Nesër skuadra shkodrane do të luajë ndeshjen e tretë të saj në fushën e vet. Përballë Shkumbinit, ajo do të kërkojë të sigurojë fitoren e dytë, e cila do të kishte vlera më të mëdha se shumë fitore që mund të jenë arritur këto vitet e fundit. Ndoshta edhe më shumë sesa ato fitoret e sezonit të kaluar, që e çuan Vllazninë fare pranë titullit kampion. Themi kështu, pasi këtë herë kuqeblutë luajnë për “mbijetesë”.

Ata ndodhen të fundit në renditje dhe, nëse nuk do ta fitojnë këtë takim, atëherë gjërat do të vështirësohen së tepërmi për ta. Ka vite që një situatë e tillë nuk përjetohet në radhët e tifozërisë shkodrane. Nga ana tjetër, edhe më pesimistët e tyre, kurrë nuk duan ta çojnë ndër mend se Vllaznia sivjet lufton për të mos rënë nga kategoria. Vërtet skuadra gjatë kësaj periudhe mund të ketë pasur një lloj presioni, por, gjithsesi, ai mediatik i ka munguar përgjithësisht.

Vetë drejtuesit e skuadrës dhe ata të klubit janë munduar ta mbajnë skuadrën larg mediave, sepse në fund të fundit nuk kanë pasur se për çfarë të flasin. Justifikimet për situatën e krijuar nuk do të ishin normale dhe prandaj kanë kërkuar të heshtin, duke kërkuar edhe mirëkuptimin e njerëzve të medias. Nga ana tjetër, kanë dashur të kërkonin edhe mbështetje nga të gjithë, sepse situata aktuale nuk lejon tjetër gjë.

Trajneri Luçi është duke u munduar të bëjë më të mirën e mundshme të tij dhe, pavarësisht problemeve që mund të jenë të shumta, kërkon që situata të mos dramatizohet. Ai vetë nuk e mendon kurrsesi se Vllaznia do të jetë kandidate për rënien nga kategoria këtë sezon. Përkundrazi, është duke u munduar të nxjerrë atë sa më shpejt nga situata ku është aktualisht. Prova e parë e vërtetë do të jetë në ndeshjen e nesërme.

Ndaj Shkumbinit nuk vlen as barazimi dhe këtë pasaardhësi i Hasan Likës në stolin shkodran, e ka të qartë. Për të fituar këtë ndeshje duhet patjetër të shënohet në portën peqinase dhe në fakt ky është paradoksi më i madh për kuqeblutë, të cilët kanë shënuar vetëm 1 gol në 6 javë kampionat. Ajo që e bën më të mundshme arritjen e fitores është bilanci i ndeshjeve të deritanishme të luajtura në këtë sezon në “Loro Boriçi”. Vllaznia ka luajtur në fushën e saj dy takime, të parin e ka fituar me Apoloninë 1‑0 dhe të dytin e ka barazuar 0‑0 me Dinamon.

Pra, të katër ndeshjet e humbura, kuqeblutë i kanë pasur në transfertë dhe mbase edhe shorti i keq në këtë fillimkampionati ka ndikuar sadopak në ecurinë e tyre. Të gjithë në kampin shkodran presin zhbllokimin në ndeshjen me Shkumbinin dhe më pas gjërat mund të ndryshojnë. Besimi për këtë të paktën ekziston dhe kur ka besim sigurisht që mund të vijnë edhe rezultatet e shumëpritura.

Komentet