Dje është nënshkruar marrëveshja me kompaninë “Primo”, si dhe ka firmosur mbrojtësi Rustemi

Dita e djeshme ka sjellë gëzim te Vllaznia. Mbase për të parën herë që pas ndeshjes së fituar me shumë emocione ndaj Apolonisë në minutat shtesë, pikërisht në javën e dytë të kampionatit. Që atëherë, ka pasur vetëm disfata, akuza dhe për rrjedhojë kuqeblutë ndodhen në vendin e fundit të tabelës së renditjes. Por ndërkohë, vetëm dje gjërat kanë qenë shumë më ndryshe. Vllaznia tashmë ka një sponsor më tepër dhe mbi të gjitha edhe një lojtar cilësor më tepër në radhët e saj. Brenda pak minutash, këto dy surpriza kanë ardhur njëra pas tjetrës ashtu rrjedhshëm dhe për këtë arsye humori në kampin shkodran ka ndryshuar.

Klubi kishte përcaktuar orën 12:00 të ditës së djeshme për t’i bërë prezente si firmosjen e kontratës me firmën “Primo”, ashtu dhe firmosjen e kontratës me futbollistin Blerim Rustemi. Fillimisht është kryer para mediave ceremonia e prezantimit të sponsorit të ri të skuadrës, që është firma sllovene e internetit “Primo”. Logoja e kësaj firme këtë sezon do jetë e stampuar në gjoksin e futbollistëve kuqeblu.

Shumë interesante kjo gjë, nisur nga fakti se Vllaznia është në vendin e fundit të renditjes, megjithatë ajo tashmë ka një partner përkrah. Presidenti Fushaj e ka konsideruar një sukses jo të vogël këtë gjë dhe prandaj është shprehur kështu pas ceremonisë: “Nëse shitja e së drejtës televizive u konsiderua një sukses për klubet shqiptare, sigurisht që edhe shitja e së drejtës për të vendosur reklamën në fanellë është një arritje në fushën e menaxhimit për klubin tonë. Nëse nuk jemi mirë në renditje, të paktën me menaxhimin po tregojmë se jemi klubi më i mirë.

Kam kontribut të madh në mbylljen e marrëveshjes për shitjen e së drejtës televizive të kampionatit, ndërkohë që dua të veçoj më tepër afrimin e kompanisë sllovene dhe shpresoj që të bashkëpunojmë edhe më tej në të ardhmen.” E kënaqur me firmosjen e marrëveshjes është shprehur edhe përfaqësuesja e kompanisë “Primo”, e cila ka thënë: “Zgjodhëm Vllazninë, sepse është klubi më i vjetër në Shqipëri, është klubi me tradita të mëdha dhe shpresojmë që edhe më ndihmën tonë, skuadra të dalë nga momenti jo i mirë ku ndodhet dhe të ngjitet më lart në renditje.”

Duke nisur që nga ndeshja e radhës me Shkumbinin, në fanellat e skuadrës shkodrane do të jetë tashmë i stampuar edhe emri i kompanisë “Primo”, që kësisoj bëhet partner i klubit “Vllaznia”. Dy futbollistë të ekipit të të rinjve kanë pozuar me fanellat e reja dhe ceremonia ka përfunduar me shtrëngimin e duarve mes palëve, njëkohësisht edhe me urimin për bashkëpunim të mëtejshëm edhe në të ardhmen. Menjëherë pas kësaj ceremonie të shkurtër, presidenti Valter Fushaj ka prezantuar para mediave edhe blerjen e fundit të skuadrës së tij, kosovarin Blerim Rustemi. Numri një i klubit shkodran është shprehur shumë i kënaqur me ardhjen e këtij lojtari dhe deklaroi se pret që bashkë me të, të vinte edhe kthesa e ekipit në rezultatet e tij.

Rustemi: Do të kap sërish kombëtaren

E kanë pritur prej disa ditësh në Shkodër, por ai ka mbërritur vetëm ditën e shtunë. Blerim Rustemi ka udhëtuar nga Gjermania për të ardhur e për t’u bërë pjesë e kuqebluve dhe dje zyrtarisht është konsideruar pjesë e Vllaznisë. Presidenti Valter Fushaj ka sqaruar se bëhet fjalë për një kontratë njëvjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër. Duke folur në lidhje me kontratën e nënshkruar, Blerim Rustemi është shprehur:

“Më vjen mirë që sot më jepet mundësia të nënshkruaj me një skuadër kaq të njohur të futbollit shqiptar, siç është Vllaznia. Për këtë dua të falënderoj presidentin Fushaj, i cili këmbënguli që unë të isha pjesë e kësaj skuadre dhe tashmë kjo u bë realitet. Premtoj se do të bëj më të mirën, në mënyrë që ajo të dalë nga gjendja ku ndodhet aktualisht dhe jam shumë i bindur se Vllaznia ka për t’u ngjitur në renditje për të arritur objektivat që ka.”

Në prezantimin e tij para mediave si futbollist i kësaj skuadre, kosovari është ngacmuar edhe për pozicion e tij në fushë dhe mbi të gjitha për formën që po kalon. Ai është përgjigjur: “Unë luaj në disa pozicione, por parapëlqej të luaj kryesisht në qendër, si në mbrojtje, ku kam luajtur edhe me kombëtaren, ashtu edhe në mesfushë, pikërisht para repartit të mbrojtjes.

Do të jetë trajneri pastaj ai që do të vendosë se ku do të luaj.” Pak vite më parë ai ishte pjesë e kombëtares shqiptare pikërisht në kohën kur ajo drejtohej nga kroati Otto Bariç. Me largimin e tij nga kuqezinjtë, edhe Rustemit iu mbyllën dyert e ekipit kombëtar. Futbollisti kosovar me pasaportë shqiptare dëshiron të kapë sërish ekipin kombëtar. “Pikësëpari, dëshira ime është të jap më të mirën për Vllazninë dhe duke luajtur mirë me të dhe duke e ndihmuar të arrijë objektivat, sigurisht që ka për të ardhur më pas edhe kombëtarja. Objektivi im ky është, që shumë shpejt të jem sërish pjesë e këtij ekipi,” ‑ ka thënë në fund Rustemi.

Vllaznia‑Shkumbini, të dielën në orën 14:00

Ndeshja e kësaj fundjave mes Vllaznisë dhe Shkumbinit, e vlefshme për javën e shtatë të kampionatit të futbollit, do të luhet ditën e diel në orën 14:00. Kështu është vendosur nga FSHF-ja pas kërkesës së bërë nga kompania që ka fituar të drejtën televizive. Ajo përgjithësisht përcakton edhe oraret e zhvillimit të ndeshjeve, në mënyrë që të gjendet koha më e përshtatshme për ndjekjen e këtyre takimeve në televizion.

Komentet