E para miqësore e Vllaznisë në prag të sezonit të ri, do të jetë ajo që do të luajë në Kupën “Petro Ruci”, që do të zhvillohet ditën e hënë në Vlorë. Më mirë të themi, do të jenë dy ndeshjet miqësore, pasi do të jetë një triangolare, ku marrin pjesë edhe Flamurtari dhe Partizani. Në fakt, këto ndeshje duket se kanë ardhur në një kohë jo shumë të përshtatshme për Vllazninë, pasi ajo vetëm të premten pasdite u sistemua në Pukë. Të lësh Pukën dhe të udhëtosh drejt Vlorës duket diçka jo e përshtatshme, por shkodranët kanë pranuar të marrin pjesë në këtë kupë për respekt të figurës së Petro Rucit, për nder të të cilit zhvillohet ajo. Njëkohësisht, shkodranët kanë respektuar edhe klubin “Flamurtari”, që me këtë kupë dëshiron të nderojë një nga emrat më të shquar të historisë së tij. Pritet që kuqeblutë të nisen mëngjesin e së hënës nga Puka drejt Vlorës dhe kthimi do të jetë po atë ditë. Gjatë ndeshjeve që do të luhen, trajneri Lika do të ketë mundësi të shohë gjendjen reale të ekipit pak ditë përpara nisjes së sezonit. Ky turne do të jetë testi më i mirë edhe për dy afrikanët e ardhur së fundi. Portieri Tangara dhe sulmuesi Thiam do të luajnë dhe në fund të kësaj kupe pritet të jepet edhe vendimi për ta.

Komentet