Përpjekjet e drejtuesve të Vllaznisë për të fuqizuar skuadrën në prag të nisjes së sezonit të ri po fillojnë të bëhen realitet. Pasi është zyrtarizuar kontrata me Enkel Alikajn, të tjera lëvizje pritet të realizohen në ditët në vazhdim. Kështu, për të fuqizuar sulmin do të vijnë dy sulmues nga Serbia. Ata do jenë në provë për disa ditë dhe në fund të provës, njëri prej tyre, ai që do bindë më tepër, do të firmosë për kuqeblutë. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë klubit shkodran.

Sipas këtij burimi, bëhet fjalë për futbollistë me CV të pasur, por drejtuesit e Vllaznisë nuk kanë ndër mend t’u besojnë atyre. Ata duan t’i shohin vetë, në mënyrë që të mos gabojnë dhe në fund ai që do vendosë do jetë trajneri Lika. Ky i fundit është përgjegjësi për të marrë vendimet e duhura në merkato dhe ajo çfarë duhet pranuar është se “timonieri” i kësaj skuadre nuk bindet kollaj për aftësitë e lojtarëve që vijnë nga merkato. Më shumë u beson lojtarëve të rinj se atyre që mund të blihen me shuma të mëdha dhe nuk arrijnë të bëjnë diferencën në fushën e lojës. Me ardhjen e dy serbëve në provë, radhët e Vllaznisë shtohen kësisoj. Në ditët në vazhdim mund të ketë edhe të tjerë lojtarë që do të vijnë për t’u provuar.

Vetë presidenti Fushaj ka deklaruar se do të sjellë aq shumë lojtarë në stërvitje, sa trajneri Lika do të mërzitet me ta. Kuptohet, kjo është thënë në formën e një batute, sepse Lika nuk do mërzitet kurrë nëse do t’i vijnë lojtarë cilësorë. Sa u takon dy serbëve që do të vijnë sot, nga të dhënat e para që mbërrijnë për ta, merret vesh se janë të rinj në moshë, më i madhi nga ata është 27 vjeç. Pikësynimi kryesor i presidentit Fushaj dhe stafit të tij është gjetja e një sulmuesi të denjë për ta vënë në krah të kapitenit Sinani. Aktualisht vetëm ky i fundit është sulmuesi i mirëfilltë dhe i sprovuar që Vllaznia ka në dispozicion.

Të tjerët janë të rinj dhe pa përvojën e duhur. Duke qenë kështu, kërkohet medoemos për një sulmues prej kohësh. U shpresua te braziliani De Oliveira, por ai nuk rezultoi i tillë dhe nuk do të jetë pjesë e skuadrës, ashtu si dhe braziliani tjetër, mesfushori Salis. Me njërin nga serbët mendohet të mbyllen përforcimet në sulm, ndërkohë që është duke u menduar edhe alternativa tjetër: ajo e dështimit të tyre dhe për këtë arsye është edhe një tjetër variant i gatshëm me një sulmues afrikan. Përveç sulmit, po tentohet ndërhyja edhe në mesfushë.

Me Alikajn gjërat rregullohen disi, ndërkohë që mund të ketë edhe ndonjë alternativë tjetër në ditët në vazhdim. Nga ana tjetër presidenti Fushaj është duke pritur nëse Beqiri e mbyll punën në Francë apo jo. Por megjithatë, thuhet se ai ka kontaktuar me një futbollist tjetër, po jashtë vendit, për të bërë kështu të mundur zëvendësimin e tij nëse largohet. Por edhe nëse mbetet te Vllaznia, i ardhuri i ri sërish do të ketë vend në skuadër. Në këtë mënyrë, duke nisur nga sot, pritet të ketë shumë risi te Vllaznia.

s.shqiptar