Tekniku i përfaqësueses U-19, Ramadan Sehu ka ndjekur takimin kundër Otrant dhe vlerëson talentët shkodranë
Ashtu siç ishte paralajmëruar, futbollistët e Akademisë së Futbollit Vllaznia, të moshës 18 vjeçare, kanë zhvilluar pasditen e së dieles një ndeshje miqësore me skuadrën e parë të qytetit të Ulqinit, Otrant, skuadër e cila në muajin janar u ndesh me Vllazninë e madhe gjatë ditëve të fazës përgatitore, që kuqeblubtë zhvillonin në Ulqin. Ulqinakët detyrohen të dalin të humbur për të dytën herë nga ballafaqimi me shkodranët, kur pasi i ka mundur Vllaznia e madhe me rezultatin 3-1 edhe në këtë ndeshje, kur përballë kishin 17-18 vjeçarët e këtij klubi, fitues kanë dalë sërishmi futbollistët shkodranë, këtë rradhë me rezultatin e ngushtë 1-0, me gol të shënuar nga Edison Puka. Ajo çfar ka ndryshim nga dy fitoret ndaj ulqinakëve është fakti, se në ndeshjen e parë në formacionin e kuqebluve, atëherë i drejtuar nga Agim Canaj kishte edhe futbollistë të aktivizuar në kampionat, si dhe të ardhur nga jashtë shteti, ndërsa në të dytën, tekniku Elvis Plori ka luajtur vetëm me djemtë e rinj shkodranë. Kjo është bërë në një farë mënyre edhe objekt diskutimi edhe për specialistët e shumtë të futbollit të pranishëm në këtë ndeshje, qoftë ato të ardhur nga Shkodra, si dhe atyre vendas të Ulqinit dhe më gjërë. Mes atyre që e ndiqnin këtë ndeshje ishin edhe dy trajnjerët e ekipeve përfaqësueseve, Ramadan Shehu i Shqipërisë për U-19 dhe Dushko Vajslaviviç, trajner i ekipit Shpresa të Malit të Zi. Diferenca në moshë në mes skuadrës së parë të Ulqinit, Otrant dhe ekipit 17-18 vjeçar të Akademisë së Vllaznisë krijoi idenë fillimisht për një vështirësi të futbollistëve shkodranë. Por kjo ka zgjatur vetëm pak minuta, sepse pas shënimit të golit në minutën e 12-të, me anë të Pukës, futbollistët e talentuar të Vllaznisë kanë qënë shumë të lirshëm në fushën e lojës, dhe e kanë dominuar përgjithësisht të gjithë takimin. Këtë e vertetojnë edhe rastet e shumta për shënim që patën futbollistët shkodranë, për ta dyfishuar avantazhin. Miqësorja e zhvilluar në Ulqin, i ka shërbyer trajnerit të Vllaznisë Elvis Plori, për testimin e skuadrës së tij në këtë periudhë përgatitore, duke i dhënë një mundësi më shumë futbollistëve të paraqesin vlerat e tyre në fushën e lojës. Por, në të njëjtën kohë, kjo miqësore i ka shërbyer drejtpërdrejtë edhe teknikut të përfaqësueses U-19 Ramadan Shehu, pasi ka pasur rastin më të mirë të ndjekë nga afër disa nga futbollistët kandidatë të skuadrës që ai drejton, të cilët janë pjesë e skuadrës shkodrane. Shehu është prej 10 ditësh në Ulqin duke kaluar pushimet dhe me sa u informuam, kjo ndeshje ishte inciuar pikërisht prej tij, për të pasur një mundësi më shumë në vëzhgimin e futbollistëve cilësorë. Tekniku Shehu është parë të ndjekë nga afër edhe ndeshjen e Ligës Europiane në “Loro Boriçi”, në mes Vllaznisë dhe Rapidit të Vienës, edhe këtu me të njëjtin mision, atë të vëzhgimit të elementit të rinj, kandidatë për ekipin kombëtar. Paraqitja shumë e mirë e skuadrës shkodrane dhe në veçanti i disa individëve që ishin në shënjëstrën e teknikut, ka bërë që në përfundim të takimit Shehu të deklarojë votën pro për disa futbollistë cilësorë të Vllaznisë, emrat e të cilëve pritet t’i bëjë publikë në ditët në vazhdim. Ndërkohë që është shprehur shumë pozitivisht edhe për shumë individë të tjerë, për të cilët mund të jetë një periudhë më e vonë kohore që të thirren në përfaqësuese. “Klubi i Futbollit Vllaznia ka në gjirin e tij elementë të rinj cilësorë dhe me shumë perspektivë”, tha pas kësaj ndeshje tekniku Shehu, i cili dukej qartë që kishte mbetur i befasuar nga loja shumë e mirë, që djemtë e rinj të Akademisë së Vllaznisë të moshave 17 dhe 18 vjeçare. Madje, për ta përforcuar mendimin e tij, Shehu duke na prezantuar kolegun e tij, Dushko Vajslaviviç, trajner i ekipit Shpresa të Malit të Zi, me të cilin e kishte ndjekur të gjithë ndeshjen së bashku, thotë se edhe nga ana e tij ka marrë të njëjtat vlerësime. Sipas Shehut, kolegu i tij ka vlerësuar së tepërmi disa futbollistë që luanin për Vllazninë, madje për disa prej tyre ka treguar interes, për t’i ofruar ndonjë mundësi që të luajnë në ekipet e kampionatit malazez. “T’ju them sinqerisht, kjo që dëgjova prej kolegut tim ishte me të vertetë diçka shumë interesante dhe shumë krenare kur bëhej fjalë për për një brez futbollistësh shumë cilësorë që po rriten pranë klubit Vllaznia”, vijoi tekniku Ramadan Shehu, i cili këtë e quan një sukses jo të vogël të klubit Vllaznia, që në dy-tre vite pune me akademinë e futbollit, arriti në këto nivele kaq pozitive. Duke parë faktin se aktualisht në ekipin e parë të Vllaznisë janë plot dhjetë futbollistë të rinj, që janë inkuadruar aty nga ekipet e akademisë dhe duke i shtuar edhe brezin tjetër të datëlindjeve 1992, që ai i ndoqi nga afër në Ulqin, Shehu është i mendimit se Vllaznia ka një të ardhme shumë të sigurt dhe të suksesshme. “Për mendimin tim, nëqoftëse do të ecet me këto ritme, me këtë element që ka në dispozicion, shumë shpejt, ndoshta edhe brenda një viti, Vllaznia nuk do të ketë nevojë të blejë futbollistë nga kampionati shqiptar, dhe as nga jashtë vendit, pasi kontigjenti që ka aktualisht në dispozicion, jo vetëm që i plotëson kërkesat e tyre, por në të njëjtën kohë i ka të gjitha mundësitë të transferojë me huazime në skuadra të tjera, lojtarë të kësaj akademie, duke menduar kësisoj edhe për buxhetin e klubit.
sport ekspres