Ditmar Bici, është emri i ri që pritet t’i bashkohet skuadrës kuqeblunë. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë klubit të futbollit Vllaznia, të cilët theksojnë se përfaqësues të bordit të klubit të futbollit Vllaznia kanë kontaktuar me Bicin dhe bashkimi i tij me skuadrën kuqeblu pritet të bëhet në Pukë, aty ku Vllaznia do të sistemohet për fazën përgatitore. 20 vjeçari, i cili ka lindur në Lezhë dhe është rritur në Tiranë është aktivizuar fillimisht me ekipet e moshave të klubit Dinamo, dhe më pas edhe skuadrën e parë të këtij klubi, sezonin e kaluar ka luajtur në kampionatin bullgar duke luajtur si titullar me skuadrën Belasica, aty ku ka qenë edhe shkodrani Klodian Semina. Ndërkohë, bazuar në vlerat e tij si futbollist i repartit të mbrojtjes, Ditmar Bici ka luajtur si titullar në ekipin kombëtar Shpresa të drejtuar nga trajneri Artan Bushati. Me sa bëhet e ditur, futbollisti në fjalë nuk do të përfshihet në listën e futbollistëve të tjerë që kanë ardhur për provë pranë Vllaznisë, pasi aktivizimi i tij i mëparshëm në kampionatin shqiptar, si dhe vendi i titullarit në kombëtaren e Shpresave, e bëjnë emrin tij më bindës për stafin kuqeblu. Ajo që vlen të thksohet është fakti, se Ditmar Bici pritet të bëhet pjesë e skuadrës shkodrane, të cilët jo shumë larg në vite e ka drejtuar si trajner i suksesshëm edhe babai i tij, i mirënjohuri Vasil Bici, sot Drejtor i Sporteve pranë Ministrisë Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Lojtari kërkohej edhe nga Tirana, por burime pranë Vllaznisë se kanë një akord me lojtarin dhe se transferimi te kuqeblutë është punë e kryer.

Ndërkohë, duke u kthyer tek përgatitjet e kuqebluve duhet thënë se ato dje kanë zhvilluar vetëm një seancë stervitore, atë të mbasdrekes në fushën sportive të Shtojit, i cili është shoqëruar me ushtrime komplekse, fillimisht fiziko-atletike dhe më pas një punë e ngjeshur me topin. Në dispozicion të teknikut Lika kanë qenë të njëjtët futbollistë që janë stërvitur edhe në ditët e mëparshme, përfshirë edhe ato që kanë mbërritur për provë në radhët e Vllaznisë. Pas një ndeshje kontrolli mes tyre, të zhvilluar ditën e martë, dje është pritur që pjesëtarë të bordit drejtues të marrin një vendim në lidhje me vlerësimin e nivelit të futbollistëve të huaj, por edhe dje një gjë e tillë nuk është bërë e mundur. i pyetur nga “Sport Ekspres” rreth kësaj teme, tekniku i kuqebluve Hasan Lika është shprehur se ai me kolegët e tij është duke i vëzhguar me shumë kujdes këta futbollistë, por në lidhje me emrat që do të qëndrojnë tek Vllaznia ai nuk ka preferuar të flasë më tepër, pasi një gjë të tillë ka thënë se do ta bëjë në ditët në vazhdim. E reja e asaj çfarë thotë Lika për këtë temë, është fakti, se në ndryshim me atë çfarë është thënë në ditët e mëparshme se i gjithë kontigjenti i ardhur për provë do të udhëtojë për në Pukë në fazën përgatitore, Lika ka bërë të ditur se vendimi në lidhje me këto futbollistët do të merret përpara nisjes për në Pukë. Kështu, duke parë ditët në dispoizicion, një gjë e tillë do të mësohet, sot ose nesër.paradreke, pasi udhëtimi për në Pukë është planifikuar në orët e mbasdrekes të së premtes, për arsye se hoteli ku do të sistemohet Vllaznia është i bllokuar me një grup turistik, largimi i të cilëve nga qyteti piktoresk i Pukës bëhet në orët e mbasdites së po kësaj dite.