Më në fund, trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, buzëqesh. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, kreu i pankinës kuqeblu ka shprehur kënaqësinë e tij për fuqizimin e ekipit me lojtarë cilësorë. Këtë gjë ia kishte premtuar pas ndeshjeve të Ligës së Evropës presidenti Valter Fushaj, dhe tashmë trajnerit i mbetet të seleksionojë futbollistët, që, më së shumti, kanë ardhur nga Mali i Zi dhe Serbia. Ekipi shkodran ndodhet në valën e punës dhe Lika ka rritur intensitetin në stërvitje, me nga dy seanca në ditë. Një gjë e tillë pritet të vazhdojë, ndërkohë mbetet për t’u parë se cili nga lojtarët në provë do të qëndrojë dhe cili do të largohet. Preferencat për ta janë dhënë paraprakisht, por zyrtarisht do ta thotë fjalën e fundit vetë trajneri Lika. “Mendoj se ekipi ynë po forcohet nga dita në ditë. Mund të them se drejtuesit e klubit po bëjnë maksimumin për ta fuqizuar atë. Me kënaqësi shprehem se asnjë moment drejtuesit e klubit nuk janë ndalur për sa i takon përforcimeve. Madje ne vazhdojmë të jemi në pritje të lojtarëve të tjerë. Këta janë si nga jashtë vendit, edhe brenda klubeve të Superligës”,- është shprehur Lika, i cili bën të qartë se merkatoja shkodrane nuk do të ndalet këtu.

Besimi

Nga ana tjetër, numri një i pankinës është i kënaqur edhe me përgatitjet që po bëhen, gjithashtu përkushtimin e lojtarëve në këtë drejtim. Ai beson se kjo Vllazni do të arrijë atë që syn- ADMIR URUÇI on. Deri më tani, përveç futbollistëve në provë, ka nënshkruar kontratë 1-vjeçare mbrojtësi me perspektivë nga Mali i Zi, Blazho Rajoviç. Po ashtu edhe mesfushori Enkel Alikaj. Kjo procedurë do të vazhdojë ndërkaq edhe me të tjerë. “Jam i kënaqur me atë që po paraqesin djemtë në këto ditë përgatitjesh. Gjithçka po shkon mirë në çdo drejtim. Unë kam besim se me këtë punë dhe përforcimet që po bëjmë, do të jemi aty ku dëshirojmë”, - nënvizon me optimizëm trajneri tiranas i Vllaznisë.

Përzgjedhja

Bashkë me pjesën tjetër të stafit teknik, Hasan Lika ka një punë të madhe përpara, jo vetëm me lojtarët e ekipit të tij, por edhe për të përzgjedhur më cilësorët nga ata që janë në provë. “Nuk e di saktësisht se çfarë mund të them për lojtarët që janë në provë. Do na duhen të paktën dhe 2-3 ditë që të vendosin për ta. Nuk kemi ndarë ende asgjë, por do ta bëjmë së shpejti. Dihet që do të qëndrojnë më cilësorët”, - sqaron Lika. Duket se një nga më të avantazhuarit për të firmos një kontratë me Vllazninë, është sulmuesi serb, Dushan Popoviç, që shihet si “partneri” i Sinanit në sulm.