Portieri shkodran Armir Grima u kthen përgjigje të gjithë dyshuesve për për largimin nga kuqeblutë

Prej gati një jave emri i tij dhe i kapitenit Sinani janë lakuar shumë në media. Për gjobitje, presion për t’u larguar nga Vllaznia etj. Armir Grima dje i ka hedhur poshtë të gjitha këto. Ashtu siç ka bërë një ditë më parë edhe sulmuesi kryesor i skuadrës. “Veterani” i portës shkodrane ka folur dje për “Sportin shqiptar”, duke shpjeguar situatën e fundit. Ai e quan të papranueshme mënyrën si është trajtuar kjo çështje, sepse brenda saj ka pasur shumë të pavërteta. “Të them të drejtën për gati një javë edhe unë jam çuditur me ato që kam lexuar dhe dëgjuar. Bëhej fjalë për gjoba, presion tonin për t’u larguar dhe gjëra të tilla të ngjashme.

Shyqyr që kjo punë mori fund, sepse edhe unë personalisht nuk po i besoja vetes. Dyshoja nëse vërtetë kisha bërë presion për t’u larguar dhe për më tepër të shumtë ishin miqtë dhe kolegët e mi që më telefononin dhe më pyesnin për këtë gjë. Ajo që mund të them unë është se mund të ketë pasur ndonjë keqkuptim të vogël, por kurrsesi gjërat nuk kanë qenë ashtu siç janë trajtuar në media.

E patë dhe vetë që ajo u zgjidh krejt lehtë, bieduam miqësisht me presidentin dhe në fakt nuk patëm asgjë për të sqaruar në lidhje me gjobat a gjëra të tjera. Thjesht diskutuam për skuadrën dhe kaq,” ‑ është shprehur “gardiani” i portës kuqeblu. Vllaznia kësisoj është e qartë se do ta ketë sërish Grimën edhe në sezonin e ri në portën e saj. Nuk ka asnjë dyshim, madje vetë portieri 35-vjeçar asnjëherë nuk ka qenë i lëkundur në këtë vendim të tij.

E pranon vetë, kur thotë: “Fjalët se kisha bërë presion për t’u larguar në ndonjë skuadër tjetër nuk kanë pasur asnjë vlerë tek unë. Kam qenë shumë i vendosur dhe jam sërish se nëse një ditë vjen puna për t’u larguar nga Vllaznia, pas asaj dite nuk do të ketë asnjë konkakt me ndonjë skuadër tjetër, veçse do të lë futbollin. Vllaznisë i kam dhënë dhe më ka dhënë shumë, prandaj dua ta mbyll me nder me të.”

Për lojtarin me numrin 1 në shpinë të skuadrës shkodrane, duke nisur nga sot, nis një sezon i ri. Mbase edhe i fundit i karrierës së tij, por ndoshta gjërat mund të shkojnë edhe ndryshe dhe ai do jetë sërish në portë. E rëndësishme për vetë Grimën është të bëjë më të mirën në çdo moment për skuadrën e tij të zemrës. Sëbashku me shokët e tjerë të skuadrës, në mënyrë që në këtë sezon të ri, të besojmë tek arritja e suksesit të munguar sezonin e shkuar.

Ai beson në këtë gjë dhe prandaj në fund thotë: “Besoj te projekti i presidentit Fushaj. Ai po bën më të mirën e mundshme për të ndërtuar një skuadër cilësore dhe mendoj se do t’ia dalë. Të gjithë sëbashku pastaj do të punojmë për ta nisur dhe mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri, mbase duke ia dalë edhe me fitimin e titullit kampion që nuk arritëm ta marrim dot sezonin e kaluar.”

Portieri Grima, nis sezoni i 17‑të me kuqeblutë

Ka moshën më të madhe në gjithë lojtarët e Vllaznisë. Pak ditë më parë ka mbushur 35 vjeç, por Armir Grima ndjehet sërish i ri. Njëkohësisht edhe i motivuar për të bërë më të mirën e mundshme me këtë skuadër edhe në sezonin e ri. “Do të nis një tjetër sezon me Vllazninë dhe të them të drejtën jam sërish njëlloj i motivuar si në hapat e parë të karrierës sime. Kështu do të jem deri në ditën që do të vendos për ta lënë futbollin dhe ajo ditë të them të drejtën nuk e di se kur do të jetë. E them këtë, pasi e thashë edhe më lart, ndjehem i motivuar për të luajtur sërish,” ‑ thotë ai. Kur i thua Grimës që ky i tanishmi do të jetë i 17‑i sezon me Vllazninë (pa llogaritur tre sezone të tjera që ka luajtur me skuadra të tjera), ai edhe vetë duket i habitur, paksa dhe kjo dallohet qartë edhe në përgjigjen e tij: “17? Po më duken paksa si shumë, megjithëse unë nuk i kam llogaritur asnjëherë. Por ku i dihet, ky numër mund të shkojë edhe në 18, 19 apo 20.”