Mbrojtësi Elvin Beqiri shpjegon aksidentin dhe ndërkohë në mesjavë do të vendosë për të ardhmen e tij
Që nga e mërkura në darkë është duke kaluar një gjendje jo të mirë shëndetësore. Dëmtimi i pësuar në ndeshjen e kombëtares sonë ndaj Qipros, vazhdon t’i shkaktojë dhimbje. Elvin Beqiri ka thyer hundën, pas një përplasje me kundërshtarin dhe si rrjedhojë për disa ditë do t’i duhet të pushojë. Një pushim i detyruar dhe ndoshta jo në momentin e duhur, sepse është fund merkatoje dhe ai pret t’i japë një zgjidhje të ardhmes së tij. Vetë lojtari është shprehur dje se për momentin e ka mendjen tek shërimi sa më i shpejtë dhe njëkohësisht në prononcimin e tij shpjegon edhe mënyrën si i erdhi dëmtimi.
“Ishte një dyluftim me një nga sulmuesit e skuadrës qipriote, kur ai papritur më goditi me bërryl në hundë. Ndjeva dhembje dhe menjëherë pas ndeshjes shkova në spital dhe mjekët konstatuan thyerje të fibulës anësore. Iu nënshtrova ndërhyrjes kirurgjikale dhe çdo gjë shkoi mirë. Tashmë jam në periudhën e riaftësimit dhe për disa ditë do më duhet të pushoj,” ka shpjeguar numri 18 i Vllaznisë.
Ndërkohë trajneri i kësaj skuadre, Hasan Lika, para pak ditësh duke shpjeguar dëmtimin e Beqirit ka thënë se me shumë mundësi lojtari në fjalë do t’i mungonte skuadrës së tij në 2 3 ndeshjet e para. I pyetur në lidhje me këtë çështje, vetë mbrojtësi i kuqebluve e ka shpjeguar në këtë mënyrë periudhën e rikthimit në fushën e blertë në stërvitje me ekipin: “Deri të mërkurën më duhet të mbaj maskën mbrojtëse që më kanë vënë mjekët. Pas kësaj dite, mendoj të dal në stërvitje me ekipin, por sigurisht që stërvitja nuk do jetë në ngarkesë maksimale, sepse do më duhet të ruhem nga përplasjet. A do të jem në fushë në ndeshjen e parë ndaj Besës? Këtë nuk di ta them me siguri, por gjasat janë që në këtë ndeshje unë të mos jem i gatshëm për të luajtur, megjithatë deri atë ditë do ta shohim me kujdes situatën”.
Sakaq me interes gjatë këtyre ditëve është pritur nga sportdashësit shkodranë edhe largimi apo jo i këtij lojtari nga Vllaznia. Beqiri ka vërtetë kontratë me kuqeblutë, por mund të largohet nga ato duke paguar një dëmshpërblim. Presidenti Fushaj i ka vënë një afat për të vendosur nëse do largohet apo jo dhe vetë futbollisti thotë se këto ditë do të ulet për të biseduar me presidentin.
“E kemi lënë që deri më datë 20 gusht unë të vendos për të ardhmen time. Për këtë arsye, deri të enjten, do të ulemi edhe njëherë me presidentin për të biseduar se çfarë do të bëjmë. Mund të qëndroj te Vllaznia mbase edhe duke rinovuar kontratën, megjithëse e përsëris, që prioriteti im është largimi jashtë vendit. Në Francë fati nuk ishte me mua dhe nuk munda të nënshkruaj, por unë pres deri në afatin e fundit të mbylljes së merkatos për të gjetur një ekip tjetër. Ndryshe jam te Vllaznia dhe këtu nuk ka asnjë dyshim,” ka thënë ai.
Mendja e tij është për të ikur, por a do të mendojë kështu edhe presidenti Fushaj? Kjo do zbardhet pas takimit të dy palëve në mesjavën e ardhshme.