëshkojnë rregullisht dhe tashmë më duket se e kanë tepruar. Javën e kaluar ndaj Tiranës na u mohuan dy penallti të pastra, këtë herë na jepet kundër një gol në pozicion jashtë loje. Përveç këtyre rasteve, ka pasur edhe të tjera gjatë këtij sezoni dhe duhet të them se sivjet kemi pasur shumë probleme me gjyqtarët.

Nuk kemi dalë në mënyrë publike në media kundër tyre, por mendoj se tashmë duhet ta bëjmë një gjë të tillë. Por para se të ndodhë kështu, do t’i kërkoj një takim zyrtar presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe shefit të sektorit të garave, Ilir Shulku, për të biseduar në lidhje me këtë çështje,” - thotë Fushaj.

Durimi i shkodranëve duket se ka marrë fund. Problemet për ta nuk kanë të sosur. Sikur të mos mjaftonte renditja në fund të tabelës, tashmë ata kanë kundër edhe gjyqtarët. Pikërisht për këtë qëllim, javën e shkuar, menjëherë pas ndeshjes me Tiranën, klubi “Vllaznia” i dërgoi FSHF‑së zyrtarisht ankesën e saj për gjyqtarin Bardhyl Pashaj për gjykim të njëanshëm në dëm të shkodranëve.

“Minimumi kemi 5 pikë më pak për shkak të arbitrimit. E përsëris publikisht, kërkoj takim zyrtar me Dukën dhe Shulkun. Nëse ata nuk pranojnë të ulen në tavolinë, atëherë do të merremi me mediat për të kërkuar të drejtën tonë,” ‑ ka thënë në fund Fushaj.

s.shqiptar

Komentet