Trajneri Roland Luçi ka arritur fitoren e parë, por premton se nuk do të ndalet këtu

E ka dashur shumë atë fitore dhe kjo për shumë arsye. Ajo çfarë ka rëndësi më tepër se gjithçka tjetër në këto momente është pa dyshim kthesa e Vllaznisë. Nëse nuk do të fitohej edhe ndaj Shkumbinit, gjërat do të vështirësoheshin së tepërmi dhe skuadra shkodrane vërtet do të zhytej në një krizë të thellë. Roland Luçi nuk ka dashur t’ia dijë për asgjë tjetër, por vetëm të marrë këtë fitore.

Sytë e të gjithëve kanë qenë të drejtuar tek ai dhe në fakt shkodrani i ardhur pas shumë vjetësh nga Austria, ka treguar se ka vlera edhe si trajner, përveç atyre që pati demonstruar edhe si lojtar para 20 e sa vjetësh. Ndaj peqinasve ka bërë disa “eksperimente” në formacion. Duke filluar nga mbrojtja, teksa i ka besuar një vend si titullar që në fillim kosovarit të sapoardhur Rustemi.

Ndonëse nuk e njihte mirë dhe ndonëse mund të kishte edhe probleme me formën e tij, ka dashur t’i besojë eksperiencës së këtij lojtari dhe nuk ka gabuar. Për të vazhduar po në mbrojtje me Doçin. Shkodrani 28-vjeçar rikthehet pas një periudhe të gjatë dëmtimi dhe i zë vendin Hallaçit, që nuk po kalonte një moment të mirë. Ndeshje e pëlqyeshme edhe për Doçin. “Eksperimenti” më i madh ishte ai me lojtarin e kombëtares Elvin Beqiri. Ai është vendosur në këtë ndeshje jo në mbrojtje, por as edhe në mesfushë në rolin e shkatërruesit, por në këtë repart, më i avancuar, me qëllimin për të marrë jo pak përsipër edhe në organizimin e lojës së kuqebluve.

Detyrë që përgjithësisht e ka bërë mirë dhe prandaj trajneri Luçi është i kënaqur me këtë gjë. “Për mendimin tim, eksperimenti me Elvin Beqirin doli me sukses dhe unë jam i kënaqur me të, por në fakt ai nuk duhet të jetë i kënaqur me veten për vetë vlerat që zotëron dhe emrin që ka,” ‑ ka thënë trajneri i Vllaznisë. Por pikët më të mëdha, pasardhësi i Hasan Likës në stolin shkodran, i ka marrë për zëvendësimet e goditura që ka bërë në pjesën e dytë dhe ndryshimin e mënyrës së lojës. Ai ka aktivizuar Osjen në krahun e djathtë të mesfushës dhe Balën në sulm përkrah Sinanit dhe pikërisht këto zëvendësime rezultuan shumë të suksesshme.

Bala shënoi të dy golat e ndeshjes, por edhe Osja ishte protagonist në golin e dytë. Përveç kësaj, në 45 minutat e dyta, loja e kuqebluve pati rritje dhe të gjithë panë në fushën e lojës Vllazninë e vërtetë. Në këtë pjesë loje, Luçi ka rrezikuar, duke shtyrë më përpara edhe Shtubinën, që duhej të luante në krahun e majtë i avancuar, ndërkohë që Sinani e Bala duhej të ishin më pranë portës së Shkumbinit. Kjo mënyrë loje ishte pak e rrezikshme, megjithatë shkodranëve i duhej patjetër fitorja dhe kjo solli rezultatin e duhur.

Vetë trajneri Luçi ka thënë se renditja aktuale e Vllaznisë është momentale në mesin e tabelës së renditjes. “E kam thënë që ishim rastësisht në fund të renditjes dhe tani mund të them se jemi momentalisht diku nga mesi i saj, sepse vendi real i Vllaznisë është më lart në renditje,” ‑ ka deklaruar ai. Pretendimet e shkodranëve nisin kështu të marrin udhë dhe megjithatë duhet të presim edhe pak. Të paktën deri në ndeshjen e radhës me Laçin.

Luçi: Lika, fitorja të përket edhe ty!

Të parët që e kanë uruar trajnerin e Vllaznisë për fitoren e tij të parë në drejtimin e kësaj skuadre, sigurisht që kanë qenë familjarët e tij. Përmes telefonatave menjëherë pas mbarimit të ndeshjes, fillimisht nëna nga Italia dhe pastaj vajza, djali dhe bashkëshortja nga Austria, ata ia kanë bërë edhe më të këndshëm atë tripikësh të marrë.

Por surpriza e urimeve për Roland Luçin ka qenë mesazhi që i ka dërguar paraardhësi i tij në stolin shkodran. Hasan Lika vetëm pak minuta pas përfundimit të ndeshjes kundër Shkumbinit i ka dërguar një sms atij, duke e uruar për fitoren.

Një gjest që bie vërtet në sy për më tepër që pas ndërrimit të vendeve, ata kanë pasur në 2‑3 momente edhe kontakte me njëri‑tjetrin. Por nëse Luçi ka qenë i sinqertë në urimin e tij për ish‑kolegun e tij edhe si futbollist, po kaq i sinqertë ka qenë edhe shkodrani, i cili i ka kthyer menjëherë përgjigje, po përmes një mesazhi: “Faleminderit për urimin, por edhe ju keni pjesën tuaj te kjo fitore.”

S.Shqiptar