.Largimi i qendërm brojtësit Elvin Beqi ri duket se ka hapur një “gropë” te Vllaznia. Gjithsesi, drejtuesit e klubit dhe trajneri Hasan Lika kanë piketuar lojtarët që mund të jenë zëvendësuesit idealë të futbollistit shkodran. Kështu, në një bisedë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës kuqeblu konfirmoi se po bisedohet për afrimin e qendërmbrojtësit Arian Pisha, i cili është aktualisht pjesë e Dinamos. Nga ana tjetër, Lika përmendi edhe emrin e shqiptaro- maqedonasit, Zekerija Ramadani, i cili më parë ka luajtur me Besën, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë e ekipit azerbajxhanas, Karabak. “Për të afruar lojtarë, në mënyrë që të forcojmë ekipin aty ku na nevojitet, po punojmë në shumë pista, si jashtë edhe brenda vendit. Për momentin, di të them se gjithçka mund të quhet e përfunduar me Enkel Alikajn. Ndërsa përsa u përket lojtarëve mbrojtës, konfirmoj që kemi biseduar me Pishën dhe Ramadanin. Me këta të fundit është kontaktuar dhe bisedimet vazhdojnë ende nga drejtuesit më të lartë të klubit, - thekson trajneri Lika, i cili sot rinis punën për sezonin e ri. Megjithatë, përsa i përket merkatos, ka edhe shumë lojtarë të tjerë, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, që ne synojmë t’i afrojmë. Jemi në pritje dhe nesër (sot) do të fillojmë punën, vetëm me lojtarët që kemi në dispozicion”, shtoi ai.
Synimet
Duke folur për synimet që do të ketë Vllaznia në sezonin e ri, Lika shkurtimisht u shpreh: “Për mendimin tim, është herët për të thënë se çfarë do të synojë Vllaznia që unë drejtoj për këtë sezon futbollistik. Megjithatë, objektivat e këtij ekipi në çdo sezon dihen.” Lika vazhdon të jetë në pritje dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me presidentin Valter Fushaj, në mënyrë që ekipi i sezonit të ri të jetë më kompetitiv. “Drejtuesit e klubit po punojnë për të gjetur lojtarët e duhur për të qenë ekip pretendues. Tani jemi në pritje të përforcimeve që drejtuesit e klubit kanë premtuar. Natyrshëm, do të ketë blerje në të gjitha repartet, pavarësisht se një gjë të tillë me mirë mund ta them në vijim, kur do të nisim punën. Tashmë di vetëm të them se drejtuesit e klubit po punojnë pa pushuar për të afruar lojtarët e duhur pranë skuadrës”, bëri të ditur kryepankina e Vllaznisë.
Kundërpërgjigja
Pak ditë më parë, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, premtoi për ardhjen e shumë lojtarëve cilësorë. Madje, numri një i klubit kuqeblu, ndër të tjera ka thënë: “Trajnerit Hasan Lika do t’i sjellë aq shumë lojtarë, sa nuk ka për të qenë i zoti për t’i seleksionuar.” I pyetur në lidhje me këtë batutë të Fushajt, tiranasi që drejton Vllazninë u përgjigj thjeshtë. “Të vijnë një herë dhe pastaj të shikojmë nëse do të kemi një vështirësi të tillë.” Ndërkohë, deri më tani lojtarë që do të debutojnë me Vllazninë në këtë kampionat mund të quhen Zeljko Mrvaljeviç, Rrahman Hallaçi, Fetim Kasapi dhe Enkel Alikaj.
panorama