Akademia përzgjedh trajnerët e moshave

Që nga fillimi i kësaj jave në Shkodër ka nisur seleksionimi i elementit të ri për ekipet e moshave të Akademisë Vllaznia. Vërehet një fluks i madh fëmijësh, të cilët duan të jenë pjesë e kësaj Akademie, ndërkohë që trajnerët dhe specialistët e angazhuar në këtë seleksionim, po punojmë me shumë kujdes për përzgjedhjen e më të mirëve. Trajneri i ekipit U‑19 është caktuar Elvis Plori. Ky i fundit në sezonin e kaluar e ka shpallur kampion ekipin e 17-vjeçarëve. Në vend të tij tek U‑17 tashmë do të jetë Entri Çaku, edhe ky një tjetër ish‑futbollist i Vllaznisë vite më parë dhe që prej disa vitesh punon me moshat. Në Shkodër është duke u punuar shumë mirë me moshat dhe kjo po shihet më së miri te rezultatet e këtyre ekipeve, teksa U‑17 për dy vjet me radhë është kampion i vendit.

Kuqeblutë, stërvitja nis sot pasdite

Për futbollistët e Vllaznisë periudha e pushimeve ka mbaruar. Mbas një jave të kaluar larg fushave të stërvitjes, sot pasdite për ta do nisë periudha e “vuajtjeve”. Themi kështu, pasi tashmë për ta është përpara faza e fundit e përgatitores në prag të startimit të sezonit të ri futbollistik. Kuptohet që nuk do të ketë më vend për pushim, por për ngarkesa të mëdha stërvitore dhe nga dy seanca në ditë. Pasdite në orën 18:00 të gjithë futbollistët do të jenë të pranishëm në fushën e Shtojit për të zhvilluar seancën e parë. Para trajnerit Lika pritet të jenë prezentë edhe disa nga ardhjet e reja te Vllaznia dhe më konkretisht Enkel Alikaj, apo dhe dy sulmuesit serbë që do të jenë në provë. Nuk përjashtohet mundësia që të jetë edhe ndonjë futbollist tjetër, pasi përpjekjet e drejtuesve të klubit për të afruar sa më shumë lojtarë cilësorë vazhdojnë.

sporti shqiptar