.Qendërmbrojtësi dhe kapiteni i Di namos, Arian Pisha, është vetëm një hap larg kalimit te Vllaznia. Ajo që flitej prej kohësh, duket se do të konkretizohet sot. Burime zyrtare në klubin shkodran kanë konfirmuar për “Panorama Sport”, se bisedimet me elbasanasin e Dinamos janë në fazën përfundimtare. Edhe pse nuk duan të flasin para kohe, në kampin kuqeblu e shohin pak a shumë si punë të mbaruar ardhjen e 32- vjeçarit. Lojtari preferohet shumë nga trajneri Hasan Lika, ndërkohë që drejtuesit kanë bërë ç’është e mundur për ta bindur atë. Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi, i cili do të çonte në katër numrin e mbrojtësve që për herë të parë veshin fanellën e Vllaznisë. Pisha shikohet si zëvendësuesi ideal i Elvin Beqirit, gjithnjë nëse ky i fundit largohet. Mbrojtësi shkodran është në pritje të sinjalit nga menaxherët, për t’u bërë pjesë e një ekip grek ose rus. Gjithsesi, në rast se ai respekton kontratën te Vllaznia, që i përfundon në muajin dhjetor të këtij viti, me plot gojën mund të thuhet se mbrojtja e kuqebluve është ndoshta me lojtarët më të mirë në Shqipëri.
Oferta
Shuma nuk bëhet e ditur, por një gjë është e sigurt: Arian Pisha ka marrë një ofertë tepër joshëse nga Vllaznia. Jo më kot, kapiteni i Dinamos nuk ka hedhur firmën për rinovimin e kontratës me blutë. Burime të sigurta pranë drejtuesve shkodranë bëjnë të ditur, se ajo që i është ofruar Pishës nuk krahasohet fare me atë që Dinamo ka propozuar për mbrojtësin në kontratën e re. Tashmë, janë të qarta ambiciet e presidentit të Vllaznisë, Valter Fushaj. Projekti i tij për një ekip kampion nis nga përforcimi i të gjitha reparteve. Nëse për mbrojtjen mund të thuhet se është “top”, sytë e kreut të Vllaznisë, natyrisht me sugjerimin e trajnerit Hasan Lika, janë drejtuar edhe tek të tjerë lojtarë cilësorë, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë.
panorama