Fillon kthesa për kuqeblutë, teksa fitojnë pastër me Shkumbinin. Trajneri Luçi merr fitoren e parë
Vllaznia ‑ Shkumbini 2‑0
Shënues: Bala 48′, 61′
Vllaznia: Grima, A.Beqiri, Rustemi, Mrvaljeviç, Doçi, Smajli (Osja 46′), Nallbani, E.Beqiri, Shtubina (Rizvanolli 85′), Leandro (Bala 46′), Sinani. Trajner: R.Luçi.
Shkumbini: Bejte, Gjorevski, Koreshi (Gjyla 59′), Mujdragiç, Pasha, Mustafaj (Bakiu 78′), Xhyra, Xhafa, Çaushaj, R.Dervishi, I.Sekseni (Çapja 71′). Trajner: K.Dervishi.
Gjyqtarë: R.Sadiku, R.Bodeci, R.Preça (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Smajli, Sinani, Mrvaljeviç, Mustafaj, Çaushaj
“Radiografia”
1′- Shtubina shfaqet i vetëm në zonën peqinase, gjuan, por portieri Bejte grushton topin.
9′- Sinani gabon nga një pasiguri e mbrojtjes mike, gjuan fort brenda zonës, por portieri Bejte e largon topin jashtë vijës fundore në goditje këndi.
30′- Kros i Sinanit nga e djathta në zonë dhe Smajli aty godet me kokë, por topi kalon mbi traversë.
32′- Çaushaj përfiton nga një top i humbur nga Nallbani, futet në zonën shkodrane, duke e dërguar mbi portierin Grima, top që godet shtyllën e djathtë pingule.
44′- Shtubina vepron shumë bukur në krahun e majtë, kroson në zonë, por aty asnjë nga lojtarët e Vllaznisë nuk arrin ta shtyjë topin për në portë.
48′- Shtubina kroson nga e majta në zonë dhe aty Bala kërcen bukur me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë. 1‑0 për Vllazninë.
51′- E.Beqiri nga krahu i djathtë nis një top në zonë dhe Sinani e dërgon në rrjetë, por goli anulohet nga gjyqtari Sadiku, sepse ai ka menduar për një prekje me dorë të topit nga ana e sulmuesit shkodran.
58′- Çaushaj gjuan fort dhe topi kalon ngjitur me portën shkodrane. 61′- Osja godet jashtë zone fort, portieri Bejte nuk arrin ta zotërojë topin dhe aty përfiton Bala, që nga afër nuk e ka të vështirë të shënojë golin e dytë. 2‑0 për Vllazninë.
68′- Sinani vepron bukur nga e djathta fut një top në zonë, por aty E.Beqiri bën më të vështirën, duke e dërguar topin mbi traversë, kur ka mundësi të shënojë golin e tretë.
90′- Sinani godet në drejtim të portës peqinase, por topi devijohet jashtë vijës fundore.
90′+2′- Një top i krosuar nga e djathta e sulmit peqinas shkon në zonën shkodrane dhe aty Grima, i ndikuar edhe nga lagështira e topit, për pak sa nuk e dërgon vetë në rrjetë, por ndërhyn shpejt dhe e korrigjon gabimin e tij.
