Mesfushori shkodran e konsideron mjaft të rëndësishëm rivalitetin për një vend titullari
Ardhjet e fundit te Vllaznia kanë bërë që konkurrenca në këtë skuadër të rritet. Këtë e pranojnë të gjithë dhe sigurisht që është një lajm i mirë për kuqeblutë, sepse ata e konsiderojnë veten pretendentë edhe për sezonin e ardhshëm. Disa nga këta të ardhurit kanë firmosur me presidentin kontratat e reja, kurse të tjerë janë në provë dhe do ta bëjnë një gjë të tillë, pasi të marrin “OK”‑in e stafit drejtues. Gjithashtu, mund të vijnë edhe të tjerë për t’u provuar.
Vllaznia kësisoj është kthyer në një kantier ndërtimi gjatë këtyre ditëve. Duke folur në lidhje me konkurrencën e shtuar tashmë në skuadër, njëri nga titullarët shkodranë, mesfushori Amarildo Belisha, e quan tepër pozitive atë: “Sigurisht që ardhja e disa lojtarëve dhe shtimi i konkurrencës është gjë pozitive për skuadrën. Secili prej nesh motivohet më tepër, kur e sheh që nuk e ka vendin të sigurt në formacion dhe kjo është gjë shumë e mirë.
Vllaznia mendoj se është në rrugë të mbarë për të ndërtuar një skuadër pretendente përpara fillimit të sezonit të ri,” ‑ ka thënë për “Sportin shqiptar” mesfushori me numrin 8 i kuqebluve. Natyrshëm që rivaliteti për një vend në formacion është një plus më tepër për stafin teknik, që kështu do ta ketë më të lehtë për të zgjedhur 11‑shen, por kjo mund të krijojë edhe pakënaqësi, sepse dikush duhet të qëndrojë në stol.
Për Belishën ky nuk është aspak problem, sepse të gjithë do ta kenë të qartë se do të luajë ai që do të ketë formën më të mirë, prandaj shton: “Po ta marrim në aspektin individual, secili prej nesh nuk do të kishte dëshirë ndoshta që të kishte rivalë për postin ku ai luan. Ndërsa po ta marrim në aspektin kolektiv, kjo është shumë pozitive. Nëse nuk e meritoj të jem në formacion, nuk ka pse të më vijë keq, pasi do të luajë një lojtar tjetër, i cili ka formë më të mirë. Duke menduar dhe vepruar të gjithë kështu, ajo që do fitonte do të ishte Vllaznia.
Sa më shumë lojtarë cilësorë të jenë në dispozicion të trajnerëve, aq më mirë do të jetë, sepse kampionati është shumë i gjatë dhe do të ketë vend për të gjithë.” Në mesfushë, repartin ku ai luan, vërtet që konkurrenca është rritur së tepërmi. Të gatshëm aktualisht për trajnerin Lika janë Belisha, Nallbani, Alikaj, Kasapi, Osja, Doçi, Shtubina apo dhe të rinjtë Nika, Vajushi etj. Nuk përjashtohet mundësia që në ditët në vijim të ketë edhe ndonjë lojtar tjetër. Në këto rrethana, mesfusha e Vllaznisë mund të quhet vërtet e kompletuar.
Me një apo dy ndërhyrje edhe në mbrojtje apo sulm, gjërat do të ishin në mënyrën më të mirë të mundshme. Pikërisht për këtë arsye, në fund të prononcimit të tij, Belisha do të shprehej entuziast për ecurinë e skuadrës shkodrane në sezonin e ri: “Drejtuesit e klubit janë duke bërë të gjitha përpjekjet për të ndërtuar një Vllazni të fortë dhe besojmë se këtë gjë pothuajse e kanë arritur. Do të hyjmë në sezonin e ri me synime maksimale dhe për rrjedhojë do të tentojmë të marrim maksimumin prej tij.”
sporti shqiptar
Komentet