Nëse dy futbollistët nuk gjejnë skuadër tjetër këto ditë, për ta do të vendosë klubi
Të gjithë prisnin ndoshta të ndodhte ndryshe, por Elvin Beqiri dhe Amarildo Belisha dje janë bashkuar në stërvitje me Vllazninë. Në këtë mënyrë, duket se mbyllet këtu përfundimisht “telenovela” e tyre. Ditët e fundit ata janë kthyer në një çështje te klubi shkodran. Beqiri ka dashur të largohet vetë, kurse Belisha ka qenë në planet e presidencës për t’u huazuar në një skuadër tjetër. Për rrjedhojë, ata ditën e premte nuk u nisën me ekipin për në Pukë. Kjo solli edhe një zhurmë mediatike, teksa diku flitej për largim, ndërkohë që nuk mungonin aludimet se për dy futbollistët, arsyeja e mungesës ka pasur të bëjë me një ndëshkim disiplinor ndaj tyre.
Çdo gjë është sqaruar mesditën e djeshme, pas një takimi të dytë zhvilluar mes presidentit Fushaj dhe dy futbollistëve. Ka qenë vetë numri 1 i klubit shkodran ai që e ka sqaruar këtë çështje, teksa ka thënë: “Këta dy futbollistë, pra Beqiri dhe Belisha, por jo vetëm ata, sepse është edhe Bishani, kanë kërkuar të largohen për në skuadra të tjera. Duke qenë se kjo punë vazhdon prej ditësh, sigurisht që atmosfera në skuadër nuk ishte shumë e qetë. Për këtë arsye, kemi vendosur që atyre t’u jepet afat deri në fund të fazës përgatitore për t’u larguar.
Nëse deri pas kthimit të Vllaznisë nga Puka ata nuk kanë gjetur skuadër tjetër, është e drejta e klubit për të vendosur mbi ta. Kjo do të thotë se, nëse klubi ka interes për t’i shitur, do t’i shesë. Nëse vijnë lojtarë të tjerë, ata duhet të largohen nga skuadra si të panevojshëm. Pra, çdo gjë do të varet nga rrethanat që do krijohen në skuadër, sepse mbeten edhe pak ditë nga fillimi i kampionatit dhe pastaj nuk do të kemi kohë të bëjmë lëvizje të tjera.” Në këto rrethana, pas këtij akordi të fundit, duket se çdo gjë është në dorën e futbollistëve.
Elvin Beqiri dhe Amarildo Belisha, dje në drekë, pas takimit me presidentin Fushaj, kanë marrë rrugën për në Pukë, duke u bashkuar me skuadrën në stërvitje. Për mbrojtësin e kombëtares, bashkimi me Vllazninë ka zgjatur vetëm një ditë, sepse sot ai ka lënë sërish qytetin malor, ku është sistemuar Vllaznia, për t’u grumbulluar me kombëtaren.
Në këtë mënyrë, e ardhmja e këtyre futbollistëve edhe për pak ditë duket vërtet e paqartë. Ndoshta duhet pritur e shtuna e ardhshme, kur kuqeblutë do të kthehen në Shkodër, për të mësuar për fatin e tyre. Disa oferta që kanë mbërritur në adresë të tyre ende nuk janë të qarta. Se çfarë do ndodhë, kjo mbetet për t’u parë. Pak më ndryshe është pozita e portierit Bishani, i cili pritet të huazohet nga klubi shkodran në një skuadër tjetër të superligës.