Shkodranët kanë pasur mungesa, ndërsa të ardhurit nuk i kanë kënaqur tifozët shkodranë

Vllaznia - Laçi 0-1

Vllaznia: Tangara, Smajli, Mrvaljeviç, Rajoviç, Hallaçi, Nallbani, Kasapi, Alikaj (Bala), Vajushi, Nika (Osja), Rankoviç (Thiam).

Trajner: H.Lika.

Laçi: Llani, Brahja, Kastrati, Çela, Sefgjini, Shazivari, Tafili, Nimani, Nino, Nora, Mustafaraj. Trajner: E.Martini.

Shënues: Nora 35′

Gjyqtarë: N.Sterkaj, S.Zekaj, L.Jubica

Vllaznia ka bërë një paraqitje zhgënjyese në të parën miqësore të zhvilluar pasditen e djeshme ndaj Laçit. Kjo miqësore është luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku goli i Arlind Norës, në minutën e 35-të, ka mjaftuar që miqtë të fitojnë.

Pa Grimën, Sinanin dhe Shtubinën, është parë në fushë një Vllazni shumë apatike, që jo vetëm që nuk krijoi raste shënimi, por çaloi shumë edhe në lojë. Portieri veteran nuk është aktivizuar, sepse stafi ka menduar të vërë në provë të ardhurin Tangara. Kapiteni Sinani ka pasur temperaturë, ndërkohë që Shtubina ende nuk është riaftësuar plotësisht. Pa këta të tre, sigurisht që skuadra shkodrane nuk ka pasur shumë nivel, megjithëse me interes është pritur prezantimi i blerjeve të fundit të Vllaznisë, njëkohësisht edhe i atyre që ishin në provë.

Tangara, Thiam dhe Rankoviç kanë qenë në fushë në fraksione të ndryshme loje, por në të vërtetë nuk kanë paraqitur ndonjë gjë të veçantë. Portieri Tangara, në momente të veçanta, ka treguar nivel të mirë dhe për rrjedhojë ka marrë duartrokitjet e tifozëve shkodranë të pranishëm në stadium. Sulmuesi Rankoviç ka luajtur rreth 60 minuta dhe ka qenë shumë pak agresiv para portës kundërshtare. Diçka më ndryshe afrikani Thiam, por edhe ai jo shumë bindës. Në këtë mënyrë, e gjithë ndeshja është mbyllur me fitoren e Laçit, me rezultatin 1‑0.

Kjo humbje natyrisht që i ka shqetësuar shkodranët jo shumë nga rezultati sesa nga loja e zhvilluar. Këtë e ka pranuar edhe trajneri Hasan Lika pas ndeshjes, kur ka thënë: “Nuk ka qenë një lojë e mirë nga ana jonë, sidomos në pjesën e parë. Kemi luajtur dobët dhe jemi çarë në mbrojtje shpesh. Nuk më ka kënaqur shumë loja e Rajoviçit dhe mbase kjo do të më detyrojë të mendoj një mbrojtje ndryshe në qendër për kampionatin.

Kemi pasur disa mungesa të rëndësishme në skuadër dhe nga kjo nuk jemi shprehur si duhet, por përsëri them se humbja ishte e pajustifikueshme. Sa për lojtarët që janë në provë, ata nuk kanë kënaqur aq sa duhet, por nga an tjetër, duhet t’i shohim edhe me Kastriotin dhe më pas të vendosim. Kanë probleme ambientimi dhe për këtë arsye duhet t’u japim edhe pak kohë.”

Tifozët shkodranë të pranishëm në stadium nuk kanë dalë aspak të kënaqur nga kjo ndeshje. Ata kanë ironizuar shpesh me blerjet e klubit, sepse, sipas tyre, Vllaznia nuk është gati për ta nisur kampionatin.