Komenti
Kthehet më në fund te fitorja pas 5 javësh Vllaznia dhe trajneri i saj Luçi është shfaqur i entuziazmuar për këtë tripikësh dhe mbi të gjitha për kthesën e skuadrës së tij. Ai sigurisht që ka jo pak meritë te kjo fitore, që nga ndërtimi i formacionit dhe mbi të gjitha me zëvendësimet e bëra në fillimin e pjesës së dytë. Vllaznia e ka nisur në sulm ndeshjen dhe për këtë arsye ka kërkuar me ngulm golin. Shtubina dhe Sinani kanë pasur mundësi të shënojnë, por nuk ia kanë dalë edhe për meritë të portierit mik Bejte. Duke qenë se nuk shënohet gol shpejt, sigurisht që niveli i lojës bie disi për vendësit, të cilët sigurisht që paraqesin përsëri dobësi në lojën e tyre në reparte të ndryshme, sidomos në organizimin e lojës. Shkumbini, nga ana e tij, është munduar të mbrohet mirë dhe herë pas here kërkon të kundërsulmojë, madje në këtë pjesë të parë të lojës ka pasur edhe rastin më të mirë, teksa ka arritur të godasë edhe shtyllën pas një goditjeje të Çaushajt. Me gjithë dëshirën më të madhe të vendësve për të gjetur golin, kjo nuk arrihet, sepse mungojnë topat në zonën peqinase. Në këtë gjë mbase ndikon disi edhe gjendja e terrenit të stadiumit, që erdhi duke u rënduar nga shiu që ra gjatë ndeshjes. Pjesa e dytë nis më ndryshe për vendësit. Trajneri Luçi hedh në fushë dy forca të reja, Osjen dhe Balën. Do të jetë pikërisht ky i fundit që do të shfaqet protagonist, teksa shënon fillimisht një gol shumë të bukur me kokë dhe më pas ndjek një aksion të shokëve të tij të skuadrës, duke e konkretizuar me sukses. Vllaznia mund të kishte shënuar edhe një gol të tretë shumë shpejt me anë të Elvin Beqirit, por ky ka gabuar në një moment shumë të përshtatshëm. Ky i fundit ka zhvilluar një ndeshje përgjithësisht të mirë, ndonëse ka luajtur në një pozicion jo shumë të përshtatshëm për të, atë të mesfushorit të avancuar. Vllaznia u duk e kënaqur me dy golat e shënuar dhe mbi të gjitha me fitoren e arritur dhe prandaj në minutat e mbetura të ndeshjes nuk bëri shumë presion për të shënuar edhe gola të tjerë. Një fitore që e largon nga fundi Vllazninë dhe e bën të mendojë për të ecur përpara, edhe pse javën e ardhshme e pret një transfertë jo e lehtë, ku do të ndeshet në Laç me ekipin vendës. Ndërsa Shkumbinit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shpresojë në transfertën e Vlorës, duke shfrytëzuar edhe gjendjen jo të mirë të Flamurtarit.
Deklarojnë…
Roland Luçi, trajner i Vllaznisë: “Jam shumë i kënaqur nga fitorja dhe besoj se jo vetëm unë, por edhe sportdashësit shkodranë. E kam thënë edhe më parë se Vllaznia ishte përkohësisht e fundit dhe po ju them edhe sot se përkohësisht jemi në mesin e tabelës së renditjes, sepse vendi i saj është shumë më lart. Besoj se kemi zhvilluar një ndeshje ndryshe nga herët e tjera. Sa i takon vendosjes së Elvin Beqirit në mesfushë, menduam se aty mund të japë më tepër dhe pas konsultave me stafin, e pamë të arsyshme që ai të luajë ai. Mendoj se ishte një eksperiment që doli me sukses dhe unë jam i kënaqur me të, por ai nuk duhet të jetë i kënaqur me veten. Sa i takon Balës, që shënoi dy golat, unë nuk dua t’ia jap meritat vetëm atij, por gjithë ekipit dhe përpos kësaj, ai është pjesë e tij dhe trajtohet njëlloj si lojtarët e tjerë. E rëndësishme është që e fituam këtë ndeshje dhe tashmë do të punojmë më të qetë.”
- Asnjë nga pjesëtarët e stafit të Shkumbinit nuk është paraqitur në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Të veçanta
- Ndeshjen e djeshme e ka ndjekur një numër i vogël sportdashësish, të cilët janë ndikuar edhe nga shiu që ka rënë gjatë gjithë ditës së djeshme në Shkodër.
- Trajneri i Vllaznisë, Roland Luçi, e ka ndjekur gjithë takimin në këmbë në pistën e stadiumit, ndonëse binte shi, natyrisht shumë në tension për rezultatin e ndeshjes së tij të parë para tifozëve shkodranë.
- Me t’u dëgjuar vërshëllima e fundit e gjyqtarit Sadiku, telefoni i trajnerit Luçi nuk ka pushuar, teksa ka marrë urime të shumta. Urimi i parë i ka mbërritur nga e ëma, që ndodhet në Itali, dhe e dyta nga vajza e tij prej Austrisë.
- Trajneri i Shkumbinit, Kristaq Mile, e ka ndjekur skuadrën e tij nga shkallët e “Loro Boriçit”, pasi vazhdon të jetë i skualifikuar, ndërkohë që në pankinë ka drejtuar ndihmësi i tij, Klodian Dervishi.
s.shqiptar