Kapiteni shkodran Vioresin Sinani ka shprehur mërzinë ndaj disa shpifjeve në adresë të tij

Prej ditësh trajtohet në mënyra të ndryshme çështja e kapitenit të Vllaznisë, Vioresin Sinani, dhe e portierit të kësaj skuadre Armir Grima. Disa deklarata në media të vetë presidentit Fushaj për ndëshkim ndaj këtyre lojtarëve për kartonët e kuq të marrë ndaj Sligo Rovers, kanë krijuar probleme të vogla në skuadër. Më tepër mediatike sesa probleme që ekzistojnë në të vërtetë. Madje u arrit deri atje saqë u deklarua se Sinani kishte menduar largimin nga skuadra dhe në garë për të ishin Tirana dhe Flamurtari. Ndërkohë dje paradite, sulmuesi i kuqebluve është parë të jetë në shoqërinë e presidentit Fushaj në ambientet e barit të hotel “Colosseu”.

Pas këtij takimi, i kontaktuar nga “Sporti shqiptar”, Vioresin Sinani do të shprehej: “Personalisht nuk e di pse duhet të jetë kaq problematik takimi im me presidentin. Thjesht u takuam, ashtu siç jemi takuar shpeshherë bashkë dhe biseduam për çështje të ndryshme, jo vetëm për sportin. Nuk pati asnjë diskutim për prishje kontrate apo largim siç mund të jetë shkruar nëpër gazeta. Thjesht pimë një kafe dhe kaq.” Duket qartë se vetë lojtari nuk shprehet krejt hapur në ato çfarë dëshiron të thotë. Sigurisht që ka diçka edhe për të fshehur, por në të vërtetë kur e ngacmojmë për ofertat, ai qesh dhe shton: “Të them të drejtën, edhe vetë jam befasuar me ato çfarë kam lexuar.

Gjoja kam vënë kushte dhe po bëj presion për t’u larguar nga Vllaznia. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk e kam menduar këtë gjë asnjëherë. Unë kam firmosur një kontratë bashkëpunimi me presidentin Fushaj në fillim të qershorit për të luajtur një sezon me këtë skuadër dhe përderisa kontrata është duke u respektuar, nuk kam pse mendoj të tilla gjëra.

Madje mund ta them publikisht se as nuk e mendoj largimin nga Vllaznia, përderisa çdo gjë në lidhje me kontratën time është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme.” Ai nuk flet as për gjobë dhe as për ndëshkim të klubit. Mbase nuk i është komunikuar asgjë. Vetë takimi i djeshëm me presidentin Fushaj tregon se marrëdhëniet mes tyre janë shumë të mira, ashtu siç kanë qenë gjithnjë.

Dhe në marrëdhënie të tilla, kuptohet që askush nuk ka dëshirë të prishë punë. Sezoni i ri është në prag dhe presidenti me kapitenin në kafene dje mund të kenë biseduar më tepër për ndërhyrjet që duhen bërë në skuadër, në mënyrë që të ndërtohet një skuadër shumë e fortë dhe pretendente. Vetë deklaratat e presidentit se po kërkon një sulmues cilësor për ta vënë në krah të Sinanit, rikonfirmojnë edhe njëherë tjetër besimin që klubi ka te kapiteni i tij. Jo më kot ai është lider i skuadrës kuqeblu prej vitesh. Ka mjaftuar kafja e pirë dje që “gojët e liga” të mbyllen njëherë e mirë. Vllaznia e sezonit 2009‑10 nis pikërisht nga ai që ka nisur gjithmonë: Vioresin Sinani.

sporti shqiptar