Trajneri Luçi: Gjuajmë 12-13 herë në portë, duhet të shënojmë më tepër

Seriozitet maksimal i kampit kuqeblu për ndeshjen e sotme në stadiumin e Laçit, ndeshje kjo e cila pritet të përjetohet nga një publik i shumtë, ku përpos vendasve, bileta për në stadium kanë prenotuar jo pak edhe nga tifozë shkodranë. Është një derbi verior, i cili në vitet e mëparshme është përjetuar me shumë emocione, ndaj i tillë pritet të jetë edhe ky i sotmi. Laçjanët debutues, që janë në fund të talelës së klasifikimit kërkojnë të marrin patjetër pikë ndaj Vllaznisë, ndërkohë që edhe për kuqeblutë udhëtues, pikët, madje ato të plota janë shumë të domosdoshme, për të ecur në vazhdimësinë pozitive të dy ndeshjeve të fundit. Fitoret e realizuara ndaj Shkumbinit për kampionat dhe Tomorit për kupë e kanë rritur mjaft moralin e skuadrës. Një gjë e tillë është parë edhe në dy seancat stervitore të zhvilluara pas kthimit nga Berati, ajo e së enjtes në fushën sportive të Shtojit dhe ajo e djeshmja në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Vlerësimi për ndeshjen shikohet mjaft qartë edhe nga mbështetja që klubi i ka bërë skuadrës gjatë këtyre ditëve, duke i plotësuar të gjitha kushtet. Në shërbim të kësaj ndeshje drejtuesit kanë vendosur ta largojnë skuadrën nga Shkodra që një ditë përpara. Zakonisht, në ballafaqimet e mëparshme me skuadrat fqinjë veriorë, si Beslidhja dhe Laçi është udhëtuar brenda ditës, por këtë radhë skuadra kuqeblu e Vllaznisë, me të gjithë stafin e saj, në krye të së cilës ka qënë vetë drejtori ekzekutiv i klubit të futbollit Vllaznia, Kujtim Shaba, ka lënë qytetin e Shkodrës në orët e mbasdites së djeshme, duke u vendosur në hotelin "Frojd" të bregdetit të Shëngjinit, aty ku do të qëndrojë deri në orët e mesditës së sotme, orë që bëhet nisja më pas për në qytetin e Laçit, vetëm pak kilometra larg plazhit të Shëngjinit.

Optimizmi i Luçit- ”Ndoshta është pak herët që të bëhet fjalë për futjen e Vllaznisë në ritmin e saj të zakonshëm, por java që kaluam mund të them se ishte e suksesshme, kështu është një bazë e mirë për vazhdimin e punës sonë”, thotë Luçi, teksa i vëmë në dukje dy fitoret radhazi me Shkumbini dhe Tomorin. Megjithatë, për të është mjaft e rëndësishme për rritjen morale të ekipit, kur thotë se: “Tashmë lojtarët tanë po çlirohen çdo ditë e më tepër dhe po bëhen të vetëdijshëm që janë në gjendje të japin më tepër për ekipin. Konstatoj se tashmë skuadra po shkon tek porta kundërshtare gjithnjë e më tepër.” Ma pas, ai thotë se shpreson që ky ritëm të rritet, për t’u kthyer përsëri në një Vllazni e frikshme. “Ndeshja e fundit për kampionat ndaj Shkumbinit e tregoi më së miri një gjë të tillë. Ne mund ta kemi goditur portën kundërshtare 12 apo 13 herë dhe kjo është mjaft e rëndësishme”, shton ai. Ndërkohë, duke iu referuar ndeshjes së sotme, Luçi thotë se skuadra është e motivuar për të marrë tre pikë në përballjen me Laçin, tre pikë që do të ishin shumë të rëndësishme për ecurinë e saj në javët e ardhshme të kampionatit.

s.ekspres