“Kam firmosur tashmë për Vllazninë dhe ditën e enjte i bashkohem ekipit shkodran.” Kështu shprehet mesfushori Enkel Alikaj, i cili pas largimit nga Teuta e Durrësit, ka vendosur të luajë me Vllazninë. Alikaj shprehet se është mjaft i kënaqur nga oferta shkodrane, e cila i përgjigjet plotësisht interesave të veta. “Dihet që Vllaznia është një nga ekipet më të mira të vendit dhe ka shumë ambicie për sezonin e ardhshëm, ku kërkon padyshim trofe.
Unë kisha disa oferta brenda vendit, por drejtuesit e Vllaznisë ishin më këmbëngulës dhe oferta që më bënë iu përgjigj plotësisht interesave të mia. Kam firmosur të dielën në darkë me Vllazninë pas kontakteve me presidentin Fushaj për një sezon dhe tashmë ditën e enjte do t’i bashkohem ekipit të Vllaznisë, pasi deri atë ditë ekipi është pushim.
Ndihem mjaft i kënaqur që do të mbroj ngjyrat e kësaj skuadre, që ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet ndër ekipet më të mira të vendit,” - ka deklaruar Alikaj, i cili është ndarë me konsensus nga Teuta, madje këtë ai e përmend edhe vetë: “Nuk më ka mbetur peng diçka për largimin, pasi unë jam ndarë me konsensus të plotë dhe miqësisht me presidentin Hasanbelliu.
Jam larguar pas asnjë lloj problemi, kam biseduar me presidentin, jemi takuar dhe më pas jam larguar nga ekipi i Teutës, ku kam kaluar një sezon të mirë dhe jam ndjerë i vlerësuar, por tashmë do të luaj me Vllazninë. I uroj suksese ekipi durrsak dhe mendoj se Teuta do të jetë një ekip dinjitoz edhe sezonin e ardhshëm.”
sporti shqiptar