“Nuk do të largohem nga Vllaznia edhe këtë sezon futbollistik”, është shprehur dje përmes linjës telefonike mesfushori sulmues i kuqebluve Ndriçim Shtubina. i konsideruar si një nga talentet më të spikatura që evidentoi kampionati i kaluar i superligës së futbollit shqiptar, Shtubina u vu menjëherë në shënjestër të disa klubeve, brenda dhe jashtë vendit. Mungesa në fushë për arsye dëmtimi në dy ndeshjet e turit të dytë ndaj austriakëve të Rapidit, duket se ka qënë ndryshimi kryesor i kursit për Shtubinën, kjo pasi që prej asaj dite, shanset për një transfertë jashtë Shqipërie erdhën duke u pakësuar në maksimum. Aq sa vijnë në këtë moment, kur dje gjatë një bisede telefonike me vetë Shtubinën që vazhdon të stervitet me skuadrën në kampingun e Pukës, mësojmë se është mbyllur përfundimisht pista e një transfertë jashtë vendit. Sipas tij një mundësi e tillë tashmë është në shanset zero, kjo, jo sepse në adresë të tij nuk ka aktualisht oferta, por që, në një farë mënyre ai i ka dhënë fund një ideje të tillë, të paktën për këtë sezon futbollistik. Gjatë bisedës me ne, ai bën të ditur, se dëmtimi i tij ka ardhur drejt rikuperimit, dhe se pikërisht dje ka qënë dita më e plotë që i është përgjigjur ngarkesës së dhënë nga stafi teknik në ditët përgatitore të Pukës. “Tani mendoj se jam mjaft mirë nga ana fizike, dhe po mendoj vetëm për Vllazninë duke harruar tashmë çdo iluzion për tu larguar jashtë shtetit”, thotë Shtubina përmes linjës telefonike nga Puka. “Unë kam dëshirë që të mos largohen nga Vllaznia pa marrë si kujtim me vete një titull të fituar”, vijon Shtubina, i cili thekson se sezonin e kaluar ishin shumë pranë, dhe atë që e humbën në javën e fundit me Tiranën, shprehë besimin se do ta realizojë në këtë edicion futbollistik. Duke folur për skuadrën Shtubina shprehet i kënaqur që edhe këtë vitë është arritur të ruhet grupi kryesor i titullarëve të formacionit, dhe se me përforcimet e ardhura në merkaton e verës beson se forca e Vllaznisë do të jetë e tillë për tu konfirmuar si një pretendente serioze e fitimit të trofeve të vitit. Ndonëse akoma nuk është në dijeni se si do ta ndërtojë formacionin tekniku Lika për ballafaqimin miqësor me laçjanët, ai vetë personalisht është në pritje të një aktivizimi të mundshëm. “Realisht kam pasur një farë shkëputje nga grupi i parë i skuadrës për arsye dëmtimi, por edhe nëse mund të luaj si zëvendësues në këtë ndeshje, ky ballafaqim duhet vlerësuar pasi do të jemi përballë një prej skuadrave më të përforcuara të kampionatit shqiptar”, shprehet Shtubina, i cili me këtë rast i jep një tip urimi dy skuadrave debutuese të Superligës shqiptare, Laçit dhe Kastriotit për të bërë më të mirën e tyre në sezonin e ri futbollistik.

panorama

Komentet