Sulmuesi Thiam dhe portieri Tangara janë nisur me skuadrën në Pukë

Te skuadra shkodrane ardhjet e lojtarëve nuk kanë fund. Pasi kanë ardhur më parë disa malazezë dhe serbë, si dhe një shqiptar që jeton në Itali, kanë mbërritur në Shkodër edhe dy futbollistë afrikanë. Bëhet fjalë për një sulmues, që pritej prej ditësh, dhe një portier. Sulmuesi është Ibrahima Thiam, 28 vjeç. Ai ka luajtur sezonin e fundit në Irlandë, me ekipin Drogheda United, ndërkohë që më parë ka luajtur në Francë me Lion dhe PSG, për të kaluar në Bullgari e Belgjikë. Ndërkohë, sa i takon karrierës së tij, bëhet e ditur se ai ka qenë pjesë e kombëtares U‑23 të vendit të tij, Senegalit.

Bashkë me të ka ardhur edhe një portier, Fousseyni Tangara, 31-vjeçari që sezonin e kaluar ka luajtur në ligën e dytë franceze, me ekipin Beauvais. Origjina e tij është nga Mali, por prej vitesh ka jetuar në Francë dhe për rrjedhojë ka edhe nënshtësinë franceze. Portieri Tangara bëhet e ditur se përpara 3‑4 vitesh ka qenë portieri i kombëtares së vendit të tij, çka do të thotë se kemi të bëjmë me një ruajtës porte me shumë përvojë dhe me një CV të pasur.

Të dy ata do të jenë për disa ditë në provë te Vllaznia dhe për këtë arsye dje janë nisur bashkë me ekipin drejt Pukës. Në pamje të parë, të gjithë ata që i kanë parë dje duke u nisur me ekipin, kanë krijuar përshtypjen se lojtari më shtatlartë ishte portieri, por në fakt nuk ka qenë kështu. Sulmuesi Ibrahima Thiam ka qenë vërtet një gjigant, 1.92 m i gjatë, ndërsa portieri Tangara 1.83 m. Megjithatë, shtatlartësia nganjëherë nuk është ajo që vendos. Fakti që do të jenë në provë, tregon se çdo gjë është në dorën e trajnerit Lika dhe stafit të tij, që do të vendosë, duke parë aftësitë e tyre në stërvitje dhe jo CV‑të.